Hazir MEHMETI, Vjenë
DR. MEHMET RUKIQI: NJERIU I DY EPOKAVE SHQIPTARE
“Mërgata shqiptare e ka sjell Kosovën ku është sot”
Takim me njeriun e dy epokave shqiptare në Kosovë, Prof. Dr.Mehmet Rukiqin, studiues dhe mbledhës i shquar i folklorit shqiptar.
Në kohën tonë nuk mund të gjesh njëri të tillë popullor sot, sikurse Prof. Dr. Mehmeti Rukiqin. Ai kaloi së bashku jetën e tij me jetën dhe frymëmarrjen e kombit në dy epoka; të odës dhe Universiteti.
Kisha lexuar e dëgjuar për Dr.Mehemet Rukiqin, por nuk kisha pas rastin deri tani ta dëgjoj. Zëri i tij i lehtë dhe bindës të kujtonte mençurinë njeriut të kalitur kohëve jo të lehta në udhëkryqet tona drejt rrugës së progresit e rritjes sonë. Apo, të kujtonte thënien e njohur të shkrimtarit austriak Stefan Cvejg “Zëri i intelektualit është i qetë”. Këtyre riprekjeve mendore u shtohet qartësia bindëse e shprehjes, veti e kuvendit të odës që nga lashtësia përmes anekdotave popullore, apo, ashtu siç i quanin në gjuhën e lashtësisë dokumente. Dhe, vet folësi është dokument në vete kohëve të ngritjeve të tij që nga rapsodia, mësuesia, shkenca në auditorët me vlera kombëtare dhe ndërkombëtare.
Njeriu i lidhur me qytetarin e thjeshtë jetës, trashëgon madhështinë e njerëzores, atë që shkëlqen dhe jep forcë e optimizëm gjithmonë. Kjo shihet gjithandej tek Dr.Mehmet Rukiqi, jo vetëm shkencëtar por edhe dokument kohëve këmbëkryq në truallin stërgjyshor që nga Drenica gjerë në bibliotekat e shumë vendeve ku zë vend filozofia bashkë me etnografinë e popujve. Institucioni i Odave tani ka kaluar në formën moderne ashtu siç e kërkon progresi në ecjen me kohën, bibliotekave dhe auditorëve ku shkenca nxjerr faktet e saja. Ishte nismëtari i takimit tonë shkrimtari, publicisti e veprimtari i njohur galicas, miku im nderuar, z.Bedri Tahiri.
Mërgata
Miku i qetë në karrigen e tij të drunjtë nën hijen e bungut famëmadh të Gërmisë, rregullon syzet dhe pa u ngutur e fillon bisedën sikur dikur ulur këmbëkryq në odën e Drenicës.
“Marr në përgjithësi, mërgata është një kaptinë e veçantë në historinë kombëtare. Ka raste të ngatërrimeve të diasporës me mërgatën, Diasporë janë arbëreshet e Italisë, të Zarës. Përse? Arsyeja është se kur ata kanë dal, kanë dal me ka krejt prej vendit të vet dhe më as që kanë ëndërruar dhe këqyrë prej vendlindjes. Kurse mërgata, vet fjala mërgatë e ka kuptimin e largimit përkohësisht për ndonjë arsye ekonomike, politike dhe gjithsesi rrënjët i mban në vendlindjen e vet, mendimet i mbanë në vendlindjen e vet, gjuhën e ruan sikur sytë e vet, fëmijët i shkollon në gjuhën amtare.
Sot për sot, mërgata është duke luajtur rolin e dorës së parë në ngritjen e shtetit të vet. Kam dëgjuar nga shumë njerëz, se Kosovën mërgata shqiptare e ka sjell ashtu siç është sot, dhe pajtohem, është shumë me vend. Së pari i ka ndihmuar luftën, pastaj ndërtimit, dhe sot çdo gjë që shihet e ndërtuar në Kosovë, shihet se është e meritë e mërgatës shqiptare...”.
