top of page

NEW YORK



Bajame Çeliku Hoxha




New York!

Ja, tek mbërrita

dhe po të shoh madhështinë që nga lart.

Në çdo çati e rrugë dukesh i pa përgjumur,

dukesh sikur ti, nuk fle këtë natë

që erdha unë.

Por ti, di të zgjohesh më fuqishëm,

mëngjeseve kur zgjohen urat,

autostradat, njerëzit,

kur zgjohesh i tëri New York.

Lartësohesh aty ku krenohesh,

I bukur, i mençur, i lirë.

Dhe unë vizitorja e Evropës,

të përshëndes sot ty.

Të përshëndes nga korrespondenca ime e largët,

nga ëndrra e madhe për ty,

që na ndoqi kudo,

E kurdoherë.

Nga ëndrrat,

nga një shpresë e lindjes së një njeriu të ri,

Nga një vuajtje e gjatë,

nga dashuria për lirinë,

Të përshëndes New York!

Nga valët e një jete të turbullt të përshëndes,

Unë, banorja e Evropës së Madhe,

e Evropës lindore,

qe po të vizitoj tani.

Dhe pse një pikë loti më duket,

Është solide.

Më zbret si një mesazhier i lirisë,

se me dhemb liria e humbur.

Vite- vite nëpër kampet e përqendrimit,

Nëpër ato skëterra të ngritura për të pafajshmit,

Të ëndërrova ty, New York!

Tani, Dëgjoje pra!

Zërin e një vizitoreje

që të çmoi

që në rritjen e saj.

Që u dënua se të deshi ty,

që u diskriminua se të deshi ty,

që humbi lirinë se të deshi ty.

Oh,

Ëndërr e parealizuar ishe,

Brenda në kraharorin tim!

Ti rrije shtrënguar në grushtin tim të vogël,

O ëndërr e madhe!

Ti, o liri e përjetshme!

New York!


346 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page