top of page

NGJITET QIELLIT ME IMAGJINATËN E SAJ


SHPENDI TOPOLLAJ


POETJA LINDITA DODA NGJITET QIELLIT ME IMAGJINATËN E SAJ

(Rreth librit “Mitet mashtrojnë”)

Kushdo që e njeh sado pak historinë e Matit, dhe e kujton rolin e rëndësishëm që kjo trevë ka luajtur, veç të tjerash, në kulturën tonë kombëtare ndër shekuj, besoj se e ka fare të qartë përse nga gjiri i banorëve të saj kanë dalë një mori intelektualësh dhe sidomos shkrimtarë dhe poetë me emër. Prandaj, për kërkënd nuk përbën ndonjë befasi, dalja e një poeteje me vlera të larta artistike dhe erudicion të dukshëm si Lindita Doda, talenti i së cilës spikat më së miri te libri i saj “Mitet mashtrojnë”, ku janë përfshirë gati 160 poezi. Unë thuajse nuk di asgjë për këtë autore, përveç atyre që ajo ka paraqitur në këtë përmbledhje, por ma do mendja se të gjithë e pranojmë se te vargjet që ajo ka hedhur në letër, është mendja, shpirti, formimi qytetar dhe karakteri i saj. Lindita, në pamje të parë duket se kuvendon me veten e saj. Dhe kjo dukuri është karakteristike për çdo poet. Gjeniu i prozës dhe poezisë francezi Viktor Hygo, dikur thoshte se “një poet është një botë e mbyllur brenda një njeriu”. Dhe kishte të drejtë, pasi mjafton të ndalemi te ky libër dhe do të shohim se autorja, ashtu si pa kuptuar, ka paraqitur një univers të tërë ndjenjash, përjetimesh, emocionesh dhe ideshë. Dhe këtë e bën me të papriturat që përmban metoda e fluturimeve pindarike, ku ajo që të zgjon interesin qëndron pikërisht këtu. Duam, s`duam, duhet ditur se poeti ka një sy të tretë i cili bën që ai ta shohë të njëjtin njeri, të njëjtin send, të njëjtën ngjarje dhe të njëjtin fenomen, krejt tjetërlloj nga masa. Kështu, dikujt mund t`i kujtohet duhani që dridhte e pinte gjyshi me gishtat e zverdhur, por poetes teksa ia ndizte atij cigaren me mashë në dorë, tymi i saj u jepte udhë legjendave (Si dikur). Po ashtu, dikujt mund t`i ketë ndodhur që të sodisë e luaj me gurët e Bregut të Matit, por për poeten, mjafton t`i mbledhë ato dhe të formojë një histori të pashkruar (Bregut të Matit). Ajo teksa përgjon shtegun e çelur të kopshtit, sheh se “hija e Lekë Dukagjinit rrëzonte nga mali trishtimin” etj. (Tango epike). Leka dhe kanuni i tij, mund t`u kujtohen të gjithve, por vështirë që atyre t`u lind përfytyrimi për ngrohje duarsh në prush trandafilash, fshehje buzësh tuj puth atë dritë të butë, apo të vallzohet një tango epike nën tinguj lahute. Zor se ka njeri nga ne që nuk e ka parë mrekullinë e Valbonës, por askush nuk e ka menduar se ajo derdhet bjeshkës e ftohtë si pendimi dhe se “mbi ty vënë buzën / dashuri të humbura / të pinë sytë e tu”. Të tilla figuracione në këto poezi gjen sa të duash, por unë desha t`i mëshoj faktit që vlerë të veçantë u japin atyre alternimi me atë që paralajmëron titulli i librit, pra me mitet. Ndërthurja e tyre është bërë këndshëm dhe saktë nga autorja, pasi ajo e njeh mirë mitologjinë dhe heronjtë e saj, bëmat e tyre dhe aktualizimin me kohën që jetojmë. Nga ana e saj mitologjia që nga greqishtja don të thotë: mithos (përrallë, gojëdhënë) dhe logos (fjalë, arsyetim), është gjithçka që fantazia e popujve thuri si legjenda për hyjinitë, gjysmëhyjnitë dhe heronjtë e vdekshëm, si edhe për qënie të tjera të mbinatyrshme. Poetja Linditë ka ditur të gërshetojë disa prej tyre me zhvillimet në tematikën që trajton rast pas rasti. I ka futur ato natyrshëm dhe askush nuk e kupton se ka ndonjë dallim midis atyre me prejardhje nga Greqia e Vjetër apo nga trashëgimia jonë mitologjike. Popujt kanë dhënë e kanë marrë mes tyre ndër shekuj. Pastaj s`duhet harruar, se e marrë në tërë kompozicionin e saj harmonik e gjenial nga mençuria e popujve të ndryshëm, ajo është bërë pronë e të gjitha vendeve. Dhe këtu ajo ndjek parimin romak “Tractant fabrilia fabri” që do të thotë “Zanatçinjtë bisedojnë për gjërat e zanatit të tyre”. Lindita përmend Afërditën, perëndeshën e dashurisë dhe bukurisë që del nga shkuma, por a nuk e huazuan grekët atë nga Fenikasit dhe pastaj romakët a nuk e kopjuan prej grekëve, duke e identifikuar me Venerën? Te “Mote të trazuara” poetja kapërcen