top of page

Njerëzisht në dashuri


Fatmir Terziu

Lëngu i jetës

Nga Fatmir Terziu


Sonte do të trokas tre herë në gotën tënde,

trokitjen e parë e kam për arsyen,

trokitjen e dytë për ndjenjën,

trokitjen e tretë për vetveten

që të gjeti Ty e dashur,

të trokas me dashuri tërë jetën.


Dhe nëse gota do të dridhet,

me lëngun e jetës

e gjithë forca ime do të mblidhet

për të rikujtuar të gjithë kotësinë e fjalëve,

ndërsa të shtrëngoj fort midis krahëve.


Sytë në dashuri


E di, që do të habitesh të më arsyetosh, e di

e di, se gjithmonë kur vjen pyetja, dhe kur vjen puna e di

Dante e përshkruan këtë, era vërtitet në sy.


Këmbët janë të ndjeshme, ata s’mund të ikin as të rrinë

është një metaforë që e mbush me nur poezinë

gjithnjë vjen, dhe kur vjen puna e di

kjo është një kushtetutë vetëm për dashurinë,

një kod magjik që zbërthehet vetëm në sy.


Era i bart sytë si këmbët atje ku duan të shkojnë,

megjithatë, duken të ashpër për të huajt që u ngulen me helm,

janë si një dritë: gjithmonë vjen, dhe kur vjen puna ata e dinë

është kjo dritësi, për të fiksuar dhe për të mos lënë të shkojë dëm

të gjithë xixëllimin që lind dhe prodhon dashurinë.


Nga pesha e dashurisë dridhemi në këmbë

në zemër e zjarrmojmë, me sytë e bekojmë.


E di, që do të ngutesh të më gjykosh, e di

e di, se gjithmonë kur vjen pyetja, dhe kur vjen puna e di

Dante e përshkruan këtë, era dridhet në sy.


Më thuaj ëndërr?


Ej ëndërr të kanë parë njerëzit e rrugës tjetër,

shtëpisë matanë,

rrugicës së vjetër?


Ej ëndërr a ke zgjuar njerëzit e mi atje tej,

nënë e babë,

vëlla e motër?

Më thuaj ç’të thanë?

A ke zgjuar moj ëndërr më thuaj,

të dashurën për të cilën vuaj?


Të kanë parë ëndërr njerëzit e këtij qyteti,

ty që bën dashuri netëve me statujat e sheshit,

si njeriu i harlisur mjegullës së dendur,

ku çdo gjë brenda tij ka vdekur.


Ti ëndërr gjëmon si brenda njeriut,

e ftohtë, e zjarrtë e trishtë,

se ende nuk ke shtruar tryezën tënde,

të pijnë të gjithë ëndërrimtarët, të shkretët

që ty të besojnë përditë.


Njerëzisht në dashuri


Qielli është blu dhe i ndritshëm dhe i lirë

poshtë tij është një botë e ngjyrave

në të ngrysur, në të mugëtuar, në të gdhirë

ka dhimbje dhe trishtim, zemërim dhe lëndim,

por ka edhe lumturi

para, dragonj dhe monstra që na kontrollojnë,

pra hapni sytë dhe shikoni tani,

njerëzisht Ju jeni plot dashuri.


Sepse dashuria nuk është e verbër për njerëzinë,

të verbër janë ata,

të cilët kurrë nuk e njohën dashurinë.


Nënshkruam një dashuri


Kujtoj fjalët e dashur. I mas

si të masja kohët në ëndrra,

kur i thurrja dashurisë për çdo vajzë që takoja,

thirrjet, të qeshurat, ritmet e mundura,

thuaj propozimin tënd e mësova përmendësh,

thuaj dashurinë tuaj e mbajta në zemër.


Eh, kohë të shkuara,

trokisni këtu,

për të thënë se ajo është e vetmja memorje,

për ju.


Kur ajo buzëqesh,

kam kapur thelbin e vesës së syrit të saj.

Dhe në çdo palë të fundit,

lexoj një vrull,

ngrohtësinë e saj më të madhe,

në anën tjetër mbeta një pullë,

që zarfohet pas mesnate.


Mbylli sytë e tu,

dëgjo lotët e dikujt që kthehen në pluhur,

bashkë e bëmë jetën pranverë,

një arsye pse buzëqeshëm në kohën e duhur,

ku gëzimi i dhimbjes u tregua vetëm një herë.


Porta në Memorje


Vapa po bëhet pluhur

meditim i zhurmshëm!


Është një dashuri që kaskon dhunshëm

nga malli blu,

duke ftuar tharmin nga lutja e heshtur

guxim,

për të ngarkuar tonelata fjalësh gjenetike,

mbingarkesë bashkëtingëlloresh të fryra

pezma fonetike.


Unë lëvrij një monedhë me shikimin ngjizur

te një perëndeshe me sy blu në kopsht, duke shfaqur pluskimin në Google

fjala si Zë larg fillit

në epshin e verbër ndaj luksit botë

në prehërin e një lypsari

para Kristoforidhit.


Sheshi gri,

grim në epikë të përmbledhur

në prushin ku piqen misra të njomë.

Kthesa dashurie

dhe përkëdhelja puq akrepat e Sahatit

hulumtohet në mbiemra merkurial, embalm i Kalasë

në ngurtësi emocionale të ftohur,

larg nga e vërteta,

ngrihet një marrëzi e pangopur.


Memorjet arratisen nga truri

në përjetësi pluhuri! Por jo nga dashuritë…


Pakthinë


Të dy i kemi ndasitë tona,

emërzimet ndoshta,

sa zanore artikulojnë në gjuhën e huaj

dredhitë kushedi

më shumë bashkëtingëllore se orenditë

që i duhen një dhome për dashuri,

pa midetë e ndjeshme hyjnore

na bënë të tretemi mes vete

në gotën e mërzisë

ku ti fap hyn pa leje

dhe na bezdis.


Këto dhe të tjerat janë thjesht hamendësi,

a nuk e kemi një zot që të na dojë të dy palëve?

Por edhe ashtu kurrë s’ka pasur një zot për ty,

ca prodhojnë mutrat e tua laboratorëve

disa imitojnë fluturimet në askundi

e të tjerë vetëm në një stinë qesëndisin irnik

kontratën tënde pa histori

si grumbullim zoologjik.


E pranojmë se je e keqja rutinë

duke pritur ikjen, si të thuash mizore,

fluturake pakthinë…


Prekja: Fjalor dashurie


John Keats: “Prekja ka një memorje.”


Një grusht ajri mes meje dhe teje.


Një grusht.


Na u desh një kohë e gjatë,

kushedi,

të preknim migrimin e fjalëve në gjuhë

nuk kishte fjalor për dashuri.


Preknim me fjalë botën e padukshme.

Ajri ishte graviteti i prekjes

“prekja u bë e ngutshme:”

preknim me sy,

preknim me tru,

preknim me duar,

preknim me fjalë...

... nuk ishim të huaj,

pastaj u prekëm ngadalë.


Ndjenja e prekjes

na e bëri mendjen dhallë,

drithëroi të gjithë trupin.

Dhe shkuam më tutje, mënjanë,

larguam turpin.


Prekja na dha forcën

në mënyrë aktive të zbulojmë botën.


87 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page