top of page

Monolog dhimbjesh, dashurie, malli e proteste….


Raimonda MOISIU

Monolog dhimbjesh, dashurie, malli e proteste….

(Esse-analizë e vëllimit me poezi, “Dhimbjes i rrinë të vogëla këpucët e heshtjes” e Poetit e Publicistit -Vasil Tabaku)

Shkruar nga Raimonda MOISIU

Poeti dhe publicisti i njohur, Vasil Tabaku i prezantohet audiencës së lexuesve dhe botës shqiptare, si një ndër autorët mjaft interesantë e mbreselënës i dhjetra vëllimeve në të treja gjinitë; poezi, prozë dhe publicistikë, ndërkohë është autor i mijra editorialeve gazetareske, esse, analiza dhe opinione social- ekonomike- politike e kulturore. Dhe kjo nuk erdhi krejt rastësisht, por as e papritur. Ato janë dëshmi e prirjeve të shpirtit letrar-artistik, psikikes e filozofikes, aftësisë dhe kredencialeve të identitetit krijues të tij. Në një nga ato ditët e nxehta të korrikut, 2013, isha në Tiranë, kur në celularin tim u shfaq numuri i poetit e publicistit Vasil Tabaku. Deri atë cast njiheshim nëpërmjet eksperiencës krijuese si dy miq e kolegë virtualë në rrjetet sociale. E lamë të pinim kafe në qendër të Tiranës, te Bar - Kafe “Europa”, mjedis i njohur ky, ku mblidhen e takohen intelektualë, shkrimtarë, poetë e gazetarë, kafe e biseda “për qejf të poezisë e të letërsisë”. Ishte një ditë e këndshme dhe impresionuese mes kolegësh. Por edhe dicka më shumë! Vasili më dhuroi dy libra të tij, -romanin “Baleti i drerit të plagosur” dhe vëllimin me poezi “ Dhimbjes i rrinë të vogëla, këpucët e heshtjes”. Poezinë e poetit Tabaku e njoh mirë për harmonizimin e bukur, zhvillimit të identitetit të pjekur poetik dhe gjetjes poetike brenda detajit artistik, kujdesit estetik e filozofik, tonit qytetar e intelektual dhe vargjeve lirike, c’ka ai deklamon atë që askush nuk e mendon, imagjinon dhe të paparashikueshmen. Poezia e poetit Tabaku deklamon më shumë se fjalët që reflektohen në tekstin melodioz muzikor të një kënge. Ne dëgjojmë përmes tingujve muzikorë të ndryshëm notat e shpirtit tradicional e klasik, por poetët nuk janë pinjollë të muzikës, ata janë njerës të talentuar që krijojnë vargje falë dhuntisë dhe imagjinatës poetike të tyre. Si poezia dhe muzika të ngjallin emocione se i këndohet, jetës, dashurisë e dhimbjes,-asaj njerëzores. Argumenti është sekondar, finishi poetik i vargjeve është primar. Fjalët dhe veprat janë mënyrat indiferente të energjisë hyjnore e njerëzore, ku fjalët janë vepra dhe veprat në një farë mënyre janë fjalët. Nëpërmjet metaforës poezia prodhon afërinë mes detajeve jetësore e njerëzore, filozofike e artistike, që kurrë nuk i kemi menduar më parë se ato do të mund të bashkëjetojnë të veshura me artin e fjalës së bukur. Teksa lexoj poezitë e vëllimit“Dhimbjes i rrinë të vogëla këpucët e heshtjes”,mendoj se poeti Tabaku nuk është një poet “ i famshëm”, por ai është një poet i mrekullueshëm dhe njeri i jashtëzakonshëm. Ky fakt është shumë më e rëndësishme e domethënës për mua, se sa pyetjes që mund të lindë, se a po shkruaj për dikë të njohur…?! Ky vëllim poetik reflekton personalitetin e maturuar poetik të autorit, që është i dallueshëm për qartësitë dhe skepticizmin e tij ndaj realitetit e përvojave jetësore, kur koha duket sikur mbaron. Karakteristikat e tjera të stilit të tij poetik plot ajër dhe liri, janë forma të strukturuara të hapjes me botën shpirtërore, psikiken e humanen, tërheqjes drejt momentit poetik nga njëra anë dhe ndaj jetës në anën tjetër, imazhin e simbolit të dhimbjes e harmonisë, dashurisë dhe përjetimit shpirtëror, dhembshurinë, heshtjen dhe pikëllimin, vetëdijen e mosvetëdijen, pranë e larg. Të gjithë takohemi në këtë jetë jo thjesht për mirë apo për keq, por në marrëdhëniet me njerëzit gjithsecili prej nesh, pret një përgjigje sa herë ka pyetje në “fushëbetejën”-e jetesës e mbijetesës.


