top of page

 NJË KTHIM I PALAVDISHËM



          Tregim nga Kozma Gjergji 


           Megjithëse bën një jetë modeste Berti vë re i alarmuar sesi lekët i pakësohen me shpejtësi. Tani po kupton e vlerëson sa shtrejtë i ka kushtuar jeta prej turisti dhe marrëdhëniet me femrat. E qorton veten pse nuk u rikthye në atdhe më përpara se ta rrëmbenin e grabisnin. E kaplon frika për të ardhmen. Me çfarë do jetojë? Nuk i mbetet rrugë tjetër veç Karitasit, derisa të gjejë ndonjë zgjidhje. 

           Sistemohet atje. Përvoja e këshillon, që ndërkohë të bëj ç'është e mundur të gjuaj ndonjë plakushe me xhepin plotë dhe të luajë rolin e dashnorit ose bashkëjetuesit. Kështu do t’i ketë të garantuara të gjitha dhe pa asnjë kokëçarje të vazhdojë me artin. 

            I përkushtohet ethshëm këtij projekti. Dhe çuditërisht fati e ndihmon vërtetë. Gjen shumë shpejt një zonjë të atillë. Ndërsa vijon me lidhjet e nyjeve dashurore, e godasin si rrufera njoftimi se në Karitas mund të qëndrojë edhe një javë, dhe vendimi i gjykatës se duhet të shlyejë një gjobë të rëndë për kërcënimin që i kish bërë bukuroshes me fytyrën si vepër arti. 

           Nuk ishte ndier ndonjëherë kaq fatkeq. Si t’ja bëj? Kujt t'i drejtohet për ndihmë? Kujton plotë emra e fytyra. Të gjithë i dalin dashakeq, të pabesë, ziliqarë, çvatës… Vetëm miqtë transavanguardistë e çmojnë dhe e duan pa interes. Mbi të gjitha ish e dashura, ajo margaritarë i rrallë, që ai s'dijti ta vlerësoi. Tani e kupton thellësisht se ç'thesar ka humbur. Ngado që brodhi nuk e takoi kurrë atë sinqeritet e përkushtim të saj. 

           I jep karar se duhet të rikthehet patjetër te ajo… Të rikthehet, por si?! A mund ta pranojë? Ai nuk ishte sjellë hiç mirë. E braktisi ashtu, rrëmbimthi, mendjelehtësisht, pa një fije keqardhje, kur mund ta kish mbajtur me premtime e gënjeshtra. Megjithatë shpreson duke i kërkuar me shumë përulje që ta falë. Beson se ndjesa si peceta do e fshijë vendin e pistë. Ndonëse ka shkuar mjaftë kohë, zjarri i dashurisë mund të rindizet, madje furishëm, poqese ka mbetur nën hi qoftë edhe një shkëndijë. Ai e di mirë që ajo e ka dashur thellësisht e kësisoj duhet ta falë zemërgjerësisht. 

             I vjen në mend dhe diçka nga leximet mbi inferioritetin natyral të njeriut: Një racë e ulët respekton një tjetër më të lartë, një grup i dobët respkton një tjetër më të fortë, masa respekton elitën, gratë respektojnë burrat, homoseksualët respektojnë heteroseksualët, të zezët respektojnë të bardhët e me radhë. Atëhere përse të mos ndodhte kështu edhe me ata të dy? Mer kurajon dhe i telefonon. 

             -Alo!… Alo!… Alo!… 

              Zonjusha befasohet e habitur: Zëri i tij?!… Si ësh­të e mundur?!… Ka hequr dorë prej më tepër se dy vjetësh!… 

             -Alo!… Alo!… -përsërit Berti ngulmonjës. 

              Ajo provon një gëzim krenar. Përse ky gëzim? Dale njëherë si është e vërteta?!… 

              -Po… Ç'ne që më more?! -i përgjigjet vajza tepër e çuditur e serioze. 

             -Eh!… Si të të them!… Nuk mundesha dot më t'i bëja ballë mallit të madhë…. U lajthita atëhere dhe ika ashtu me turr, por asnjëherë nuk e kam quajtur se të humba përgjithnjë dhe s'do rilidheshim, prandaj dhe… 

             -Nuk po të kuptoj!… 

             -Ke të drejtë… Edhe unë vetëm kur ika larg e kuptova dhe ndjeva thellësisht mungesën tënde dhe fajin e rëndë që bëra e s'po di sesi ta ndreq… 

              Ish e dashura pikas në zërin e tij të mekur mall, pendim, përulje… Është ai që e kërkon dhe ka nevojë për të. Vërtet mund të rilindë si dikur ajo dashuri?! Ky rikthim i tij është triumf për të. E pyet më drejtpërdrejt: 

                -Ku ke qenë gjithë kësaj kohe? 

               -Duhet të jemi pranë të të tregoj… Kur mund të shihemi?… 

                Pas një heshtje të shkurtër vajza i përgjigjet: 

               -Aha!… Jo, jo!…

               -Eheeee!…, -psherëtin thellë djaloshi i dërrmuar dhe vijon: -Por desha të të kujtoj se përpara ke burrin tënd të penduar thellë, që do vdes nga marazi poqese nuk ia fal  gabimin dhe ia hedh poshtë dashurinë… 

                Zonjusha ngurron. Artisti ia përsërit pendimin e ndjesën dhe këmbëngul të marrë një përgjigje. Pas shumë e shumë mëdyshje ajo i jep një fije shprese. 

               -Do ta mendoj thellë-thellë… 

               -Mirë… Mendoje…, -ia kthen ai, duke provuar një lehtësim të hidhur. Mbyll telefonin dhe mendueshëm e shqyrton edhe njëherë dialogun. Sytë i ndalen tej në horizont ku dielli po del mundimshëm nga mjegullnaja. 

                 Ditë, net, javë të mbushur me hamendje, pandehma, pritje, shpresë… Më në fund zëri i saj i përmbajtur sjellë mrekullinë vetëm me këto dy fjalë: "Mund të bisedojmë! "Nuk iu desh më tepër Bertit. Pa humbur minutën mer trenin e shpejt dhe pas tre orë mbërrin tek porta e asaj foleze që vetë e pati braktisur. E di se është një kthim i palavdishëm, por as që do t'ja dijë. Shtyp butonin e ziles dhe pret i drithëruar. Hapet dera e përballë tij vihet ish e dashura. Shikohen gjatë pa nxjerrë asnjë fjalë. Ai zgjat duart plot mirënjohje dhe duke e puthur fortë i pëshpëritë: "S'ka si ty në botë! 

                     Hynë breda. E tërheq për tek dritarja si t'i shpreh ndonjë të fshehtë tepër të rëndësishme. Ish e dashura i shkon pas si e verbër e pushtuar përsëri nga ato ndjenja që i kishte harruar prej kaq kohe. Qëndrojnë pranë e pranë dhe bisedojnë për të ardhmen e përbashkët. Ajo do vijojë rregullisht punën e me përkujdesjet për të, kurse ai vetëm me  pasionin për artin e aktrimit në kërkim e pritje të suksesit lavdimadh. Në këtë mardhënie e pakt, tashmë të rinovuar, gjen kuptimin dashuria dhe lumturia e tyre. 


  P.s.(Ky tregim në vijim e plotësim të të tjerëve është dhe epilogu i afreskut 

  letrar "Matanë detit". Falenderimet më të përzemërta të gjithë atyre që 

  patën kureshtjen e durimin dhe e lexuan.)  Kozma Gjergji. 

287 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page