top of page

MODERNITETI  ME SFOND E TRUALL TRADICIONALITETI

Updated: Feb 7


MODERNITETI  ME SFOND E TRUALL TRADICIONALITETI

 

Nga Timo Mërkuri

 

 

Fatmir Terziu është ndër poetët që eksploron dendur forma dhe rryma të poezisë moderne, pa u druajtur të shfaqë, qoftë dhe në formën e një“sfondi poetik”dukuri, përmbajtje, apo elementë të tradicionalitetit poetik. E realizon këtë risi, ku  ajo që është më e rëndësishme, ai nuk druhet që t'i përdorë elementet e tradicionalitetit poetik, jo shqiptar, duke bërë një qasje elegante me ato të vendit tonë. Kështu te poezia e tij "Robin Hood peshkatar", që e mer subjektin nga legjenda angleze e një fisniku të varfëruar pas përfshirjes në konflikte me pushtetin e të pasurve të kohës. Realisht legjenda e Robin Hood është një nga më të njohurat në kulturën angleze, e cila ka inspiruar shumë vepra letrare, filma, dhe përralla popullore, madje inspiron ende krijime artistike si kjo poezi e poetit Terziu.

 

Nga legjenda tek lidhja e ndërthurur

 

Sipas legjendës Robin Hood, pasi u varfërua, mblodhi një grup njerëzish që u bënë të njohur si "Merry Men" (grupi i jashtëligjshëm që ndjekin Robin Hood në letërsinë dhe folklorin anglez), ose "Vëllezërit e gëzuar", dhe të fshehur në pyllin Sherwood Forest, një vend në qendër të Anglisë, ata grabisnin karvanët dhe të pasurit që kalonin në rrugët kryesore dhe pasurinë e siguruar  në këtë mënyrë e shpërndanin tek të varfërit. Kështu Robin Hoodi u shndërrua në simbol të drejtësisë dhe kundërshtimit ndaj padrejtësisë, u bë një mbrojtës i të varfërit dhe  sfidues i dhunës së shtetit. Kjo histori e Robin Hood ka të bëjë me luftën e njeriut  për drejtësi e barazi sociale, dhe është bërë simbol i rezistencës popullore kundër abuzimit të pushtetit dhe privilegjeve të të pasurve.

Shohim lehtësisht se profili historik i Hobin Hoodi-t ka të njëjtin profil me komitët shqiptarë si Shahin Matraku, Bilbil Shako dhe Shemo Hajduti i Gjirokastrës që grabisnin bejlerët apo karvanet e ushqimeve të ushtrisë turke (që kur prishe zahiretë - thotë një këngë popullore), të cilët, me të ardhurat që fitonin u siguronin pajë martese vajzave të varfëra e jetime apo ushqim vejushave e  fëmijëve, pse në thelb veprimet e komitëve shqiptarë (ballkanas dhe të Robin Hood e "Merry Men") ishin të ndryshme nga ato të bandave të rrugës, pasi kishin  kodin e tyre moral e qëllime të larta si mbrojtja e të varfërve dhe kundërshtimi i padrejtësive të sundimtarëve të korruptuar, apo të pushtuesve.

Nëpërmjet shekujve, legjenda e Robin Hoodit është përmirësuar dhe rikontekstu-alizuar për të adresuar çështje sociale, politike dhe morale të ndryshme. Megji-thëse detajet e historisë mund të ndryshojnë në varësi të versionit dhe interpre-timit, një gjë që mbetet konstante është simbolika e Robin Hoodit si një luftëtar për drejtësi dhe si një hero popullor që mbron të varfërit dhe të pafuqishmit.

