top of page

NJË MATERIAL I PANJOHUR MË PARË



NJË MATERIAL ARKIVOR QË FLET EDHE PËR SOT


Dr Fatmir Terziu


Elbasani, thuhet në arkivat britanike, “është një qytet i lashtë, në “Albania”, është disa milje larg nga qyteti Durrës” dhe thuhet “që është përmendur për herë të parë në shekullin e dytë të Erës Sonë”. Elbasani shtohet në arkivat në fjalë, është në qendër të vëmendjes “për arsye të lidhjeve të tij të hershme perëndimore dhe të mjaft intelektualëve që kanë lidhje të tërthorta me qytetërimin perëndimor”. (The Brisbane Courier; 11 Tetor 1918)

Elbasani gjatë periudhës së viteve 1914 dhe 1918 është në një vëmendje të vazhdueshme perëndimore. Janë lajmet që vijnë më së shumti nga burime austriake dhe që depërtojnë si radhë ndonjëherë në arkivat britanike. Lajmet natyrisht janë të ndryshme, por në të gjitha thuajse thuhet se janë lajme që vijnë nga “ajri”, gjë që nënkupton se ato ishin informata që delegoheshin në vëmëndjet perëndimore nga instanca të interesuara në terren. Pikërisht më 7 tetor të vitit 1918-të lajmet e tilla kanë të bëjnë me një mesazh zyrtar austriak që thotë: “Në Shqipëri, regjimentet franceze dhe serbe hynë në Elbasan, të cilët e kishin evakuar një pjesë të popullsisë.” Ndërsa për të njëjtën datë versioni zyrtar italian është: “Pas shkatërrimit të rezistencës kokëforte të rojeve të pasme të armikut, hymë në Elbasan më 7 tetor. Avancimi vazhdon.” Me këtë rast një komunikatë tjetër thotë: “Në Shqipëri vazhdojmë të ecim përpara drejt Elbasanit dhe po e ndjekim autokolonën ushtarake austriake.” (1918)

Por ajo që bie në sy është dhe fragmenti i një materiali që përqëndrohet tek një emërtim, të cilin ne e kemi njohur me Normalen e Elbasanit, por që këtu e ndeshim me një emër të ri që quhet “Kolegji i Mësuesve në Elbasan”. Materiali në fjalë është një shkrim, apo artikull, ku thelbi është për të cituar një fakt të kohërave, të përmbledhur në një fjali: “Çfarë ndërtoi Britania, shkatërroi Italia?”

Materiali, që në fakt ndalet shkurtimisht nëdisa detaje, natyrisht ka në plan një periudhë të shkurtër të ndihmës britanike. Kjo periudhë e tillë më së shumti i dedikohet vlerave edukative, kulturore dhe arsimore. E pikërisht këto vlera të tilla kapin atë që me shumë rëndësi mund të quhet si ndihma më e madhe britanike, perëndimore për Shqipërinë. Është fjala për shkollat, arsimin dhe arsimimin, sikurse këtë ndihmë e kanë prurë në Shqipëri dhe Franca, austria, Amerika. Pra ky material arkivor mbetet efikas dhe për sot.

NJË MATERIAL I PANJOHUR MË PARË

Ky material i panjohur më parë dhe që është shkruar nga një shqiptar, por që emri i tij jepet vetëm me nënkuptim, që sipas të gjitha formave të njohjes, dhe atyre që detajohen në të kuptohet qartë se është një shkrim i diplomatit, gazetarit dhe themeluesit të BBC në shqip, intelektualit shqiptar Dervish Duma. Dervish Duma, që ishte dhe transmetues, biznesmen dhe udhëheqës i komunitetit shqiptar, i lindur në Borsh, Shqipëri më 4 korrik 1908 ishte i martuar në vitin1936 me Naftali Andonin, që vdiq në vitin 1966, dhe la pas një djalë, ai vetë, pra Dervish Duma ndërroi jetë në Uest Horsley, Surrey, më 6 maj 1998. Në këtë material të arkivuar dhe që përbën një rëndësi të përqasjes dhe në kohë, duket qartë dhe verdikti me të cilin ai trajton realitetin e asaj kohe. Shkrimi thekson qartë se “Shqipëria i detyrohet shumë popullit britanik për ndihmën e tij bujare në ndërtimin e një vendi të lënë pas dore. Shqipëria gjithashtu u “detyrohet” italianëve për një marrëveshje të madhe, për shkatërrimin e saj.”

Sipas Dumës, “pothuajse të gjitha komentet e fundit në Britani të Madhe për Shqipërinë kanë pasur një tipar të përbashkët: Ato shprehin përshtypjen se Shqipëria është një vend i egër, pa ligj, primitiv, i mbushur me banditë dhe fise ndërluftuese, dhe në tërësi, si një kupti i thjeshtë, me të mirën për asgjë.” Materiali thekson se “Gjenerali Jocelyn Percy dhe stafi i tij britanik, të cilët në 15 vitet e fundit kanë organizuar shërbimin e xhandarmërisë në Shqipëri, kaq tërësisht dhe me kujdes, do të gëzoheshin shumë për të lexuar rreth banditëve dhe fiseve të egra. Kontrasti ndaj kësaj figure është siguruar nga gjendja e vërtetë e Shqipërisë, dhe kjo është mirë, ilustruar nga zhvillimi i instruksioneve publike, që ka qenë përgjegjëse për një numër fazash interesante, dhe është përmendur edhe në Australi në gazetën e vjetër “The Age”.”[1]

