top of page

Një histori e letërsisë brenda historisë së albanologjisë dhe vepra të tjera


Myrvete Dreshaj Baliu


Për gjashtë dekada me radhë, d.m.th, nga vitit 1943 deri në vitin 2003, Profesor Jup Kastrati ka përgatitur dhe ka shkruar mjaft vepra të karakterit monografik, si dhe shumë studime që ju takojnë periudhave të ndryshme të historisë së letërsisë, të cilat ai i klasifikonte, si: I. Letërsi e vjetër (Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi etj)[i]; II. Letërsi e Rilindjes (Zef Jubani, Daut Boriçi, Naim Frashëri, Faik Konica, Ndre Mjedja, Pashko Vasa, Mati Logoreci, Koto Hoxhi, Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi, Konstantin Shtjefën Gjeçovi, Josif Bageri, Hilë Mosi etj.)[ii]; III. Letërsi arbëreshe (Jeronim de Rada, Gavrill Dara i Riu, Zef Serembe, Zef Skiroi etj.)[iii]; IV. Letërsi e Pavarësisë (Fan S. Noli, Risto Siliqi, Anton Logoreci, Ali Asllani, Kolë Mirdita, Anton Mazreku, Dhimitër S. Shuteriqi, Millosh Gjergj Nikolla, Mark Ndoja, Sterio Spasse, Tefik Gjyli, Arshi Pipa, Andreja Skanjeti, Qemajl Haxhihasani etj.)[iv]; dhe V. Letërsi e realizmit (Skënder Luarasi, Izet Bebeziqi, Veli Stafa, Fatmir Gjata, Vehbi Bala, Mark Gurakuqi, Llazar Siliqi etj.)[v].

Studimet e tij të karakterit historiko-letrar kapin një fond të botuar dhe në dorëshkrim prej disa mija faqesh dhe paraqiten sipas interesimeve dhe konteksteve të trajtimit: studime me karakter monografik, studime e recensione të lexuara në tubime shkencore, për vepra të botuara etj.


Megjithëse krijimtaria letrare e shkrimtarëve të letërsisë së vjetër vlerësohet duke u mbështetur kryesisht mbi metodën historiko-filologjike, nuk mbeten anash as vlerësimet estetike-letrare të veprave të tyre, si një prej përbërëse të rëndësishëm të tyre për historinë e letërsisë shqiptare. Në historinë materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar vepra e shkrimtarëve të vjetër, Buzukut, Budit, Bogdanit, Matrangës etj., ka një rëndësi parasegjithash filologjike, por rëndësia e tyre, nuk ka dyshim, nuk mund të vlerësohet pa reflektimin edhe të atyre përbërësve kulturorë, poetikë e historikë që kanë ato në vetvete dhe në kontekst të letërsisë së popujve të tjerë të kohës. Më në fund vetë fakti se kjo, letërsia shqipe dhe poetika e saj, fillon me veprat e këtyre krijuesve, dëshmon se kërkimi i vlerave estetike të tyre ishte i drejtë dhe i arsyeshëm jo vetëm në historinë e letërsisë në veçanti, por edhe në historinë e albanologjisë në përgjithësi, ku kanë zënë vend pjesa më e madhe e këtyre studimeve.


Për vlerësimin e krijimtarisë letrare të letërsisë së rilindjes Profesor Jup Kastrati mund të thuhet se e tejkalon plotësisht metodën historiko-filologjike. Hiq veprën e Naim Frashërit, veprat e shkrimtarëve të kësaj periudhe i shqyrton vetëm brenda metodës historiko-letrare. E kësaj periudhe është krijimtaria letrare e Zef Jubanit, Filip Shirokës, Vaso Pashë Shkodranit etj., të cilën e studion dhe e përgatit për botim kritik të saj.

Nëse veprën letrare të shkrimtarëve të vjetër e trajton mbi metodën historiko-filologjike, ndërsa letërsinë e rilindjes me metodën historiko-letrare, letërsisë së arbëreshëve të Italisë do t’i qaset gjatë, për shumë dekada dhe do t’i qaset si filolog, si historian i letërsisë, si historian i kulturës, si bibliograf, si tekstolog, si përkthyes, si botues dhe si kërkues i vlerave estetike të saj. Letërsinë arbëreshe Profesor Jup Kastrati e ka vlerësuar në përmasën e rrezatimit të romantizmit evropian brenda romantizmit shqiptar përgjithësisht, në kontekst të individualiteteve letrare (De Rada, Dara i Riu, Serembe, Skiroi etj) dhe përjetimit estetik të saj. Gjuha, letërsia, folklori, kultura e publicistika e arbëreshëve të Italisë ishin fushat më të kërkuara dhe më të studiuara të tij, gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX, prandaj është e kuptueshme pse, bie fjala historianët e letërsisë, gjatë kësaj kohe nuk i referohen vetëm si bibliograf, apo si referencë ndërmjetësuese për autorë edhe vepra letrare, por edhe si studiues i saj.


