top of page

Mihal Gjergji: URREJTJA…



…KJO SËMUNDJE E PASHËRUESHME

 

Janë tronditëse të vërtetat tona, por duhet ti themi. Po flasim për Shqipërinë, një vend anormal, mbajtur në errësirë nga Perandoria osmane për një periudhë tepër të gjatë dhe i shndrruar në një çmendinë kolektive nga diktatura komuniste për dekada me radhë. E në këto rrethana s’mund të pyesni për shqiptarët se si ndjehen apo si janë. Të frikësuar, të uritur dhe të zhveshur, të penguar në mënyrë sistematike për t’u rritur e lartësuar, të ndarë në klasa pro dhe kunder pushtetit politik si dikur, të ngarkuar me urrejtje që derdhet si llavë vullkanike, janë gati të shqyejnë njeri-tjetrin, ashtu siç dëshironte dhe dëshiron hasmi ynë në veriun apo jugun tonë gjeografik. Në vend të fjalëve le tu referohemi fakteve. Nga arkivat e Ministrisë së brendshme mësojmë se më 31.03.1953, Ymbri Isufi nga Vërleni, Devoll, i shkruan Sam Xhaferrit në SHBA: “Unë kam mbetur keq se nuk di si të ta them. As me bukë e as me plaçka. Të lutem të dërgosh disa të holla. Ta dish sikur edhe hua t’i marrësh e të m’i dërgosh. Isufin e kam në burg. Prandaj kështu janë hallet tona”. Ndërsa Frosina Kore nga Gjirokastra, më 4 prill 1953 i shkruan Vasil Kores në SHBA: “Këtu kemi shtrenjtësi të madhe, 1 kg misër kushton 100 lekë. Jemi të zhveshur dhe të zbathur, pa pikë vaji. Si rrojmë, unë nuk di më keq vuajtje”. Ju e kuptoni, kërkojnë vetëm bukë thatë për të mbushur barkun. Edhe unë i kam përjetuar ato drama, aq sa private dhe kolektive, sigurisht jo në këtë shkallë. E mbas kaq vitesh, askush s’më kërkoi falje për mënyrën se si më trajtuan, më gjykuan pas krahëve, më përndoqën gjersa përgatitën dhe prangat, por s’mundën të më lidhnin, sepse s’u premtoi koha. Megjithse kisha paguar taksën më të lartë të gjakut krahasuar me të tjerët, gjithmonë më fajësonin për mënyrën e sjelljes, për qëndrimin aspak të ngjajshëm me të tyre. Nuk mundem ta harroj pikëllimin e babait tim me vështrimin te fotografitë e vëllezërve të tij, njëri 17 dhe tjetri 20 vjeçar, të cilët derdhën gjakun e tyre për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë. Unë s’mbeta pengu i të shkuarës, por kujtimet e hidhura s’kam mundur ti fshijë nga kujtesa, sepse plagët dhembin. Çuditem pse nuk e shpallin Shqipërinë si muzeum natyror të komunizmit. Të gjitha janë aty; varret masive, eshtrat pa emëra, mjetet e torturave, rrënojat e kampeve famëkeqe të interrnimit, burgjet e mbushura me psherëtima, e mbi të gjitha aty janë neokomunistët dhe fryma e tyre, sepse komunizmi është frymë, një kolerë që vazhdon të na vrasë pa mëshirë. Thuhet se mallkimi e ndjek një njeri deri në shtatë breza, doemos