Në material shënohen mjaft fakte interesante. Aty thuhet se:

Shkolla e parë, ose Kolegji i Mësuesve, për të përgatitur mësues në gjuhën shqipe në tokën shqiptare u themelua në një sekret të madh në vitin 1908. Deri në vitin 1912, kur Shqipëria u lirua nga sundimi turk, Kolegji i Mësuesve në Elbasan ishte në proces. Ai u përmirësua ndjeshëm dhe u zgjerua nga austriakët gjatë pushtimit të tyre nga vendi në luftën e fundit. Qeveria austriake dërgoi shumë studentë në Vjenë dhe Grac për studime të përparuara. Okupimi francez i Korçës çoi në krijimin e një liceu të klasit të parë në Korçë. Shumë nga të diplomuarit e tij janë pranuar në Sorbonne dhe kanë përfunduar me sukses studimet e tyre atje.”

Më poshtë nga fakti i studimit në shkollën teknike në Tiranë dhe fatin për të studiuar në Britaninë e Madhe, kuptojmë qartë penën e artikullshkruesit të rrëndësishëm, që na jep shansin për të kuptuar dhe mjaft enigma të tjera, që renditen më poshtë.

Në vitin 1921, Kryqi i Kuq Amerikan, duke njohur nevojën e vendit të shkatërruar nga lufta për profesionalistë teknikë, themeloi shkollën teknike në Tiranë. Qindra të diplomuar nga kjo shkollë i kanë dhënë një shërbim të madh vendit të tyre. Ata me fat (duke përfshirë artikullshkruesin) morën diploma nga universitete si Oksfordi, Cambridge, nga universitete të tjera në Londër, Harvard dhe universitete të njohura në kontinent. Shkolla teknike ka shërbyer si një qendër për studimet amerikane dhe anglo-saksone, si dhe për zgjerimin e njohurive të gjuhës angleze.

Në vitin 1926, Zonja Carnarvon, ndihmësja jonë më e madhe britanike, themeloi Institutin Herbert në Tiranë, në kujtim të djalit të saj, kolonel Aubrey Herbert. Instituti përmbante një bibliotekë të shkëlqyer, sallë konferencash dhe terrene sportive. Ajo gjithashtu themeloi një fshat model për strehimin e refugjatëve shqiptarë nga Jugosllavia dhe një shkollë.

Përmes ndikimit të saj, Fondacioni Rockefeller krijoi një degë për kryerjen e punëve të përhershme për kontrollin e malaries.

Puna e fondacionit ka qenë shumë e suksesshme në reduktimin e rrezikut të malaries në shumë zona dhe në eliminimin e saj, krejtësisht nga Tirana dhe Durrësi.

Kështu, austriakët, francezët, amerikanët dhe britanikët kanë kontribuar moralisht dhe materialisht në zhvillimin e Shqipërisë. Ndërsa krejt ndryshe, italianët kanë bërë pjesën e tyre, duke mbyllur të gjitha shkollat ​​e sipërpërmendura dhe të gjitha shkollat ​​e tjera të mesme, dhe Institutin Herbert, vetëm për shkak se studentët refuzuan të japin falënderimet fashiste ose të këndojnë këngët italiane.

Ndërsa në shumë vende ka shoqëri të Miqve të Shqipërisë, në Itali nuk ka asgjë tjetër veçse një propagandë dhe planifikim i keq për shkatërrimin e trashëgimive shqiptare prej kohës së ilirëve.

Në Britaninë e Madhe lista e miqve tanë me famë kryesohet nga Lord Cecil, i cili kohët e fundit, në një mesazh të transmetuar nga B.B.C. në shqip ndaj popullit shqiptar, i siguroi ata, se miqtë e Lirisë në Britaninë e Madhe do të këmbëngulin në rivendosjen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe do të bënin çmos për të ndihmuar zhvillimin e vendit.

Kur dritat e Londrës të ndriçojnë përsëri në Shqipëri, ne do të përkushtojmë veten për të hedhur themelet e një Shqipërie të re për ditët më të mira dhe më të lumtura që do të vijnë. Artikulli që është shkruar më 15 Shkurt 1941, duket se ka mjaft gjëra që qasen si një rëndësi e kohës në të cilën jetojmë dhe sot. Qasja e problemeve, trajtesa e rolit perëndimor dhe britanikëve në marrëdhëniet me Shqipërinë, natyrisht flet qartë për vetë fatet e shqiptarëve, për vetë fatin e Shqipërisë dje dhe sot. Ne kërkuam gjatë, hulumtuam dhe bëmë përshtajen shkencore të autorit “shqiptar”, me të cilin gjetëm mjaft qasje tek Dervish Duma, por dhe nëse nuk është një autorësi e tij, ajo që mbetet është se vlera dhe fakti i shkrimit ka një rëndësi të madhe për mjaft enigma të tjera.


[1]“The Age” është një gazetë e përditshme që është botuar në Melburn, Australi, që nga viti 1854, në pronësi dhe në botim nga Fairfax Media.

59 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page