top of page

Nexhbedin Basha: NËN HIJEN E KUJTIMIT

  • 3 hours ago
  • 6 min read

NËN HIJEN E KUJTIMIT

Cikël me poezi

 

HIJA...!

 

Hija, si rrodhe më është qepur,

Sa hap e mbyll sytë ajo është aty,

Më ndjek nga pas, unë lëviz dorën,

Ajo bën të njëjtin gjest gjithnji.

 

Hija e kujtesës nuk ka shije, as përmasa,

Ajo ka ngjyrat e ylberit,

Reflekset e saj shfaqen qindra kilometra,

Unë lëviz dorën, ajo të njëjtin gjest.

 

Çdo hap që hedh, më ndjek nga pas,

Pështjellimi i saj shfaqet, si re e bardhë dhe e mjergull.

Në gjithë botën e universit ajo kudo gjendet,

Unë lëviz dorën, ajo të njëjtin gjest,

Po kur të vdes?!...

JU KAM NË SY N'MUZG E AGIM...

 

-Kushtuar prindërve të mi-

 

O Diell!  Ku je, ku je?!

Po ti Hënë pse s'ndriçon?!

Si prush malli po më djeg,

T'ju prek e t'ju ledhatoj.

 

Ju kam n'sy, n'muzg e agim,

Si dy yje ndrini në qiell,

Ju për mua jeni rrezja, drita,

Jeni, pema e jetës gjer në amshim.

 

Si tërfil i butë te kroi ju pres,

Me zemrën prush që shpirtin ma djeg,

Me ju flas siç flas me retë,

Si fllad bjeshke rrëzë Korabit ju pres...

 

Portretin tuaj  mbaj në sy çdo ditë,

Ah, një mall kam zemra seç gulçon,

Ju kam si fllad bjeshke ku janë yjesitë,

Me dashuri më mëkuat, zëri juaj më zgjon...

 

 

MIRMËNGJES VENDLINDJA IME

DIBËR...!

 

Të dua vendlindja ime, të dua,

Si sytë e ballit, që shohin larg,

Aty u mëkova me gjirin e nënës në përrua,

Ti je kënga e dehur dhe mall!

 

Perlat e tua i kam shijuar në gjimnaz,

Kur shihnim si klas filmin "Zapata",

Bënim naj prapsi pa zarar,

S'pati ndëshkime se ish e gjithë klasa...

 

Ti vendlindje, je det ku humbet nëpër dallgë,

Dhimbja ime që më ndjek si hije,

Amanet i Skënderbeut, e fortë si strall,

Si poet mbushem me emocione shëndritësie.

Aroma e blirit  më përkëdhel shpirtin,

Muzg e agim thith ajër Korabi,

Fresku  më vjen  si re  e bardhë, frymë dhe flakë,

Nga liqejt e Lurës gulçon aromë, lule zambaku.

 

Ti je trualli i Arbërit e kuvendeve të "Nand Maleve",

Ku lindën trima si lisa në beteja,

Si gjerdan ari besa-besë u lidh fjala,

Me shpatë, pushkë e penë luftuan si rrufeja.

 

Sot blirët janë qullur prej vese,

Bulevardi ndjen mërzi...

Ti qytet je muzë dhe thëngjill që të djeg,

Të përulem o perendeshë, o magji.

 

Zemrën te ty e kam...

I ndjej mëngjeset kur këndon bilbili,

Eh, për ty më këput malli i pamatë,

Dhe për sokaket që ngjajnë me yjesitë.

 

Fjala ime dua të mbetet në vargje,

Në mes rreshtave jam unë dhe ti,

Është historia e larë me gjakun e të parëve,

Ti ke një emër të bukur me aromë lule bliri.

 

Librin "Violina e luleve", te ty e promovova,

Se jam në gen dibran 24 karat,

Me Çertifikat "Mirënjohje" u çelibrova,

Te ty piva ujë Korabi me shtamë dhe tas.