Në bibliografinë e pasur të botimeve dhe të dorëshkrimeve të Profesor Jup Kastratit studimet për letërsisën arbëreshe[vi] zënë një vend dominues, ndërkaq studimet për Jeronim de Radën vendin më të rëndësishëm. Veprës së De Radës, Profesor Kastrati i është kthyer shpesh dhe shumë herë, për të mos thënë se mbi veprën e tij ka kaluar pjesën më të madhe të kërkimeve, vlerësimeve dhe studimeve të tij. Në të vërtetë Profesor Jup Kastrati ka shkruar shumë artikuj, studime më të gjera dhe monografi për krijuesit dhe studiuesit e letërsisë arbëreshe, të cilët kanë kryesisht karakter të përgjithshëm albanologjik, mirëpo vetëm vepra, përkatësisht veprat për Jeronim de Radën janë të përkushtimit historiko-letrar. Vetëm vepra e de Radës është trajtuar me premisa për të nxjerrë në plan të parë vlerat estetike-letrare të krijimtarisë artistike të tij[vii].

Profesor Jup Kastratit fillimisht ka shkruar dy vepra me karakter të përgjithshëm për jetën dhe veprën e Jeronim de Radës[viii]. Vëllimi i parë monografik për jetën dhe veprën e Jeronim de Radës, ishte një përpjekje fillestare për të artikuluar njohjen e tij në rrethet kulturore dhe shkencore të kohës në Tiranë. Po e theksojmë këtë kufizim për arsye se, nuk ka dyshim që, vepra e Jeronim de Radës njihej nga disa studiues, si Eqrem Çabej, Aleksandër Xhuvani, Dhimitër S. Shuteriqi etj., ndërsa Profesor Jup Kastrati e njihte gjerësisht dhe merrej me veprën e De Radës për më se dy dekada, por sipas recensentëve të shtëpisë botuese “Naim Frashëri” të Tiranës (1962), “interesi i zhvillimit arsimor dhe shkencor dhe madje ideologjik, nuk lejonte që Jup Kastrati të jepte ndonjë pasqyrë më të gjerë të jetës dhe veprës së tij”, për të mos thënë ndjehej nevoja për një paraqitje thjesht të “veprës kryesore letrare dhe patriotike” të tij.

Edhe versioni i dytë i veprës Jeronim de Rada – Jeta dhe vepra, botuar në vitin 1979, nuk mund të thuhet se lejonte një paraqitje të zgjeruar dhe multidisiplinare të veprës së De Radës. Ndonëse kërkimet për jetën dhe veprën e tij ishin zgjeruar dy dekada pas botimit të parë, kërkesat e botuesit kufizoheshin kryesisht në veprën letrare të tij. Ishin zbuluar dhe mbledhur shumë vepra të tij gjuhësore, letrare, publicistike-politike, filozofike, este­ti­ke, kulturore dhe madje shumë letra nga epistolari i tij i gjerë, e megjithatë kërkohej që vepra e tij të studiohej brenda kornizave të metodologjisë së realizmit dialektik, që i përshkonin përgjithësisht studimet historiko-letrare të kohës.

Biografia e De Radës është paraqitur dhe vlerësuar nga një lirizëm krijues, duke theksuar gjithnjë gjendjen e tij të rëndë shpirtërore, si pasojë e tragjedive të njëpasnjëshme brenda familjes dhe angazhimin e tij prej iluministi në ruajtjen e kulturës materiale e shpirtërore të arbërit në Koloninë arbëreshe të Italisë: si mësues, si publicist, si mbledhës folklori etj. Një vend i rëndësishëm i është dhënë komunikimit të tij me bashkëkohës, me rilindësit shqiptarë të shpërndarë nëpër botë, komunikimit me intelektualë të kohës në Evropën Perëndimore dhe Qendrore etj.