 

Përtej fakteve dhe legjendës

 

Bazuar te kjo legjendë angleze me qasje të madhe me artin gojor shqiptar, poeti Terziu sjell një variant të ri të Robin Hoodit, gjetur në Scarborough të Mbretërisë së Bashkuar, që e simbolizon në vargjet: “Dhe veshi si vesh. Dhe syri, si sy të sjell çdo të paparë/kur gjethet janë jeshile dhe lulet e ëmbla trazohen me aguliçe/fillon historia e Robin Hoodit të kthyer në peshkatar”,” e vetes ia vuri emrin Simon”. Kjo është e natyrshme pasi legjendat e artit gojor kanë hapësirë interpretimi dhe mundësi eksplorimi në skaje të ndryshme të saj, në të cilat mund të gjesh shtigje të reja. Befasuese është qasja e këtij emri të Robin Hodit peshkatar me emrin Simon të Apostullit Pjetër, cili pati qenë peshkatar në fillimet e tij dhe quhej Simoni Pjetër. Sigurisht që dhe ky Robin (Simon), peshkatari njësoj si Robin Hoodi anglez apo si komitët tanë vepronte; pasurinë e siguroi nga grabitja e dhunshme, e jashtëligjshme: “.. kur pa një anije me piratë francez/e kështu i gjuajti me shigjetën e parë,/i gjeti të gjithë armiqtë e vrarë/me dymbë-dhjetë mijë paund ar”, dhe ua shpërndan të varfërve, Ai i shkruante vejushës që e strehoi dhe dashuroi: “gjysmën e kam për ty vejush/dhe tre fëmijët e tu të vegjël/do ta ndaj ama gjysmën tjetër /me varfërrit e mi, që bërtisnin në korr/ne jemi me ty gjithnjë o Simon”

 Të mirëkuptohemi, poezia "Robin Hood peshkatar" e Terziut nuk përdor mitin e Simon peshkatarit në kontekstin e një tradite specifike të njohur, kjo histori është një gjetje e tij poetike, bazuar në mitin e Scarborough, e cila përdor elementë të njohur të legjendës së Robin Hoodit dhe i inkorporon ato në një kontekst të ri dhe të ndryshëm. Qasja e emrit "Simon peshkatari” me figurën e Shën Pjetrit, peshkatarit biblik, që u bë apostull i Jezusit, është një interpretim interesant dhe mund të jetë një shpjegim potencial për përdorimin e këtij emri në mit dhe në poezi, por në poezinë "Robin Hood peshkatar" kjo qasje shfaqet vetëm si sfond i bazuar në gjetjet britanike. Poeti e çon më tej legjendën e Robin Hood, sepse vetë legjenda, apo miti gojor, ja lejon këtë.

Pra, shihet se kjo poezi përdor elementë të njohur historikë dhe legjendarë, sfond dhe truall tradicional për të krijuar një poezi të re dhe moderne, në të cilën figura e Simon (Robin Hood) peshkatarit krijon një  simbolikë të drejtësisë e solidaritetit ndaj të varfërve, pavarësisht se nuk është e qartë lidhja me figurën e Shën Pjetrit. Më shumë duket se përdorimi i emrit "Simon" në këtë  poezi përfaqëson një simbolikë të një personazhi që përjeton një lloj transformimi, ose ndryshimi në rrugën e tij të jetës. Ai fillon si një peshkatar i zakonshëm, por pastaj bëhet një figurë heroike në historinë e tij. Ky tranzicion mund të ballafaqohet me rrugën e Simon Pjetrit nga një peshkatar i thjeshtë në një apostull dhe themelues i kishës, nqse do ta shohim në aspektin e një mesazhi mbi transformimin personal dhe fuqinë e ndryshimit në jetën e një personi (në kontekstin e një poezie moderne), duke e bërë atë një simbol i shpresës, ndryshimit dhe forcës njerëzore.

 

Robin Hood në det, si peshkatar

 

Dhe fakti i vendosjes së Robin Hood në det, si peshkatar është një transformim i madh i figurës së  tij tradicionale, të  njohur si një luftëtar kundër padrejtësisë dhe taksës mbi të varfrit. Realisht kjo vendosje është një lloj  rikthimi në origjinën e thjeshtësisë (siç thamë ai ishte një ish fisnik i varfëruar) e përsosmërisë njerëzore, madje dhe emri i ri që ai përdor, "Simon Over-The-Lee", mund të ketë vlerë simbolike.

