top of page

Nexhbedin Basha: NGELI NJË ËNDËR...

ree

NGELI NJË ËNDËR...

 

Një shkëndijë u ngrit në horizont.

Në asfalt, xhaketa e vjetër,

dridhej mes hapave të parë të lirisë.

Një pëllumb i bardhë

u shkëput nga terri

dhe qielli mori frymë ndryshe.

 

Brenda nesh zienin vite të mbytura.

Prangat nuk mbanin më,

aset e klisheve u rrëzuan.

Një mit ra;

ashtu siç bie një mur i lodhur,

që pret vetëm duart të lëkundet e bie

përdhe.

 

Shqipëria u zgjua.

Në çdo cep, njerëzit në dëlirë,

U zgjuan nga gjumi i rëndë,

si lastarë të brishtë,

që kërkojnë më shumë dritë.

 

Perdeja e hekurt u copëtua

si karton i lagur nga shiu.

Unë isha në prag;

i zbrazët,

si një flutur që kërkon krahët e vet.

 

Gjumi trazuar…

Gjumi trazuar…

Pëllumbi i bardhë erdhi si aromë deti,

si valë që s'shuhet,

si një shqiponjë që rikthen lashtësinë.

 

Filizat shpërthyen kudo,

rritja u bë zë,

zëri u bë rrugë,

rruga u bë këngë,

rruga u bë ndryshim.

Zinxhirët ranë,

dhe nga errësira doli një dritë e re, si dielli i

art'.

 

S’kërkojmë lëmosha,

veç amanetet e kohës.

Nuk kemi më kohë të zvarritemi.

Ëndrra jonë ka EMËR...

 

Sot, ëndrra  ende troket;

as e shuar, as e mbërritur,

si një dritë që lëviz përpara nesh.

 

Ne ecim ngadalë,

por nuk ndalemi;

shpresa mbetet fije drite në errësirë.

Dhe ëndrra thërret,

pret të shkruhet,

siç shkruhen ëndrat e të parëve tanë...

 

Ne fund ende lëngojmë....

 

Nexhbedin Basha

8 Dhjetor 2022

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page