dhe një popull. E po të pranojmë se tre breza plotësojnë një shekull, atëherë duhet të presin edhe një shekull tjetër që shqiptarët të vendosin paqen me njeri-tjetrin. Prandaj Shqipëria mund të quhet ndryshe edhe Mbretëria e lotëve. Familjet e mëdha që shpëtuan nga jataganët e sulltanëve osmanë, u shembën nga diktatura bolshevike. Kush mbeti gjallë nga pinjollët e tyre, u rekrutua nga shërbimet e sigurimit, ndërsa ata që kundërshtuan (një numur i vogël guximtarësh) përfunduan në qelitë e errëta të torturave. Para do kohësh, drejt meje u ndërsye me ulërima një lehës i ushqyer gjithë jetën në gavetën e kuqe. U befasova, por vetëm disa çaste, sepse kujtova që në rininë e tij fshinte pluhurat mbi portretin e komandantit në ballinën e sallës së madhe që reklamonte propagandën e partisë. Më erdhi keq për fisin e tij dikur me emër, por tashmë të rrënuar kulm e themele. Me dëshirë kanë pranuar ti mbulojë krisja, paçka se mbahen pas degëve të thara dhe kërkojnë dinjitetin e munguar të shitur prej tyre në kushte mbijetese. Raste të tilla janë të pafundme, por mua më shqetëson fenomeni, jo individi. “Komunizmi” shqiptar s’mishëroi asgjë thelbësore nga doktrina e Marksit. U krijua një model hibrid, një bandë vrasësish me ideologji shfarosëse; rrënimi i fisnikërisë, burgosja e filozofëve, pushkatimi i poetëve, shtypja me përdhunë e fjalës së lirë dhe guximit qytetar, përdhosja e gjakut të martirëve. E që të bindeni, po ju sjell dhe dy raste të dhimbshme. Poeti Koçi Petriti kishte patur babain drejtues të Ballit Kombëtar në vendlindjen e tij. Rregjimi e burgosi, familja u persekutua. Mirëpo njëri nga djemtë e “ballistit” të burgosur, Nevruzi, doli partizan dhe ra dëshmor për çlirimin e vendit. Biografitë vazhdonin të shkruheshin për të mbritur në kupolën e shtetit. Eshtrat e dëshmorit s’gjetën prehje: Mbasi e zhvarrosën dy herë, të tretën herë e morën familjarët dhe e futën në të njëjtin varr me nënën, në gjirin e saj: “Tre varre ndrroi fatziu Nevruz/ Gjer tek i treti u tret/ Si hënë e mbytur pus më pus/ Ka nënën varr të vet!”. Po kështu, poetin dhe përkthyesin e shquar Jorgo Bllaci e burgosën 10 vjet për bindje politike. E ndërkohë, vëllai i tij ishte shpallur qyshkur “Dëshmor” i atdheut, sepse kishte dalë në rreshtat partizane në moshë fare të njomë. Ja çfarë shkruan vëllai poet për vëllain dëshmor: “Dhe, meqë te kjo tokë, që e pandehëm mëmë/ Që ti i fale gjakun, dhe unë shpirtin tim/ Të afërmit e varfër, s’arritën të na lënë/ Asnjë pëllëmbë truall trashëgim/ Do të të gjej një kënd mes këngëve të mia/ Të prehesh në qetsi/ Larg britmave t’atyre, q’u ka hyrë babëzia/ Ta lënë këtë vend pa histori”.

