top of page

Migel Flor: Analizë e poemës “Hakë-Ngrëna, Çamëri” të poetit Namik S. Jahaj

  • Jun 2
  • 4 min read

Kjo poemë revokon një epope epiko-tragjike, ku ndërthuren historia, një plagë kombëtare, miti, memoria dhe apeli atdhetar. Ajo nuk është thjesht një poemë, por një dert-vajtim i ngritur në art, ku Çamëria jonë paraqitet si tokë e shenjtë që pret ringjalljen e saj.

Vetë titulli është një zë i fuqishëm, deri në kushtrim: “Hakë-Ngrëna”, apel për padrejtësinë, për atë fat historik të një toke të shkretuar e të lënë peng në turinjtë e kuçedrave.

Një udhëtim mes reales dhe mitikes në vargje mrekullish, një udhëtim vizionar, ku poeti kalon nga bota jonë e prekshme në një tjetër dimension shpirtëror, te bota tragjike. Krismat, loti, ikjet, varret, mbytja, janë rrënqethëse…

Takimi me figurën mitike të Gjonit, simbol i prijësit të humbur, ngjitja drejt Dodonës, tempullit hyjnor, ku poeti kërkon bekimin dhe rilindjen, e bën atë të përdëlluar të thotë: “Më verbuat duke pritur”, akuzën më të fortë ndaj harresës historike…

Ndërsa lumi shfaqet disa herë si kufi, si gjak, si lot drame, poeti ynë, si bir shpirtdjegur e lotmalli, mërmërin: “Lumi im, o dhimbja ime / Pse i kuq, o perëndi?”

Ulliri, kurora e paqes, kokrrat i bëri lot e barut dhe vajin eliksir për hemorragjinë…

“Ende s’dimë përse ulliri / Nuk çel lule asnjë mot”…

Pra, padrejtësia paska ngrirë edhe natyrën. Lisi me “dymijë degë” i përul degët si në falje për kombin e copëtuar, por ende të gjallë, që vajton si era e psherëtin si deti; lumi ngrin, hëna verbohet e retë digjen. Kjo e bën tragjedinë kozmike, jo vetëm njerëzore. Edhe “gjuha bëhet gjinkallë”.

Ndërsa metafora e gdhendur: “Na bëre gjuhën zog”, është një aureolë poetike dhe kush nuk do të dëshironte ta mbante si dekoratë këtë ikonëz të bukur?

Vargjet: “Zerv-Zervë, o sua korbe”, janë mallkim poetik, ku silueta e gjakpirësit paraqitet si korb gjakatar. Kjo nuk është urrejtje primitive, por memorie morale, ku leitmotivi kthehet në një bubullimë.

“Na harruat ne të mjerët” – ky apel mëmëdhetar ka trajektore drejt gjithë mëkatarëve historikë, por më shumë drejt vetë nesh, shqiptarëve. Poetin e revolton heshtja, vonesa, plogështia kombëtare dhe e kthen këtë revoltë në një lutje pagane e njerëzore:

“Kur do vish, o Zot, në tokë,

Se na e bëre gjuhën zog?”

Një zë që ngrihet nga historia politike drejt një drejtësie hyjnore, në një kushtrim fanolist.

Gjuha e poetit, aq e magjishme, ylberon aty ku kokrra e ullirit lëshon lot hëne, aty ku “Vita” ndërron lëkurën vit për vit. Vargje të tilla mbeten në kujtesë si një refren kënge, të ngarkuara emocionalisht me ritmin e baladave veriore e jugore, me kryelartësinë e gjeniut.

Poema mbyllet — në fakt, ajo mbetet e hapur si legjendat — jo me dëshpërim, por me shpresë:

“Do na e bësh udhën diell?”

Ky është një varg i epërm, që ngjason me vijën e një vargmali që thundron dheun si zë historie:

A do të hapet rruga e kthimit?

A do të ndriçohet historia?

A do të fitojë drejtësia?

Poema kthehet në psherëtimë dhe elegji kombëtare, në një akt-akuzë ndaj harresës dhe një lutje-përgjërim për ringjallje.

Autori, Namik S. Jahaj, nuk shkruan vetëm për Çamërinë; ai është aty ku vuan nervi i kombit dhe e ngjyen pendën e tij në lëndimet e aortës së një populli hallemadh.

Poezia është një himn që nuk lexohet, por përjetohet. Ajo gjen fuqi biblike aty ku dert-vaji kthehet në këngë, ku dhimbja shndërrohet në thirrje për ringjallje, dhe mbetet një testament e amanet përjetësie.

Poezisë shqipe i vjen me kryelartësi një ikonë emërmadhe e një poeti të madh.

 

Migel Flor

HAKË-NGRËNA ÇAMËRI

 

       Namik S. Jahaj

 

Klithërima vijnë nga larg

Vetëtimat kuqin retë

Digjen zërat nëpër flakë

Vajton era nëpër fletë

 

Çahet qielli nga krismat

Plasarit  syri nga loti

Si murlan vijnë klithmat

Pikëllimi pëndë korbi

 

Fshihet reve syri hënës

Prit e prit buzë honit

Më sëmoi pulsi zemrës

Më lëndoi vaji i Gjonit

 

Nuk e di ç' fuqi më mori

Më lëshoi tej në lugje

Zemra del nga kraharori

Si një murg:-ikja tutje

 

Ajo natë m'u duk një vit

Por diçka ndjeu zemra

S' besova të ishte xhind

Fatmirësi që foli hëna

 

Ktheu nga unë në je mik

Se fisniku s'mban mëri

S' bën vaki të kesh frikë

Ç' maraz ke, o perëndi?

 

Nuk besova të ish Gjoni

Isha rritur mbas atij

Sa ish thinjur më besoni

Qe verbuar nga një sy

 

Sa mall ndjeja për t'mirin

Por ai u shty më tutje

Nuk donte t'i shihja syrin

As me hir, e as me lutje

 

Më dëfto o mik i çmuar

Ç' dert e duf këndoje sot?

Rrahu krahët dëshpëruar

Syri i verbër rrodhi lot

 

Psherëtima sjell furtunë

Si një dimër i mërzitur

Egër ktheu syn nga unë

Më verbuat duke pritur

 

Ishte gjallë enigma ime

I përulem te burimi

Kur dëgjoi zemrën time

Derdhi lot përqafimi

 

Ajo natë mu duk një mot

Syri nxirë e buza nxirë

Desh t' i flisja  s'fola dot

Edhe gjuha ishte mpirë

 

Mërmëriu si në t'qarë

Një betejë po na pret

Presin Etërit shpirt- vrarë

Tetëdhjetë e kusur vjet

 

Pret uratë e perëndive

Hakë- ngrëna Çamëri

Pret kurora e ullinjve

Përmbi trojet pa çati

 

Pret zanë e mrekullive

Vita jonë yll e dritë

Nëpër trarët e shtëpive

Heq lëkurën vit për vit

 

Na pret guri i xhevairit

Larg te Biga e Fajkoit

Flet legjenda e  EPIRIT

Niagarë lart tek kroi

 

Na pret deti na pret lumi

Na pret kë

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page