Në Scarborough, takimi i Robin Hoodit-Simonit me një vejushë, e cila zotëronte një han buzë detit është një element që shton dimensione të reja në historinë e tij, jo thjeshtë versione rozë. Vejusha i huazon varkën dhe e punëson atë, duke përforcuar ndjenjën e solidaritetit dhe besimit tek ai si një peshkatar i ri, ku paralelizmi me Simonin, Pjetrin, e thekson më tej këtë lidhje simbolike e theme-lore me traditat e vjetra dhe me besimin në vlerat themelore njerëzore. Nëqoftëse “Simon Peshkatari” i shpërndan vejushës dhe të varfërve pasuri monetare (florrinjtë që ua rrëmbeu hajdutëve francezë), njësoj si komitët shqiptarë, Shën Pjetri u shpërndan njerëzve besimin te Zoti dhe dashurinë për atë, një pasuri  tepër e madhe shpirtërore e njerëzimit.

Gjithashtu theksojmë se përdorimi i Scarborough, si ambient i veçantë për ngjarjet e poezisë jep një atmosferë tërheqëse dhe të detajuar të historisë. Scarborough, një qytet bregdetar i njohur për historinë dhe peizazhin e tij, shton një element autentik në përshkrimin e aventurave të Robin Hoodit si peshkatar.

 

Mitet dhe legjendat mes nëntemave

 

Mitet dhe legjendat kanë shpesh një kuptimshmëri të gjerë dhe një shumësi nëntemash dhe interpretimesh, ku secila prej tyre qëndron dhe si një temë apo subjekt më vete, duke mbartur jo vetëm idenë por edhe vlerat artistike dhe emocionale. E parë në këtë aspekt, Fatmir Terziu ka vijuar më tejë legjendën e njohur të Robin Hoodit duke e çuar në kohë, vend e  vlera të tjera artistike. Po cilat janë elementët tradicionalë që shfrytëzon poeti te  ky variant i ri modern i poezisë?

Ky version i ri i Robin Hoodit, si Simon Over-The-Lee, ofron një perspektivë të re dhe të freskët mbi një figurë të njohur në folklorin dhe historinë popullore, pasi  artin tradicional e ka rikonceptuar në një poezi moderne për shkak të disa arsye-ve të mundshme: Kjo poezi e poetit Terziu shfrytëzon legjendën e Robin Hoodit, një personazh i njohur i traditës angleze dhe e përshtat atë në një kontekst të ri dhe modern, siç është Scarborough. Kjo përdorje e një legjende të vjetër në një kontekst të ri përmban disa arsye të rëndësishme:

Së pari, mbetet tek rifreskimi i një historie të njohur, e cila shpesh është nisja e një krijimi të ri, veprim që ndërmerret shpesh nga shkrimtarët e poetët (kujtoni Shekspirin, -Shekspearee-), ku poeti shfrytëzon një krijim artistik të mëparshëm, apo një histori të njohur për të krijuar një vepër artistike të re dhe interesante, e parë nga një këndvështrim i ri, apo realizuar me një interpretim, apo formë të re. Duke u bazuar te legjenda e Robin Hoodit, Terziu e sjell atë në një kohë dhe vend tjetër, duke bërë që lexuesi të ndiejë lidhje mes traditës së vjetër dhe realitetit të sotëm.

Së dyti, ndërlidhja e historisë me realitetin është një mënyrë e trajtimit të veprës së re. Këtu, Terziu shfrytëzon një personazh të njohur historik për të reflektuar në realitetin aktual, përmes historisë së Simonit, i cili e quan veten "Robin Hood peshkatar": ai tregon një histori që lidhet me nevojat dhe sfidat e ditëve moderne, siç janë nevojat e të varfërve dhe shpresa për një të ardhme më të mirë.

Së treti, një përdorim simbolik i personave në një vepër të re artistike është një arsye më vete.  Poeti përdor legjendën e Robin Hoodit si një simbol i luftës për drejtësi sociale dhe pjesëmarrjes së popullit në ndryshime. Duke e bërë Simonin si një peshkatar të varfër që mbledh pasurinë dhe e ndan atë me të tjerët të varfër, ai vë theksin në solidaritetin dhe ndihmën ndaj të tjerëve, një temë që vazhdon të jetë e rëndësishme edhe në ditët moderne.

