Meçan Hoxha: Arvanitët, mundësi fatlume për miqësinë Shqiptaro-Greke
- 6 days ago
- 9 min read

(Shënime nga libri “Arvanitët” me autor Irakli Koçollari)
Arvanitë, kështu quhen banorët e Greqisë me origjinë shqiptare, qëkurse atdheu i tyre mëmë quhej Arbëri, emri i Shqipërisë së sotme. Ata ende flasin gjuhën shqipe në mjedise familjare dhe i ruajnë akoma zakonet, doket e këngët e vjetra shqiptare. Arvanitët përfaqësojnë një nga komponentët më të rëndësishëm të substratit etno-kulturor shqiptar në jug të Ballkanit, duke u konsideruar në literaturën shkencore si një grup etno-gjuhësor me origjinë shqiptare i vendosur në territorin e Greqisë, që prej Mesjetës së vonë. Në disa rajone si në: Atikë, Beoti, Peloponez dhe zona të tjera të Greqisë qendrore dhe jugore, ata formuan bashkësi relativisht kompakte që qendruan deri në periudhat moderne.
Shqiptarët dhe grekët fati i deshi të ekzistojnë si vëllezër siamezë, ani pse nuk e kanë çmuar si duhet këtë fat. Kjo vëllazëri u lind dhe u kultivua në tokën greke. Si bashkëjetesë nuk dihet se kur ka nisur. Ka që e çojnë në kohën e Homerit, të tjerë dhe më parë duke i trajtuar Grekët dhe shqiptarët si të lindur nga pellazgët. Ka që e sjellin më vonë këtë lindje dhe ua dedikojnë grekëve që kolonizuan disa vendbanime të rëndësishme të bregdetit Ilir, siç ka të tjerë që grekët i quajnë të ardhur nga diku. Sido që të ketë ndodhur, ajo lindje ka ekzistuar, është rritur, zhvilluar apo vdekur në të njëjtin djep, në atë që përkund tërë trojet e Greqisë. Ajo u tejngop me shqiptarë cep më cep dhe ndërsa shtohen me të tjerë, në vend të zmadhimit shifet zvogëlimi, sepse njërit vëlla i mungoi vullneti për ta mbajtur me dashuri vëllain tjetër. Është e dhimbëshme kur mungon dashuria e vëllait!
Historinë e këtij realiteti trajton në librin “Arvanitët” Prof. Dr. Irakli Koçollari. Ai e shmang lashtësinë e kësaj lindje dhe e përcjell rrëfimin në mijëvjeçarin e fundit, me një libër prej 235 faqesh, ndarë në 7 kapituj. Nis me atmosferën dhe statusin e shqiptarëve të Mesjetës dhe më pas sjell dramën e përjetëshme të atyre, që lanë trojet dhe shkuan në troje të tjera. Në libër shpjegohet, se ato lëvizje qenë masive dhe në kohë të ndryshme.
Autori ia ka arrirë të rikonstruktojë historinë e arvanitëve, të ndriçojë boshllëqet historike mbi migrimin dhe vendosjen e tyre dhe të theksojë rolin që luajtën në historinë shqiptare dhe greke.
Libri ka karakter historik-analitik, me përdorim të admirueshëm të burimeve arkivore e referenca të përzgjedhura me kujdes, si dhe interpretime të autorit, që e ndihmojnë lexuesin të perceptojë më mirë atë që gjen të shkruar. Vepra synon më shumë ndërgjegjësimin historik dhe identitar, sesa një rrëfim thjesht kronologjik.
Tri linja kryesore ka ndjekur autori në studim. E para është: shpërngulja e arbërve drejt jugut ballkanik (kryesisht në Greqi) në Mesjetë. Këtu gjejmë të trajtuara përgjigje për pyetje kyçe: Pse u larguan? Kur ndodhi migrimi? Në cilat zona u vendosën?
Në përgjigje të këtyre pyetjeve realizohet korniza historike e identitetit arvanitas. Nga pikëpamja historike, vendosja e arvanitëve lidhet me migracionet e popullsive shqiptare drejt jugut gjatë shekujve XIII–XV, në kuadër të dinamikave demografike dhe politike të hapësirës ballkanike pas dobësimit të strukturave bizantine dhe gjatë periudhës së ekspansionit osman. Për këtë janë përdorur burime të shumta dokumentare mesjetare, gjuha dhe toponimia e pasur me elementë shqip. Këta tregues përbëjnë një bazë të rëndësishme që ndihmon për verifikimin e procesit migrator dhe të vazhdimësisë së tyre në këto territore.