“Përça dhe sundo”- kjo ishte motoja që vinte në lëvizje mekanizmin e quajtur “lufta e klasave”, d.m.th ata që s’janë me ne, ata që mendojnë ndryshe, konsiderohen kundërshtarë dhe ndëshkohen. Në një fshat në lartësitë e Kurveleshit, mes banorëve shquhej dhe një burrë që fliste rrallë, me kulturë juridike, mërguar në moshë të re nga vendlindja në Austri, pastaj në Amerikë. U kthye në Shqipëri në periudhën kur vendi kishte aq shumë halle dhe vendosi të jepte ndihmesën e tij, të afronte detyrimin atdhetar. U punësua në administratën e Mbretërisë shqiptare në vitet e fundit të saj. Megjithse kundërshtar me disa nga politikat e asaj kohe, Mbreti s’e burgosi. Në vitet e luftës së dytë botërore, njëri nga vëllezërit e tij u vra nga pushtuesit italianë. Koçot dhe Kiçot që drejtonin Komitetin Ekzekutiv në Tepelenë, s’nguronin t’ia hiqnin titullin e dëshmorit dhe ta shpallnin viktimë të luftës, pastaj e quanin përsëri dëshmor. Emëri i tij u kujtonte luftëtarin e Qerbelasë që mbriti në malin e Tomorrit. E sikur të mos mjaftonte kjo, mërgimtari i kthyer nga Amerika e largët, njërin nga djemtë e tij e dërgoi në rreshtat partizane, më vonë ai u bë oficer, por çuditërisht lufta e klasave përsëri vazhdonte. Në këto rrethana u detyrua të largohej vetmitar nga fshati për të shpëtuar fëmijët dhe familjen, u vendos në periferi të Gjirokastrës.  Qëndresa jonë është e krahasueshme me atë hebraike. Pas gjithë kësaj shtypjeje të pazakontë, shqiptarët mbijetuan. Ky popull i përndjekur dhe i pagjumë e gjenë mënyrën për të shpallur vitalitetin e rracës, trashëguar shekull pas shekulli.   Ja pra, këta janë shqiptarët, për të cilët thuhet se janë popull pro-perëndimor. A duhet ta besojmë këtë? Edhe sikur Perëndimi të bëjë be e rrufe për “vëllain” dhe “aleatin” e tij të vogël dhe të largët, betejat tona janë të gjitha të humbura, për aq kohë sa urrejtja, kjo sëmundje e pashërueshme, do na torturojë shpirtin dhe do mbetemi në udhëkryq, sikundër jemi. Xhorxh Uashington, babai i kombit amerikan, shkroi para vdekjes testamentin-amanet për mbrojtjen e shqiptarëve. Presidenti tjetër amerikan Uillson, u bë ëngjëlli ynë mbrojtës, në Konferencën e Paqes (1919) atëherë kur Serbia, Italia, Greqia dhe Franca ishin përgatitur të coptonin vendin tonë. Presidenti Nikson ndikoi fuqishëm për autonominë e Kosovës (1974), Presidenti Klinton urdhëroi intervenimin e trupave të Natos në konfliktin e përgjakshëm serbo-kosovar, çliroi Kosovën dhe festoi bashkë me shqiptarët. Vite më vonë, Presidenti Bush viziton Shqipërinë dhe pritet vëllazërisht në Tiranë e Fushë-Krujë. Mesazhi i tij publik, ishte i prerë dhe i qartë: “Kosova e pavarur”. Pas një viti kështu do të ndodhte. Ja pra, kjo është Amerika. Prandaj, marrëdhëniet me të, përpos interesave reciproke, kushtëzohen nga korektesa jonë, luajaliteti dhe ndershmëria. Këtë vend, mik dhe partner të rëndësishëm, duhet t’a shohim me sytë tanë, jo me syzet e Moskës apo Pekinit, të fqinjit verior apo jugor. Sot jemi në kushtet ku kërkohet demokraci shoqërore dhe demokraci politike, kërkohet barazia politike si substancë e “sovranitetit të popullit”. Po ne kemi një model të cilit duhet t’i referohemi, demokracinë amerikane, të cilën do më pëlqente t’a quaja Perandoria e Lirisë. Barazia para ligjit dhe liria janë dy shtyllat ku mbështetet demokracia amerikane. Një gjyqtar amerikan pezullon një vendim të Presidentit, dhe ky i fundit hesht, sepse flet ligji. Zoti dhe ligji janë të shenjtë. Pastaj liria; e mendimit, e besimit, e fjalës…Politikës shqiptare i duken si pranga këto kolona drite; barazia dhe liria. Realisht, kur shkelet ligji, ai duhet të kundërveprojë, ndoshta në formën e prangave. Demokracia amerikane është një pasqyrë e madhe, përballë së cilës, politika shqiptare shikon veten e saj dhe duket e shëmtuar. Vendit tonë i duhet liria demokratike, jo tirania demokratike. Amerika eksporton vlera, të paktën kështu duhet të besojmë, sepse janë dëshmitë historike ato që na tregojnë se Shqipërinë e kanë shitur vetë shqiptarët. Ne kemi shtet ligjor, atje funksionon shteti i së drejtës. Ja, pikërisht këtë duan edhe shqiptarët, një vend ku të zbatohet ligji, njëlloj për të gjithë. Një burrë shteti, edhe kur s’mundet të bëjë dicka për vendin e tij, mund t’i bëjë një dhuratë tjetër të çmuar; të derdhë disa pika loti për dhimbjen e popullit të cilit i përket. Ende s’kam njohur burra të tillë, as në kushtet e rrënimit ekonomik me skemat e firmave piramidale, as në tragjedinë e Otrantos, as në kasaphanën e Gërdecit. Një politikë e keqe (neokomuniste) i humbet vendit shumë prestigj, jetë të pajetuara, mjete financiare dhe shumë kohë, vite që s’mund të kthehen më.

44 views1 comment

1 comentario


Invitado
26 jul

“ Ne që sollem komunizmin ne Shqiperi , hidhnani nje shishe benxine ne koke dhe na vini shkrepsen , mu tek Skenderbeu “

Liri Belishova , 1993 . Ishantare e Byrose Politike , Sekretare e KQ te PPSh .

Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page