Stili poetik e poetit Vasil Tabaku, është dyvalenca e ekzistencës njerëzore.

Vëllimin poetik autori nuk e ka ndarë në kapituj, por ndërsa shfleton atë dhe lexon poezitë kupton se është cikël poetik i plotë alegorik, inteligjent dhe ambicioz. Autori me mjeshtëri letraro - artistike e filozofike prezanton kontrastet e dy aspekteve të personalitetit të tij poetik; 1-nga njëra anë vargje entusiaste ku brenda realitetit human është njeriu, me kompleksitetin e larminë e ndjenjave e emocioneve, të strukturuara këto me imtësira psiko-analitike dhe metaforike:

“Thesari i vetëm që kemi/është puthja…/Meteorin e këputur të kokës së kaprollit/mban në duar/ /kërkon të mbështetesh/tek një përqafim.”(poezia “Realitete”,f.51).

Poeti përkufizon pikëpamje komplekse dhe intensitetin simbolist njerëzor me simbolikën e lidhjes të fortë të lirisë së shpirtit, gjëndjes emocionale të natyrës njerëzore, si pozitive ashtu edhe negative, dhëmbshurisë e etjes për të dhuruar e marrë dashuri.

“Dhimbja vesh këpucët e heshtjes,/mbi rrugën e kafshuar,/nga hapat e varfërisë,/supet e mi,/janë frymëmarrja e detit ,/me hënën,/nga zambakët e bardhë./Duart/kanë/humbur ndjesinë e prekjes./Pëllumbat e gjinjve fërfëritës/qajnë/nga mungesa e dashurisë.”,(poezia “Shpërbërje”f.53).

- 2-nga ana tjetër të vërtetën e pamëshirshme me mall e brengë, melankoli e heshtje, trishtim e gëzim, vargje që motivojnë luftën për jetën dhe përmirësimin e të kundërtave në hapësirën e dimensionit njerëzor dhe stalagitet e shpërbërjes në hapësirën e boshtë të farsave sociale, në dritën e gjërave të shkruara në heshtje nga mendja e dhimbja, monologon sinqerisht dhe emocion poetik dhimbjen e dashurinë njerëzore, dhe arrin në përfundimin se poezia e poetit Tabaku është dyvalenca e ekzistencës njerëzore.

“Ne ishim bashkë/ kisha pirë vesën e syve të bukur/kisha puthur lulet/zjarri ishte derdhur brenda meje/si shkrepëtimë rrufesh…/Kisha ndjerë ftohtë/kisha ngrirë përpara syve,/statuja e dhimbjes sime/kishte mbetur memece/.(poezia “Sytë e bukur”f.170)

