top of page

Fatmir Minguli: Libri i Mark Zadesë...


Libri i Mark Zadesë “Forca e mendimit” – filozofi mbi transformizmin intelektual

( Shënime mbi disa aspekte filozofike në librin “Forca e mendimit”, “Botime françeskane”, Shkodër 2011)

                                             Lexojmë librin, por ndoshta thellë- thellë

                                                          është libri që lexon brenda nesh.

                                                                                         George Steiner

Një vizitë e studjuesit, shkrimtarit, filozofit, piktorit nga Shkodra, Mark Zadeja në qytetin e Durrësit nuk ishte thjeshtë një vizitë si çdo vizitë. Fakti që ai na dhuroi librin e tij të çmuar “Forca e mendimit” ishte më shumë se sa vlera e një takimi apo një dreke miqësore me mikun nga Shkodra. Stafi i studios 2M ishte i nderuar me këtë vizitë ku Mark Zadeja ishte së bashku me piktorin e madh  nga Kosova  Jetullah Haliti.

Por le të vimë në idetë që Mark Zadeja shpalos në librin e tij filozofik “Forca e mendimit”.

Vizita e Mark Zadesë u bë në kohën kur intelektualë durrsakë kanë kapur fijet e një gare mbi transformizmin në poezi dhe në pikturë. Vetë fakti që piktori Jetullah Haliti i cili shquhet për avangardën e pikturave të tij nëpërmjet rrymës profondiste,  shoqërohej me studjuesin Mark Zadeja ishte si të thuash një lloj profecie për të ardhmen e shoqërinë intelektuale durrsake.

Është si të thuash  që për këtë rast, të sjell këtu mendimet e Mark Aurelit i cili në kohë të vet shkruante se “Është turp që ndërsa trupi yt ka jetë, shpirti yt të ketë vdekur prej kohësh.”

Libri “Forca e mendimit” është një Vademekum jete, një udhëzues ku çdo njeri sheh veten e tij, ku shikon vijat e bardha të rrugës ku ai kalon përditë. Ardhja e librit “Forca e mendimit” është një ndihmë në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.

Nëpërmjet “Klubit  të futurizmit dhe të transformizmit” me qendër në Durrës edhe pse është një klub virtual  në faqet e rrjetit social të facebookut, propagandon ide për zhvillime jo vetëm në letërsi dhe në pikturë por dhe në arte të tjera. Fare bukur e thotë Mark Zadeja idenë e zhvillimit në kohë.

“Në mes të djeshmes e të sotmes  nuk ka shumë largësi, ajo çka pamë ishte vetëm  mirësi  dhe atë që do të vijë nesër e pres me kënaqësi.” Sa e mprehtë është kjo shprehje! Sa botë ka aty brenda për të medituar e për të kthjelluar mendimet! Dhe ne duhet të reflektojmë sot për të çuar përpara forcën e mendimit si shqiptarë. Jemi ne që na takon të evidentojmë se liria që gëzojmë sot vjen nga paliria e kohës së diktaturës. Janë njerëzit e artit ata që e prodhojnë të mirën, pra poetët të parët  duhet të bëjnë atë transformizëm në stil e në përmbajtje ku të shprehin atë që thotë Mark Zadeja në librin e tij se njeriu duhet të “ përpiqet, të dëgjojë një zë, të arrijë diçka   e prap të dëgjojë një zë, të kërkojë të gjejë pastërtinë e shpirtit, dashurinë për tjetrin, mirësinë dhe urtësinë. “

Vetë autori Mark Zadeja thotë se ka një Zot që e këshillon çdo ditë.Ka të drejtë! Dhe poetë durrsakë si Agim Bajrami, Ilir Paja, Bajram Sulejmani, apo piktori Arben Kristani janë në majë të një transformizmi sa origjinal secili  në stilin e vet  dhe shpresëdhënës për një “muzikë që u del nga thellësia e shpirtit, një melodi që është fryma e shenjtë që buron prej shpirtit qiellor të artistit, një harmoni  që  shërben për bashkimin e njerëzve dhe tingujt që lindin të çojnë  në rrugën e përjetësisë së qiellit hyjnor.”

Eshtë kjo performancë e artistëve  durrsakë te të cilët dashuria është forca e vërtetë e cila u jep atyre frymëzim dhe i bën ata që të tejkalojnë përmes transformizmit caqet e mendjes njerëzore, një forcë e përtejme me të cilën nuk mund të krahasohet asnjë.

Deri në këto kohë ka pasur shumë debate për këtë transformizëm. Shumë vetë ndoshta nuk e kuptojnë krejtësisht por dhe ata që hynë pjesë –pjesë nuk kapin thelbin e  kërkesës për ndryshim. Klubi i futurizmit dhe transformizmit  nuk pretendon që të heqi  ato vlera që ekzistojnë por të sjelli informacion për ato tendenca pozitive jo vetëm në poezi dhe pikturë apo në romane dhe tregime. Vetë transformimi që ka pësuar eseja klasike e Mishel de Montenjit në Europë dhe në Amerikë flet hapur për këtë nevojë transformiste të të shprehurit të ideve pozitiviste. Apo të sjellë ndryshimet e origjinës së realizmit magjik dhe kufinjtë e rinj të tij që në përgjithësi njihet si “pronë” e  shkrimtarëve  të Amerikës Latine.

Për poezinë Mark Zadeja shprehet se “ Me poezinë e sotme  vargjet nuk merren me me zbukurimin e mjedisit, po me marëdhëniet e njeriut me natyrën dhe qenien e tij.” Ai shton se poezia modern pasqyron problemet e kohës dhe këtë po bëjnë dhe poetët që përmenda më sipër. Poezia e sotme ka privilegjin që t’i ngjajë lutjes shpirtërore e cila kthehet në meditim të heshtur po me një bindje se zëri i poetit do të dëgjohet nga shoqëria dhe pastaj le të fluturojë në qiell. Prandaj vargje të këtij lloi shpirtëror pëlqehen dhe shpesh kthehen në këngë të fuqishme që reflektojnë problemet sociale.

Por, gjithçka bëhet me dashuri shpirti dhe besim se të dyja sepse të dyja i japin shoqërisë dije për drejtim. Këto shprehje janë rrjedhojë e leximit dhe studimit të librit “Forca e mendimit” të Mark Zadesë i cili që në faqen e parë të librit shkruan: “Mund të lexojmë në mendjen e tjetrit, porse është e vështirë shpirtin t’ia kuptojmë, sepse në të fshihen shumë gjëra.”

Poetët dhe piktorët në një farë mënyre  dinë apo arrijnë të kenë empati ndaj të tjerëve dhe kur atë e bëjnë shpirtërisht pastër themi se janë në brendësi të transformizmit.

Durrës prill 2024

17 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page