top of page

Mihal Gjergji: KRYQI I KRISHTIT



 

Nëntëmbëdhjetë vjeçe ishte Maria. Lindur e rritur në një nga fshatrat e besimit katolik në afërsi të qytetit të Pukës. Kishte mbaruar shkollën e mesme dhe priste të shkonte në udhën e fatit. Trupin e bukur e vishte me petka varfërie. Sytë i kishte të zgjuar. E kishin rregjistruar në listën e aksionistëve dhe punonte në hekurudhë prej tre muajsh. Ishin ditët e fundit të punës. Në mbrëmjet argëtuese u njoh me një djalë nga Jugu. Takoheshin çdo mbasdite dhe thurnin ëndrrat e jetës. I premtuan njëri-tjetrit dashurinë. Dy ditë para përfundimit të punimeve vendosën të iknin. Dolën herët në mëngjes për të arritur autobuzin që shkonte nga Veriu në drejtim të Tiranës. Ditën tjetër mbritën në Konispol, në shtëpinë ku do bëhej nuse. Prindërit e saj u shqetësuan dhe bashkë me komisarin e aksionit mbritën në shtëpinë e djalit. Madje, babai i vajzës guxoi të kërkonte gjykim sipas Kanunit. U njoftua sekretari i partisë, operativi i zonës, kryetari i këshillit dhe prindërit e Agronit. U mblodhën në një nga zyrat e shtetit dhe shoshitnin biografitë e familjeve. Maria ishte në ankth. Kupa e qiellit ju përmbys mbi krye. Ecte pas bashkëshortit të saj në shtegun e ngushtë të dhimbjes. Atë që kishte fituar s’duhet t’a humbiste. Pas katër orësh, ata që merrnin vendime u futën në oborrin e shtëpisë. Në krye ishte babai i saj. Maria i doli para, u ul në gjunjë, futi dorën në gjirin e saj të trazuar dhe nxorri një thikë. –“Merre, i tha, dhe më vrit!...” Krishti i varur tundej në qafën e saj. Tiranë, Maj 2020.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page