MBRETI GENCI I ARDIANËVE.

Updated: Jul 13


Lutfi Alia

Mbreti Genci dhe lufta III iliro – romake.

Gjëndja e krijuar pas luftës kundër Maqedonisë dhe marrëdheniet e reja me Romën, gjetën një vlerësim të ri në Iliri, çka u shpreh me gjallërimin dhe aktivizimin e forcave antiromake. Mbreti Pleurati III, ndonëse ishte deklaruar aleat i Romës, në vitin 189 p.e.s, bëri kthesë dhe u përpoq ta shkëpuste varësinë e detyrueshme nga Roma, per të krijuar një shtet Ilir të pavarur. Roma reagoi me forcë kundër qëndrimit kundërshtues të ilirëve. Në situatën e tensionuar mes Ardianëve dhe Romës, përfituan dalmatët dhe daorsët, të cilët në vtin 180 p.e.s, u shkëputën nga pushteti i Pleuratit III dhe u lidhen me Romën. Dhe qyteti i Rizonit, ish kryeqyteti i Teutës, e braktisi priorin ilir dhe kërkoi mbrojtjen e Romës. [1, 2]

Në vitin 180 p.e.s, vdiq Pleurati III mbreti i ardianëve. Në krye të mbretërisë erdhi Gentius - Genci, i biri i Pleuratit dhe i Euridiçes. Gentius, Rex Illyricorum - mbreti i ilirëve, sundoi në vitet 180 - 168 p.e.s. Polibi dhe Tit Livi shkruajne se mbreti Genci drejtoi si mbret romak, nuk kishte organ tjetër që të kufizonte veprimet e tij, madje ishte dhe kryekomandant i forcave të armatosura tokësore e detare. [3, 4, 5]

Genci kishte dy vëllezër më të mëdhenj, Platorin dhe një vëlla nga nëna Karavancin (Caravantius), i cili nuk gëzonte të drejtën e trashëgimisë së fronit.

Kryeqyteti i mbretërisë Ilire ishte Shkodra. [1, 3, 4, 5]

Emri Genci (greqisht: Genthios – Γένθιος, në latinisht Gentius), rrjedh nga greqishtja e vjeter Γέν - Gen, që do të thotë me gjeneru (me riprodhuar), emër i huazuar nga latinishtia në formën Gens dhe Gentis rracë, fis. Latinisht emri shkruhet Gentius, por në bazë të rregullave fonetike të gjuhës latine, shqiptohet Gencius, pra në iliro-shqipe Genci.

Mbretërimi i Gencit filloi me një ngjarje tragjike, me shumë mistere dhe me komente të paqarta. Sipas Polibit, pas një grindje të ashpër gjatë një gostie në pallatin mbretëror në keshtjellen e Shkod-rës, Genci vrau të vëllain Platorin dhe dy miqtë e tij besnikë Etritin dhe Epikadin. [3, 5, 6]

Sipas Polibit, të cilit i referohet dhe Livi, Genci e vrau Platorin për dy motive: Se pari sepse donte ta kishte të sigurtë fronin, por dhe për xhelozi, sepse Platori do të martohej me Etuta (Etleva) vajza e Monunit, mbretit të Dardanëve dhe si kuptohet, kush martohej me Etlevën, ngjitej në fronin mbretëror të Dardanëve, sepse Monuni ishte i moshuar dhe nuk kishte trashgimtarë meshkuj. [3, 4, 5]

Sipas ligjeve ilire (të ruajtura ndër shqiptarët deri në gjysmën e parë të shekullit XX), me vdekjen e të vellait Platorit, për të mos u prishur krushqia ndërmjet dy familjeve mbretërore, Genci kishte të drejtë të merrte gruan e të vëllait, andaj në vjeshtën e vitit 180 p.e.s, Ai u martua me Etlevën prin-ceshën dardane, çka nuk u kundërshtua, por u miratua dhe nga mbreti Monuni i Dardanisë. [3, 5, 6, 7]

Genci e zgjeroi dhe e fuqizoi mbretërinë e tij, madje krijoi dhe konflikte me Romën.

Sipas romakeve, shkaku i këtyre konflikteve, ishin aktet e piraterisë të ilirëve në detin Adriatik. një histori e vjetër akuzash dhe kundër mbretëreshës Teuta, pjesërisht e motivuar kundër mbretit Genci. Roma reagoi ashpër.

