top of page

MOS MA PUTH VAJZËN


Vullnet Mato

MOS MA PUTH VAJZËN

Tregim

Po ta shihje Kazazin me sy të zakonshëm e pa i kushtuar vëmendje figurës së tij, ai të jepte përshtypjen e një fshatari të humbur, i cili sapo i kishte mbaruar punët e mbjelljeve në brazdat e veta dhe po dridhte cigare në heshtje. Pastaj po të pyesje dikë që e njihte, merrje vesh se ai ishte një intelektual me arsim të lartë, që kishte punuar disa vjet në ambasadën shqiptare të Gjermanisë.

Më ra rasti të punoj me të, duke e ndihmuar, për të bërë punët e tij, në mënyrë që ai të merrte rrogën. Sepse nuk ia thoshte fare në detyrën e drejtorit të muzeut, ku e kishin vënë pas kthimit nga Gjermania. Madje më thoshte shpesh për të më dhënë kurajë: “Mua më ke sa të të mbaj me muhabet, të mos mërzitesh, se për punë të tilla jam fare nul. Kur ta shohësh që t’u lodhën veshët e të pengoj, më thuaj pa druajte, ik o Kazaz, mos më çaj kokën më tepër dhe mua nuk më ngel hatri, për kokën e vajzës së vetme !” Kaq i sinqertë, mirënjohës dhe shpirtmirë ishte ai njeri.

Kazazi kishte një vajzë gjashtë vjeç, një manare flokëverdhe e vetullverdhë, si e ëma, e cila e veshur bukur si kukull e ndiqte të atin pas. Ndonëse ai nuk e përkëdhelte asnjë herë dhe nuk lejonte askënd ta bënte këtë gjë. Kur e putha së pari për ta marrë me të mirë e për t’i bërë qejfin të atit, Kazazi më vërejti ashpër dhe pa u rezervuar aspak nga unë që punoja për të, më tha me ton të prerë:

- Të lutem, mos ma puth vajzën!...

- Pse? - e pyeta krejt i habitur e pak hatërmbetur, që edhe përkëdheljen aq të zakonshme për fëmijët, ma ndaloi me ton të pazakonshëm.

Atëherë ai buzëqeshi për të më zbutur dhe më tregoi ngjarjen e më poshtme. Një ndër rrëfimet “kokëçarëse”, që kanë zakonisht njerëzit e ardhur nga jashtë, i cili më ka mbetur i paharruar për tërë jetën.

-U sëmura nga një ftohje, - e filloi Kazazi ngjarjen e tij.- Mjeku i trupit diplomatik, më rekomandoi pas kurimit, të shkoja nja dy javë, për ta marrë veten shpejtë te një kamp malor në kufi me Zvicrën. U nisa menjëherë, për t’i çuar deri në fund këshillat e tij. Bujtina ku u instalova, në një hyrje për persona pa familje, ishte me tre kate dhe me dhoma të drunjta të mobiluara mjaft mirë. Pasditen e asaj dite që sapo u rehatova në dhomën time, vura re se te apartamenti përballë zuri vend një çift familjar, me një vogëlush të bukur, flokëkaçurrel biond, siç janë shumica e fëmijëve gjermanë.

Duke qenë tepër i përmalluar për vajzën time katërvjeçare që lashë në Berlin, pasi kisha qenë tri javë larg saj në spital dhe tani sërish në kamp verimi, më tërhoqi shumë shpirtërisht pamja e atij djali gjerman që ngjante si vëllai i sime bije. Pra, malli im për fëmijë dhe dëshira e atij vogëlushi për tu argëtuar në mjediset e jashtme të atij kampi, sikur takuan njëri- tjetrin, të thirrur nga një telepati e çuditshme. Unë i putha faqet dhe i fërkova kokën flokëbutë, si e një qenushi të lezetshëm dhe ai më erdhi pas, te stoli ku ulesha zakonisht në lulishten përballë diellit. Më ndiqte pas e nuk me shqitej me fjalët e tij të lezetshme, duke dashur ta shoqëroja në lodrat me topin e vet shumëngjyrësh që nuk e lëshonte nga duart. Luajtëm bashkë gjithë paraditen e ngrohtë, me atë diellin alpin, që as të digjte as të linte të mërdhije, ndonëse ishte korrik. Pasdite sapo u zgjua nga gjumi, vogëlushi u shpëtoi prindërve nga duart me kundërshti të dukshme dhe erdhi direkt tek unë, tashmë krejt buzagaz si të ishim miq të vjetër. E putha dhe i lëmova kaçurrelat si zakonisht, duke i dhënë edhe një çokollatë që kisha në xhep, të blerë posaçërisht për të në dyqanin e kampingut. Ai e mori dhe e hëngri në çast, duke përcjellë edhe në fytyrë shijen e kënaqësisë së tij. Luajtëm bashkë sërish deri afër mbrëmjes, kur prindërit mezi e shkulën nga stoli ku qëndronte pranë meje. Ndonëse unë i thashë ëmbëlsisht disa herë: “Shko tani bukurosh me mamin dhe babin se u bë vonë!”

