top of page

Një bardhësi që "vret si me pambuk"...




Nga Dr. Shpresa Gjergji




Një bardhësi që "vret si me pambuk"...

Vështrim poetik mbi poezinë: "Mashtrohen flokët bëhen të bardhë" e Fatmir Terziut


Në vend të hyrjes...


Një poezi së fundmi "Mashtrohen flokët bëhen të bardhë" e F. Terziut, cila aludon në një permbledhje në mënyrë filozofike, etapat e jetës... porsa e lexova më futi në një botë ku konteksti semantik i jep poezisë frymë reale, pavarësisht nocionit mistik të të shprehurit, ku konfiguracioni e simbolika, shpesh krijojnë hapsira të palexueshme të drejtpërdrejta...

Jemi mësuar që shpesh s'mund t'i marrim shtruar gjërat në jetë. Në të vërtetë, mendoj se sot, jeta është shumë e zhdërvjelltë. Në ç'mënyrë...?! Po ja, në çdo hap ka një problem, në çdo kohë ka dilema, sa hap e mbyll sytë ndodh diçka, nuk e kupton nga të vjen, shpesh nuk je "me këmbë në tokë", gjëndesh në udhëkryq, etj., dhe duket se nocioni kohë fluturon, veç kur e sheh vehten mes vorbullës që të rrëmben dhe sikur një dorë e padukshme të vërtit sipas qejfit. Pra këtu e kisha fjalën tek "zhdërvjelltësia" e jetës! Sot ekziston një shpejtësi kohore e pandalshme, ku s'mund të rri pa përmendur se dikur thuhej se "ecnim me kohën", sot nuk është çudi që kjo shprehje ia ka lënë vendin "ecim me megabite... ky vrull i kohës të rrëmben dhe shpesh e gjen veten që fillon të reflektosh...

E sotmja, vërtet e sotmja, themi gjithë mburrje, ajo ka rëndësi! Por kjo e sotmja a nuk la pas të djeshmen?! A thua se kjo e djeshmja s'ka lënë gjurmë fare?! E pra, jeta ka etapat e saj, të cilat në një mënyrë a në një tjetër jetohen. Por gjthmonë ka një moment kur gjithësecili nga ne e bën një bilanc herë pas here, një rezyme që herë të ngazëllen, herë të merr frymën, herë të kap trishtimi e të bën të vuash e herë krenar për çka ke jetuar me dinjitet e se sa i ke realizuar ëndrrat, dhe madje të nxit për të nesërmen, të bën ta shohësh të ardhmen ndryshe...

Jo më kot iu futa një "arratie" të tillë, sepse ndërsa lexoja poezinë "Mashtrohen flokët bëhen të bardhë" e Prof. Fatmir Terziut, brenda vargjeve kam parë rrugë pa fund, shtigje e labirinte për t'ja dalë, dritë që të jep shpresë e gëzim, mjegull që të zë pamjen..., ëndrra me krahë prej fëmijërisë, lumturi prej gjyshërit, mençuri prej etërit, madje edhe "kujtime" që kanë mbetur në memorje “pa shije...”.

Kjo poezi, e ndërtuar me një thellësi mendimi (gjë që spikat vrullshëm në shkrimet e Terziut), vjen si një poezi elite, nga e cila rrjedh natyrshëm një botë e madhe, një botë qe flet shumë, por jo me shumë fjalë. Aty, imazhet e fabulës janë të gjalla, kanë një prekje ku herë me hare e ëndrra fëmijësh, herë me "këmbë të ngrira nga ngricat" (ku spikat dilema e poetit), herë me dhimbje më të madhe e lidhur me "skutat e një bote të ftohtë"... kjo poezi në çdo varg sjell momente që vijnë tejet të vërteta, të përjetuara, të spikatura, të nënkuptuara, të thëna poetikisht, si një bisedë e një nate të gjatë dimri pranë vatrës...


Simbolika e poezisë


Lexoj dhe kjo poezi duket si një rrëfim...e vlerësoj për mënyrën se si nëpërmjet 27 vargjeve, ajo transmeton më tepër se një epokë... Nisur edhe nga titulli dhe më tej, vështroj përmes simbolikave të cilat shprehen nëpërmjet fjalëve kyçe, ato të cilat përbëjnë boshtin e diskursit poetik: dëbora, bardhësia, flokët. Vë re se trajektorja që kjo poezi përshkon, duket se i ka rrënjët tek këto simbole kaq domethënëse, të cilat i japin poezisë karakterin e një poezie moderne me nota lirike e filozofike dhe nocione të tilla sjellin jo pak ndikim mbi audiencën.

Përmend këtu faktin se simbolikisht 1. Dëbora, sjell bardhësinë, dritën, pastërtinë dhe në antitezë me to ajo sjell edhe ftohtësinë, ngricën, "dimrin"...