E dyta është: Shtrirja dhe organizimi. Libri argumenton, se arvanitët u vendosën “pothuaj në tërë hapësirat e Greqisë”, krijuan komunitete të qëndrueshme me strukturë ekonomike, sociale dhe ushtarake, duke pasur statusin e qendrueshëm demografik dhe politik.
Emigrimet e herëpasherëshme dhe masive të shqiptarëve në Mesjetë, nuk janë pushtuese dhe as për hall. Emigrimi më i madh qe i lidhur me reformat e shtetit Bizantin për të siguruar e garantuar mbrojtjen e territoreve nga pushtues të papërballueshëm. Shqiptarët, të njohur si luftëtarë të zotë, u dërguan në Greqi të organizuar, me urdhëra perandorakë e me dokumente të ligjëshme që garantonin vendosje të qëndrueshme. Burrat e aftë, fillimisht ishin ushtarakë rrogëtarë të njohur me emrin “stratiot” dhe për familjet e tyre u dhanë toka djerrë, në të cilat u formuan katunde vetëm me arvanitë. Ky popullim ishte i mirëpritur dhe nga grekët vendas, apo pakica të tjera me banim në Greqi.
Së treti, autori na rrëfen rolin historik dhe ushtarak të këtij komuniteti të qendrueshëm e të rëndësishëm. Me fakte e dokumente argumentohet pjesëmarrja e arvanitëve në luftërat dhe zhvillimet historike, sidomos në periudhën osmane dhe në formimin e shtetit grek, veçanërisht gjatë Revolucionit Grek në vitin 1821. Kontributi i tyre në këtë proces është dokumentuar gjerësisht, me figura të shquara si: Marko Boçari, Andreas Miaoulis, Konstandino Kanaris, Theodhoro Grivas, Laskarina Bubulina, Dhimitrio Andrucos, Athanasios Skurtaniotis, Jeorjos Karaiskaqis, Kiço Xhavella e të tjerë.
Së katërti, në libër i kushtohet vemendje e veçantë identitetit dhe asimilimit. Kjo është një nga temat më të ndjeshme, pasi historikisht ka shoqëruar tensionin midis ruajtjes së identitetit shqiptar dhe asimilimit në shoqërinë greke. Në këtë aspekt autori na bën prezent ekzistencën e një komuniteti të madh (deri në miliona sipas burimeve), që përballet me humbje gjuhësore dhe kulturore. Në planin etnografik dhe antropologjik, arvanitët kanë ruajtur për një periudhë të gjatë elemente të veçanta të kulturës materiale dhe shpirtërore, përfshirë organizimin tradicional të komunitetit, normat zakonoret dhe praktikat folklorike. Megjithatë, këto elemente kanë pësuar një proces të vazhdueshëm transformimi, si rezultat i integrimit në strukturat socio-politike të shtetit modern grek.
Në thelb, i gjithë libri mbron idenë se: Arvanitët janë pjesë organike e historisë shqiptare dhe nuk mund të përjashtohen prej saj. Madje: pa historinë e tyre, historia shqiptare do të ishte “e cunguar”, tezë kjo që ka peshë të dukshme identitare dhe politike.
Autori me këtë libër ndriçon një temë jo shumë të trajtuar në historiografinë shqiptare. Kjo dhe për arsye të marrdhënieve tona të një fqinjësie, që hera-herës dhe nuk kanë qenë miqësore. Sjell një panoramë të gjerë (shek. XIII–XIX) dhe nxit debat mbi identitetin dhe historinë ballkanike. Në të gjitha konkluzionet është objektiv dhe argumentues, ndonse kuptohet që është shqiptar.
Libri ka rëndësi sepse: kontribuon në rishikimin e historisë së shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë, hap diskutime mbi marrëdhëniet e duhura shqiptaro-greke, dhe vendos arvanitët në një pozicion të qartë ndërmjet dy identiteteve.
Duke ecur nëpër faqet e librit “Arvanitët”, të krijohet imazhi sikur Greqia ka qenë e banuar më së shumti me shqiptarë, dmth arvanitas. Ka dokumente të arkivës turke, si ai që publikon autori për vitin 1461, kur në Peleponez 72.4 % e banorëve ishin shqiptarë. Por ky imazh zbehet, kur shikon realitetin e sotmë të rolit të tyre të venitur.
