top of page

Një gotë verë me lirikën e Jorgo Bllacit


Jorgo Bllaci

Nga Fatmir Terziu


Nëse do të mund të prisja të gjitha shkurret, natyrisht do të isha Naimi. E të ngjitesha në çdo pemë në këtë botë, nuk do të guxoja, pa kuptuar edhe rrënjët që mbajnë shkurret. Ka shumë vende ku pemët janë të rethuar nga shkurret. Ka shumë vende ku nuk ia vlen të ngjitesh. Unë i zgjedh pemët e mia, sikurse truallin, që e punoi qilizëm Naimi ynë i Madh, me qëllim të dalloj fidanët e mbarë. Dhe e bëj këtë sikurse zgjedh frymëzuesit e mi. Ka frymëzime në këtë botë që më duhen më shumë se të tjerët, frymëzime që më bëhen përditë e më shumë mësime dhe që më bëjnë të gulçoj me kapjet e duhura poetike që mbajnë pastër timbrin e bukur në gjuhën time.

Nëse do të kishte një tempull në bazën e Malit të Gjerë, do të isha personi i parë që do të shkoja atje pa kërkuar asgjë në lutjet e mia. Do të hapja „Ligjërimet e Pyllit“ (1964), e do të mësoja në vitlindjen time që ky mal mbante gjithçka që mund të përdorja brenda barkut të tij. Dhe do të kisha vetëm për të arritur aty në bërthamë të tij me „Epika(t) e Trëndafilave“ (1990).

Por nëse tempulli do të ishte në majë, nuk do të shqetësohesha, ka gjëra që duhet të mësoj t'i bëj dhe ngjitja në male nuk është njëra prej tyre, ajo mund të shterojë e të pasojë me „Zërat e natës“ (1993), sepse ka shumë probleme këtu në Tokë dhe nuk kam nevojë të prek qiellin për të ditur se edhe Qielli i ka marrë këto zëra problematikë. E aty do të ndihej me siguri „Kuja e violinës“ (2007). Do të ishte një Parajsë poetike.

Nuk mund ta imagjinoja një Parajsë pa një ngjitje të mirë në atë majë. Nuk ka gjë të tillë më lirike se ajo që mbart leximi lirik në atë lartësi. Është më shumë si gëzim i ndjeshëm, motivim i pastër, i pa trukuar, i parregulluar. Dhe aty lirisht mes lirikave mëson nëse do të jesh i lumtur për përjetësinë, për vazhdën ku duhet të ngjitesh, duke ditur se mërzia do të jetë e vetmja gjë që është gjithmonë jashtë mundësive të tilla. Do të jetë e tillë, sepse gëzimi pa asgjë për ta krahasuar në majë, në ngjitjje është plotësisht dhe krejtësisht i pakuptimtë.

Zoti im, ai do të më jepte këtë shans leximi, dhe mes leximit vetë ngjitja do ta kuptonte atë. Ngjitja do të më lartësonte mbi re, por do të vazhdonte të më vinte pengesa në mënyrë që të dija lavdinë e të ndjerit krenar për atë që dikush ka arritur mes lirikave të tilla. Por Zoti im ekziston vetëm në leximin e poezive të tilla, kështu që ndërsa unë jam akoma gjallë, ju mund të vini bast se do të ngjitem akoma.

Ata pemë nuk do të kenë një degë të paprekur, ka një pyll të tërë që pret të marrë frymë me sekretet e tij në venat e mia dhe kam në plan të jetoj atje derisa të ngopem.

Kur të jem i plotë, do të jem i lumtur të shkoj në Parajsën tënde për sa kohë që ka vullkane me bark më të thellë, se sa mendoj,… se do të arrij ndonjëherë. Gjithmonë ka diçka të ndryshme për të mësuar.

Ka për të mësuar edhe kur Jorgo Bllaci, kujtimit të Lasgush Poradecit i ka kënduar, si një detyrim i dashurisë jo thjesht tek „Vreshti i poezisë“, por tek hardhitë që kishin lidhur vile rrushi:

„Përmbi bastun e shtoi si nëpër lot:

—E keni rradhën ju për ta punuar

Këtë të bukur vresht, pa shok në botë.

Ta rritni të shëndetshëm, ta selitni,

Ta doni si thesarin më me vlerë;

Dhe neve, që aty e lamë shpirtin,

Na sillni nëpër mend ngandonjëherë!…“

Ndoshta ka dashur ta thotë me zemër të ndjerë, na sillni nëpër mend ngandonjëherë, duke ngritur për ne një gotë verë…

58 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page