Në kë poezi, simbolika e saj nuk ka lidhje me rënien e dëborës, paçka se ajo përbën lejtmotivin në këtë poezi. "Dëbora" është kyçi që zbërthen "enigmën" dhe vjen si rrjedhojë e metaforizmit "fatmirjan". Është nocion simbolik i dimrit të shprehur brenda jetës e shpirtit të poetit me "akull e ngricë"... 2. Bardhësia si një simbolikë brenda simbolit (sepse bardhësia i përket edhe dëborës) vjen me një koncept më të gjerë...duket se për poetin bardhësia është në shpirtin e tij, në pastërtinë që atë e motivon në jetë. 3. Flokët, një tjetër simbolikë që në mënyrë poetike shpreh jetën, vitet, kohën, dilemat, lodhjen, luftën dhe përpjekjet e poetit, por do të veçoja edhe mënçurinë e mendimit të tij ndër vite...


Nocioni kohor


Kjo poezi vesh bukur mantelin e fjalëve të stisura, pra ka një leksik të fuqishëm shprehës, ku nëpërmjet tyre poeti shpalos një mori "faktesh", duke e ndarë poezinë në tre pjesë, kapituj jete: si 1. femijëria, ku nuk harron të përmend gjyshen (kjo mënyrë është pjesa e formimit të karakterit dhe forca për të ëndëruar),

2. periudha e sakrificave (strofa e dytë), për ta fituar e ndërtuar jetën, ku nuk lodhet që të përmend miqtë e tij,

3. etapa e "flokëve të bardhë" ku duket se edhe pse gjen "paqe", e sheh veten "të mashtruar" sepse jeta qënka kaq e shkurtër sa as vetë poeti nuk e ka kuptuar si ka fluturar kaq shpejt - (strofat e fundit).


Tema dhe raportet brenda poezisë


Tema e veprës dhe e jetës, e qëndresës e sakrificës e përshkon poezinë në çdo moment. Kjo temë ndërthuret me familjen (gjë të cilën e shohim shpesh edhe ndër poezi të tjera të autorit), me miqtë e shokët (ku spikat raporti miqsor dhe fryma vlerësimit dhe e respektit), me politikën (sepse edhe politika e politikanët janë pjesë e jetës së poetit, aty ku zhgënjimi duket se vjen real).

Raportet e poetit (personazhi kryesor) me ecurinë e një jete të tërë prezantohen me një frymë realiste dhe ballafaqohet me botën e tij dhe realitetin ku jeton. Është tejet i vërtet e jetësor kur shpreh ndjenjat e tij, por në një rrafsh paksa mistik, ku lexuesi me të drejtë s'mund t'i kuptojë plotësisht bëmat, komplikimet, shqetësimet..."skutat", "ngricën", "dhëmbët", "errësirën"...


Përtej asaj që shkruhet...


Do të kujtoja këtu Migjenin me "Bukuria që vret", por absolutisht nuk do të hiqja një paralele, jo vetëm për faktin se janë dy autorë të ndryshëm të dy kohërave të ndryshme, ku produkti padyshim është i ndryshëm, njeri që vjen me poezi e tjetri me prozë, apo edhe mbi botkuptimet e tyre s'do të doja të vendosja shenjën e krahasimit, sepse i përkasin kohëve të ndryshme. Sot ka një tjetër zhvillim..., por seç më lidh diçka...

Jeta?!

Vuajtjet, shqetësimet, përpjekjet (në vështrimin e poezisë e shprehura me flokët e bardhë)?!

Dëbora si një simbol që vret...?!

Apo siç shprehet poeti ynë "Kur dëbora ia shkuli flokët bardhësisë..." mos ndoshta që këtu nis zanafilla?!

Kjo dëborë me ngjet me atë të Migjenit, pavaresisht se dëbora e Migjenit ishte reale, e prekshme, e ftohtë, vrastare, në poezinë e F. Terziut kjo "dëborë - simbolike" do të sillte ngrica në udhën e jetës...kjo dëborë do të "vriste si me pambuk", pak e nga pak, sikur të zinte pusi e dhëmbët do të kërcisnin nga akujt e saj...

Ku poeti vargëzon se "bardhësinë na e kanë vrarë", poezia kulmon! Ftohtësia e saj do të shponte shpirtin e poetit me "errësirën ngadalë

në skutën e një bote të ftohë..."

Eshte një tablo e kornizuar bukur, një tablo jete aq e sinqert, e cila nis me ëndrrat e fêmijërisë, e vërtetë e bindëse ku "ninullat e gjyshes" janë mësimet e para në jetë. Kjo tablo vështirësohet kur shpirtit të poetit "ia shuajnë bardhësinë". Këtu forca e shpirtit shpërthen dhe semantika e hapsirës leksikore transmeton dhimbje e forcë, pikërisht kur "koha na kujtoi një ditë dhëmbët që ngrinë prej ftohtësisë!

