Mexhid MEHMETI: LETËRSI PËR NJË KOHË QË NUK NA PRET
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 5 hours ago
- 3 min read

LIBRI - AKT REZISTENCE LETRARE NDAJ BANALITETEVE TË DITËS
(Fatmir Terziu: “Argumentum Baculinum”- tregime, URA, Prishtinë, 2025)
Recension 2
I. KONTEKSTI DHE QASJA ESTETIKE
Fatmir Terziu, në librin e tij Argumentum Baculinum, sjell një vepër që nuk mund të klasifikohet thjesht si përmbledhje tregimesh. Ajo është arkitekturë poetikenarrative që i ngjan një labirinti simbolik, ku çdo tregim është një stacion reflektimi mbi shoqërinë, njeriun dhe pushtetin.
Qasja estetike është postmoderne, ndërthurëse mes alegorisë, fabulës, metaforës së zgjeruar dhe absurdit bashkëkohor. Në një botë ku fjala shpesh vlen më pak se përfytyrimi dhe ku shkopi merr formën e urdhrit të heshtur, Terziu ndërton një univers grotesk, ku çdo detaj është bartës i një domethënieje të thellë.
II. SHKOPI – MOTIV QENDROR
DHE METAFORIK
Që në titullin e librit, “Argumentum Baculinum” (lat. “argumenti i shkopit”) vendoset një qasje polemizuese ndaj mënyrës se si strukturohet shoqëria: përmes frikës, imponimit dhe autoritetit të trashëguar. Shkopi nuk është vetëm objekt i përhershëm në dorën e njeriut të pushtetshëm, por simbol i trashegimisë së deformuar të autoritetit shqiptar, që shpesh kalon si “zanat” nga babai te djali, jo përmes diturisë, por përmes mjeteve të kontrollit.
III. ANALIZA E TREGIMEVE KYÇE
1. “Qefaliëria e Qefaliut” – Satirë e pushtetit
të zbrazët

Ky tregim paraqet figurën e “Qefaliut”, një per¬sonazh grotesk që mishëron figurën e sundimtarit të rremë, të zbrazët shpirtërisht por të pushtetshëm në formë. Ai është përfaqësues i arbitraritetit autoritar, i cili kërkon nga shërbëtorët e tij diçka absurde: “diçka që ta bëjë të lumtur kur është i trishtuar, dhe të trishtuar kur është i lumtur”.
Tregimi është një alegori kafkiane, ku absurdi bëhet standard, ndërsa shërbëtorët – pjesë e sistemit që funksionon pa kuptim – ngrenë një strukturë të tërë veprimi për të plotësuar dëshirat e kota të liderit. Fundi, me vulën “EDHE KJO DO TË KALOJË”, sjell ironinë e pushtetit që beson në përjetësi por i nënshtrohet kalue¬shmë¬risë.
2. “Merakotja” – Kujtesa letrare dhe rituali
i djegies
Ky tregim është më shumë një ese poetike metafizike, ku shkrimtari – i shfaqur si një (sh)krues – i qaset realitetit si një ndërgjegje që luhatet mes zjarrit dhe priftit, mes lapsit dhe ferrës. Ai rishikon rolin e fjalës dhe shkrimit në një botë ku e vërteta është djegur dhe priftëria letrare është zhveshur nga autoriteti.
Figura e lapsit si vegël e dënimit, dhe jo e shërimit, krijon një kontrast dramatik. Këtu kemi një trishtim ontologjik për letërsinë, që është kthyer në një mjet zhurme, manipulimi ose heshtjeje të qëllimshme. E vërteta ndoshta është “nën çinar”, por ajo nuk lexohet më.
3. “Autofobi” – Dualiteti i vetes
dhe frika ekzistenciale
Një tregim me theks filozofik dhe psikoanalitik, ku Njeriu me Shkop shfaqet si dy figura të ndara: një e vërtetë, një hije. Këtu Terziu na sjell një reflektim mbi identitetin e fragmentuar, ku individi nuk e njeh më veten dhe kthehet në “virus” për shoqërinë.
Në sfondin alegorik të çinarit – simbol i qëndrueshmërisë, përvijohet një botë e ngjirur nga frika, ku askush nuk është më i lirë të dashurojë, të krijojë apo të jetojë pa kufij. “Autofobia” bëhet kështu simptomë kolektive e frikës nga vetja, që ndjek shqiptarët në çdo hap të jetës së tyre politike dhe shpirtërore.
4. “Bilbili dhe Bulkthi” – Alegori e kulturës
së margjinalizuar
Në këtë tregim fabulistik, Terziu përdor personazhe kafshërore – Bilbili, Bulkthi, Lerku, Zverdhku – për të ndërtuar një botë ku kultura, zëri artistik dhe përpjekjet për një koncert metaforik përfundojnë në moçal, të zhytur në përçmim dhe heshtje.
Është një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj shoqërisë që nuk u jep vlerë artistëve, që i përqesh ata ose i braktis në moçalin e heshtjes dhe pseudo-vlerave. Çafka që kishte ëndërruar të ndërtonte sallën e koncerteve përfundon si pjesë e një përmendoreje të harruar, duke reflektuar trishtimin kolektiv të artistit shqiptar.
IV. STILI DHE DISKURSI
Gjuha e Fatmir Terziut është e ngjeshur, aluzive dhe me rrëshqitje poetike. Ai përdor një narrativë të qëllimshme jo-lineare, duke u dhënë përparësi ritmit të mendimit, zërit të brendshëm dhe deformimit të qëllimshëm të sintaksës për të ndërtuar tensione të heshtura. Përdorimi i ironisë dhe groteskut është i thellë, por nuk është i lehtë për një lexues të zakonshëm.
Është një libër që kërkon përqendrim dhe rikthim, pasi shumë herë ideja më e madhe fshihet në një fjali të shkruar me thjeshtësi poetike.
V. PËRFUNDIMI: LETËRSI PËR NJË KOHË QË NUK NA PRET
Argumentum Baculinum është një libër që nuk shitet për argëtim, por për reflektim. Është një pasqyrë alegorike e Shqipërisë dhe Kosovës, në të cilat autoriteti mbahet me shkop, kultura rrezikon të mbetet në moçal, dhe shkrimtari endet mes ferrës dhe çinarit.
Ky libër është një akt rezistence letrare ndaj banalitetit të ditës, një thirrje për mendim dhe një përkujtim që fjala nuk duhet të jetë vegël frike, por dritë që rrëfen.
Comments