Poezi nga Ardita JATRU
Nina. M
Rreth shtratit të butë të Nina. M, qëndrojnë mbi krye tri gra të veshura me të bardha. Të bukura, si shëmbëlltyra që kurrë s’ka parë. Të çuditshme, si kuaj gjigandë të errësirës. Ja mbulojnë trupin me të ëmbla e të hijshme fjalë, fytyrën ja lënë jashtë. Tri gra, në të bardha veshur, ngjashëm si engjëj: Dëshira, Dashuria dhe Vdekja, presin. Dhe një çast, nga thellësia e gjoksit të Nina. M, kumbon një zë i dobët dhe melodioz; kërkon Dëshirën t’i avitet dhe në vesh të saj merr frymë thellë, rënkon dhe thotë: O Dëshirë, e bukur dhe e bardhë, që buzës së ngrohtë si fjollë dëbore më shkrije, nuk munda kurrë të të kapërdij e të t’shijoj. Shpend më ishe, a vetëtimë në të largëtin qiell? Si gozhdë tëmthat e mi shqyeje dhe netët të shtynin thellë e më thellë në fundshpirt, të të hapja derën, nga vetja ruhesha mos ikje. Dhe paguaja paq mungesën tënde, me virtytet e mia të pashmangshme me frikë. Dëshirë e bukur, më puth, ulu këmbëkryq në fronin e buzëve, pa droj’ se tashmë jam unë akulli dhe prit ç’do të ndodhë.
Eja ti, Dashuri, e bardhë, Afrohu! Tashmë mund t’i themi dy tri fjalë, të të puth edhe ty mes ballit. Po çdo të isha unë pa ty? Një frut i papjekur, a një kërcu? Zbërthemë tani, mes rreshtash, po t’jesh e aftë e t’kuptosh gjithë kohës ku të fshihja, të erdhi ora të më shkallmosh fjalë për fjalë. Hyr brenda e të shohësh ç’bijë ke rritur, o nënë, ka të ngjarë të jem e pastër, e dhembshur, si ty e brishtë. Qëndro Dashuri e bardhë, në zemër të të puth! Në formën tënde, atje tej, do futemi në një tjetër. Bëj durim, se kohën e mbërthejmë pas dhëmbësh sa t’i them edhe Vdekjes dy a tri fjalë.
Vdekje, o vdekje! Tani rradha jote erdh’, afrohu me ngadalë, o fundi im, e mos më tremb! Më je kaq e bukur, veshur në të bardhë, kaq e ëmbël, teksa duart më prek. Më prisje? Ja ku jam, e dorëzuar në shtratin e fatit, e mbuluar me të ëmbla e të hijshme fjalë. Sikur ta dija se do vinte e jotja mbretëri kaq papritur, do shfaqesha më e bukur se ty, teksa t’shoh fytyrën. Merre daltën, Vdekje e bardhë gdhend në trupin tim një shtatore antikiteti, punoje bukur mermerin e me ndjenjë, të duket prekja jote nëpër kofshë e krahë, e kush ta shohë të mbetet i shtangur; të mendojë: “Kjo vepër arti të trondit si vdekja!”.
Ejani: Dëshirë, Dashuri, Vdekje! U njohëm rrugës së dëshpërimit dhe gjithë moskuptimi midis meje dhe fatit, nga naiviteti, erdh’, i të dyja palëve, por edhe peshku në akuarium, e di (unë s’e dita), që në ujëra të ndjenjura do vdesë një ditë. Fati i tij nuk qe caktuar aty. Oh, njeriu ofendon edhe jetën nga mosdija. Ejani, më e qetë s’kam qenë kurrë më parë, po pse gjithë ky mall, për çfarë iku dhe pak i preka? Ika, u treta!
Rreth shtratit të butë të Nina. M, qëndrojnë mbi krye tri gra, të bukura e të heshtura. Kujdesshëm trupin ja mbulojnë me të ëmbla e të hijshme fjalë; fytyrën ja lenë jashtë. Tri gra, në të bardha veshur, ngjashëm si engjëj.
Një fëmijë
Një fëmijë ha luleshtrydhe. Ha dhe qesh. I shtrydh frutat me të dyja duart dhe gojë e vogël e njerëzimit mbushet me pafajësi. Pastaj duart i kalon fytyrës dhe i përplas përsëri në shportë. Qesh dëlirësia; dhe bari ku është ulur qesh. Gjithçka rreth pafajësisë bëhet më e pastër.
Por do rritet një ditë dhe do tronditet thellë, kur të shohë fotografinë e tij, se gracka ishte pikërisht ajo shportë me luleshtrydhe, në gjunjët e tij, por vetëm të qaj do mundet, me lotët e të rriturit, që nuk mban mend a ish ndonjëherë fëmi.
Comments