Poeti Vasil Tabaku në këto vargje ka saktësi lirike, sinqeritet e ciltërsi të drejtëpërdrejtë të ndjenjës e shpirtit poetik. Përzgjedhjet e figurave letrare janë jashtëzakonisht të goditura e të zbuluara, të lakmuesheme dhe i pavëndshëm ndaj energjisë simbolike. Autori me termat - “sytë e bukur, puthja, zjarri, shkrepëtima, ftohtë, ngrirë, dhimbje, rrufesh, memece”, terma që nënkuptojnë - dashuri, besnikëri, durim, kurajo dhe ka argumentuar vecorinë për të monologuar me lexuesin me forcën krijuese artistike e filozofike të dala nga shtrati i ndjenjave të fuqishme. Poezi të tilla si “Ajkuna qan Homerin”, “Dashuri e dashuruar”, “Krizë”, “Me c’dhimbje të dua”, “Puthja e zambakëve”, “Etyd”, Të ndezësh zjarre”,etj, janë ndërtuar me vargje lirike që dramatizojnë kontrastet mes jetës, artit dhe krijesave natyrore përreth, dashurinë e dhimbjen ndaj paqëndrueshmërisë së natyrës, këndvështrime lirike origjinale e të arrira, psikikja dhe përjetimi shpirtëror që demonstrohen nëpërmjet artit e forcës së fjalës artistike e filozofike, -magjia e artit në të përditshmen. Poeti demonstron mjeshtërisht dualitetin; me brengë e trishtim, gjuhë të figurshme e letrare për vashën e heroin lirik në kohë e hapësirë, sikundër; “Ajkuna fshin lotët e derdhur për Homerin/vetëtimat/ka varur në qafë/Me yjet si gurë të cmuar”, dhe emërton përshkallëzimin e intensitetit të tyre me epitete, krahasime e metafora, nën vëzhgimin e hollë e të vëmendshëm të personazheve, temperamentet e emocioneve individuale, të gjallë e të paharrueshme. Vetëdija e poetit Tabaku monologon me lotët e gurët e cmuar, të Ajkunës që fshin lotët për Homerin –një vajtim ky, që ka muzën dhe perëndinë e saj brenda mjedisit elegjik e poetik.

“Prej kënge është bërë edhe zemra ime/Po shpirti eh shpirti/Qënka një humnerë/shpresë e dhimbjeje…/Ku bisqe drite/Ushqehen me frymën time/Me dashurinë dhe puthjen/me zjarrin e thinjur e ëndrrat.”(poezia “Me c’dhimbje të dua”).

Ndjeshmëria e nevoja e poetit për të zbuluar shtigje e gjetje poetike, mediton e monologon, i ngroh brenda shpirtit të tij që është zjarr nga ndjenja e dashurisë, poeti identifikon tensionin qëndror të subjekt/objektit, tërheqjen e tyre drejt artit të fjalës nga njëra anë dhe ndaj jetës nga ana tjetër, mision për të transmetuar filozofinë e jetës, dhimbjes e dashurisë njerëzore.

“Me emrat e Mujit e Halilit/Me vajin madhështor të Ajkunës/një qarje,/Që rrëqeth planetët dhe njerëzit/Me qumështin mitik të zanave/Dhe pluhurin qiellor/të kreshnikëve…./Bota/ Ka shtangur/Dëgjon këngët hyjnore/Nga gurrat e zërave të aedëve popullor.”(poezia “Eposi shqiptar” (f.129).

Kjo është poezi –baladë me temë historie me mendim, sqimë e klasike. Ka edhe të tjera poezi të tilla baladike, elegjike, historike dhe sonetë. Por zgjodha këtë se më tërhoqi vëmendjen si krijim i individualitetit të vecantë dhe përmasat artistike e filozofike. Paraqitja e heronjve me emrat e tyre, nuk se është prirje e rastësishme për poetin Tabaku, por është aftësia krijuese tij, koeficenti artisik me koeficentin filozofik që kristalizojnë dhe evokojnë historinë, heronjtë, traditën, krenarinë, dashurinë dhe përcohet thelbi i përjetësisë të vetëdijes e kujtesës njerëzore e historike, të vërtetën e kumtuar nga dialektika e kreshnikëve me qumështin mitik të zanave. Poezia e poetit dhe e publicistit Vasil Tabaku ka ritëm funksional, metafora lehtësisht të kuptueshme, të cilat të fusin në teleskopin poetik, zbulojnë prirjet e mesazhit të tij pozitiv që nxisin vetëdijen njerëzore, meditimet, intimitetin, shqetësimin e poetit, tematika të vecanta me tendencën e vargut tradicional, estetik e bashkëkohor, tematika që përcaktojnë biografinë kolektive të vetvetes e brezit që jeton e i përket. Kemi poezi lirike që i dedikohen atdhedashurisë, si;“Të puth Shqipëria ime”,(f.10), “Brenga e Mërgimtarit”(f.11), “Vështrim mbi Tiranë”(f.156), “ Realitete shqiptare”,(f.180), “Luaj dramën time”( f.172), etj,