Në vitin 180 p.e.s, pretori romak L. Duronis, gjatë patrullimeve në detin Adriatik, kapi dhe sekuestroi dhjetë anije ilire, të cilat i dërgoi në Brindizi. Këtë ngjarje, pretori Duronis e raportoi në Senatin Romak, ku theksoi se anijet ilire ishin kapur në flagrancë gjatë akteve të piraterisë ndaj anijeve të tregëtarëve romakë. Ky veprim i romakëve ishte si kundërpergjigjie ndaj Gencit, të cilin e Senati, pak muaj me parë e kishte akuzuar përgjegjës për sekuestrimin e anijeve romake dhe për burgosjen në ishullin Korcyra Negra të komandanteve dhe te marinarëve romakë. [3, 5, 8, 9]

Republika e Romës, dërgoi legatët për t’u ankuar te Genci, për inkursionet e piratëve ilirë dhe për ngjarjet në ishullin Korkyra. Genci nuk i pranoi akuzat. Reagimi i tij prepotent, nuk i pëlqeu romakëve. [3, 9]

Pas këtyre incidenteve, Roma u tregua e ashpër me Gencin. [3, 5] Marrëdhëniet e tensionura me Romën, e detyruan mbretin Genci, të krijoi aleancë me mbretin Perseu të Maqedonisë. [2, 4, 6, 8]


Monedha bronxi, me portretin e mbretit Genci, me kalorësin ilir në faqen e pasme.

Monedhë argjendi, me portretin e mbretit Genci, në faqen e pasme anija ilire dhe emëri Shkodër (SKOΔRINΩN).

Monedha argjendi, me portretin e mbretit Genci.

Administrata e mbretit Genci.

Në pesë vitet e para të mbretërimit, Genci krijoi një shtet të fuqishëm politik, ushtarak dhe ekonomiko-financiar. Pushteti i Gencit mbështetej në ekonominë e përparuar skllavopronare. Sistemi autonom financiar dhe taksat e larta, i kishin garantuar rezerva të mëdha monetare. Genci ishte mbret shumë i pasur. [3, 5, 9, 10, 11]

Në trojet e mbretërisë Ardiane, qytetet kryesore Risinum, Lissus, Scodra, Lychnidia etj, prej shumë vitesh kishin monedhat e veta, ndërsa mbreti Genci prodhimin e centralizoi në Shkodër, ku emetoheshin monedha ari, argjendi dhe bronxi, me portreti i tij, ndërsa në faqen e pasme të monedhave ishte kalorësi ilir, i njëjtë me ate te bazorilievit të Apollonisë të shekullit III p.e.s. Në seri monedhash të tjera, në faqen kryesore ishte portreti i Gencit, me kapelen e gjërë tipike, ndërsa në faqen e pasme ishte anija ilire dhe mbishkrimi Shkodër, në gjuhën greke SKOΔRINΩN. [3, 5]

Gjatë sundimit të Gencit, Shkodra, Rizoni, Lisi dhe qytete të tjera të mbretërisë fituan një gjallëri të madhe ekonomike. Rrezja e qarkullimit të monedhave të prera u shtrinë deri në skajet më të thella të mbretërisë Ilire dhe në disa raste edhe përtej kufijve të saj.

Mbreti Genci, me politikën që ndoqi në fushën e prerjeve monetare u tregua një reformator i vërtetë. Kjo i lejoi të përqëndroi në duart e tij mjete të fuqishme financiare, si dëshmon përmbajtja e thesarit të tij dhe e arkës mbretërore, që u sekuestruan nga romakët në përfundim të luftës.

Mbreti Genci e kishte centralizuar pushtetin politik. Drejtimin dhe administrimin e qyteteve dhe të trevave rurale, ua kishte besuar “dinastëve”, princa me të drejtë trashëgimie pushteti. Ne fakt, dinastët ishin njerëz besnikë të emëruar nga mbreti Genci. Në dokumentat historike romake, “dinastët” njihen si “Principae Illyriorum - Princa ilirë”. [3, 5- XLV, 9, 10, 11, 12]

Gjatë viteve të mbretërimit të Gencit, për aristokratët ilirë filloi përdorimi i titulli “Princeps - Princ” dhe njesitë lokale administrative, sidomos ato në trojet rurale u quajtën Principata. [3, 5, 9]

Megjithëse krijoi një administratë të fuqishme lokale, nga ana tjetër, për të ushtruar pushtetin dhe per t’i mbajtur nënkontroll të gjithë trevat, mbreti Genci ua kufizoi autonominë drejtuesve lokalë, duke ua dobësuar vetëveprimin dhe autoritetin si dinastëve të qyteteve ashtu dhe atyre ruralë.