Studimet bashkëkohore, si ato të Lukas Tsitsipis dhe Simeon Spyros Magliveras, vënë në dukje se identiteti arvanitas ka pësuar një transformim të thellë, duke u integruar kryesisht në identitetin kombëtar grek. Në këtë kuptim, ndërsa arvanitët mund të konsiderohen si një urë historike që lidh dy tradita kulturore dhe etnike, roli i tyre në funksion të një miqësie të vetëdijshme shqiptaro-greke mbetet më tepër një konstrukt interpretues i historiografisë moderne sesa një realitet i artikuluar në mënyrë të vazhdueshme në vetëdijen kolektive të komunitetit.
Në libër duket qartë kënvështrimi i kundërt i akademikut Irakli Koçollari me trajtesën që i bën historiografia greke këtij problemi kaq madhor. Sipas Irakliut Arvanitët janë shqiptarë etnikë (arbër) të vendosur në Greqi në Mesjetë. Ata përbëjnë një degë të pandarë të kombit shqiptar. Roli i tyre në historinë greke (sidomos në pavarësi) është thelbësor dhe i nënvlerësuar. Autori në argumentet kryesore identitare përmend Gjuhën (arvanitika), dokumente historike për migrimet arbërore (shek. XIII–XV) dhe figura historike me origjinë arvanite në Greqi.
Mesa nxjerrim nga libri, qëllimi i autorit është rikthimi i arvanitëve në narrativën shqiptare dhe kundërshtimi i asimilimit kulturor dhe historik.
Historiografisa greke, me aq sa njohim, me përfaqësues kryesorë Konstantinos Paparrigopoulos (tradita klasike) dhe Antonis Liakos (qasje moderne), shkruan e mbush propagandën me teza të kundërta të pavërteta, si arvanitët janë pjesë e kombit grek, pavarësisht origjinës së tyre gjuhësore. Ata janë popullsi ortodokse e integruar, ose “grekë të vjetër” që flisnin një dialekt jo-grek. Përdorin fenë Ortodokse si faktor identitar dominues, vetëidentifikimin e arvanitëve në shek. XIX si grekë dhe rolin e tyre në krijimin e shtetit grek si pjesë e kombit grek.
Qëllimi i tyre ka qenë gjithmonë integrimi i arvanitëve në narrativën kombëtare greke me synim asimilues dhe integrues.
Ka dhe një qendrim ndërkombëtar më neutral, sipas të cilit Arvanitët janë: popullsi me origjinë shqiptare që në kohë kanë kaluar një proces të fortë helenizimi kulturor dhe politik. Këtë mendim grekët e anashkalojnë.
Nga perspektiva e studimeve të identitetit (identity studies), rasti i arvanitëve përfaqëson një model tipik të asimilimit etno-kulturor, ku identiteti etnik origjinal zbehet në favor të një identiteti kombëtar dominues. Arvanitët përjetuan një proces të thellë helenizimi, duke çuar në reduktimin e funksionit të tyre si agjentë të ndërmjetësimit social e kulturor ndërmjet shqiptarëve dhe grekëve. Ajo është reduktuar aq shumë sa vet arvanitët nuk kanë dëshirë të hulumtojnë dhe të deklarojnë prejardhjen e tyre shqiptare. Kjo ka ndodhur për shumë arsye, por rolin kryesor e kanë luajtur politikat dhe projektet helenizuese të shtetit modern Grek. Duke iu ndaluar shkollën shqipe, të folurin shqip në shkolla e në mjedise zyrtare, liturgjitë kishtare në gjuhën shqipe, përvetësimi i bëmave të figurave të shquara arvanitase dhe kufizime të tjera, dalëngadalë u zbeh krenaria arvanitase nga vet arvanitasit. Ky status ka ndikuar direkt në pamundësinë për të qenë faktor miqësie midis dy popujve. Shumë liderë të hershëm historikë me origjinë arvanitase, shpesh e formalizuan identitetin e tyre si grekë, duke u fokusuar në unitetin kombëtar dhe në kauzën e shtetit modern grek.
Në përgjithësi, identiteti arvanitas në politikë shpesh është më i dukshëm në kontribut historik sesa në deklarime moderne kombëtare, për shkak të politikave të asimilimit dhe konsolidimit kombëtar në Greqi gjatë shekullit XIX dhe XX.
Zëri i disa figurave të shquara si Pangalos, që nuk e fshehu kurrë origjinën arvanitase dhe me krenari e përmendëte në publik, kanë mbetur pa mbështetje.