Mbledhja e trashëgimisë kulturore është një arsye më vete për shfrytëzimin e artit tradicional në poezinë moderne. Duke përdorur legjendën e njohur të Robin Hoodit, poeti rikujton dhe rilidh traditën kulturore angleze me kontekstin e tij të sotëm. Kjo është një mënyrë për të ruajtur dhe vlerësuar trashëgiminë kulturore në një mënyrë që është relevante edhe për kohën tonë.

Inspirimi nga morali i legjendës është një nxitje për poetët dhe shkrimtarët, dramaturgët, piktorët e kompozitorët. Historia e Robin Hoodit ka të bëjë me tema të tilla si drejtësia sociale, solidariteti dhe kundërshtimi ndaj padrejtësisë dhe duke përdorur këto motive, poeti përpiqet të sjellë mesazhin e moralitetit në kontekstin e kohës sonë, duke shpresuar të nxisë reflektim dhe ndërgjegjësim tek lexuesit e tij.

Së fundi, krijimi i një ndërlidhjeje mes kulturave në kohët e sotme është  arsye thelbësore, ku përdorimi i një legjende të njohur si Robin Hoodi mund të shërbe-jë edhe si një formë e komunikimit mes kulturave. Duke sjellë këtë legjendë në një kontekst të ri, siç është ai shqiptar, poeti fton për një kuptim të përbashkët njerëzor dhe për një ndërlidhje të përbashkët mes njerëzve, pavarësisht prej origjinës, apo kulturës së tyre.

 

Gjurmët e artit tradicional në poezinë moderne të Terziut

 

Gjurmët e artit tradicional në poezinë moderne të Terziut mund të dallohen në disa aspekte të poezisë së tij:

Edhe pse poezia e Terziut është e shkruar në një kontekst modern, ajo përdor motive, simbole dhe tema të njohura, që kanë origjinë në artin tradicional. Në rastin e kësaj poezie, historia e Robin Hoodit është një motiv i njohur dhe i përdorur gjatë kohërave dhe kjo reflekton një lidhje me artin tradicional.

Fatmir Terziu ka marrë elemente të njohura nga arti tradicional dhe i reinterpreton ato në një mënyrë të re e moderne. Përdorimi i një teme të njohur si Robin Hoodi në një kontekst modern është një mënyrë për të rifreskuar dhe për të rikrijuar një histori të njohur në një dritë të re si versioni “Robin Hoodi peshkatar”. Në vazhdim të këtij interpretimi, duhet të theksojmë se lidhja e artit tradicional me poezinë moderne shpesh ndodh nëpërmjet përdorimit të motiveve, simboleve, dhe historive të njohura që kanë qenë pjesë e trashëgimisë kulturore për shumë kohë. Në rastin e poezisë së Fatmir Terziut, përdorimi i historisë së Robin Hoodit, një temë e njohur në folklorin anglez, është një shembull i qartë i kësaj lidhjeje.

Theksojmë se, ndërsa poezia moderne ka një qasje më të lirë dhe eksperimentale ndaj formës dhe strukturës së poezisë, ajo ende mund të përmbajë elemente të artit tradicional në përmbajtje, temë dhe stil. Për shembull, përdorimi i figurës së simbolit, rëndësisë së ngjarjeve historike e personazheve të njohur prej kohësh, dhe reflektimi i vlerave morale e shoqërore që përcillen nga trashëgimia kulturo-re, janë gjurmë që mund të gjenden në poezinë moderne të autorëve si Fatmir Terziu.

Terziu i modernizon motivet tradicionale duke u dhënë një perspektivë të re dhe një trajtim të moderuar, i adapton dhe i transformon në kohë këto motive për t'i bërë  aktuale dhe të përputhura me kohën moderne dhe audiencën e sotme. Në rast të kundërt do kishim vetëm një rikrijim tradicional, pra një rikthim në një art dhe kohë të kaluar.

Poezia moderne e Terziut  reflekton vlerat e mesazhet tradicionale në kontekstin e sotëm, duke  prurë  një kombinim të vlerave të lashta me kontekstin aktual dhe me sfidat e shoqërisë së sotme.

