top of page

Menda Vreto: Ne jemi ajo që mendojmë

  • 13 hours ago
  • 2 min read

Menda VRETO

 

Kam lexuar kohë më parë një frazë të shpikur nga një shkrimtar, nuk më kujtohet emri, por më ka mbetur në mendje prej shumë kohësh, që fliste për përmirësim të vazhdueshëm dhe konstant. Është një frazë shumë e bukur sepse të mbetet në mendje dhe do të thotë që diçka brenda teje të mbetet, që të bën të mendosh se në jetën tënde duhet të bësh diçka për ta përmirësuar jetën tënde.

 Eshte interesante si disa mendime nuk qëndrojnë thjesht në sipërfaqe, por fillojnë të ndikojnë mënyrën si e perceptojmë veten. Njeriu nuk mendon vetëm, por edhe ndërtohet nga ajo që mendon vazhdimisht.

Mendoj se duhet të përqendrohemi në përmirësimin e jetës sonë, në shëndet, punë, biznes, miqësi, familje dhe gjithçka. Gjithçka që lidhet me jetën tonë. Sepse kur një person ndan jetën në pjesë dhe kujdeset për to pak nga pak, krijon më shumë stabilitet të brendshëm dhe më pak kaos në mendje.

Ky “cocomi” (që për mua do të thotë costante continuo miglioramento, pra përmirësim i vazhdueshëm dhe konstant i vetes dhe jetës sonë) mund të shihet edhe si një proces psikologjik i vetë-rregullimit: një mënyrë për të mos u lënë pas nga mendimet negative, por për t’i kthyer ato në veprim të vogël dhe të përditshëm.

Sepse shumë njerëz nuk ndihen të sigurt me veten, kjo lidhet shpesh me frikën e humbjes së kontrollit: punës, familjes, shëndetit, ose identitetit. Dhe kur mendja fillon të fokusohet vetëm te humbja e mundshme, ajo krijon ankth dhe bllokim.

E vetmja mënyrë për ta balancuar këtë është veprimi i vogël i përditshëm. Çdo ditë pak përmirësim, sepse truri ka nevojë për prova të vogla që po ecën përpara, jo vetëm mendime.

Cocomi nuk do të thotë mungesë sfidash apo problemesh. Në fakt, psikologjikisht rritja ndodh pikërisht kur njeriu përballet me mospërputhjen midis asaj që është dhe asaj që do të jetë. Kur e kupton që diçka nuk është në nivelin e duhur, atëherë fillon ndryshimi.

Si pjesë e këtij procesi personal, në fund të çdo dite i bëj vetes disa pyetje: çfarë kam mësuar sot? Në çfarë kam kontribuar ose jam përmirësuar? Nga çfarë kam gëzuar?

Këto pyetje janë të thjeshta, por psikologjikisht shumë të fuqishme, sepse e zhvendosin fokusin nga frika dhe mungesa, tek rritja dhe përvoja.

Nëse çdo ditë rritet aftësia për të shijuar jetën, atëherë ndryshon edhe mënyra si truri e interpreton realitetin. Nuk shikon më vetëm çfarë mungon, por edhe çfarë ekziston.

Dhe në fund të fundit, ne jemi ajo që mendojmë. Mendimet e përsëritura nuk janë thjesht ide, por modele mendore që formojnë sjelljen dhe identitetin tonë.

Dhe ndoshta ndryshimi më i madh psikologjik nuk vjen nga një vendim i madh, por nga një mendim i vogël që përsëritet çdo ditë dhe ngadalë bëhet mënyrë jetese.

Shkrimet e fundit

bottom of page