Mehdi Hyseni: Barometri diplomatik
- 3 hours ago
- 6 min read

Prof. Dr. Mehdi HYSENI
Për drejtësi dhe demokraci, të gjithë në protesta, jo vetëm PDK-ja; duam bashkim dhe drejtësi, poshtë flamujt e përçarjes, të injorancës dhe të armiqësisë!
Në protestat e PDK-së të valojnë vetëm flamujt e UÇK-së, të SHBA-së, të OKB-së, të NATO-s dhe të BE-së, që e kanë ndërkombëtarizuar UÇK-në!
“UÇK-ja dhe e drejta ndërkombëtare”!
Ky duhet të jetë Manifesti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për lirimin e heronjve të UÇK-së nga Gjykata Speciale e Hagës, e cila qe 5 vjet i ka mbajtur në paraburgim hetues nën dyshimin se gjoja kanë kryer “ndërmarrje të përbashkët” të krimeve të luftës nga ana e UÇK-së.
Mirëpo, sipas së drejtës humanitare ndërkombëtare, komandantët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk kanë kryer kurrfarë krimesh lufte, por kanë mbrojtur popullin nga kriminelët vrastarë të regjimit pushtues çetniko-fashist të Serbisë së Slobodan Millosheviqit (1989–1999).
UÇK-ja ishte organizatë çlirimtare kombëtare, palë ndërluftuese (e pabarabartë në njerëz dhe në armatime me policinë, ushtrinë dhe forcat e tjera të sigurisë pushtuese agresore serbe). Kështu flasin argumentet dhe faktet juridike ndërkombëtare në Manifestin “UÇK-ja dhe e drejta ndërkombëtare”, publikuar në tetor të vitit 2010 nga Prof. Dr. Mehdi Hyseni dhe të vlerësuar (me Recencë dhe Parathënie) nga akademiku i ASHAK-ut, Prof. Dr. Esat Stavileci (23 gusht 2010).
Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me këmbëngulje duhet të kërkojë lirimin e komandantëve çlirimtarë dhe shpëtimtarë të Kosovës (Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit).
PDK-ja e ka fjalën kryesore të organizimit dhe të mbajtjes së protestave gjithëpopullore, si brenda në Kosovë, ashtu edhe në Evropë, në Amerikë dhe në Australi, që përmes Flamurit-Manifestit të saj “UÇK-ja dhe e drejta ndërkombëtare” ta apelojë opinionin e gjerë publik vendor dhe ndërkombëtar se krime, reprezalje, spastrim etnik dhe gjenocid kanë kryer forcat pushtuese serbe të Slobodan Millosheviqit, të nxitura, të mbështetura, të instruktuara dhe të “bekuara” nga Kisha Ortodokse Serbe, Akademia e Shkencave Serbe, universiteti, publicistika, si dhe propaganda ditore dhe periodike e masmediave gjithserbe etj.
Një letër mikut tim, Ambasadorit të nderuar z. Avni Spahiu
Në emër të Ribashkimit Kombëtar dhe të Shqipërisë Etnike!
Duke qenë se kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, nuk m’u përgjigj në dy letrat e mia (email dhe Facebook), të lutem, miku im z. Ambasador Avniu, t’ia përcillni këtë letër z. Bedri Hamza (kryetar) dhe znj. Vlora Çitaku (nënkryetare) të PDK-së, që ka të bëjë me mbrojtjen ligjore të vlerave sublime të UÇK-së (Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli), para se të shpallet verdikti i Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë, më 16 shtator 2026.
Përshëndetje, z. Ambasador Avniu,
Para së gjithash, uroj që familjarisht të gjithë të jeni shëndoshë e mirë në çdo aspekt.
Së këndejmi, kërkoj ndjesë që po të bezdis me këto letra, por më besoni se këto asgjë personale e as partiake nuk kanë të bëjnë me ndonjë interes timin, qoftë të ngushtë a të gjerë, qoftë të djeshëm e as të sotëm, por vetëm me MBROJTJEN E INTERESIT TË PËRGJITHSHËM TË KOMBIT DHE TË SHQIPËRISË ETNIKE.