Fatmir Terziu në poezinë e tij shfaq një kujdes të veçantë ndaj gjuhës dhe stilit, duke i bërë ato të pasura dhe të gjera në përmbajtje, ku përdorimi i një gjuhe fine sjell një dimension të shtuar në artin e tij, duke e ndihmuar atë të komunikojë me ndjeshmëri dhe ndikim te lexuesi.

Përmes poezive të tij, Fatmir Terziu reflekton realitetin shoqëror dhe kulturor të shoqërisë shqiptare dhe më gjerë, duke përdorur shpesh elemente të trashëgimi-së kulturore për të kuptuar dhe interpretuar realitetin aktual.

Këto aspekte të artit modern të Terziut reflektojnë  lidhje mes artit modern e atij  tradicional, duke përmbledhur vlerat e trashëgimisë kulturore të traditës me shprehjen e re dhe inovative në poezinë e tij. Duhet të pranojmë se të rrallë janë poetët që arrijnë ta realizojnë poetikisht këtë lidhje të artit modern, me artin gojor tradicional, dhe sidomos me artin gojor të kombeve të tjera në nivele të arira.

 

Dukuritë e modernitetit poetik të Fatmir Terziut

 

Dukuritë e modernitetit poetik të Fatmir Terziut përfshijnë disa karakteristika që e dallojnë atë si një krijues modern dhe të rëndësishëm në letërsinë shqiptare, karakteristika që përfshijnë:

Fatmir Terziu në poezinë e tij moderne përdor liri të madhe në lidhje me formën dhe strukturën e poezisë, ku ai dukshëm eksperimenton me ato(formën e struktu –rën) duke përdorur teknika të ndryshme si vargjet e lira, rima të ndryshme dhe lirizmi i fjalës.

Moderniteti poetik shpesh përdor imazhe të ngarkuara dhe metafora të forta për të shprehur emocione, ide, apo përvoja komplekse, ku Terziu shpesh përdor imazhe natyrore dhe metafora komplekse për të krijuar një pasqyrë poetike të realitetit.

Poezia e tij moderne reflekton realitetin shoqëror dhe emocionet njerëzore në një mënyrë të gjerë e të ndjeshme. Terziu përdor poezinë për të shprehur emocione të gjera e për të reflektuar realitetin shoqëror në mënyrë të ndjeshme dhe të rrëfyes.

Në modernitetin poetik, shpesh vihet theks në përdorimin e gjuhës dhe stilit të veçantë poetik, ku poeti Fatmir Terziu shquhet për një përdorim të kujdesshëm dhe të rafinuar të gjuhës, duke krijuar vargje elegante dhe imazhe të forta. Stili i tij i shkruar është i ngjashëm me atë të poetëve modernë që vlerësojnë shprehjen e thellë dhe metaforike.

Moderniteti poetik shpesh u drejtohet lexuesve duke reflektuar kompleksitetin e emocioneve dhe ndjenjave njerëzore. Këtu Terziu nëpërmjet poezisë së tij shfaq një shkallë të gjerë emocionale e intelektuale, duke shkaktuar reflektime e ndjenja të ndryshme tek lexuesit.

Në poezinë moderne, autorët shpesh japin një perspektivë të qartë të individit dhe përvojës së tij personale, Terziu dhe te kjo poezi,  shfaq ndjeshmëri ndaj përvojës së individit, duke e bërë atë të ndihet dhe të reflektojë mbi realitetin dhe emocionet.

Këto elemente të modernitetit poetik në poezinë e Fatmir Terziut e bëjnë atë një autor të shquar e të rëndësishëm në peizazhin e letërsisë shqiptare sot. Përdorimi i teknikave të lira dhe ekspresioni emocional dhe intelektual bën që poezia e tij të ketë impakt të ndjeshëm tek lexuesit dhe të mbetet e rëndësishme për lexuesit e sotëm dhe të ardhshëm.

 

Poeti sjell subjekte tradicionale dhe motive të njohura

 

Poeti Fatmir Terziu duke përdorur subjekte tradicionale dhe motive të njohura si ai i Robin Hoodit, krijon një poezi moderne që përmban ide, emocione dhe përvoja të një realiteti të bashkëkohshëm. Përvoja njerëzore, siç janë lufta kundër padrejtësisë, kërkesa për drejtësi, përpjekjet për të arritur lirinë dhe ndjenja të tjera të ngjashme, janë tema që vazhdojnë të jenë aktuale dhe relevante në çdo kohë.