Ky peisazh herë me jep trishtimin e tablos së Migjenit, herë me kurajon "kur dëbora u bë akull dhe ngricë stërvisnim këmbët"... sepse poeti e ka çarë atë ngricë, e ka pranuar dhe rilindur... jo si fataliteti i Migjenit kur agimi zbardhi me bukurinë e bardhë që vret. (Migjeni konstaton dhe lëshon alarmin duke demaskuar por s'gjen paqe), ndërsa me një pamje ndryshe, poeti ynë e sheh vehten mes dilemash, por shprehet lirshëm dhe i kapërcen ato:

"Ndodh sot që dëbora të na ngjyej flokët me pamjen që imitohet në ekran..."

Vitet dhe koha ia kujtojnë atë rrugë të gjatë e të vështirë, dhe pakuptur e sheh veten "flokëbardhë"... a thua ia zbardhi "dëbora"?! Ajo "dëborë" që i sillte ngrica (politika e politikanët e keqja e këtij kombi) e që ndoshta, "i vrau bardhësinë e shpirtit"?!

Poeti ynë nuk vritet! "Dëbora tashmë ka harruar dhe veten, ka vite që nuk ka zbardh..." Ja pra, jeta ka zikzaket e veta, sot poeti nuk e vuan me "dëborën", jeton në paqen e shpirtit të vet, por nuk është çudi kur shprehet: "flokët tanë e imitojnë pa fjalë, mashtrohen, bëhen të bardhë"!

Kjo tablo jete e pasur, qysh nga fëmijëria, strof pas strofe me një varg të bardhë e kuptimplote, sjell tablonë e viteve deri në një moshë me floke të bardhë, ku jeta e ka sprovuar shumë!

"Debora - simbol" e paska mashtruar, e si pa kuptuar e ka vrarë "si me pambuk"...

Sepse poeti i ka falur rrugëtimet, vitet, përpjekjet, jetën...por jo shpirtin vital të një intelektuali plot vlera.


Fryma e gjallë poetike


Kjo poezi flet, kuvendon, ka emocion, qan e ngashërehet, ka brenda burrërinë njerëzore të jetuar ndër vite, madje edhe brenda "akullit e ngricës", një poezi që ulëret kur e kthen koken pas...

E arrirrë për nga thellësia e mendimit, e skalitur për nga vargu i përdorur, e lulëzuar plot energji nga frazeologjia metaforike e pa munguar, e ndriçuar për nga mesazhi që përcjell, kjo poezi vjen e gjallë. Nuk befasohem, të tilla poezi brilante sjell pena e Terziut me frymë poetike e vlera të patjetërsueshme ku spikat individualizmi "fatmirjan", me një kontekst kohor real e me nota lirike..., me një botë të pasur shpirtërore, energjike, me intelektin e vet unik. Në vazhdën e poetikës leksiku i F.Terziut është i pasur, domethënës dhe nënkuptues. Forca e gjuhës së përdorur përcjell emocione tek lexuesi dhe ballafaqohet me një realitet në të cilin poeti ka jetuar dhe ka sfiduar vetë jetën.

Veç përgëzime penës së poetit, për këtë poezi perlë, si një botë e jetuar ku tabloja e radhës është pesha e fjalës dhe e shpirtit të prof. Fatmir Terziut brendashkruar poetikës së tij.

Veç falenderime për këto vargje kaq kuptimplote, të thëna me mjeshtrinë vitale, filozofike që i jep krahë poezisë!




Mashtrohen flokët bëhen të bardhë

Nga Fatmir Terziu


Kur dëbora ia shkuli flokët bardhësisë

Gjyshja na rrëfente përrallë

e na këndonte ninullë

ne rendnim hapësirës

kujtonim se do të ishim gjithnjë fëmijë

mblidhnim ëndrrat tinëz

në torba të mëdha

t'i shpërndanim lirisht botës pa kufij.


Kur dëbora u bë akull dhe ngricë

stërvisnim këmbët

se koha na kujtoi një ditë

dhëmbët

që ngrinë prej ftohtësisë

teksa shkruajmë tashmë memorjet

udhëve të gjata të pafundësisë

me një shije ndryshe nga akulloret

e fëmijërisë.


Ndodh sot që dëbora të na ngjyej flokët

me pamjen që imitohet në ekran

koha na struk shokët

netëve që sjellin errësirën ngadalë

në skutën e një bote të ftohët

heshtin

fshihen numrat në celularë

e ne flasim me veten vetëm për politikë

dhe politikanë,

që bardhësinë na e kanë vrarë.


Dëbora tashmë ka harruar dhe veten

ka vite që nuk ka zbardh

flokët që ia shkuli bardhësisë po treten

po flokët tanë e imitojnë pa fjalë

mashtrohen,

bëhen të bardhë.


33 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page