Kujtesa
Vepra e mërgatës shqiptare, sa i përket odës, si institucion i traditës popullore kombëtare që nga ilirët e këtej, ku veçohet oda e burrave e quajtur kështu pasi më shumë kanë ndenjur burrat, dukuri e cila është shfaqur me ardhjen e osmanlinjve. Prej vitit 1389 kur ka hy osmanlija. Përndryshe, para ardhjes së tyre, në oda kanë ndenjur edhe gratë së bashku me burrat ku kanë biseduar dhe kanë planifikuar punët e shtëpisë, të fushës së bashku me radhë. Kur vjen osmanlija dhe një pjesë e pranon fenë islame, është nda oda e burrave. Oda është quajtur edhe shkollë, arsyeja e kësaj është rendi i fjalës që është mbajtur ku janë ulur burrat dhe përmbajtja, rëndësia, pesha e fjalëve që janë folur në odën e burrave. Aty ai që ka folur është dëgjuar nga të gjithë. Në ato tubime ku një flet e të tjerët dëgjojnë, e merr kuptimin e shkollës sikurse në shkollë ku arsimtari në orë flet dhe nxënësit e dëgjojnë jo vetëm me vëmendje por me gjithë qenin përpiqen t’i marrin fjalët e tij me respekt. Kjo ishte rëndësia e parë e odës kur nuk kishte shkrim-lexim. Kjo ka bërë që njerëzit tanë ta ruajnë mençurinë e tyre. Mençuria me diturinë dallojnë sikurse teoria me praktikën.
]Shkolla në kuptimin e shkrimit dhe të leximit është dituri. Oda në kuptimin e mençurisë, në kuptimin e dialogut ka luajtur rolin e dorës së parë dhe njerëzit brenda popullit shqiptar i ke pasur njerëzit më të mençur, madje prej epokës antike e deri më sot. Për një shumicë të filozofëve thuhet se kanë prejardhje e përbashkët diku ngjitur prej pellazgëve, ilirëve e këtej. Mençuria tek ne ishte traditë dhe tjetër është t’i thuash njeriut i ditur e tjetër t’i thuash i mençur. I dituri, është e “blerë” dituria kurse mençuria është me punë.
Burim gjuhësore e filozofike
Drenica ishte rajoni më të begatshme të folklorit burimor shqiptar, i cili tërhoqi studiues të shquar të traditës dhe folklorit siç ishte Anton Çeta, Zekirja Rexha, Fzli Syla, Demush Shala, Shefqet Pllana e disa të tjerë. Studiues nga gjenerata e re ishin nga Instituti Albanologjik Kombëtar i Kosovës siç ishin: Adem Zejnullahu, Enver Mehmeti, Zymer Neziri, Sadri Fetiu, Anton Berisha, Muzafere Mustafa, Ukë Xhemaj e disa të tjerë. Nga këta studiues u mblodh një pjesë e thesarit folklorik duke u botuar përmbledhje të veçanta si në prozë ashtu edhe në poezinë popullore me ndonjë vështrim të argumentuar me peshë shkencore. Tematika e krijimtarisë së tyre si me këngë ashtu edhe me tregime, ngërthen po thuaj se në të gjitha rrjedhat e jetës e të punës në ambientin përkatës.
Krijuesit dhe bartësit e krijimeve popullore në Drenicë i dhanë krahë e dorë etnogjenezës shqiptare në përgjithësi, i kontribuuan ruajtjes dhe transmetimit të parimeve tradicionale, e kuptuan drejtë autoktoninë dhe të huazuarën në kulturën shqiptare. Pasqyruan formën e dukjes dhe rregullat kanunore popullore etike e juridike. U angazhuan në mënyrë të veçantë për zgjedhjen e çështjes kombëtare. Vepra e këngëtarëve popullor spikat me aftësitë gjuhësore dhe informative, me aspiratat për dituri sa më të gjithanshme, u dalluan me shkathtësi etike, filozofike, logjike, psikologjike e sociale. Ata mbajtën lidhje të vazhdueshme me rapsodët e rajoneve tjera përreth. Ata gëzuan autoritet të pashoq tek populli dhe quhen popullor. Krijuese popullor është grada më e lartë e një personaliteti krijues.
Dr. Mehmet Rukiqi Shkollën fillore e kreu në Tërstenik, Gjimnazin në Drenas, Shkollën Normale dhe Fakultetin Filozofik në Prishtinë. Rreth 20 vite punoi në arsim. Në vitin 1984, në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe mbrojti tezën e magjistraturës me titull "Anekdota gojore shqiptare" kurse në vitin 1994 mbrojti tezën e doktoratës me titull "Krijues dhe bartës të tregimeve popullore në Drenicë". Në folkloristikën kosovare konsiderohet si njëri ndër nxënësit dhe studentët më të zellshëm të Anton Çettës.
Veprat:
· Anekdota gojore shqiptare"
· "Krijues dhe bartës të tregimeve popullore në Drenicë"
· "Tahir Berisha: mendimtar popullor"
· "Azem Galica: në traditën popullore"
· "Krijuesi dhe krijimtaria anekdotike"
· "Anekdota popullore - I, II, III, IV, V, VI, VII, VIII, IX, X"...
Comments