Me anë të subjektit tradicional, si ai i Robin Hoodit, Fatmir Terziu ka mundësinë të shprehë ide dhe emocione që reflektojnë realitetin shoqëror dhe njerëzor në mënyrë të re dhe moderne. Ky është një aspekt i rëndësishëm i krijimtarisë së tij, që e bën atë të dallohet në letërsinë e sotme shqiptare.

Përdorimi i subjekteve tradicionale dhe motiveve  të njohura për të krijuar poezi moderne është një shfaqje e qartë e aftësisë së një krijuesi të talentuar për të kombinuar ato, duke sjellë në jetë  poezi që kanë rëndësi e influencë për lexuesit e sotëm dhe të ardhshëm.

Përveç kësaj, përfaqësimi i subjektit tradicional në një kontekst modern shërben edhe si një mjet për të rifreskuar dhe për të rikrijuar historinë për audiencën e re. Nëpërmjet këtij trajtimi të ri dhe të modernizuar të temës së njohur, lexuesit i ofrohet një perspektivë e re, e cila i lejon atyre të lidhin thelbin e historisë së vjetër me realitetin e tyre të sotëm.

Fatmir Terziu, duke u përqendruar në një subjekt të tillë, tregon aftësinë për të krijuar lidhje të thella midis kulturave dhe periudhave të ndryshme historike. Kjo jo vetëm që e bën poezinë e tij më tërheqëse për audiencën e sotme, por gjithashtu e bën atë të qëndrojë aktuale dhe e rëndësishme për të ardhurat. Në këtë mënyrë, ai jo vetëm që respekton trashëgiminë e tij kulturore dhe artistike, por gjithashtu kontribuon në zhvillimin e një letërsie të re dhe të pasur, e cila reflekton realitetin dhe aspiratat e kohës së tij. Kjo është një shenjë e një shkrimtari të aftë dhe të ndjeshëm që di të kapë shkëlqimin e trashëgimisë së tij kulturore dhe ta sjellë atë në kontekstin e sotëm me frymën e e ideve të reja moderne.

Vepra e Fatmir Terziut shërben si një dialog midis kulturave, duke kombinuar trashëgiminë angleze me elemente të kulturës shqiptare, duke e pasuruar atë me interpretimin e shprehjen e tij personale. Ky dialog i kulturave është i rëndësi-shëm për të promovuar tolerancën, respektin dhe kuptimin midis popujve dhe kulturave të ndryshme.

Përmes poezisë moderne, Terziu kontribuon në krijimin e një identiteti letrar e kulturor të ri që reflekton realitetin dhe ndjenjat e kohës së tij. Duke kombinuar elemente të trashëgimisë angleze me ato shqiptare dhe të kulturës së ballkanit, ai ndihmon në zhvillimin e një kulture të përbashkët që ndërlidh popujt dhe komunitetet.

Vepra e Fatmir Terziut promovon diversitetin kulturor dhe gjuhësor, duke shfaqur vlerën e të pasuruarit me njohuri dhe përvoja nga kulturat e ndryshme, aspekt i vepres së tij ky që promovon mirkuptimin dhe bashkëpunimin ndërku-lturor.

Nëpërmjet poezisë së tij, Terziu shpreh emocione, ide dhe reflektime që lidhen me përvojat njerëzore dhe realitetin shoqëror. Kjo poezi moderne ofron një platformë për lexuesit që të reflektojnë mbi çështjet e jetës dhe për të gjetur lidhje me trashëgiminë kulturore dhe historike.

 

Konkluzion

 

Poeti  Fatmir Terziu, jo vetëm për këtë poezi mendoj se vlen të lartësohet në një perspektivë gjeografike për disa arsye të rëndësishme.

