top of page

Një jetë që ja vlejti



Bardhyl Selimi

Rreth librit “Jeta ime” të Qemal Mandisë

Biblioteka Kombëtare S 217/34B

Jetëshkrimet e vetë autorëve janë gjithnjë interesante, sepse flitet për dëshmitarë okularë, paçka se përmbajnë sigurisht edhe subjektivizma, vetëcensurë. Lexuesi i vëmëndëshëm, gjithësesi, di të lexojë edhe midis rreshtave, sidomos kur ngjarjet e përshkruara i ka përjetuar edhe vetë.

Kështu më ndodhi edhe mua, tek lexoja dy librat e z. Qemal Mandija, (Jeta ime dhe Emigrant në moshën e tretë), bashkëshorti i mësueses sonë të nderuar të gjimnazit, znj. Eglantina Mandija. Në fakt kërkova librat e mësueses në Bibliotekën Kombëtare por s’gjeta asnjë, ndonëse ajo ka shkruar shumë të tilla. Përse shtëpitë përkatëse botuese nuk i kanë dorëzuar Bibliotekës në fjalë kopjet për të cilat kanë detyrim? Nuk e di.

Qemal Mandija është martuar me mësuesen tonë në vitin 1956. Ja çfarë tregon ai për të:

“Pata njohur Tinën. Qe maturante në pedagogjiken e Tiranës, po drejtonte rrethin letrar të nxënësve. Porsa kishte shpërthyer si pranvera me gjithë bukuritë e saj në atë simetri të përsosur të fytyrës, trupit e shpirtit!..Thjeshtësia sikur ia shtonte bukuritë! Shkëlqenin sytë e saj të zgjuar e plot mirësi. Flokët e dëndur e të gjatë gështenjë i shkoni aq bukur ngjyrës së fytyrës pak në të zbehtë. Fytyra e përsosur harmonizohej me trupin po aq të përsosur. Një trup i derdhur, i lartë mbi mesataren, i përmasave ideale e lëvizje plot hir.” (faqe 250)

Znj. Eglantina takohet me ish nxënësit e saj, shokë e mij të klasës, me 3 korrik 2014

Qemal Mandija përjetoi kohën e Luftës së Dytë duke qenë gjimnazist e mandej edhe mësues. Ai ishte ndër 30 kuadrot e para që studiuan në ish Bashkimin Sovjetik. Kur u kthye në atdhe, shërbeu gjithë kohën në arsim, si mësues, drejtues, nëpunës i lartë i Ministrisë së Arsimit, pedagog dhe drejtues katedre i Pedagogjisë dhe i Psikologjisë në Universitetin e Tiranës, deri sa doli në pension. Prandaj, ai e ka njohur dhe ka ndikuar shumë në procesin e edukimit për një periudhë 50 vjeçare!

Por më mirë le ta paraqesim librin e tij “Jeta ime” nëpërmjet paragrafëve të përzgjedhur nga unë.

Libri hapet më një përshkrim magjepës të Shkodrës, qytetit ku ai u rrit.

“ “Çfarë çerdhe të mrekullueshme paska zgjedhë shqiponja për të rritur zogjtë e vet!- kishte thënë, sipas Barletit, sulltani turk kur e pa”. (faqe7)

Tërë kapitulli i parë mund të jetë një udhërrëfyes mjaft interesant për çdo vizitor të saj.

“Shkodranët ishin njerëz të fjalës e të nderit. “Besë, nder e burrëri” qenë virtutet më të larta për ta. Turpi më i madh ishte thyerja e besës, “koria”!...Trashëgonin burrërinë hijerëndë stërgjyshore”. ‘Krenaria ishte embrioni i shumë virtuteve të tyre” siç shkruante poeti i madh, Lasgush Poradeci.

Ishin njerëz të sjellshëm, plot “zotnillëk, të sajdisshëm”, dinin të nderonin. Sjellja e mirë e respekti ndaj të tjerëve i pasuronte shpirtërisht dhe ua zbukuronte jetën. Para sëgjithash qe respekt për vetveten. Përshëndetjet e tyre të zakonshme janë aq origjinale e të pakrahasueshme. Nuk pyesin “Si je?”, por “A je burrë?”, ndërsa gratë: “A je burrneshë?”, “A je fisnike?”. Nuk thonë “Mirupafshim!”, por “Rrofsh sa malet!”, “Të priftë e mbara!”, nuk thonë “Të falemnderit!”, por “Ta ndjefsha zanin e mirë!” (nënkupto në ato male). Jo, “S’ka përse”, por “Qofsh me nder e faqebardhë”, etj..etj. (faqe 14-15)

Shumë me interes janë tregimet për diskutimet e zjarrta që bëheshin në familjet shkodrane midis brezave lidhur me politikën e qeveritarëve të rinj komunistë ndaj Kosovës.