Të nesërmen në mëngjes ai i çua nga gjumi më herët se ditët e tjera dhe erdhi direkt te stoli ku isha ulur përballë rrezeve mëngjesore, që më binin përsipër nga qielli si një tufë e verdhë mëndafshi. Filluam nga lodrat me figurat që i bëja, duke kaluar gishtin lehtas mbi rërën e shkrifët të rrugicave te lulishtes dhe ai dallonte në çast lepurin nga peshku apo zogun nga macja. Pastaj i pasoja topin sa here e gjuante lehte drejt meje dhe në një çast kur u lodha së tepërmi e desha të pushoja pak, ia fsheha pas shkurres dekorative, kur nuk e kishte mendjen.

-Ku është topi? - e kërkoi ai në çast.

-Humbi ! - i thashë për të zgjatur sadopak kohën e çlodhjes.

-Ku humbi? - pyeti duke picërruar sytë si dy rruzuj sedefi të bardhë.

-E mori xhaxhi kusari!- i thash unë.

-Ç’domethënë “kusar” ? - u interesua ai me habi.

-Është ai xhaxhi që vjedh topat e kalamajve dhe i shet në treg... - i thashë pa i peshuar fjalët. Por kur ktheva kokën, vura re se të dy prindërit e tij, që po pinin kafen në ballkonin sipër nesh, po na ndiqnin me kujdes.

- Ku është tregu të shkojmë t’ia marrim?- tha vogëlushi ngulmues.

Atëherë unë zgjata dorën pas shkurres, nxora topin dhe ia dhashë. Ai qeshi i gëzuar dhe tha:

- Ti xhaxhi je “kusar” ?...

- Jo, unë, jo, ai xhaxhi që e vodhi e iku fshehtas! - i thashë për ta mbyllur atë dreq bisede që hapa padashur. Pa ditur se ai fëmijë tepër kureshtar, nuk dinte ç’ishte vjedhja, të cilën ne në Labëri e mësonim nga prindërit qëkur lindnim, sa herë flitej për vjedhjet e bagëtive në kopetë e fshatit dhe çmonim hajdutët si guximtarë të mëdhenj.

Të nesërmen në mëngjes herët, kur çela derën për të dalë nga dhoma ime, pashë përballë në korridor çiftin me valixhet gati për ikje. Ata më prisnin për të më përshëndetur para largimit.

- Mirupafshim, zotni i nderuar!- më tha i ati i fëmijës, një intelektual me sqimë në veshjen e tij elegante, duke më zgjatur dorën miqësisht.

Krejt i habitur për ikjen e tyre të parakohshme qysh ditën e tretë të ardhjes aty, pyeta:

- Si ka mundësi, ju sikur thatë pardje, se e keni prenotuar hyrjen për dy javë?

- Nuk mund të vazhdojmë më tej, kemi probleme familjare, për të cilat na duhet të shkojmë patjetër! - tha ai, teksa e shoqja mbante djalin përdore që të mos turrej tek unë.

- Dëshiroj shpirtërisht të mos ketë ndodhur ndonjë fatkeqësi në rrethin tuaj familjar ! - ia ktheva me sinqeritet.

- Jo, asnjë fatkeqësi nuk na ka ndodhur...

- Atëherë, si?

- Meqë ngulmoni të dini arsyen, ju them se kemi problem vazhdimin e qëndrimit tonë këtu.

- Pse? - u habita unë ca më tepër.

Duke heshtur pakëz, për të renditur fjalët sa me qetë, ai tha:

-Djali ynë u lidh me tepër nga ç’duhet me ju e me përkëdheljet tuaja të pa praktikuara për edukimin e tij. Ne përpiqemi që në këtë moshë delikate të formimit të karakterit të fëmijës, të rritim një njeri me dinjitet, jo një qen që lëpihet pas të zotërve, gjithashtu të nxjerrim mes njerëzve një krijesë të pastër, që të mos dijë se ekziston vjedhja e sendeve të tjetrit...

Mbeta i hutuar për një çast, por e përmblodha veten shpejt. E kuptova thellë të gjithë gabimin tim trashanik, aq të pakujdesshëm.

- Ju lutem qëndroni, të shkoj unë, që ju shkaktova këtë shqetësim! - u thashë i turpëruar dhe i zënë ngushtë.

-Jo, jo, kurrsesi, mirupafshim! - tha ai vendosmërisht duke më zgjatur dorën përfundimisht, pastaj bashkë me të shoqen ngritën valixhet dhe dolën, duke tërhequr përdore vogëlushin që mbante kokën pas, me sy të lotuar drejt meje.

E ndjeva veten aq keq sa nuk e kisha ndjerë ndonjëherë gjatë gjithë viteve në atë vend. Dhe që nga ajo ditë e ikjes së tyre, për të qenë larg nga unë, sikur të kisha sëmundjen e tmerrshme të leprozës, vura mend e nuk e putha më vajzën time. Por nuk lejoj edhe asnjeri tjetër ta puthë e ta përkëdhelë. Prandaj të lutem, mos m’u zemëro!...

22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page