Në Greqinë e sotme nuk ka figura politike apo publike shumë të shquara që deklarojnë hapur identitet arvanitas në kontekst etnik të ndarë nga ai grek, sepse një pjesë e madhe e komunitetit arvanit nuk e percepton veten si një pakicë etnike të veçantë, por kryesisht si grekë me prejardhje historike arvanitase. Kjo reflekton edhe mënyrën se si identiteti arvanitas është integruar dhe asimiluar në identitetin grek gjatë shekujve të fundit.
Megjithatë, ekzistojnë disa rryma të interesit për trashëgiminë arvanitase, përfshirë figura intelektuale, kulturore dhe veprimtari që lidhen me ruajtjen e traditave, folklorit dhe gjuhës edhe pse shumica nuk lidhen drejtpërdrejt me politikë kombëtare në kuptimin modern.
Kështu mund të flitet për Aristeidis Kollias, avokat, publicist dhe folklorist i njohur me origjinë arvanitase në Greqi, që ka dhënë ndihmesë të dukshme për studimin dhe promovimin e kulturës, gjuhës dhe historisë së Arvanitëve. Ai artikuloi me bindje publike lidhjen e tij kulturore dhe historike me origjinën. Vepron dhe ndonjë shoqatë me program dhe objektiv ringjalljen dhe zhvillimin e krenarisë arvanitase, por janë larg suksesit të dëshiruar. Edhe nga Shqipëria ka sunduar heshtja në vënien në lëvizje të këtij faktori madhor në shërbim të miqësisë. Ndonjë nismë e mençur e ndonjë figure të shquar si ismail Qemali e Mtat Frashëri, janë keqinterpretuar. Politika e izolimit dhe mbylljes së kufijve i hodhi plehë së keqes. Momentet e acarimit të herëpas-herëshme si gjatë Luftës Ballkanike, asaj Italo-Greke e incidente të tjera, kanë mbajtur të stepur shfaqjen e ndikimit të fuqishëm të faktorit arvanit në favor të miqësisë. E, megjithatë, në kuadrin e analizës historike, arvanitët mund të konsiderohen si një “urë latente” me potencial të lartë në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Kjo urë nuk manifestohet në forma institucionale apo diskursive të vetëdijshme, por ajo ekziston në nivelin e substratit kulturor, gjuhësor dhe historik. Toponimia, leksiku i ndrsjelltë dhe elementet e përbashkëta të kulturës tradicionale përbëjnë indikatorë të rëndësishëm të kësaj ndërthurjeje. Me një vullnet më të mirë të politikave dhe qeverisë Greke mund të bëhet më shumë, të paktën të arrihet standarti i Arbëreshëve të Italisë. Ata u vendosën në Itali pas pushtimit osman të Shqipërisë dhe ruajtën një identitet të dyfishtë. Mbajtën gjallë gjuhën Arbëreshe, shkollën, traditat, zakonet dhe liturgjinë në gjuhën e origjinës. Identiteti Arbëresh është aktiv dhe i ndërgjegjshëm, duke e bërë këtë komunitet një urë kulturore dhe historike drejt Shqipërisë. Edhe çamëve u duhen hapur kanatat e miqësisë, sepse ata janë shqiptarë dhe shqiptari historikisht shtëpinë e ka patu të Zotit dhe të mikut. Sjellja miqësore ndaj tyre krijon atmosferë të gëzueshme për gjithë gadishullin.
Në përfundim, mbështetur në librin “Arvanitët”, konkludojmë se ata përbëjnë një rast studimor me rëndësi të veçantë për disiplinat si historia, etnografia dhe sociolinguistika, duke ofruar një shembull të qartë të proceseve të migrimit, integrimit dhe transformimit identitar në hapësirën ballkanike. Roli i tyre si urë lidhëse duhet kuptuar në një dimension historik dhe strukturor, si pjesë e trashëgimisë së përbashkët shqiptaro-greke. Hulumtimi, publikimi dhe përdorimi i vlerave të arvanitëve janë një bekim me interes reciprok për të dy popujt. Prof. Dr. Irakli Koçollari e ka qepur librin Avranitët me fije ari të kostumeve arvanitase dhe ka mbjellë faqe më faqe miqësinë shqiptaro-greke. U kërkohet qeverive ky kujdes, se popujt e kanë ruajtur dhe forcuar me ldhje gjaku të pandarë. U tregua dhe kur arvanias të tjerë, pas 1990, zbritën nga halli në Greqi dhe atje gjetën miqësinë Homerike, që s’gjenden fjalë për ta përshkruar.
Meçan Hoxha








Urime për këtë shkrim analitik, lidhur me historinë e Arvanitasve. Një plagë që dhemb sa herë që preket.
Urime.
Kadri Tarelli
Durrës.