“Prirja për veprimtari politike e ideali romantik për “shpëtimin e popullit” nga mjerimi ishin në karakterin tim. Këtu ndjehej edhe origjina e tradita e familjes sime.

Në fillim, qesh gëzuar që isha komunist, ndonëse pa e njohur atë. “komunizmi do ta shpëtonte njerëzimin” e do ta çonte vendin tim drejt një të ardhme më “të bukur e më të drejtë!”.

Për ne, socializmi ishte teoria më e bukur Marksiste- Lenin iste, që do ta shëndoshte botën nga padrejtësia dhe e keqja. Për këtë, ndjeheshim superiorë ndaj të tjerëve dhe të gatshëm për çdo sakrificë.” (faqe 241-242)

“Ishte viti 1946. “të rinjtë u vinin prindërve epitetet “nacionalistë”, “shovinistë”, “reaksionarë”, që “nuk kuptonin vëllazërimin internacionalist”, se, “kohët kishin ndryshuar” etj…etj. As për kalimin e partizanëve shqiptarë nuk qe bërë kaq zhurmë. Nuk më harrohen polemikat e zjarrta me prindërit e xhaxhallarët e mi. Na akuzonin rëndë se “na kishin plasur sytë”, që “s’shihnim e nuk dëgjonim ç’po bëhej në Kosovë”, “si po grabitej Shkodra” etj..etj.” (faqe 111).

Vetë Qemali pati rastin të shërbente si mësues në “tokat e lirueme” në rrethin e Prizrenit, ndaj u njoh më mirë me këtë krah të kombit tonë.

Prandaj ai nuk kishte si të mos i kundërshtonte fuqishëm bashkëstudentët e tij serbë në Moskë, Mateon dhe Elenën, 4-5 vjeç më të rritur, që kishin qenë edhe komisarë të brigadave partizane.

“në bisedë e sipër u kisha thënë se kisha qenë mësues në Kosovë në një shkollë me fëmijë shqiptarë….

M’u vërsulën si të tërbuar…”Ç’flet, more ti? Ku ka shqiptarë në Kosovë? Shqiptarët në Jugosllavi janë ca bozaxhinj e llustraxhinj këpucësh, të shpërndarë gjithandej. Në Kosovë banojnë vetëm serbë e malazezë”.

Shtanga për revoltën e paparitur e fyerjen që u bëhej kosovarëce. i bindur se nuk e njihnin gjendjen, shtova se kisha punuar atje në dy shkolla, se kisha kaluar në të gjitha qytetet e në mjaft fshatra dhe kudo kisha parë shumë shqiptarë e shkolla shqipe…pa më shkuar ndërmënd se do të më keqkuptonin.

Më quajtën “nacionalist, shovinist e irredentist” dhe u ndamë!..(136-137)

“Ligjërisht, Shqipëria qe bërë “Republika e shtatë e Jugosllavisë”. Ishte nënshkruar ‘Pakti i ndihmës së ndërsjelltë”, qenë zhdukur pengesat doganore dhe unifikuar komandat ushtarake. “Shkrirja e dy vendeve” ishte e afërt.

“Reforma e barazimit të valutave” ndonëse ajo e Shqipërisë qe shumë më e fortë se ajo e Jugosllavisë, u kishte vënë kapakun të gjithave. Shkodra, e gjithë Shqipëria, qenë boshatisur ose më drejt qenë grabitur nga “vëllezërit jugosllavë”. Njerëzit vuanin për të mbajtur frymën. Jetonin me pras e bukë misri të racionuar. Në këto rrethana, ish ministri i Financave, Nako Spiro, i detyruar të nënshkruante marrëveshjen për “reformën”, të cilën e quajti “tradhti të lartë ndaj atdheut”, vrau veten. Tragjedi të tilla vuajtjesh të rënda e tronditjesh shpirtërore pësuan e do të pësonin edhe plot intelektualë komunistë e pa parti!...” (faqe 139)

Në vitin 1948 një vëlla, Faiku, duke mos duruar gjendjen në vend, u arratis.