Thellimi i divergjencave me Romën.

Ndërsa vazhdonte të forconte pushtetin politik, ekonomik dhe ushtarak të mbretërisë Ilire, Genci mbante qendrim refraktar ndaj Romës, e cila e shihte me shqetësim fuqizimin e tij në anën tjetër të Adriatikut dhe priste rastin të vepronte kundër tij.

Krahas akuzave si nxitës i piraterisë nga ilirët, Roma e akuzoi Gencin dhe për trajtimin gjoja të keq të aleatëve të saj, sidomos te banoreve te ishullit Issa dhe të qytetit Bassania prane Lisus. [3] Në këtë atmmosferë të tensionuar me Romën, kundër Gencit u rradhit dhe aristokracia ilire filoromake. [3, 4, 5, 11, 13]

Në vitin 171 p.e.s, me fillimin e luftës romako – maqedone, pretori Kajo Lukrecio (Cajo Lucrezio), gjatë një kontrolli naval në detin Adriatik, sekuestroi 54 anije të flotës të Gencit, me justifikimin për të forcuar asistencën e flotës romake. [3, 5, 6, 9, 13]

Ky veprim arbitrar i acaroi marrëdhëniet e Gencit me Romën.

Deri në vitin 171 p.e.s, mbreti Genci nuk kishte krijuar një pozicion preçiz kundër Romës, si duket priste rezultatet e luftës romako - maqedone. Ngjarjet e piraterisë të anijeve ardiane në detin Adriatik e detyruan Republikën Romake të dërgoi ambasadorët për t’i bërë thirrje Gencit të bashkohej me Romën, por këto traktativa nuk i dhanë rezultatet e pretenduara, madje pas dështimit të misionit, ambasadori romak Lucio Decimio (Luçio Deçimio), u akuzua nga Senati Romak si i korruptuar nga Genci. [3, 4, 5]

Aleanca iliro – maqedone kundër Romës.

Jo vetëm Genci, por dhe Perseu, mbreti i Maqedonisë kishte probleme në marredheniet me Romën. Sipas Polibit, për të perballuar konfliktin me Romën, Perseu, kërkoi mbështetjen e Gencit. [3, 6, 7] Ilirët u bënë aleatë me maqedonët. Ne bisedimet dypaleshe, mbreti Genci dërgoi legatin Hippion, i cili i prezantoi pales maqedonase kushtet e marrëveshjes për shkëmbimin e robërve, qen-drimet diplomatike dhe ushtarake ndaj Romës. Për këtë aleancë, Perseu i premtoi Gencit shpërbli-min prej 300 talente argjendi. [3, 5]

Për zbatimin e marrëveshjes Genci ngarkoi bashkpuntorin e tij të ngushtë Pantauko (Pantauco) me të birin e tij Bantauko (Bantauco) dhe me Limneo Polemokrate, të cilët do të përfundonin bisedi-met me Metrodoro, përfaqësuesin e Perseut.

Për garanci të marrëveshjes, Genci la peng pranë Perseut legatin Olimpione. [3, 5, 6]

Ditën e nënshkrimit të paktit Maqedono – Ilir pranë lumit Elpeo në Maqedoni, mori pjesë vetë Perseu, i shoqëruar nga repartet e kalorësve. Në prani të dy palëve u bë shkembimi i roberve. Perseu nisi grupin e legateve, që do t’i dorëzonin 300 talente argjendi legatëve ilirë. Si shpërblim per realizmin e marrëveshjes, mbreti Genci i dha legatit Pantauko 10 talente argjendi. [3, 5, 6]

