Sakip Cami: Një mbrëmje libri që u kthye në festë lexuesish, promovimi i romanit “Ministri” të Ahmet Prençit
- 1 hour ago
- 3 min read

Sakip Cami: Një mbrëmje libri që u kthye në festë lexuesish, promovimi i romanit “Ministri” të Ahmet Prençit
Nga Sakip Cami
Në Kamëz, në një sallë që mezi mbante frymën nga numri i madh i pjesëmarrësve, libri u rikthye si ngjarje. Karriget u mbushën shpejt, korridoret u zunë nga lexues të ardhur nga të gjitha anët, ndërsa shumë të tjerë qëndronin në këmbë, të vendosur të mos humbnin këtë takim me letërsinë dhe autorin. Ishte promovimi i romanit “Ministri” të Ahmet Prençit, një ngjarje që, siç do të shprehej që në nisje shkrimtari dhe diplomati Ylljet Aliçkaj, kishte kohë që nuk shihej me një pjesëmarrje kaq mbresëlënëse.
Duke hedhur vështrimin mbi sallën e mbushur, Aliçkaj e quajti këtë një dëshmi të lidhjes së fortë që lexuesit kanë me autorin dhe me vetë librin, sidomos në një qytet si Kamza, që tashmë po krijon identitetin e vet si hapësirë e gjallë e aktiviteteve letrare. Sipas tij, “Ministri”, romani i tretë i Prençit, nuk është thjesht një rrëfim, por një strukturë e plotë narrative që mund të përkthehet lehtësisht në një skenar seriali, një pasqyrë e drejtpërdrejtë e botës që jetojmë.

Në vijim, shkrimtari dhe diplomati Arben Çejku e vendosi romanin në një kontekst më të gjerë letrar. Ai theksoi se “Ministri”, ashtu si edhe veprat e mëparshme “Brenga e prokurorit” dhe “Anja”, i përket realizmit social, një qasje që e pasqyron jetën ashtu siç është, larg skemave të realizmit socialist që e idealizon realitetin. Pikërisht kjo ndershmëri, sipas tij, e bën librin të afërt dhe tërheqës për lexuesin, i cili në faqet e tij gjen figura që i ngjajnë realitetit të përditshëm: policë, deputetë, ministra, njerëz të njohur në përvojën kolektive, shpeshherë edhe në zhgënjimet e saj.


Një vlerësim i veçantë erdhi edhe nga shkrimtari Ben Blushi, i cili e lidhi fuqinë emocionale të romanit me vetë jetën e autorit. Sipas tij, vetëm një autor me përvojën e gjatë dhe përgjegjësitë e rëndësishme që ka mbajtur Ahmet Prençi, përfshirë drejtimin e Policisë së Shtetit, mund të arrijë të ndërtojë një vepër me këtë intensitet dhe vërtetësi. Ai nënvizoi gjithashtu kërkesën e lartë artistike që karakterizon stilin e Prençit, duke e bërë romanin një ndërthurje të rrallë mes përvojës jetësore dhe përpunimit letrar.

Nga ana e saj, botuesja Elda Velaj solli në vëmendje procesin e gjatë dhe bashkëpunimin e ngushtë mes autorit dhe Shtëpisë Botuese “Media Print”. Ajo theksoi se “Ministri” vjen si një produkt i punuar me kujdes, një përmbyllje dinjitoze e trilogjisë së suksesshme të Prençit, ku çdo detaj është menduar për të sjellë versionin më të mirë të mundshëm për lexuesin.
E gjithë atmosfera e mbrëmjes u mbajt gjallë dhe e natyrshme nga moderatorja dhe gazetarja Monika Stafa, e cila i dha promovimit një frymë të çlirët, larg formalizmave dhe skemave të zakonshme akademike. Ishte një bisedë e hapur, me tone njerëzore, ku emocionet shpesh merrnin përparësi ndaj analizave të thata.
Një dimension tjetër artistik iu shtua aktivitetit nga interpretimet e aktorëve Ervin Bejleri dhe Ola Harizaj, të cilët sollën fragmente të romanit në skenë me ndjeshmëri dhe intensitet, duke i dhënë zë personazheve dhe duke i afruar edhe më shumë me publikun.

Në fund, skena më domethënëse e mbrëmjes nuk ishte në podium, por në kontaktin e drejtpërdrejtë mes autorit dhe lexuesve. Dhjetëra prej tyre “rrethuan” Ahmet Prençin për të marrë një autograf, për të shkëmbyer disa fjalë, për ta falënderuar. Ishte një moment i thjeshtë, por i ngrohtë, që tregonte më shumë se çdo analizë suksesin e këtij promovimi.
Një falënderim i veçantë iu drejtua organizatorëve, Shkollës 9-vjeçare “Angela Merkel” dhe Bashkisë së Kamzës. I pranishëm në sallë ishte edhe kryetari i bashkisë, Rakip Suli, i cili zgjodhi të qëndrojë mes publikut, si një lexues i thjeshtë dhe dashamirës i librit. Në përfundim, kjo nuk ishte thjesht një promovim libri. Ishte një rikthim i besimit te leximi, një dëshmi se libri ende ka fuqinë të mbledhë njerëzit, t’i bëjë bashkë dhe t’i kthejë mbrëmjet letrare në festa të vërteta. Një festë që, siç u ndje nga të gjithë të pranishmit, kishte kohë që mungonte.








Comments