 

 

NËN HIJEN E KUJTIMIT...!

 

E humba dhe atë që ëndërroja,

Për një zënkë në ograde pa qeder  fjale,

Ku vajti vallë miqësia mendoja,

Si të mos kish lindur asnjëherë mes  vale.

 

E humba atë që e çmoja më shumë se

argjendi,

Si një kujtim i largët do veloja,

Paçka se në çdo cep ata rrojnë trendi,

Jo si qenie, por si epitet nën rrënoja.

 

Ferrat të shpojnë, të lënë plagë,

Si gjemba të fshehur që digjen ngadalë,

Mos e humbni toruan, edhe kur jeni në valë,

Ruani veten nga të përdalë.

 

Jeta nuk është një shportë e mbushur me

fiq,

Por dritë hyjnore me ëndra plot.

Kur komunikimi ka humbur shkruar me miq,

Zemra në ëndërrime rreh fort.

 

Varka në liqen thërret në ëndërra,

Vallzon si dritë në kujtesë,

Strehës e penës nëpër menga,

Pena e poetit kurrë nuk vdes.

 

Ajo ëndërr që mbeti si varkë në liqen,

E heshtur dhe pa naze,

Dikur vezulluese si dritë në kujtesë,

Sot rri...në hijen e kujtimit në vargje.

 

NATA E BEKIMEVE...

 

O Kuran, o libër i shenjtë,

Fjala jote është melhem,

Zbrite në Natën e Kadrit,

Ndriçon zemrat në Islam.

 

Sonte falet teravija,

Nata e Kadrit dritë na sjell,

Vjen si engjëll Hyjnia,

Si një lule, erë i marr.

 

Nata e Kadrit fsheh bekime,

Si një dritë që zbret nga qielli,

Kush lutet me zemër e besim,

Zoti ia ndriçon rrugën e diellit.

 

Natë mëshire, natë faljeje,

Kur shpirti gjen qetësi e dritë,

Lutja ngjitet drejt qiellit,

Dhe zemra mbushet me mirësi.

 

MËRGIMI...

 

Një copë atdhe lë te kroi i vjetër,

Plaga e mërgimit; loti i ballit.

Një portë e hapur ku përplasem në heshtje,

Një mall i thellë, i fortë si gurët e

strallit.

 

Një rrugë e gjatë brenda meje bërtet,

Lotin s’e fsheh, as kur marr valixhen e ik.

Në dhe të huaj pragu më thërret,

Një zë që s’hesht, shpirtin ma mbyt.

 

Në net të gjata më zgjon vendlindja,

Si këngë e zogjve larg që era ma

sjell.

Në çdo hap kërkoj gjurmët e shtëpisë

ku linda,

Në ëndërr kroin e vjetër përsëri e gjej.

 

Se rrënja e shpirtit s’pritet kurrë,

Ajo rri gjallë në çdo kujtim e gurë.

Mërgimi është udhë pa fund,

Mes shpresës dhe dhimbjes më përkund.

 

Dhe një ditë do kthehem në atdhe,

Te kroi i fshatit ku kujtimet më presin.

Do puth atë tokë me lot në sy,

Se zemra ime s’e lë atë vend të heshtur.

 

 

 

 

 

JAM ZËRI YT, KOSOVË…!

(28-vjetori i Epopesë së UÇK-së)

 

Kosovë,

Ti je libri im që shkruhet me pendë shqiponje,

Je amaneti i Bacë Ademit që shkroi histori.

Kudo në sheshet e truallit arbëror jehon fjala jote,

Zërat u ngritën si flamur në eter, etur për liri.

 

Zëri yt fluturon mbi male si shqiponjë,

Me zemra që s’harrojnë gjakun rrëke,

Gjuha e dëshmorëve flet shkronjë më shkronjë,

Me emra që u bënë dritë për Mëmëdhe.

 

Ne s’jemi fajtorë që deshëm liri,

Në zemër rreh amaneti i të parëve.

