Migel Flor: KRIPË DHE LOT...
- 1 day ago
- 3 min read

“Kripë e lot” nga Kastriot Fetahu një poezi, që lind si areuolë karshi të bukurës, e cila feks, por s’arrin ta prekësh. “Arena” është sipërfaqja detare ku “erërat” mezi presin, për t’i bërë shkumë; dhe një vajzë-valë si nimfë bregut. Tutje thellësive, përlesheje midis bukurive të gjalla e shpirt’plagosurve...
Titulli është vetë “POLENI” i kësaj poezie...
Kripa është “joshje”, sensualiteti i detit, por edhe “melhemi” që djeg e shëron plagët. Ndërsa lotët e tij janë dhimbje e brendshme, duke u bërë “kristal”, ku lëndimi shpirtëror mbetet “shenjë”, që s’e lan dot as lumi.
“Aroma...
e kripës në kofshët e saj
nuk është më e njelmët
se dëshira ime... e vrarë.”
Kjo strofë “lemzon” dhe është një nga pikat më “fine” të poezisë. Dëshirimi s’është thjesht një flirt erotik; ai është një “duf” që ka ekzistuar, por tashmë mbart dyluftimin brenda vetvetes...
Në leximin e parë vizual-ndjesor, një vajzë shndërrohet në bukuri të paimagjinueshme.
Ajo është:
“krenare si kështjella,
e bukur, guackë argjendi,
e shpejtë si pulëbardhë”... edhe indiferente.
Ky indiferentizëm është çuditbërës, sepse dilema s’ndodh mes dy njerëzve që duan njëri-tjetrin, por ajo “vlon” brenda njërit prej tyre...
Ai sheh,
ajo s’di se po shihet.
Ai përjeton histori,
ajo thjesht del nga deti...
Lind vetmia dhe “vendroja e plazhit të rrënuar”.
Këtu ndoshta është thellësia e detit të poezisë:
Vëzhguesi, kureshtari parafytyron vetveten si një ndërtesë që dikur vigjëlonte në vendroje për të kapur largësitë (pra, shikim poeti?), i cili sheh, buzëqesh, por nuk mund të ndërhyjë...
Ndërsa “e rrënuar” tregon një shpirt që ka humbur funksionin e tij emocional. Ai aty është, ende sheh e dëshiron, por s’është më në gjendje të hyjë “galerisë”.
Një metaforë më se e bukur e njeriut që ka mbetur brigjeve, ndërsa dashuria ikur valëve...
Ku deti është “oqeani” shpirtëror i ndjesive, i cili në këtë poezi nuk është thjesht peizazh, por një hapësirë e pafund dëshirimi dhe shprese...
Vajza del si nimfë nga deti, e lagur, por nga brenda e tharë, sepse shpirti saj është bërë kripë deti... e “arratisur në brigjet e Mesdheut blu.”
Këtu dashuria kthehet në qenie më vete. Nuk është më vajza ajo që largohet, por është silueta e dashurisë që arratiset ças zërit të “sirenave”.
Kjo shkëndijon kontrastin e poezisë, nga një “ndezje erotike” në një mërmërimë-humbje...
Dhe e bukura ndjek të bukurën:
“Spërkatjet nga stërkalat
kur del nga deti, më turbulluan shikimin...”
Në planin fizik, uji i turbulloi sytë; në aspektin shpirtëror, emocioni ia turbulloi shikimin...
“Ai” nuk arrin dot të dallojë buzëqeshjen e saj. Pra, dëshira është aq e fortë sa i vishet syri dhe fillon të humbasë qartësia (ndodh edhe kështu), në “turbullenca” të forta!?...
Dhe më poshtë të “verbon” shkëlqimi i vargut:
“rrezet e diellit i pushonin në sytë e gjelbër.”
Këtu vajza shndërrohet në figurë mitologjike.
Dielli nuk ndriçon vetëm sytë e saj, por pushon qerpikët te ky “oaz” magjik. Ajo duket si një “zanë” e natyrës: det, diell, guackë, kripë; ndërsa poeti i përgjëruar është “rojtari” i kujtesës, dëshirës, trishtimit, rrënojës, por njëherësh dhe i ringjitjes... sepse ai këndon e buzëqesh...!
Pra, përballë dy botë në lëvizje “misteri”:
Ajo, dritë-hije, trup’njomë, shpirt’djegur;
Ai, “albatros”, kujtesë, humbje e ringritje...
Dhe vajza tashmë bëhet ekran-projektimi, ku poeti nxjerr në dritë vizionin, ratifikon vargjet, “lëmon” rimën, ritmin, e buzëqesh imazhit... ku jetësohen ëndrrat, kujtimet, mitet e legjendat dhe “Ajo” kthehet në “ikonë”, që malakset me ujë deti në gjithë stinët...
Ai, i magjepsur pas atij syri (ku zihet me diellin), e çon në “ekstazë” erotizmi kur tret shikimin mbi kofshë të “bronzuara”, ledhatuar nga valët e kripura...
Poezia nuk mbetet thjesht një “etje” erotike, por vetë sensualiteti bëhet portë e një mungese shpirtërore, që lëshon lot “deti”.
Në fakt, sa më shumë afrohet ekrani syrit të poetit mbi staturën e “shtojzovalles”, aq më shumë largohet shpirti i poetit, lëndohet dhe i largohet asaj.
Ky është mallkimi më i bukur!
...Kur vjen një fund, mbi dëshpërime mbijnë të tjera sytha, të tjera lëndime, të tjera shpresa.....
KRIPË DHE LOT'.....
Në bikinin e vajzës me flokë të shkurtra,
jo vetëm ngjyrat e zebrës,
por shpresa dhe ëndrra,
psherëtima dhe trishtimi, përralla dhe legjenda,
shkruar në gjurmët e këmbëve të saj
në rërën e lagësht.
Krenare si kështjella që ndërton në breg,
e bukur si një guackë argjendi në bruz,
e shpejtë si pulëbardhë
që sulmon prenë në sipërfaqen e ujit,
indiferente ndaj meje,
si të jem një vendroje plazhi e rrënuar në cepin e tij.
Spërkatjet nga stërkalat kur del nga deti
më turbulluan shikimin,
ndërsa buzëqeshjen nuk ia njoha,
rrezet e diellit i pushonin në sytë e gjelbër.
Aroma e kripës në kofshët e saj
nuk është më e njelmët
se dëshira ime e vrarë nga silueta e dashurisë,
arratisur në brigjet e Mesdheut blu.
K.F.
BOSTON, 08/04/2026.








Comments