“Në atë kohë arrestimet e familjeve të të arratisurve bëheshin të diferencuara. Zakonisht nuk arrestoheshin ato që kishin mbështetur “Lëvizjen’. Shpëtova, edhe pse kisha përfunduar me sukses gjysmën e fakultetit. Megjithatë, pati edhe propozime të komunistëve që të na ndërprisnin studimet mua e Sadedinit”(vëlla i Qemalit) (faqe 144)

Kur Qemali ishte drejtues në shkollën pedagogjike të Shkodrës, bëri çmos që t’i mbronte kolegët nga përndjekjet.

“I studiova dosjet me kujdes, bisedova me secilin veçmas e me përzëmërsi. Shkrova për secilin konkluzionet e konsideratat e mia dhe çdo gjë të mirë që kishte në dosjet e në bisedat me to, duke neutralizuar shpifjet…

Asnjë nga profesorët e pedagogjikës nuk u pushua dhe as u transferua!...

Shumë prej tyre, si Jup Kastrati, Gani Shehu, Dedë Shala, Shuaib Troshani, Simon Gjoni, Fadil Podgorica, Kadrie Kopliku, Arta Frania, Xhema Tirana, Xhuvi e Arsino Bino etj u dekoruan me propozimin tim…Për qendrimin tim ata më çmonin edhe më shumë.” (faqe 160)

Një konsideratë të lartë z. Qemal shfaq për z. Kahreman Ylli, ish zevendës ministër e mandej ministër i Arsimit. Është kjo në karakteristikë e shkëlqyeshme, model.

“Kishte studiuar në Francë e qe specialist me horizont e përvojë në arsim..Ishte punëtor, i paloshur, që s’njihte orar në punë….Mbi të gjitha, ishte njeri i mrekullueshëm, fisnik, i drejtë e i ndershëm. Me një sensibilitet të hollë, i aftë të krijonte pa sforcim raporte bashkëpunimi, stimulonte vullnet të mirë. i respektueshëm e xhentil, gjeneronte klimën konstante të ngrohtësisë njerëzore që siguronte sukses në punën e përbashkët. Sugjestiononte besimin në forcat tona. Zotëronte sekretin e shfaqjes së kritikës pa ofendim. Në kontaktet e përditshme e të shumta, si drejtues, konservonte ato vitute që filluan të zbehen e që do t’u mungonin ministrave të ardhëshëm!” (faqe 166-167)

Në faqen 201, z. Qemal kujton ndarjen me të në ministri në fund të vitit 1966, kur e emëruan shef të katedrës së Pedagogjisë e të Psikologjisë në Universitetin e Tiranës. Ai kish parë një dosje të konkursit të maturantëve të shkollave të mesme të vitit 1937, organizuar nga Ministria e Arsimit.

“Midis tyre , një nga penat më të forta ishte edhe punimi i tij (i Kahreman Yllit) mbi temën “Liria si idali më i lartë i njeriut”, të cilën e kishte zgjedhur vetë dhe qe shkruar me frymëzim. Më dëgjoi me interes dhe shtoi: “A s’është liria ideali më i lartë i njeriut?! “Sigurisht që është” iu përgjigja unë.”

Si specialist i pedagogjisë, z. Qemal nuk mund të ishte indiferent edhe ndaj çështjeve të tilla të edukimit si ato lidhur me adoleshentët “delokuentë”, “të vështirë’, “kandidatë dhe kontingjent për vjedhësit dhe kriminelët e ardhëshëm”. Ai ndihmoi edhe në përmirësimin, me këtë rast, të punës në “kolonitë” e këtyre tipave adoleshentësh. Një pjesë të këtyre adoleshentëve i dërguan nëpër shkollat e zakonshme pasi u kuptua se mund të ndreqeshin. Ja sa bukur e përshkruan punën që bënte një mësuese, Kristina Deda, me një tip të tillë, Gjergj Dukagjinin, një fëmijë sanguin, i shkathët e i zgjuar, por agresiv..