Së pari duke përdorur elemente të trashëgimisë angleze dhe ato të kulturës shqiptare dhe ballkanase, Fatmir Terziu tregon një ndërlidhje të thellë midis kulturave dhe identiteteve të ndryshme. Ky aspekt e lartëson atë në një kontekst gjeografik sepse shfaq aftësinë për të kapur dhe për të shprehur ndjenjat, ide dhe përvojat që janë të përbashkëta për njerëzit nëpër kohëra dhe vende të ndryshme.

Së dyti vepra e tij reflekton  diversitet kulturor të gjerë duke iu referuar kulturës angleze, trashëgimisë së krishterë dhe kontekstit shqiptar. Kjo shpreh një ndërgjegje të thellë për rëndësinë e diversitetit kulturor dhe gjeografik. Përmes poezisë së tij, Terziu kontribuon në dialogun kulturor dhe ndërlidhjen e vendeve të ndryshme. Vepra e tij shërben si një urë midis kulturave dhe vendeve, duke përmirësuar kuptimin dhe bashkëpunimin ndërmjet tyre.

Së fundi nga konsteksti që analizuam më lart, mesazhi dhe vlerat që shprehin poezitë e Terziut janë universale dhe i adresohen njerëzve në të gjithë botën. Kjo i jep atij një vlerë të rëndësishme në një perspektivë gjeografike, duke e bërë atë një përfaqësues të kulturës dhe letërsisë shqiptare në skenën ndërkombëtare.

 

Sarandë, më shkurt 2024

 ___________________________________________________________________

 

ROBIN HOOD PESHKATAR

Nga Fatmir Terziu

 

Stuhitë hypin mbi kuaj. Ikin mbi kuaj të zezë

stuhitë e huaj,

ikin mbi det, mbi dallgë, ikin serbes

lënë pas gjurmët e këtyre kuajve të mallkuar

përcillen me bubullima, vetëtima, zhurma të frikshme

dhe një breshër shkatërrues me kokrrën sa një kokë

në kodrën afër qytetit Scardeburch me pamje të ndritshme

e çdo këmbë e kuajve zhytet duke u fundosur thellë në tokë

në një rrjedhë të përditshme

vizitori vetë mund të vendosë...

edhe në një ditë të vetme qëndrimi këtu

pranë dritares ku gjithnjë një sy vejushe të josh

të shfletosh legjendat e Scarborough.

 

Dhe veshi si vesh. Dhe syri, si sy të sjell çdo të paparë

kur gjethet janë jeshile dhe lulet e ëmbla trazohen me aguliçe

fillon historia e Robin Hoodit të kthyer në peshkatar

kur mori bujtinën në shtëpinë e një vejushe

tej oqeanit të gjerë, jo shumë larg

një kodre, një bregu, një fushe

e vetes ia vuri emrin Simon,

për hir të syve, për atë vejushë të pastër,

të cilën e puthi dhe e dashuroi më vonë,

e ajo e quajti Simoni im, Simon i varfër.

 

E kështu Simon i varfër mbeti vetëm një ves

deri sa si peshkatar nuk pati sukses

por kur pa një anije me piratë francez

kujtoi menjëherë kuajt e mallkuar të zezë

e kështu i gjuajti me shigjetën e parë,

dhe lundroi drejt tyre me një not të paparë pastaj,

i gjeti të gjithë armiqtë e vrarë

me dymbëdhjetë mijë paund ar,

e dinte se nga larg e ndiqnin sytë e asaj vejushe

lëshoi një shigjetë me letër në majë,

dhe një monedhë si një sinjal

për tërë atë pasuri vezulluese.

 

Simoni shkruante: gjysmën e kam për ty vejush

dhe tre fëmijët e tu të vegjël,

do ta ndaj ama gjysmën tjetër,

me varfërrit e mi, që bërtisnin në korr,

ne jemi me ty gjithnjë o Simon,

i hodhe në det kuajt e zinj me forcë,

kështu brezat dhe të gjithë ata vizitorë,

të gjithë ata që do të vijnë në Scarborough

gjthnjë do të kujtojnë me respekt atë kohë,

kur Robin Hood vërtetë dështoi si Simon i varfër këtu

por u dha të varfërve ar boll.

 

SCARBOROUGH, JANAR 2004 - 2024

66 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page