Ndryshe nga botimi i parë i monografisë për De Radën, në botimin e dytë studimet e tij për veprën letrare të De Radës zgjerohen, por edhe më tej në mënyrë të kufizuar. Sikur mund të shihet përtej studimeve të tij, në këtë monografi, Profesor Jup Kastrati ju kushon rëndësi më shumë kufizimeve letrare në veprat e njohura më parë dhe vlerave të rëndësishme estetike të veprave të reja, të përshtatura në gjuhën letrare, që posa vinin në duart e lexuesit shqiptar. Ndonëse do t’i bëhen vërejtje nga Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, se “studimi i X veprës nuk mund të kishte më shumë faqe sesa studimi i Y veprës tjetër”, autori me vetëdije bënte përpjekje që në monografinë e dytë, përkatësisht në versionin e dytë, të sillte më shumë të dhëna për veprat e panjohura të De Radës, sesa për veprat, sikur ishte, bie fjala, “Milosao”, të cilat ishin ribotuar disa herë.

Vepra e tretë shkencore e Profesor Jup Kastratit, përkatësisht e dyta sipas koncepteve të tij për një trilogji shkencore mbi De Radën, ndryshe nga dy vëllimet e para që merreshin me tërësinë jetësore dhe letrare të tij, sikur mund të shihet edhe prej nëntitujve të saj do të quhet “Studime për De Radën” dhe do të konceptohet në gjashtë kapituj: I) De Rada për gjuhën shqipe. II) De Rada për folklorin arbëresh. III) De Rada për shkollën shqipe. IV) De Rada për letërsinë artistike shqiptare. V. De Rada për shtypin periodik shqiptar. VI) Veprat autobiografike të De Radës. Vepra studimore hapet me një parathënie e hyrje problemore dhe mbyllet me konkluzionet përkatëse. Pra, më parë sesa një monografi e konceptuar sipas një baraspeshe jetësore, letrare dhe shkencore, siç mund të shihet, përbëhet prej një numër studimesh që bëjnë një tërësi. Në të vërtetë, në këtë vepër Jup Kastrati është marrë në mënyrë të pavarur me temat e mëdha të veprës së tij: gjuhën, foklorin, shkollën, mendimin estetik, shtypin dhe autobiografinë, për të cilat nuk ka mundur të shkruajë ashtu sikur ka dashur të shkruajë më parë, në dy versionet e monografisë së parë për Jeronim de Radën. Ndonëse këto tema i ka trajtuar brenda një vëllimi me pretendime për një monografi, si vëllim i dytë i trilogjisë për De Radën, ato paraqesin njësi të pavaruara nga njëra tjetra dhe mund të lexohen si monografi më vete, apo kanë mundur të botohen si monografi më vete sikur është botuar kapitulli i gjashtë “Autobiografia”[ix].

Ndonëse e kishte menduar gjatë, e kishte mbledhur gjithë materialin e nevojshëm dhe e kishte skicuar si projekt, Profesor Jup Kastrati nuk arriti ta botojë edhe veprën e tretë të trionomit të madh për De Radën, e cila do të quhej “Studimet deradiane 1903-2003” (që duhej të përfashinte periudhën ndërmjet viteve 1903-1993).


Profesor Jup Kastrati ka shkruar shumë monografi për autorë dhe probleme të caktuara historiko-letrare, por autori të cilit i është kthyer disa herë, dhe njëri prej autorëve më të përkushtuar të tij, është Zef Jubani. Jetën dhe veprën e tij sikur mund të shihet ai e ka bërë objekt studimi për disa arsye: Zef Jubani ishte njëri prej personaliteteve më të veçanta të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në Shkodër, ndërsa vepra e tij ishte e një fushë të gjerë, dhe e tillë sikur dëshironte të ishte edhe autori i studimit të saj: jeta, vepra letrare e historike, mbledhësi i folklorit, ekonomisti, letërkëmbimi etj.


Gjatë kësaj kohe, interesimi i historianëve të letërsisë do të shquhet për disa autorë, të cilët me veprën e tyre u përgjigjeshin edhe kërkesave estetiko-letrare të shkollës së reasocializmit. Në këtë kontekst do të mundë të shihej edhe interesimi i tij për studimin e veprës së Nolit, Ali Asllanit, Shuteriqit, Migjenit, Spasses, etj, por ndryshe nga historianët e kohës së tij, interesimet e Profesor Jup Kastratit për studimin e shkrimtarëve të kësaj periudhe, lidhen jo vetëm me metodën letrare por edhe me premisa të tjera: vlerat letrare gjithëkombëtare, përmasën kulturore të autorit, dhe madje përkatësinë letrare shkodrane të tyre etj. Ndryshe nuk mund të shpjegohet fakti se Profesor Jup Kastrati gjatë kësaj kohe merret me shkrimtarë të rëndësishëm të kohës së tyre dhe të kohës sonë, si: Noli e Migjeni, me shkrimtarë të ndaluar, sikur ishin Faik Konica e Arshi Pipa, por edhe me shkrimtarë të parëndësishëm në rrethet letrare shkodrane të kohës.

