top of page

MENDIMI RINOR QË NDEZ PROF. ESHREF YMERI


Shefqet Meko

- Përshtypje dhe impulse “atomike” nga një bisedë telefonike-



Si fillim


Njeriu jeton që të përcjellë mesazhe dhe impulse pozitive tek të tjerët. Ky është një mision lehtësisht i arritshem mendoj, mjafton të mos mungojë dëshira. Në eksperiancat dhe momentet tona, që për fatin tonë të rastësishëm shtrihen në dy epoka dhe në dy shekuj e, për jo pak nga ne, edhe në dy kontinente, ata, të mirët, punëpalodhurit, shembujt që na kanë nxitur t’u ngjajmë apo t’i ndjekim disi në profilet e tyre, janë të shumtë. Secili nga ne ka krijuar një “hierarki” private për ata burra dhe intelektualë, që si dje dhe sot mbetën të tillë: njerëz dhe intelektualë, punëtorë dhe krijues të spikatur, kontribues të vlerave njerëzore në profile të qarta shqiptare.

I tillë mbetet për mua Prof. Dr. Eshref Ymeri,intelektuali, përkthyesi dhe studjuesi i shquar. Në këto pak radhë nuk mund të sjell ndonjë gjë të re rreth kontributit të tij specifik në fushën e vet, por si një shembull intelektual e njerëzor që ka shkrepëtirë qysh në rininë time të hershme, kur shkoja tek shtëpia botuese pranë “21 Dhjetorit”. Kujtime, mbresa...

Nuk mund të them se kemi qënë “miq kafesh” apo i njohjeve të thella, sepse as koha as profilet nuk na puqeshin, por janë ca karaktere njerëzish, që hedhin një fjalë tek ty, dhe ashtu thjesht, pa temenara “skalitin” diçka tek ty dhe ikin si era në jetën e tyre…


E shkuara


Kështu më ka ndodhur me Eshref Ymerin, përkthyesi me syze pak të errëta, por me një të qeshur të bardhë. Në ato vite ai ishte shefi i redaksisë së gjuhëve të huaja në shtëpinë botuese “8 Nëntori”. Unë sapo isha i fejuar. E dashura ime, Alma Balli, punonte aty. Rastësia e një dite na përballi në koridor ku unë isha me të fejuarën time dhe Eshref Ymeri, duke na parë të dyve të qeshur dhe disi të turpshëm (të fejuarit e kohë sonë ishin instiktivisht të turpshëm, sepse puthja ishte “karem” i vetëm deri në martesë) më tha: “Kjo është e fejuara jote more Shefqet..?

“Po shoku Eshref, Alma është e fejuara ime. Sapo e kemi shpallur...” i thashë dhe prita disi me ankth se çfarë do të thoshte njeriu që njihej edhe si një hokatar i kohës. Ai na hodhi një shikim të shpejtë të dyve, heshti pak e duke na vështruar vetëtimthi të dyve shpërtheu: “Ti nuk e di more Shefqet, se me çfarë vajze të shkëlqyer je fejuar.

Nuk e di ende, po më bëhet qejfi shumë që ke qëlluar tek më e mira që ka kjo shtëpi botuese...Të trashegoheni…” Ato fjalë erdhën si një shkumë vale deti në fytyrat tona rinore dhe ai na shtrëngoi fort duart. Ata që e njohin Eshref Ymerin, e dinë se ai ta shtrëngon dorën sikur do të përcjellë një “dozë sulmi” impulsesh njerëzore… (Ah sa na mëngojnë tani këto duarshtrëngimesh).


Viti 1986 dhe Plarenti


Kjo ka ndodhur në vitin 1986, atje në Tiranën tonë. Ky moment është gdhendur në memorjen time si një bekim njerëzor i Prof. Dr. Ymeri edhe pse njiheshim tangencialisht. E kujtojmë bashkë me timeshoqe këtë moment.. “Sa i saktë paska qënë shefi i redaksisë, e dashur” i them herë pas here njeriut që kam kaluar dekada të tëra. “Ai ishte shef i Robert Zhvarcit, Edmond Tupes e shumë përkthyesve me emër, por mbi të gjitha njeri i shkëlqyer” më pohon Alma.



