top of page

Nexhbedin Basha: PYET TOKA RRËNJËN

  • 1 day ago
  • 3 min read

 

I. KËNGA E RRËNJËVE

 

Pyet toka rrënjën:

A je e lagësht, dritë me u rrit, a ke?

 

Këngën ilire a ke në gji, a treten shumë për Atdhe?

 

Pyet toka rrënjën:

 

Plagët a të janë shëruar, epik a ke lëshuar në thellësi, a të ka vizituar Agroni, Bardhyli, Teuta?

 

Si janë? Nga gjumi a janë trazuar?

 

Po diell a ke me pa, o tokë e lashtë e Teutës?

 

A të janë vyshkur rrënjët nga mungesa e dritës e ujit?

 

A lëngon gërmadhash si vuajtja e Migjenit?

 

A të dhembin plagët e Naimit e të Gjergj Fishtës?

 

A je rritur me gjuhën e Pashko Vasës, a të Ymer Prizrenit?

 

II. KËNGA E HERONJËVE

 

Pyet toka rrënjën:

 

Ku je, o Skënderbe? Lësho një kushtrim beteje, se amaneti yt më ka mbajtur të freskët, si betim mbi flamurin e Ismail Qemalit.

 

Më preku në deje fjala mjaltë e shqiptarit, nga Kosova në Nju Jork:

 

 "Më ke shpëtuar jetën!"

 

Dhe presidenti SHBA Klinton u ul në gjunjë, me sytë e përlotur.

 

Ti, tokë, a e pe atë çast?

 

A ia çove lajmin rrënjës?

 

A u drodhën malet e Arbërit nga pesha e mirënjohjes?

 

Se luftërat nuk fitohen vetëm me armë.

 

Para se të vizatohen kufijtë në harta, ato lindin në fjalë, në mendje, në ndërgjegjen e kombeve.

 

III. KËNGA E GJUHËS

 

Fjala ngre kështjella, fjala rrëzon perandori, fjala ndez urrejtje, por fjala shëron plagë.

 

Prandaj pyet toka rrënjën:

 

A e ruan ende gjuhën?

 

Atë gjuhë që kaloi shekuj, që mbijetoi nën zjarr e stuhi, që mbajti gjallë kombin kur gjithçka tjetër rrezikonte të humbiste?

 

IV. KËNGA E MËRGIMIT

 

Pyet toka rrënjën:

 

O tokë e Ilirisë, e Arbërit të lashtë,

a jetoni ende në këngë, në lahutë e në kujtesë?

 

Po Dardaninë si e ke?

 

Po Çamërinë?

 

Po trojet në Maqedoni?

 

Po Malin e Zi?

 

Po Shqipërinë e copëtuar si e sheh sot?

 

A e pe uraganin kuqezi nëpër sheshe e stadiume, nga Prishtina në Tiranë, nga Shkupi në Ulqin, nga Presheva në mërgim?

 

Ç'na këshillon, o rrënjë e lashtë?

 

Pyet toka rrënjën:

 

Pse ngrihen njerëzit me gjumin e trazuar?

 

Pse barku bosh u troket dyerve të mëngjesit?

 

Pse shpirti endet i lënduar nëpër udhë pa kthim?

 

Pse dheu nuk i mban bijtë e vet në tokën e Arbërit?

 

Pse hapen shtigje emigrimi si lumenj që derdhen larg, kur malet janë këtu, kur fushat janë këtu, kur detet e bukuritë shkëlqejnë si drita?

 

Çfarë u mungon?

 

Pak diell me u ngroh?

 

Pak bukë me jetu?

 

Pak shpresë me ëndërru?

 

Apo thjesht një jetë ku njeriu të mos ketë frikë nga hija e pushtetit?

 

Pse rinia ikën si dallëndyshet e vonuara?

 

Pse kërkon qiell tjetër kur qielli i saj është kaq i bukur?

 

V. AMANETI I TOKËS

 

Dhe rrënja foli:

 

Mos kërkoni kufijtë veç në hartat e botës,

por ndërtoni ura në zemrat e shqiptarëve.

Mos e matni forcën me zhurmën e turmave, por me diturinë, punën dhe bashkimin.

Flamuri valon një ditë, por kombi mbahet me përkushtim çdo ditë.

 

Ruani gjuhën, ruani kujtesën, ruani nderin e njëri-tjetrit,

se aty fillon Atdheu.

 

Mos e ktheni dashurinë për kombin në urrejtje për tjetrin,

por në dritë për veten.

 

Rinia nuk kërkon mrekulli.

 

Kërkon punën e ndershme, fjalën e mbajtur, dinjitetin e njeriut.

 

Kërkon pak diell për t'u ngrohur, pak hapësirë për të fluturuar, dhe një atdhe që ta shohë në sy si të ardhmen e vet.

 

Sepse toka e Arbërit nuk ka mungesë bukurie.

Ajo ka nevojë për më shumë dritë dhe më pak demonë mbi fron.

 

Atëherë Dardania, Çamëria, Shkupi, Ulqini, Presheva dhe Tirana

do të jenë më pranë se kurrë më parë.

 

Do të kthehen këngët, do të mbushen oborret, dhe dallëndyshet do ta gjejnë përsëri rrugën e shtëpisë.

 

Dhe toka heshti.

 

Por para se të zhytej në thellësinë e shekujve, la mbi dhe një amanet:

 

Mos më kërkoni mua në gurë e në varre,

por në gjuhën që flisni, në flamurin që nderoni, në dorën që i shtrini njëri-tjetrit.

Sepse kombet nuk vdesin kur copëtohen trojet,

por kur thahen rrënjët.

 

Dhe toka e Ilirisë e ngriti ballin drejt diellit, lau plagët me vesën e mëngjesit dhe tha:

 

Sa të ketë një shqiptar që flet shqip, që këndon shqip, që qan shqip, që ëndërron shqip,

unë do të jem këtu;

 

e lashtë si rrënja, e fortë si shkëmbi, e re si pranvera, dhe e pavdekshme si vetë shpirti i Arbërit.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page