Në mënyrë të veçantë, Profesor Jup Kastrati është marrë edhe me shkrimtarët dhe letërsinë e sotme, por sikur mund të shihet prej veprave dhe prej dorëshkrimeve të tij, kryesisht vetëm deri në fillim të viteve ’60. Dhe është mirë që nuk ka vazhduar më tej. Duke lënë mënjanë vlerat e rëndësishme artistike të disa prej përkthyesve të kohës, si Skënder Luarasi[x] e ndonjë tjetër, numri më i madh i shkrimtarëve harrohen brenda po kësaj periudhe që krijojnë. Artikujt e tij, kryesish divulgativ, për krijimtarinë letrare të shumë shkrimtarëve të kohës, që mbushnin gazetat dhe veprat e tyre me poezi e poema janë të shumtë, por krijimtaria e kësaj kohe e përshkuar prej stereotipizmit nuk jepte pothuajse asgjë në fushë të arteve, përveç artikulimit propagandistik të gjithë asaj, që me mjete të tjera bëhej në fushatat politike të shoqërisë shqiptare të kohës.


Në funksion të kërkimit dhe studimit të letërsisë në kontekstin historiko-letrar është edhe bibliografia. Është e pamundur të gjendet një studim i tij për krijues të traditës, a për periudha letrare, për të cilët nuk ka bërë edhe një bibliografi shteruese. Përtej një bibliografie thjesht kronologjike, të bërë për autorët e traditës, për shumë autorë dhe fusha të letërsisë bashkëkohore, Profesor Jup Kastrati ka bërë bibliografi të komentuara dhe të zgjeruara, të cilat më shumë se për bibliografi të hulumtuara dhe të përshkruara me kujdes, flasin për bazat e studimeve monografike për ta[xi]. Duke parë botimet e tij në fushë të bibliografisë dhe duke parë sidomos dorëshkrimet e tij bibliografike, ne kuptojmë se më parë sesa të fillonte të përgatiste projektet e mëdha për historinë e albanologjisë dhe gramatologjinë, (dy prej veprave më të rëndësishme në gjysmën e dytë të shekullit XX), ai kishte përgatitur bibliografi të thelluara e të zgjeruara. Po kështu do të veprojë edhe me kërkimet e tij të lidhura ngushtë me studimet historiko-letrare: me autorët, si Jeronim de Rada, veprën e të cilit e ka studiuar brenda një trinomi: I. Jeta dhe vepra, II. Studimet e tij dhe III.Studimi i veprës së tij. (Këtë të fundit nuk arritit ta shkruaj, por e la të skeduar për periudhën 1903-1993); Ndre Mjeda, Faik Konica, Sterio Spasse, Dhimitër S. Shuteriqi etj. Pra, ndonëse, asnjërin prej projekteve të mëdha, për shkaqe nga më të ndryshmet, nuk arritit t’i përfundonte deri në fund, në të gjitha rastet ai u mor me sistemimin dhe studimin shumëdimensional të tyre.

Le të shikojmë disa faza të studimit të disa prej autorëve:

Jeronim de Rada: Përgatiti bibliografinë e tij, botoi një pjesë të veprës kryesisht letrare të tij në tre vëllime dhe botoi dy vepra studimore për të. Përktheu dhe transliteroi dy vëllime të tjera. Vepra e tretë studimore e cila duhej të përfshinte vetëm studimet e të tjerëve për të, mbeti e skeduar. Po kështu mbeti e transliteruar dhe e përkthyer në dorëshkrim vepra e plotë letrare dhe publicistike e historiko-filologjike e tij.

Faik Konica: Fillimisht përgatiti bibliografinë për të, me mundësi për të vazhduar një biblografi të komentuar. Pastaj përgatiti për botim, dy herë radhazi, veprat e zgjedhura të tij. Arriti të botonte vetëm monografinë studimore.

Sterio Spasse: Përgatiti vetëm bibliografinë e komentuar të tij dhe nuk arriti të vazhdonte më tej.

Dhimitër S. Shuteriqi: Përgatiti vetëm një skicë për studim monografik të veshur me një bibliografi të pakomentuar. Nuk arriti të shkojë më tej.