“Kish qenë hajdut xhepash (në autobuzët urbanë) e gënjeshtar i paskrupullt. Nuk i përfillte shokët, i kërcënonte e u imponohej me dhunë. Mërzitej shpejt në mësim, hynte e dilte nga klasa pa leje e kthehej kur të donte, pë përfillur mësuesen!...Nuk mësonte e ishte në prag të braktisjes së shkollës. Më vështirësi flitej me të!- “Nuk duronte këshillat”.

…Një ditë, kur nxënësit po e shikonin me disaprovim kur po dilte nga klasa pa leje, mësuesja iu drejtua atyre: “Gjergji ka nevojë të dalë e të kthehet përsëri!. Ata heshtën.. Këtë radhë Gjergji u kthye shpejt e pa zhurmë zuri vend në bankën e vet…

Një ditë qëlloi me rrufë e tentoi të pastronte hundën me mëngën e xhaketës. Mësuesja, e ndodhur pranë, i ofroi në heshtje shaminë e vet të mëndafshit e të pastër. Askush nuk qe sjellë me të me aq “delikatesë”! Me shami në dorë, vërente mësuesen nëse e kishte me gjithë mend?! Si t’ja kthente atë plot qurra?!..Mësuesja e kuptoi lëkundjen e tij e i bëri shenjë që ia kish falur…Gjergji pastroi hundën, por mbeti i çuditur për sjelljen që nuk kishte njohur më parë!

Të nesërmen, kur Gjergji lëvizi të dilte nga klasa, Kristina ndërhyri me dashamirësi, me të folurën e saj karakteristike, ku e njëjta fjalë mund të tingëllonte në mënyrë të ndryshme, si aprovim ose si disaprovim. “Çdo nxënës- tha ajo- mund të ketë nevojë të dalë pak nga klasa, por është mirë t’i kërkojë leje mësueses”. Gjergji u ul në bankë dhe pas pak, kërkoi leje…U kthye më shpejt se radhët e tjera. Kufizoi daljet dhe dilte e hynte me lejen e mësueses.

Në skuadrën e futbollit të klasës Gjergji shquhej e fitoi simpatinë e shokëve…Filloi të sillet më mirë me ta…dhe t’i bindej mësueses që nxënësit e donin..

Dalngadalë hoqi dorë nga agresiviteti e gënjeshtra. Filloi të sillej më mirë e të përpiqej në mësim…Shokët e ndihmonin e gëzoheshin për sukseset e tij..Edhe ai filloi t’i donte e t’i mbronte.” (faqe 175)

Qemal Mandija e përshkruan me saktësi atë periudhë të “revolucionarizimit” të shkollës të vitit 1967 e më tej.

“Edukimi ideologjik që synonte në përgjithësi formimin e botëkuptimit, të mënyrës së të menduarit në përgjithësi të njerëzve, u duk i pamjaftueshëm, i papërcaktuar. Tani e tutje, ndonëse do të vazhdohej të flitej për të, ai do të zëvëndësohej me edukimin politik si pjesë e ideologjisë që synon drejpërdrejt ruajtjen e pushtetit. U shpall “Politika në komandë”. Çdo gjë do të vlerësohej politikisht. Synohej nënshtrimi absolut e i verbër i njerëzve. Ata duhej “të ndjenin e të mos mendonin”. Mësimet e Enver Hoxhës përbënin gjithë përmbajtjen e atij programi. Enver Hoxha mendonte për të gjithë. Ai ishte truri, ishte vetë Zoti dhe mësimet e tij Kurani e Ungjilli, që duheshin ndjekur e zbatuar. Në mësimet e tij gjendej gjithçka që nevojitej. Asgjë tjetër nuk vlente e duhej flakur.” (faqe 203)

Në epilogun e librit, autori tregon për zhgënjimet e veta.

“Herët, në subkoshiencën time, gjallëroi hija e dyshimit. Më pas, si shumë të tjerë, e ndjeva veten të zhgënjyer e më vonë, të thyer shpirtërisht.

Përjetuam përdhosjen e idealeve tona!..Shikonim të pafuqishëm se si, hap pas hapi e pa mëshirë, besnikëria jonë ndaj Partisë shkelej e bëhej me baltë me brutalitetin e papërmbajtur drejt absolutizmit. Ky është fati universal i rrjeshtimit!” (faqe 242)

Bardhyl Selimi

31 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page