Shpresa Fundo Gjergji: “Tak tak trokiti dera”
- 8 minutes ago
- 3 min read

“Tak tak trokiti dera” – libri që rikthen trokitjen, traditën dhe sjell magjinë e komunikimit digjital
Nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji
"Tak-tak trokiti dera" - një libër multimedial me autore Dr. Shpresa Fundo Gjergji;
Botuar nga Erik Botime me ISBN 9789928380555
Nën redaktimin e Prof. Dr. Shpresa Delija, një emër i njohur në fushën akademike, përveç formatit të tij fizik, libri vjen edhe si pjesë radiofonike e emisionit të fëmijëve në Bruko Broadcast Radio BBR dhe në version digjital në YouTube, në programin për fëmijë “Gjyshe Shpresa tregon”.
Libri ka qenë gjithashtu pjesë e Panairit të Librit në Tiranë 2025, një nga eventet më të rëndësishme kulturore në vend, ku u prezantua për publikun si një shembull i ndërthurjes mes librit tradicional dhe dimensionit multimedial.

Në një kohë kur komunikimi njerëzor po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga ekranet dhe mesazhet virtuale, libri për fëmijë “Tak tak trokiti dera” sjell një kujtesë të bukur të traditës shqiptare: trokitjen në derë dhe mikpritjen. Dikur, trokitja e një miku ishte pjesë e jetës së përditshme shqiptare. Dera hapej me buzëqeshje, shtëpia mbushej me zëra dhe fëmijët rriteshin duke parë respektin dhe dashurinë për mikun. Sot, kjo traditë po humbet gradualisht, po humbasim trokitjen e miqëve e komunikimi po bëhet më i ftohtë dhe më virtual. Pikërisht për këtë arsye, edukimi i fëmijëve me vlerat e mikpritjes dhe komunikimit njerëzor mbetet një mision i rëndësishëm.
Libri “Tak tak trokiti dera” vjen si një urë lidhëse mes traditës dhe botës moderne. Përmes një historie të ngrohtë të personazheve plot humor dhe situatave gazmore, ai rikthen emocionin e trokitjes në derë dhe rëndësinë e komunikimit njerëzor që nis që në fëmijëri. Ky libër kontribuon në domosdoshmërinë e vendosjes së teknologjisë prioritet në edukim, duke sjellë një mënyrë krejt të re komunikimi me lexuesin e vogël.
Kombinimi i librit me median audio dhe platformën digjitale e kthen “Tak-tak trokiti dera” në një eksperiencë edukative shumëdimensionale, ku leximi, dëgjimi, muzika dhe përjetimi artistik ndërthuren në një format të ri bashkëkohor, i cili në ditët e sotme përbën risi.
Gjithashtu, një nga elementët më të veçantë të këtij libri janë ilustrimet profesionale të realizuara nga ing. Ana Taushani. Çdo faqe është e mbushur me ngjyra të gjalla, figura të dashura për fëmijët dhe skena dinamike që e bëjnë leximin një përjetim argëtues dhe edukativ njëkohësisht. Ilustrimet jo vetëm shoqërojnë tregimin, por krijojnë një botë të gjallë ku imagjinata e fëmijëve udhëton natyrshëm.
Por ajo që e bën këtë botim krejtësisht unik është ndërthurja e librit fizik me teknologjinë moderne. “Tak tak trokiti dera” konsiderohet sot, libri i vetëm multimedial i këtij lloi për fëmijë në Shqipëri, duke sjellë një dimension të ri në mënyrën sesi fëmijët komunikojnë me librin, ku teknologjia vendoset prijoritet në edukim.
Nëpërmjet kodit digjital të integruar në faqen e fundit të librit (pa pagesë), fëmijët lidhen menjëherë me përmbajtjen audio dhe vizive të tregimit. Ata mund të dëgjojnë atë edhe si një rrëfenjë radiofonike nga BBR-së, si edhe në YouTube nga “Gjyshe Shpresa tregon”. Kjo e kthen leximin në një eksperiencë shumëdimensionale, ku libri nuk lexohet vetëm me sy, por dëgjohet, ndihet dhe përjetohet emocionalisht.
Një tjetër element i rëndësishëm është kënga e personazheve, e realizuar posaçërisht nga produksioni i BBR-së, (Bruko Broadcast Radio). Pra libri për fëmijë "Tak -tak trokiti dera" flet dhe këndon. Muzika, tregimi dhe ilustrimet krijojnë së bashku një univers artistik që i afron fëmijët me librin në mënyrë më tërheqëse dhe bashkëkohore.
Kjo dëshmon se tradita dhe teknologjia mund të ecin së bashku. Libri fizik mbetet i pazëvendësueshëm në edukimin dhe formimin emocional të fëmijëve, ndërsa pjesa digjitale e pasuron përvojën e tyre dhe e sjell tregimin më pranë botës moderne ku ata jetojnë.
“Tak tak trokiti dera” nuk është vetëm një libër për fëmijë. Është një trokitje simbolike për të rikthyer komunikimin, mikpritjen dhe ngrohtësinë njerëzore në jetën e përditëshme, duke përdorur njëkohësisht edhe magjinë e fjalës, edhe atë të teknologjisë digjitale.
Nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji








Comments