Të gjitha këto dhe shembuj të tjerë të shumtë dëshmojnë modelin e tij të punës mbi baza të kërkimeve kryesisht bibliografike. Apo sikur thoshte ai: “Unë nuk jam bibliograf, në kuptimin e punonjësit bibliotekar. Jam studiues e lëvrues i gjuhës amtare. Fëmijët e gjurmimeve të mia shkencore janë historia e albanologjisë dhe historia e letërsisë shqiptare. Bibliografinë e kam në funksion të kërkimeve të mia diturake. Pra mjet, jo qëllim më vete”[xii].


Profesor Jup Kastrati është njëri prej personaliteteve shkencore të gjysmës së dytë të shekullit XX, i cili ka vazhduar traditën e këtyre studimeve në shumë fusha të dijes: në gjuhësi, në letërsi, në folklor, në letërsi të arbëreshe, në bibliografi etj. Ai ishte shembulli i kërkimeve arkivore dhe sintezave të mëdha shkencore. Me punën dhe rezultatet e arritura, gjatë kësaj kohe, ai ishte dhe mbeti referenca më e pasur e studimeve historiko-letrare në përgjithësi dhe letërsisë arbëreshe në veçanti. Veprës së tij sot studiuesit e historisë së letërsisë i referohen për shumë arsye: për qëmtimin e pasur të trashëgimisë historike të veprës a periudhës me të cilën merrej, për arkivin e pasur të lëndës të cilën ai me kompetencë e përmbledh brenda studimeve të tij dhe për vlerësimin e sintezën e përgjithshme të cilën Profesor Jup Kastrati e sjell në fund të çdo studimi. Pra, prej veprës së tij edhe sot kemi çka të përfitojmë: arealin e temës, arkivin e pasur dhe vlerësimin vetjak të tij. E një vepër që ka këto elemente nuk ka pse të mos paraqet interes jo vetëm për gjysmëshekullin që po e lëmë por edhe për shekullin në të cilin kemi hyrë.



[1] Girolamo DE RADA: Storie d’Albania, 1848; L’Albanese d’Italia, 1848; Principi d’Estetica, 1861; Il ritmo della poesia albanese, 1866; Osservazioni folkloristiche, 1866; Fjamuri i Arbërit, 1883-1887; Lettera da Giannia, 1883; Leonardo De Martino, 1884; La rima, 1884; Poeti Mitko, 1884; Satira di Costa Bellucci, 1884; Giulio Variboba, 1885; Filip Scirocca, 1885; Gabriele Dara, 1885; Bernardo Bilotta, 1886; Giuseppe De Rada, 1886; Giuseppe Skjirò, 1886; Letteratura albanese, 1887; Antologia albanese, 1896; Il ritmo della poesia albanese antica, 1896; Giulio Variboba, 1896; Bernardo Bilotta, 1896; A Giuseppe Schirò, 1898; A Michele Marchianò, 1901. Faik KONICA: La litérature albanaise, “Albania”, Bruxelles, I, 1, 7; De Rada, Un periode della sua autobiologia, Socenza, “Albania”, Bruxelles, II, f. 41; Bibliographie, “Albania”, Bruxelles, II, f. 68; Vdekja e Naim be Frashërit, “Albania”, Bruxelles, IV, 11, 50; Libra të ra, “Albania”, Bruxelles, V, 2, 29; Naim H. bej Frashëri, “Albania”, Bruxelles, V, 4, 50; Bibliographie, “Albania”, Bruxelles, V, f. 127; Librat e Shoqëniës “Bashkimit”, “Albania”, Bruxelles, V, 11, 181; “Baba Tomorri” , “Albania”, London, VI, 10, 231; Girolame de Rada, “Albania”, London, VII, 4, 51; Reze dielli, “Albania”, London, VIII, 5, 99; Asdreni, “Dielli”, Boston, 16 mars 1926; Ca kujtime mbi At Gjeçovin, (në librin): “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, (vepër postume), përmbledhur e kodifikuar prej A. Shtjefën Konstantin Gjeçovit, O.F.M., Shtypshkronja “Françeskane”, 1933, f. XXXV-XXXVI. Prometheu i lidhur, në “Rreze drite”, libër leximi për shkolla të mesme, Botim i Ministrisë s’Arsimit, Tiranë, 1941, f. 164-167 etj.

2 Michele MARKIANÓ: L’Albania e l’opera di Girolamo De Rada, Trani, 1902; Alberto STRATIKÓ: Maunalo i litteratura albanese, Milano, 1896; Mali KOKOJKA (Mithat Frashëri): Naim Frashëri, Sofje, 1901.

