top of page

Mimoza Legisi: "Nëse kam ditur të guxoj", një vepër vërtet e pasur në përmbajtje

  • 50 minutes ago
  • 3 min read

Mimoza Legisi

 

 Mik i nderuar, z. Flori Bruqi,

 

Me respektin më të madh po shkruaj edhe unë, si shumë të tjerë, disa fjalë, duke u përpjekur të shpreh pastër e sinqerisht atë që mendoj për Ju. Që nga dita kur u njoha me veprën dhe punën Tuaj të madhe, jam befasuar jo vetëm nga erudicioni, por edhe nga mirësia, fisnikëria dhe zgjuarsia Juaj, të cilat duket sikur nuk njohin kufij. Kam vënë re me sa dashuri flisni për vendin Tuaj dhe sa përkushtim tregoni për të mirën e këtij populli, pa llogaritur kurrë interesat personale. Megjithatë, është tepër e vështirë të luftosh i vetëm përballë një "ushtrie" që çdo ditë e çdo çast harton plane shkatërruese. Ndërsa Ju, me një guxim të rrallë, përballeni hapur me këtë "oktapod", i cili dita-ditës zgjat tentakulat e tij dhe bëhet edhe më i rrezikshëm.

I lexoj gjithmonë me kënaqësi shkrimet Tuaja shkencore, të cilat përbëjnë një pasuri të çmuar për çdo lexues. Në secilin prej tyre kuptohet qartë përkushtimi, serioziteti dhe dëshira Juaj për të ndarë dijen, pa harruar kurrë vlerat e larta intelektuale dhe njerëzore që mbartni në shpirt. Shpesh i bëj vetes një pyetje: përse vallë sulmohen njerëz me vlera të tilla për kombin? Përse nuk mbrohen e nuk vendosen aty ku e meritojnë? Sepse, nëse nuk do të kishte personalitete si Ju, që me forcën e mendimit dhe të shpirtit përballojnë këta "uraganë fatkeq", të cilët synojnë të shkatërrojnë gjithçka të mirë, atëherë ky vend do të mbulohej nga shkretëtira e injorancës dhe frytet e dijes nuk do të kishin më as shije e as vlerë.

Sinqerisht po Ju them se nuk mund ta imagjinoj një ditë pa lexuar një shkrim Tuajin. Do të ndihesha e paplotësuar, sepse shkrimet Tuaja jo vetëm informojnë, por edhe frymëzojnë, të bëjnë të reflektosh dhe të besosh se fjala e mençur ka ende forcë.

Së fundmi kam lexuar librin Tuaj "Nëse kam ditur të guxoj", një vepër vërtet e pasur në përmbajtje, ku çdo faqe zgjon kureshtje dhe të fton të ecësh më tej. Në të gjenden mendime të vyera, të sjella mjeshtërisht nga personalitete të shquara të artit, kulturës dhe mendimit.

E lexova me shumë dëshirë dhe ndjeva se çdo shkrim zgjeron horizontin intelektual të lexuesit, duke dëshmuar përkushtimin dhe profesionalizmin e autorëve. Ndërsa nga poezitë Tuaja të përmbledhura, zgjodha me emocion poezinë "Mbi Ngjarje":

 

Dhe dinim

Pa nëna dëshmorësh,

Pa gra,

Pa nuse të veja,

S'do të ketë kurrë

Paqe dhe liri.

 

Këto vargje më prekën thellë. Ato dëshmojnë se, sado e madhe të ketë qenë dëshira për liri dhe sado e shtrenjtë të jetë fituar ajo, plagët dhe dhimbjet mbeten të hapura në kujtesën e një kombi.

Po kështu, në përmbledhjet e tjera poetike, për mua poezia "Esenin" është një magji e vërtetë e vargut. Ajo i jep poezisë jetë, ndjenjë dhe emocion. Vargjet rrjedhin natyrshëm, pastër dhe depërtojnë në shpirtin e lexuesit.

 

I nderuar z. Flori Bruqi,

 

Po e mbyll këtë shkrim modest me bindjen e plotë se Ju meritoni shumë më tepër vlerësim dhe shumë më tepër vëmendje nga institucionet dhe nga të gjithë ata që e duan dijen, kulturën dhe të vërtetën.

Ju uroj shëndet, forcë dhe durim për të përballuar hipokrizinë, padrejtësitë dhe sfidat e kohës sonë. Uroj që pena Juaj të vazhdojë të mbetet po aq e guximshme, po aq e ndershme dhe po aq frymëzuese për brezat që do të vijnë.

 

Me respekt të veçantë,

 

Mimoza Legisi

Shkrimtare nga Durrësi

 

Dubai, 12 korrik 2026

1 Comment


F. Terziu
32 minutes ago

Në të njëjtën kohë, ky shkrim nxjerr në pah figurën e Flori Bruqit si një personalitet që ka ndërtuar një profil të veçantë në fushën e dijes, publicistikës dhe krijimtarisë letrare. Një autor nuk matet vetëm me numrin e librave që boton, por me aftësinë për të zgjuar mendimin, për të nxitur debat dhe për të lënë gjurmë në ndërgjegjen e lexuesit. Pikërisht këtë përpiqet të dëshmojë Mimoza Legisi përmes një leximi të vëmendshëm të veprës "Nëse kam ditur të guxoj".

Kur një shkrimtare ndalet me respekt përpara veprës së një autori tjetër dhe arrin ta përkthejë emocionin e leximit në një tekst kaq njerëzor, krijohet një dialog i bukur kulturor. Është një takim mes dy penave që besojnë se…

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page