Andaj, këtë Kërkesë-propozim që ia dërgova kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që ta përdorë si “Manifest” zyrtar partiak të PDK-së në protestat e ardhshme për mbrojtjen legjitime dhe legale të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, për të cilët më 16 shtator pritet të shpallet verdikti gjyqësor i Gjykatës Speciale të Hagës, është e domosdoshme që të shpaloset botërisht në protestat kombëtare, demokratike dhe paqësore për t’u treguar armiqve të brendshëm dhe të jashtëm se komandantët-pjesëtarë të UÇK-së nuk janë “kriminelë” e as kurrfarë “terroristësh”, por heronj të devotshëm, që në çastin më kritik të Kosovës (To be or not to be) kapën pushkën dhe ua drejtuan të gjithë armiqve që e kishin pushtuar Kosovën me terror, terrorizëm, spastrim etnik dhe gjenocid. Lufta e tyre e drejtë, kombëtare, çlirimtare dhe shpëtimtare e mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarëve, së fundi, pas një dekade të plotë (1989–1999), e zgjoi edhe Uashingtonin zyrtar, i cili, përmes emisarit të tij të posaçëm historik (ndjesë pastë), diplomatit Richard Holbrooke, kontaktoi me përfaqësuesit e UÇK-së në fshatin Junik (24 qershor 1998), ku ishte i pranishëm edhe i ndjeri akademik Prof. Dr. Fehmi Agani, nënkryetar i LDK-së.
...
I shumëdashur miku im Avni Spahiu, përcaktimi im ideor, kombëtar, politik e diplomatik jetësor (1964–2026) ka qenë, është dhe do të jetë deri në amshim PAJTIMI DHE BASHKIMI KOMBËTAR DHE I SHQIPËRISË ETNIKE, pavarësisht nga interesat e ndryshme grupore, mëhallore, provincialiste, politike, partiake, ekonomike, materiale dhe ekzistenciale.
...
Pse miku yt, që më se 40 vjet ka ngelur me “shkop lypësi” dhe me “fshesë pastruesi” të rrugëve dhe të “WC”-ve të Amerikës, unë për këtë gjendje të mjerueshme dhe të trishtueshme nuk kam asnjë të drejtë që ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, ta quaj “kriminel”, ashtu siç po e quajnë qe 5 vjet masmediat e kolonës së pestë kuislinge shqipfolëse në Kosovë, sepse ai nuk është kurrfarë krimineli, as kurrfarë monarku e as despoti, që me dhunë, terror e absolutizëm ka grabitur “majat” e pushtetit shtetëror në Kosovën e lirë dhe të pavarur (17 shkurt 2008), por me vota të lira dhe demokratike është zgjedhur nga populli i Kosovës.
Jo unë, si “refugjat” i tretur dhe i harruar në dhe të huaj (7 maj 1999 – korrik 2026, në Amerikë),
Por, PDK-ja i ka borxh Hashimit të veprojë sipas instruksioneve të mia propozuese në protestat e ardhshme në mbrojtjen e vlerave të UÇK-së në Hagë. Jo autori i këtij MANIFESTI; nuk i ka asnjë borxh ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, qoftë edhe një “laps kimik” apo një “bukë” për të hedhur në sofër (2008–2020). Mirëpo, nuk kam të drejtë të hesht heroizmin dhe patriotizmin e tij në shërbim të çlirimit, të lirisë, të pavarësisë dhe të ndërkombëtarizimit të UÇK-së, përkatësisht të njohjes së Republikës së Kosovës nga SHBA-ja dhe nga më se 100 shtete të tjera të OKB-së (17 shkurt 2008–2020).