3 Gaetano PETROTTA: Popolo, lingua e litteratura albanese, Palermo, 1931; Justun RROTA: Literatura Shqype, Shkodër 1925; Eqrem ÇABEJ: Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe, Tiranë, 1936.

4 Shih, Shkrimtarët shqiptarë, Pjesa e I. (1462-1878). Për klasën e tretë e të katërt të kursit të naltë. Botim i Ministris s’Arsimit. Tiranë, 1941. F. 367. Mbledhë e punue nën kujdesin e Ernest Koliqit nga Namik Ressuli; Shkrimtarët shqiptarë, Pjesa e II. Prej Lidhjes së Prizrenit e deri sot. Për klasën e tretë e të katërt të kursit të naltë. Botim i Ministris s’Arsimit. Tiranë, 1941. Mbledhë e punue nën kujdesin e Ernest Koliqit nga Karl Gurakuqi. F. 554.

5 Historia e letërsisë shqipe, I, II (Grup autorësh: Dhimitër S. Shuteriqi, K. Bihiku, Mahir Domi, Vehbi Bala, Ziaudin Kodra, Zihni Sako), Tiranë, 1959; Historia e letërsisë shqiptare (që nga fillimet e deri te Lufta Nacionalçlirimitare (Hartuar nga Vehbi Bala, Razi Brahimi, Klara Kodra, Ali Xhiku, Dhimitër Fullani, Sh. Çollaku), Tiranë, 1976.

6 Dhimitër S. SHUTERIQI: Historia e letërsisë shqipe, Tiranë, 1955; Rexhep QOSJA: Historia e letërsisë shqipe, I-III, Rilindja, Prishtinë, 1984-1986; Sabri HAMITI: Letërsia shqipe, Prishtinë, 1995. Më parë kemi parasysh serinë e veprave të tij me studime historiko-letrare, me nëntitullin Sprovë për një poetikë, 1-5, Prishtinë, 1974-); Robert ELSIE: History of Albanian literature, New York, 1995.

7 Jup KASTRATI: Bibliografì shqipe (29.XI.1944-31.XII.1958), Tiranë, 1959. NSHB “N.Frashëri”, Tiranë, 1959.

8 Aleksandër XHUVANI: Antologji e klasës së tretë të shkollës së mesme. Tiranë, 1946; Po ai: Histori e letërsisë së vjetër shqipe dhe arbëreshe, Tiranë, 1947. Instituti i Lartë Pedagogjik 2-vjeçar; Dh. S. SHUTERIQI: Antologjia” e klasës së IV-të të shkollës së mesme, Tiranë, 1946; Po ai, Letërsia e re shqipe, antologji e komentuar për shkollat e mesme, Tiranë, 1950; Po ai: Histori e letërsisë shqipe, tekst për shkollat e mesme, Tiranë, 1955; Po ai: Antologji e letërsisë shqipe, Tiranë, 1957; Sterjo SPASSE: Antologji e poezisë bullgare, Tiranë, 1951 etj.

9 Shih, veç tjerash, Jup KASTRATI: Bibliografi albanistike I (Veprat e plota), “Era”, Prishtinë, 2001.

10 Bibliografí e dramatikës shqiptare (1750-1946). Botuar te “Revista letrare”, Tiranë, 15 korrik 1944; 1 gusht 1944; 15 gusht 1944; viti I, nr. 11, f. 6-7; viti I, nr. 12, f. 6-7; viti I, nr. 13, f. 6; Bibliografí e narrativës shqipe. Shkodër, shkurt 1945. Ripunuar, në korrik 1946.

11 Bibliografí e shtypit shqiptar (1848-1946). Dorëshkrim. Shkodër, 8 qershor 1946; Listë e organeve të shtypit shqiptar (1848-1966). Dorëshkrim. Shkodër, më 1 mars 1966.