Në udhëtimin e jetës sonë njerëzit e mirë, ata që lenë një fjalë të mirë e ikin, të rikthehen si xixëllonja, e të merr malli. Kthen kokën pas dhe kërkon të gjesh se çfarë duhet ta kisha bërë më mirë. Unë sikur ndihem fajtor që nuk kam gjetur kohën më parë për tu rikthyer tek përkthyesi ynë Esherf Ymeri. Gjithsesi, ka qënë një bekim nga zoti që jam njohur në Minneapolis me djalin e profesorit, Plarent Eshref Ymeri.

Një intelektual i ri i shkëlqyer, i urtë, i mençur, i ndritshëm në fytyrë si yll galaksie më një mënyre të respektuari që të le pa mend. Me një urtësi unikale të jashtëzakonshme e një sens mënçurie aristokrate ose thënë ndryshe “bëmë baba të të ngjaj”... Jam shokuar kur me vonesë mësova Eshref Ymeri kishe qënë në Minneapolis tek Plarenti, dhe unë kisha humbur shansin ta takoja, sepse nuk ishim njohur akoma me të birin. E ndërsa unë prisja ardhjen e radhës e radhës së prindërve të Plarentit, ai më tha se kishte vendosur të lëvizte familjarisht në Kaliforni. “Mos, i thashë i habitur, nuk do takohem dot me babain tënd që mezi po e pres”? Plarenti qeshi siç qesh rinia dhe më tha: “Eja në Kaliforni. Nuk është larg shumë”. E koha fluturoi.Siç dihet, jeta në Amerikë është një “ortek” që të mbulon me punë dhe preokupime.


Dashamirësia


Falë dashamirësisë së Dr. Fatmir Terziut unë rigjeta kontaktin me Prof. Dr.Eshref Ymeri. Vetëm dy ditë para betimit zyrtar të presidentit të zgjedhur amerikan, Xho Baiden, kemi shpenzuar gati gjysëm ore në telefon me njeriun e mirë nga Vlora, Eshref Ymeri. Më ka shokuar kthjelltësia e këtij intelektuali, gjallëria e tij, saktësia e gjykimit dhe mendimit dhe mbi të gjitha tingëllimi njerëzor në telefon. Ngrohtësia, freskia, pasioni i zjarrtë në të folur si dikur në Tiranë, sikur vallzonin në efir gjatë bisedë sonë.Natyrisht kjo duket qartë edhe në ato që lexojmë tek “Fjala e lirë”, por përfshirja në dialog, shkëmbimi mendimeve, vëmendja ndaj njëri-tjetrit, të galvanizojnë së brendshmi. Unë nuk ngurrova ta nisja bisedën duke i kërkuar falje për vonesën, por siç i thonë “më mirë vonë së kurrë”. Më gëluan shpirtin atë që dëgjoja nga intelektuali ynë. Ishte aq tingëllues dhe aq nxitës në bisedë! Ndihesha fajtor që isha aq i vonuar. Por ishte diçka akoma më thelbësore që më shtyti të hedh këto radhë: Unë fola me një burrë nga Shqipëria. Në një nga esetë e mia “Ku ta gjej një burrë”, kam shënuar me dhimbje, se shumë burra që ne i quajmë burra, mbeten nga brënda po aq çiliminj, po aq të veckël, po aq zevzekë e këmba-doras, sa ti je i sigurt se nuk do të “rriten kurrë”. Për ironi të fatit të tillë, jo rallë bëhen edhe kryeministra e presidentë, duke plagosur shpirtin intelektual dhe vetë shoqëri e kombe të tëra.