kohët dhe nga Ilioni vjen në ditët tona, ku “Paridi mban frymën / mbi harqe të tendosur besimi, / shigjeton botës / leksione bashkëjetese, / po kjo botë s`di të lexojë”. Po kjo ngjet edhe me Hermesin, lajmëtarin e Perëndive që e shndërruan pas pushtimit nga Leka i Madh, në Azi dhe Egjiptit si perëndi të magjisë me emrin Toti dhe që romakët e quanin Mërkuri dhe nga heroetizmi që na la trashëgimi, ka marrë edhe vetë poetja jonë. Por edhe poetëve u lejohen lojrat me ngjarje apo personazhe. Këtu, Lindita nuk bën përjashtim. Ajo te “Vizatohet Afërdita” shkruan se “Në mot të trazuar rrufeshëm / zbret një copë qiell, / pështjellim i puthjes së Zeusit / me Dianën”, kur dihet se Zeusi, s`qe takuar asnjëherë me të, por kishte vajzë me Latonën e lindur në ishullin Delos, të ngjashmen e saj, Artemidën. Por Lindita nuk shkruan poezi për turmën. Ajo preferon një krijimtari elitare dhe kjo nga ana e saj, nuk i privon njerëzit me kulturë jo aq të arrirë, që të zgjedhin e lexojnë poezi më të thjeshta e lehtësisht të kuptueshme të autorëve të tjerë, madje edhe nga ato që për hir të rregullave metrike mund të mbahen mend kollaj. Për këtë kategori ajo ka zgjedhur të përdorë një dialekt që shket disi nga ai zyrtari. Dhe e bën këtë me finesë, duke e ëmbëlsuar tingëllimin e vargut. Kurse si figuracion, ajo krijon, duke luajtur me paradoksin, pra me të kundërtat. U kujtohet Lasgushi kur shkruante: “Se s`dashuroja as unë as ti / por dashuronte dashuria / një dashuri plot fshehtësi / m`e fshehtë se fshehtësia”. Po jap disa shembuj nga poezitë e këtij libri: Zhurma e heshtjes, shikime që s`panë kurrë, trupa pa jetë mbytur nga fjalë të pathëna, të dëshmosh kohë të pajetuara, lule epoke të çelë mbi çdo rrënojë, iki dhe aty i lashë të gjitha fjalët, eshtra sorkadhesh pa jetë kërkonin Mujin, malli shuan etjen në kroje lotësh, Zeusi fle syhapur, presim heshtja të flasë, gëlltit kohë të pajetuara, sa deshta me t`dashtë, fjala t`mos kish lulzue e vyshkun, zani që s`ban za, dielli pin veten thatë, lulet, edhe pse s`e njohën dashurinë, pasardhës ju duhet me lënë, tinguj që as harresa s`mundet me i ndal, panik i ëmbël ulur ndër ne, sa më shumë kuptonim, aq më shumë çastet i fundosnim në moskuptim, përpiqem të ta fshi, po pluhuri shtohet, stuhi e llahtarshme e kotësisë, jam mundur nga guximi për të humbur, mbaj mend heshtjen, vetveten mbajmë mbi shpinë, thurim himne fitoresh që s`i fituam kurrë, gardhi ku s`depërtojnë as dëshirat, gulçonte mbi flokë Zanash që s`janë më, hija ecte dehur apo një të dehur mbante mbi supe, zgjohen perënditë nga varreza kujtimesh, ditët presin të korrin ara djerrë, shpirtrat janë nisur pa kthim, friksuar vuajtjeve, vuajnë frikën, ku vdesin të gjallët, e rilindin të vdekurit, e urrej gjer në dashuri e plot të tjera. Lindita është e ndërgjegjëshme për gjithë sa shkruan si kuptime të moskuptimeve dhe apologjinë kësaj ja ka bërë vetë te poezia “Jastëk lirie” ku thotë: “me pa hanën duhet me prit errësirën”. Në poezitë e Linditës nuk bëhet fjalë as për pesimizëm dhe as për optimizëm. Në gjithë përmbajtjen e librit nuk i kushtohet asnjë rresht preferencave politike. Gjithkush e di vetë se ç`krah do përqafojë. Ajo bën art dhe s`ka pse të bëhet mashë e askujt. Madje ajo, çuditërisht nuk i përgjërohet edhe vetë dashurisë. Nuk e zbret veten në nivelin e një adoleshenteje. Ajo ka pjekurinë për ta parë, gjykuar, vlerësuar e paraqitur veten e saj si tribune të kulturës. Se pa kulturë, lodhemi kot duke trokitur në dyert e Evropës. Mirëpo, një sy i vëmendshëm e kupton fare qartë edhe kur ajo nuk flet. Poeti jetëshkurtër anglez që jetoi vetëm 25 vjet, Xhon Kits (John Keats), dhe që këto ditë ka 227 vjetorin e lindjes, dikur shkruante: “Fjalët më të bukura janë shpesh ato të pa thënat, ato që mbyten në heshtje”. Dhe si homazh për të, le t`i kujtoj poetes tonë Lindita Doda, porosinë që ai na la: “Lëreni përherë imagjinatën të bredhërijë”. Se vetëm kështu moj Linditë, do të lindë një botë e re dhe më e bukur, ku mitet do të vazhdojnë të na mashtrojnë, por njerëzit kurrë më.

91 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page