12 Bibliografí për Jeronim De Radën (1903-1993), botuar në librin: Prof. Dr. Jup Kastrati, Studime për De Radën, Era, Prishtinë, 2003; ribotimi “Gjonlekaj Publishing Company”, New York, 2003; Bibliografí e De Radës (librat) sipas rendit kronologjik. Dorëshkrim, Shkodër, 28 shkurt 1962; Bibliografí për Naim Frashërin (1900-1965). Dorëshkrim. Shkodër, më 7 tetor 1965; Bibliografí e Ndre Mjedës (1887-1967). Botim i veçantë i redaksisë “Buletini shkencor” i Institutit Pedagogjik Dyvjeçar të Shkodrës. Shtypur në Shtypshkronjën “Migjeni”, Shkodër, 1967. f. 28 ; Bibliografí e Faik Konicës (1895-1942), botuar në librin: Faik Konica. Jeta dhe vepra, Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1997, f. 203-260. Sesion shkencor, mbajtur në Prishtinë, 28 prill 1995; Bibliografí e Migjenit (1934-1961), në: librin: Migjeni, Vepra, NSHB “Naim Frashëri”. Tiranë, 1961, f. 241-263; Bibliografí tematike e prozës së Sterjo Spasses (1929-1961), në librin: Sterjo Spasse, Kurora e rinisë, NSHB “N. Frashëri”. Tiranë, 1963, f. 247-272; Bibliografí e Dhimitër S. Shuteriqit (1932-1952). Dorëshkrim i pabotuar. Shkodër, më 20 qershor 1952 etj.

13 Shih, Ibrahim Rugova: Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1986, f. 173.

14 Shih, Jup KASTRATI: Historia e albanologjisë (1497-1997). Vëllimi i parë (1497-1853). Shtëpia e librit “LMG Argeta”, Tiranë, 2000: f. 68 –109.

15 Shih, Jup KASTRATI: Zef Jubani (Jeta dhe veprat). Monografi. Tiranë, 1987; Zef Jubani Ndokilia, Vepra të zgjedhura. Tiranë, 1966; Figura të ndritura të Rilindjes Kombëtare. Shkodër, 1962; Filip Shiroka, Zani i zemrës, Tiranë, 1958; Ndre Mjedja, Çështje gjuhësore, mbledhur dhe paraqitur nën kujdesin e Jup Kastratit. Botim i Universitetit Shtetëror të Tiranës. Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë. Tiranë. 1967. 170 faqe; Ndre Mjedja, Vepra II. Prishtinë, 1982; Faik Konica (Jeta dhe veprat). Monografi, Nju Jork,1995.

16 Jup KASTRATI: Jeronim de Rada (Jeta dhe veprat). Monografi, Tiranë, 1979; Prishtinë, 1980; Jeronim de Rada (Jeta dhe veprat). Tiranë, 1962; Studime për De Radën. Monografi, “Era”, Prishtinë, 2003; J. De Rada, Këngë të Milosaut,Tiranë, 1956; Prishtinë, 1965, 1968; Publicistika, Letërkëmbimi. Autobiografia, Tiranë, 1987; Prishtinë, 1988; Skanderbeku i pafanë. Tiranë, 1987; Prishtinë, 1988.

17 Jup KASTRATI: Kolë Mirdita (HELENAU), Trëndafila që s’çelin për ne, Tiranë, 1959; Përkthyesit tanë të veprave dramaturgjike, (në vëllimin:) FAN S. NOLI, Ndër bashkëkohësit, Prishtinë, “Rilindja”, 1968, f. 204 – 207; Ali Baba Qyteza (Fan S. Noli), “Nëntori”, Tiranë, gusht 1972, XIX, 8, 74 – 87 etj.

18 Kam parasysh një numër të madh artikujsh për autorë dhe vepra, kryesisht të viteve ’50 e ’60, në dorëshkrimin e Profesor Jup Kastratit Studime letrare, të shkruar përgjatë gjysmë shekulli.

19 Shih, veç tjerash vëllimi ku është përmbledhur pjesa më e madhe e studimeve të tij mbi trashëgiminë materiale, kulturore dhe shpirtërore arbëreshe: Jup Kastrati: Studime arbëreshe. Monografi. 1.650 faqe dorëshkrim. Përmbajtja: Kushtim. Parathënie. Kreu I: Çështje të historisë së arbëreshëve të Italisë. Kreu II: Çështje të etnografisë së arbëreshëvet të Italisë. Kreu III: Çështje të folklorit të arbëreshëvet të Italisë. Kreu IV: Çështje të gjuhësisë shqiptare ndër arbëreshët e Italisë. Kreu V: Çështje të gjuhës së arbëreshëvet të Italisë. Kreu VI: Çështje të letërsisë së arbëreshëvet të Italisë. Kreu VII: Publicistikë. Kreu VIII: 1) Botimet shkencore të Prof. dr. Jup Kastratit për kulturën kombëtare të arbëreshëvet të Italisë (1953 - 1998). 2) Shënime bio - bibliografike për autorin e monografisë.