Betimi i UÇK-së është himn për Dardaninë,

Shqiponja fluturon mbi fusha e male.

 

 

Vala kaloi dete e oqeane,

Dhe shpërtheu në Hagë si stuhi.

Në sallat e ftohta ku peshohen fjalët,

S’ka pranga që shuajnë dritën e Arbërisë.

 

Nga Molla e Kuqe, Preveza e Çamëria,

Jemi bijtë e shqipes me rrënjë ilire.

Çdo gur i Kosovës thërret për të rënët,

Çdo fëmijë ruan zjarrin e tyre në shpirt.

 

Liria ka fytyrën e tyre,

Çdo zemër shqiptare shpërthen në flakë.

Jam shqiptar, krenar e arbëror në deje,

Rrënjët e kombit janë barut e zjarr.

 

Nga Prekazi në çdo skaj të Arbërisë,

Shqiponja dykrenare fluturon e lirë,

Flamuri kuqezi valon si dritë e artë,

Shpresën e lirisë ndez në zemrat e Ilirisë.

 

Në fund hap ditarin, vargje shkruaj,

Për 58 yje që ranë për liri,

Kulla e Jasharajve flakadan që kurrë s'u shua,

Amaneti i tyre rron përjetë në histori.

 

DRITË QË S'U SHUA KURRË...!

 

(Kushtuar ikonës së artit shqiptar

     Margarita Xhepa)

 

Ikona e artit veç ditëlindje ka,

Bukuria e saj si dritë në sy,

Sytë pishtarë, mendjen flakë arti,

Me aromë gruaje që s’venitet muzg e

agim.

 

E ngjyva penën dhe nisa të shkruaj,

Për “Nderin e Kombit”, Margaritën e mirë,

Një lushnjare e bukur, e butë, lozonjare,

Që kudo shkelte, ndizte jetë e dritë.

 

Ish një dritë që zbriste mes tokës e qiellit,

Me hijeshi fisnike, si zonjë aristokrate,

Margarita Xhepa; emër që s’plaket nën qiell,

Me tinguj arti që rrjedhin si harpa harqesh.

 

Aktorja me shpirt e aromë kujtimesh,

Në çdo rol ndizej si në rininë e saj,

E egër e ëmbël, me zë kanarinë,

Sytë dhe buzët e saj një magji pa skaj.

 

PINGUINI I VETMUAR...

 

Në tokën e akullt të Antarktidës,

ec një pinguin vetmuar pa zhurmë,

I dalë nga turma i çliruar,

si guximtarët zgjodhi një udhë...

 

Ec nëpër borë e s'ndalet,

I qetë, rebeluar e kryelartë,

Një vezë nën këmbë i mban

shpresën,

si kujtesa e një kohe të ndritshme, të artë.

 

Askush s’e sheh, askush s’e di,

por durimi është guximi i fshehur,

Nga kolonia e tij doli në liri,

drejt malit gjigand flatra ndezur.

 

Qeshin me hapin e tij të çalë,

si me njeriun që se shet shpirtin;

ai ecë me hap të ngadaltë,

në akull, mbi heshtje pa ju tut qerpiku.

 

Në detrat e ngrohta të hipokrizisë,

ai mbetet i huaj, i çuditshëm;

ndonëse është mbret, pa fron, pa

shpatë,

në akullin e së vërtetës është i

frikshëm..

 

Bota e lodhur harron paqen...

por pinguini ecën dhe mban rrugën;

dhe kur hesht, gjithçka kuptohet:

forca nuk bërtet, por kërkon vëmendjen.

 

Kur hijet sulmojnë koloninë,

pinguini mbetet i vetëm përballë

errësirës,

Në guximin e tepruar si zog deti,

ngjitet malit me borë si alpinistët..

 

Në një botë që çirret për ditë,

pinguini guxon të ecë...

ndoshta prandaj është bërë viral,

ndaj dhe zgjodhi rrugën që deshi vetë.



Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page