Kombe dhe fate…


Prof. Dr. Eshref Ymeri është nga ata burra që i peshon fjala dhe i ndrit karakteri. Ai, megjithë aftësitë e shquara si përkthyes dhe intelektual, nuk u bë kurrë e vegël e politikës jargavitëse të kohës që jetojmë, por duket se ka nënshkruar vetëm një “kontratë” me të vërtetën dhe Shqipërinë. Kjo të mban të mbërthyer në bisedën me këtë njeri që përmes dekadave të përvojës dhe shembullit të vet, si përkthyes,kërkues, studjues e pasionant i politikës së drejtë, të fut në mendime dhe pyet veten: Si mund të bëhem i dobishëm si Eshref Ymeri? Si mund të punoj më shumë, që edhe unë të le diçka që t’u shërbejë të tjerëve? Kjo nuk është xhelozi, por reagim entuziast ndaj pozitives, sepse siç shënova në fillim të këtij shkrimi, çdo qënie njerëzore vjen, krijon, dhe ikën.Kjo është ligjësi. Problemi shtrohet se si mund të “replikosh” vlerat e tua, duke lënë së pari shembullin tënd si një dritë prej së cilës brezat të shohin qartë, përtej dhe më larg…


Prof. Dr. Eshref Ymeri të bën të “testosh” këtë lloj ndriçimi që ai të përcjell në bisedë dhe padyshim edhe në veprat gjuhësore që ka botuar. Jo të gjithë të lënë këtë shije, ndaj si reflektim unë nuk mund të rrija pa shkruar këto radhë. Dhe nuk kursehem tia them në sy dhe ballë përballë: Fat që të kemi Prof. Ymeri. Paç shëndet dhe jetë, dhe ashtu, përditë dhe pandërprerje, nga trekëndëshi i dikurshëm: “mësim, punë, kalitje” vijo me këtë të fundit se “Mendja e shendoshë, në trup të shëndoshë”.


Impulse dhe nxitje


Një bisedë telefonike me plot impulse dhe nxitje. Në trurin tënd llamburisin ato që sapo ke dëgjuar nga Eshrefi i mirë, Eshrefi i mençur, Eshrefi i dashur e mbi të gjitha Njeriu-Njeri. I hutuar, i turbulluar nga barbaria e idjotësisë njerëzore, i tornditur nga verbëria e turmave që ngazëllehen kur shohin tym, flakë,shkatërrim, gjak e vdekje dhe mendon si Eshrefi njeri: Si do ishte bota po të popullohej nga bilionë Eshrefë e Plarentë?... Një parajsë e vërtetë që nuk do kishte nevojë të predikohej “parajsa e përtejme”. Me biliona Eshrefë e Plarentë, bota do ishte ndryshe, bota do ishte përrallore… Por shkundem nga kjo ëndërr utopike dhe zgjohem e me një zë në kupë të qiellit si Migjeni i madh, dua bërtas në mes të Amerikës: O Zot, kur krijove të mrekullueshmin njeri, pse gjysmën e njërëzimit i bëre budallenj e të këqinj? Pse?...


Duke përfunduar


Zoti nuk më përgjigjet. Atij i duhet të merret me “gjysmën problematike” dhe befas ndihem me fat që nuk jam pjesë e asaj “gjysmës tjetër”... Më vjen në efir zëri tingullues i Eshref Ymerit: “Sa më shumë të dish, aq më thellë kupton se ende nuk di gjë…” Si një “testament së gjalli”, fjalët e një njeriu të mirë e të mençur, kthehen në energji, në frymëzim, fantazi, pasion dhe dashuri njerëzore. Dashuri njerëzore, ajo që na duhet. Ajo që na përcjell Eshref Ymeri qoftë edhe në një bisedë telefonike. Mrekullia e mundshme njerëzore.

Mirënjohje intelektuali ynë, mirënjohje dhe përgëzime për të gjitha kontributet e Tua, për të gjitha mesazhet e Tua! Mirënjohje dhe më fal që jam kaq vonë, kaq larg… Përsëri: Mirënjohje!



Shefqet Meko

Minneapolis, SHBA

E martë 19 Janar 2021

88 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page