top of page

Nexhbedin Basha: Lidhja e Prizrenit, politika e bashkimit

  • Jun 9
  • 3 min read

Lidhja e Prizrenit: politika e bashkimit


Nesër është përvjetori i Lidhjes së Prizrenit, kuvendit të madh kombëtar të mbledhur nga burrat e kombit më 10 qershor 1878, të cilët hartuan platformën politike të identitetit kombëtar shqiptar, pa të cilën Programi i Lidhjes së Prizrenit nuk do të kishte sukses.

Do të kisha dëshirë të isha aty, pranë asaj ngrehine historike ku u mblodhën burrat e kombit, por pamundësia shëndetësore nuk ma mundëson një gjë të tillë. Aty ku u ngrit zëri i një kombi të tërë dhe ku u shqiptua betimi i madh:

“Të mos lëshojmë tokë shqiptare, të mos ndahemi prej njëri-tjetrit, por të jemi një trup, një besë, një zë.”

Në atë ngrehinë historike të Prizrenit u mblodhën burrat më të shquar të kombit shqiptar: Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi, Iljaz Pashë Dibra, Mehmet Ali Pashë Dibra, Haxhi Zeka, Ali Pashë Gucia, Abdullah Pashë Dreni, Sheh Mustafa Tetova, Zija Prishtina e shumë patriotë të tjerë nga Kosova, Dibra, Shkodra, Tetova, Janina e viset e tjera shqiptare. Ata nuk u mblodhën thjesht si përfaqësues krahinash, por si zëri i ndërgjegjes kombëtare shqiptare, në një nga çastet më të rrezikshme të historisë sonë.

Ky ishte betimi politik i parë i shqiptarëve në arenën ndërkombëtare, një përpjekje e guximshme për të mbrojtur trojet dhe identitetin kombëtar.

Unë e kam ndjekur këtë histori me shumë kujdes, duke lexuar dokumentet e Lidhjes në bibliotekat e Peshkopisë dhe më pas në Universitetin e Tiranës. Duke u zhytur në letrat, memorandumet dhe traktatet e asaj kohe, ndieja sikur po ecja mes burrave të mëdhenj të kombit, që ngritën fuqishëm zërin në Berlin përballë kancelarit të hekurt të Gjermanisë, Otto von Bismark, i cili e quante kombin shqiptar vetëm një “shprehje gjeografike”.

Shqipëria e fillimit të shekullit XXI është krejt tjetër nga perceptimi që kishin kancelaritë europiane në fundin e shekullit XIX. Sot Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në NATO, si kontribuese për paqen dhe sigurinë në botë, por edhe për stabilitetin rajonal. Ky është një kontrast i madh dhe një realitet i ri që nuk duhet harruar. Ai buron nga këmbëngulja dhe sakrifica e burrave që themeluan Lidhjen e Prizrenit dhe që nuk lejuan të shuhet kombi shqiptar.

Po aq domethënës është edhe realiteti i Kosovës së lirë dhe të pavarur, një ëndërr shekullore e shqiptarëve që u bë realitet pas shumë sakrificash, luftërash dhe gjaku të derdhur për liri. Nga koha kur trojet shqiptare diskutoheshin në tryezat diplomatike si territore për t’u copëtuar, sot shqiptarët kanë dy shtete në Ballkan dhe një komb që ruan gjuhën, kulturën dhe identitetin e tij kudo që jeton.

Pavarësia e Kosovës nuk ishte vetëm një fitore politike, por edhe një rikthim i dinjitetit historik të shqiptarëve. Ajo dëshmoi se sakrifica e brezave, që nga Lidhja e Prizrenit e deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk kishte qenë e kotë. Flamuri që ngritën burrat e Lidhjes në Prizren vazhdoi të valëvitej në ndërgjegjen kombëtare deri në ditët tona.

Sot kombi shqiptar është më i ndërgjegjshëm për historinë dhe identitetin e vet. Shqiptarët jetojnë në shumë shtete, por ndihen pjesë e të njëjtit trung, të lidhur nga gjuha, kujtesa, tradita dhe gjaku i përbashkët. Kjo është fitorja më e madhe e atyre burrave që u mblodhën në Prizren më 10 qershor 1878: fakti që kombi shqiptar mbijetoi, u ringrit dhe vazhdon të ecë përpara me dinjitet në historinë moderne të Europës.

Leximi i proceseve diplomatike, vendimeve dhe betimeve të tyre më bëri të kuptoj se guximi nuk është thjesht fjalë në letër, por gatishmëri për veprim të vendosur. Përfaqësuesit nga Kosova, Shkodra e Tetova paralajmëruan fuqitë e mëdha se do t’i mbronin trojet e veta edhe me gjak, nëse do të ishte e nevojshme.

Dhe ndërsa studioja çdo dokument, ndieja se historia e tyre më jepte një përgjegjësi të madhe: të ruaja kujtesën e atyre që sakrifikuan gjithçka për bashkimin dhe lirinë e kombit.

Në një mbledhje imagjinare, i shoh ende të ulur rreth një tryeze të thjeshtë, me sytë ndezur nga vendosmëria. Njëri pas tjetrit marrin fjalën, diskutojnë strategjitë dhe betohen para njëri-tjetrit se nuk do të lëshojnë asnjë cep të tokës shqiptare. Zërat e tyre përzihen me tensionin e kohës, me pasionin për kombin dhe me ankthin për të ardhmen, duke krijuar një atmosferë që e bën çdo shqiptar të ndjejë peshën e përgjegjësisë dhe guximin që kërkohej në ato çaste historike.

Ky ishte momenti kur politika u bë betim dhe historia u bë frymë e gjallë në zemrat e shqiptarëve.

1 Comment


DETI DAUTI
Jun 09

Unë mendoj se ky është një shkrim me vlera të veçanta historike dhe kombëtare, ku autori Z.Nexhbedin Basha arrin të ndërthurë me mjeshtëri faktin historik me emocionin qytetar dhe atdhetar.


Ai nuk mjaftohet vetëm me përshkrimin e ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit, por e sjell atë si një frymë të gjallë që vazhdon të jetojë në ndërgjegjen e çdo shqiptari.


Veçanërisht domethënës është interpretimi i Lidhjes së Prizrenit si një "politikë e bashkimit", ku vendimet e burrave të kohës shfaqen jo thjesht si akte diplomatike, por si betime të shenjta në mbrojtje të trojeve dhe identitetit kombëtar.


Përmes një gjuhe të pasur dhe figurative, autori na rikthen në atmosferën e atyre ditëve historike, duke na bërë pjesëmarrës në vendosmërinë, guximin…


Like

Shkrimet e fundit

bottom of page