Hashimi mund të ketë bërë “gabime politike”, ashtu sikurse pati bërë para tij Ibrahim Rugova (1989–1999). Mirëpo, asnjëri e as tjetri nuk ishin kriminelë, ashtu siç po i stigmatizojnë në mënyrë të padrejtë dhe me paturpësi “derbederët” dhe “Feridët” e Fan S. Nolit, të etur dhe të egërsuar vetëm për të zhvilluar luftë për pushtet, pasuri, karrierë, para dhe për absolutizëm të pakufizuar mbi popullin dhe Republikën e tij të fituar me qindra e mijëra viktima, me gjak dhe me djegie gjenocidale nga regjimi çetniko-fashist serbomadh i Slobodan Millosheviqit (1989–1999).
Me këtë desha të them “telegrafikisht” se edhe Ibrahimi, edhe Hashimi kanë bërë gabime politike, ashtu siç kanë bërë dhe edhe sot bëjnë të gjithë kryeliderët politikë në botë. Kjo është e ditur dhe e shkruar me kohë (me argumente dhe me fakte).
Mirëpo, ata që Hashim Thaçin, i cili qe 5 vjet ndodhet në paraburgim në Gjykatën Speciale të Hagës (2020–2026), pa të drejtë po e kritikojnë dhe po e trajtojnë si “kriminel”, duke e krahasuar madje edhe me “Miladin Popoviqin” etj., ata janë vetë spiunë, tradhtarë, kriminelë dhe vrasës, sikurse Slobodan Millosheviqi dhe hordat e tij ushtarake e policore, që kanë vrarë mbi 11 mijë civilë shqiptarë; mbi 1 milion i kanë dëbuar me terror dhe gjenocid jashtë Kosovës, në shtete të ndryshme të Evropës dhe të botës (Amerikë dhe Australi).
Z. Ambasador i nderuar Avni Spahiu,
Kërkesa ime për promovimin e librit tim “UÇK-ja dhe e drejta ndërkombëtare” nga Kryesia e PDK-së ka për qëllim që ta shpëtojë PDK-në nga ajo gjendje e mjerueshme, e amullt, apolitike dhe shkatërrimtare, në mungesë të ish-kryeliderit të saj, Hashim Thaçit (2020–2026).
Pikërisht, kjo Kërkesë, e shpalosur në protestat e ardhshme të PDK-së, do ta bindte jo vetëm shumicën dërrmuese të anëtarëve dhe të simpatizuesve të saj, por edhe vetë Hashim Thaçin (ish-president dhe ish-kryeministër), se PDK-ja e ka përnjëmend dhe me sinqeritet, në mënyrë ligjore e demokratike, është e vendosur që ish-kryetarin e saj, Hashim Thaçi, së bashku me shokët e tjerë në Hagë, domethënë VLERAT SUBLIME TË UÇK-së, t’i mbrojë në përputhje me parimet e së drejtës humanitare ndërkombëtare, me parimet dhe objektivat e Kartës së Kombeve të Bashkuara, si dhe me standardet legale, demokratike dhe paqësore të BE-së, ashtu siç thuhet në librin tim “UÇK-ja dhe e DREJTA NDËRKOMBËTARE” (tetor 2010).
Jo, PDK-ja të mos “bunkerizohet”, sikurse këto 5 vitet paraprake, duke mos bërë asgjë për t’i liruar të paraburgosurit e UÇK-së nga Gjykata Speciale e Hagës (2020–2026).
Së fundi, të mos mbahen fare protesta për mbrojtjen e heronjve të Hagës, nëse PDK-ja, me Bedri Hamzën dhe me Vlora Çitakun në krye, nuk ndryshon konceptin juridiko-politik, demokratik, strategjik dhe taktik të protestave të mëparshme (2020–2026), sepse ato nuk do të kishin kurrfarë efekti pozitiv në mbrojtjen e UÇK-së në Hagë, as te populli, as në opinionin publik dhe as në vlerësimin legal e demokratik në BE, në OKB dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Boston, më 20 korrik 2026.