dhe semantika e ideve të tyre, është dashuria, historia, ndjenjat patriotike, krenaria, guximi për të thënë të vërtetën e realitetit gri, të veshura këto me ngjyra gazmore e të dhimbëshme, shpirtërores e psikikes, dhimbjes e mallit, vuajtjes e sakrificës, mungesën e njerëzve, shpresës e spekulimet mbi njerëzoren, pesimizmin dhe optimizmin, shpirtin intelektual, qytetar e protestues, për të thënë të vërtetën, ëndrrën e ndaluar dhe ëndrrën e së ardhmes. Kemi poezi me ton qytetar, social e intelektual, ku shpaloset aspekti human i poetit, sikundër;“Gjëra të trishta”(f.146), “Kthim te e vërteta”(f.128), “Reale” (f.124), “Fundi” (f.129), “Arratisje” (f.127), etj.

Është një mision i tërë me konvecione të goditura artistike e filozofike, që poeti Tabaku penetron në dramën cinike e tragjedi të ngurtësuara;“Shqipëri/dhimbje e dimërt/e shpirtit tim/Dimërzuar dimërisht/hesht/në cep të shekullit të ri./Nëpër zërin tim/rrokullisen gurë/si tragjedi të ngurtësuara nën një qiell klithmash.”

Në këto vargje ndjejmë nervozitetin, stresin, virtuozitetin dhe kujdesin human, si thirrje e ankthit të kohës së mbarsur nga stereotipet e kontrasteve të mëdha, farsave sociale dhe bujarinë njerëzore. Me inteligjencë, grintë ironie, poeti monologon raportin shpirtëror intim me atë që është shpallur botërisht; e varfëra me të pasurën, të vërtetën e të pavërtetën, e anashkaluara me gjërat që janë në skenën e jetës, vlerën e antivlerën, zotin, ankthin, grotesken e sarkazmën, qytetaren dhe intelektualen, realitetin e hidhur dhe shpresën e pashpresë, me vitalitetin e pushtetin e habitshëm moral, social e politik të tyre -mes të bukurës e së përditshmes njerëzore.

“Hap qiellin/kërko/sytë e humbur të të verbërit…/duart e mija/janë mbushur/me shi lotësh…/I verbëri/vërtitet brenda natës së vet/gishtat /I digjen/nga copëzat e thyera të dritës.”(poezi “Dhimbje qielli”,(f.92).

Në këteë poezi kemi imazhin e dukshëm. Hija e copëzave të thyera të dritës ndaj hijes së errësirës në sytë e të verbërit, mbulon plotësisht imazhet e tjera, që dëshmojnë sfidën në kohë e hapësirë të imponuara vetvetiu me vizionin ekspresionist poetik. Poeti e ka formuar këndvështrimin e tij poetik me anë të rrënjës së ideve, figurave retorike dhe metafizike, prirje kjo drejt qasjes të intimitetit personal e kolektiv, ku poeti edhe ne të gjithë banorët në tokë e qiell, por pak prej nesh guxojnë apo ta përshkruajnë atë me ngrohtësi, sic bën autori Tabaku. Poeti shpengon dhe shpëton veten nga heshtja e syve të të verbërit, një heshtje që i ngjan dhimbjes qiell…vdekjes….

Poeti dhe Publicisti #Vasil #Tabaku përmes krijimit letrar artistik e filozofikes, përmes grintës poetike të imagjinatës, lirikes, psikikes e shpirtërores, në vëllimin poetik “Dhimbjes i rrinë të vogëla këpucët e heshtjes”, i dalë nga shtëpia botuese “Ada”, na ka dhënë mjeshtërisht monlogun e dhimbjes, dashurisë mallit e protestës – me besimin dhe aftësinë e shpirtit krijues, qytetar, intelektual e njerëzor, jo vetëm ngjall emocione e mbresa të jashtëzakonëshme për audiencën e lexuesve e dashamirësve të poezisë, por përcon edhe mesazhin botës, që të mendoje më ndryshe, i jep optimizëm e shpresë se e ardhmja ekziston e i përket jetës e dashurisë njerëzore

Hartford CT USA

Shkurt 2014

40 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page