20 Shih, Jup Kastrati: Autobiografia e De Radës. Tiranë, 1999; Jeronim de Rada, Poezi shqipe të shekullit XV. Këngë të Milosaut, bir i sundimtarit të Shkodrës. Transliteruar, përshtatur në gjuhën e sotme dhe komentuar. Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve. Shtypur në Stabilimentin «Mihal Duri». Tiranë, 1956, 204 f.; Ribotuar në Prishtinë, dy herë, me 1965 dhe me 1968; Jeronim de Rada, Vepra letrare. Tri vëllime: Vol. I, 407 f.; vol. II, 403 f. Vol. III, 400 f. Gjithsej: 1.210 f.. Shtëpia Botuese «Naim Frashëri». Tiranë, 1987; Jeronim de Rada, Skanderbeku i pafanë. Histori të shekullit XV. Përshtatur në gjuhën e sotme nga Jup Kastrati. (Në serinë) Jeronim de Rada, Vepra letrare, vol. II, f. 3 - 377. Shtëpia Botuese «Naim Frashëri». Tiranë 1987. (Përshtatje nga arbërishtja në gjuhën e sotme letrare shqipe, rreth dhjetëmijë vargje); Jeronim de Rada (Jeta dhe veprat). Tiranë, 1962; J. De Rada, Skanderbeku i pafanë. Tiranë, 1987; Ribotuar në Prishtinë, 1988. J. De Rada, Publicistika, Letërkëmbimi. Autobiografia, Tiranë, 1987; Ribotuar në Prishtinë, 1988. Shih edhe veprat në dorëshkrim: Jup Kastrati: Veprat historiko - filologjike dhe publicistike të Jeronim de Radës. Shkodër. 1999. 1.850 f. të daktilografuara. Në tri versione: italisht, në të folmen e arbëreshëve (transkriptim) dhe në përshtatjen e gjuhës së sotme shqipe. Jeronim de Rada, Skanderbeku i pafanë. Tri versione: italisht, arbërisht (transkriptim), përshtatje në gjuhën e sotme. Me një studim introduktiv problemor dhe me aparat shkencor. Shkodër, 1999. 1.240 f. të daktilografuara etj.

21 Jup Kastrati: Jeronim De Rada (Jeta dhe veprat). N.Sh. Botimeve «Naim Frashëri», Tiranë, 1962. (Libër, Monografi) dhe versionin e saj të zgjeruar në botimin e vitit 1979: Jeronim de Rada (Jeta dhe veprat). Monografi, Tiranë, 1979; Ribotuar në Prishtinë, 1980. Studime për De Radën. Monografi, “Era”, Prishtinë, 2003; ribotimi Studime për De Radën. Monografi, Nju Jork, 2003

22 Jup Kastrati, Autobiografia e De Radës.”Onufri”, Tiranë, 1999

23 Jup KASTRATI: Skënder Luarasi – përkrah F. S. Nolit e F. Konicës, (në librin:) J. V. Gëte, Fausti. Shqipëroi: Skënder Luarasi. Argeta – LMG. Tiranë, 1999, ff. 553 – 558.

24 Shih bibliografinë për Sterio Spassen, Shimitër S. Shuteriqin, Migjenin etj., (në vëllimin:) Jup Kastrati: Bibliografi albanistike I: Bibliografia e Migjenit, (173-187): Artikuj, recensione, studime dhe poezi mbi Migjenin (187-200); Bibliografi për Migjenin (201-202); Bibliografi e Sterjo Spasses, 1929-1961(203-287): Kapitull I: Prozë tregimtare dhe përshkruese (204-226); Kapitulli: Çështje letrare, gjuhësore, folkloristike, pedagogjike, shoqnore (227-276); Kapitulli III: Botime të Sterio Spasses në gjuhë të huaja (277-282); Bibliografi e Dhimitër S. Shuteriqit (288-304): Parathënie (288-289); Veprat në formë libri, të Dhimitër S. Shuteriqit (289-292); Bashkëpunimet e Dhimitër S. Shuteriqit (292-299); Jehona e veprimtarisë letrare të Dhimitër S. Shuteriqit në shtypin e huaj (299-300); Skemë për studimin e prodhimit letrar të Dhimitër S. Shuteriqit (300-304) etj.

25 Prof. Jup Kastrati, Motua ime ka qenë dhe mbetet: T’i shërbej atdheut. Intervistë me gazetarin Zenel Anxhaku, “Mësuesi”, XXXIX, 4(2150), 5-6, Tiranë, 2 shkurt 2000.


65 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page