Perseu ishte koprac dhe hileqar. Krahas marrëveshjes me Ilirët, kishte bërë dhe një tjetër me Galët, të cilët dërguan 10 000 këmbësorë dhe kalorës, që kaluan përmes ilirisë, për t’u bashkuar me ushtrinë maqedonëse. Gencit i pagoi vetem 300 talente argjendi, ndërsa për repartet gale, Perseu derdhi shuma të mëdha. Për çdo kalorës gal, pagoi 10 filipe të arta, për çdo këmbësor 5 filipe të arta dhe sejcilin nga komandantët e kavalerisë dhe të këmbësorisë, e pagoi me 1000 filipe të arta. [3, 4, 5]

Pas paktit me maqedonët, Genci, i nxitur nga Pantauko, urdhëroi arrestimin dhe burgosjen e dy legatëve romakë M. Perpenna dhe L. Petilio. Me këtë veprim të nxituar, Genci i përkeqësoi raportet me Romën. [3, 5]

Në fillim të vitit 172 p.e.s, mbreti grek Eumene, pasi i shpëtoi atentatit të urdhëruar nga Perseu, shkoi në Romë dhe në senacë me dyer të mbyllura të Senatit Romak, denoncoi komplotin e organizuar nga Perseu, si dhe i informoi për aleancen dhe rrezikun e sulmit imediat iliro-maqedon kundër romakëve. Për ankesat e banorëve të ishullit Issa dhe të mbretit Eumene, Genci dhe Perseu ishin të mirinformuar, pasi në Romë kishin spiunët e tyre. Në këto rrethana Genci dhe Perseu u përpoqën ta zgjerojnë aleancën dhe me shtete të tjera, Fillimisht dërguan ambasadorë në ishullin e Rodit. Paria e Rhodit, e nxitur nga urrejtja ndaj Eumene, shprehu gadishmeri të luftonin krah ilirëve dhe maqedonëve kundër Romës. [3 - XLII, 5 - XLIV, 9, 12 , 13, 14, 15 – 20]

Në dimrin e vitit 169 p.e.s, Genci dhe Perseu, bënë përpjekje për zgjidhje diplomatike të divergjencave me Romën. Për këtë qëllim dërguan delegacione në shtetet helene, duke iu kërkuar të ndërmjetësonin në Senatin Romak, për të shmangur luftën, por mediatorët helenë dështuan dhe atëhere Genci dhe Perseu e kuptuan se Roma nuk kishte dëshirë për paqetim. [3, 4, 5 - XLI, 10, 20 – 24]

Marrëdhëniet me Romën u këqesuan dhe nga ndërhyrja e delegatëve të ishullit Issa, të cilët u ankuan para Senatit Romak, për agresionet dhe grabitjet që pësonin nga flota ilire, si dhe denoncuan aleancën e ilirëve me maqedonët, që po përgatitehin për luftë kundër romakëve. [3, 5, 9, 20]

Lufta III romako – ilire.

Në këto rrethana, Genci doli hapur kundër Romës. Ai nuk pranoi t’i nënshtrohet, nuk bëri as kompromise me Romën, por e mblodhi ushtrinë. Vendosi të hynte në luftë kundër Romës, duke e zgjedhur si të vetëmen rrugë për mbrojtjen e pavarësise politike të shtetit ilir të Ardianëve.

Për fat të keq, në këtë konflikt iliro-romak, aristokracia ilire filoromake u rradhit kundër Gencit madje këtë situatë e shfrytëzuan fiset dalmate dhe daorse në trojet veriore të mbretërisë, që u shkëputën nga varësia e Gencit, duke u deklaruar aleatë të Romës. [3, 5, 9, 11, 12, 13]

Kur konstatoi se Genci u rradhit tërësisht krah Maqedonisë, Perseu i tërhoqi mesazherët dhe nuk ia pagoi 300 talentet që i kishte premtuar.[3]

Në këtë atmosferë kundërshtishë dhe tensionesh politike, filloi lufta III romako – ilire. Senati Romak i bindur për fitoren kundër ilirëve deklaroi: “Kjo është e vetmja luftë, që ia dimë fundin para se të filloi”. [3] Senati Romak, në vjeshtën e vitit 172 p.e.s, i shpalli luftë Perseut, madje para pushtimit të Maqedonisë, emëroi dy konsuj P. Licino Crasso (Kraso) dhe C. Cassio Longino (Kasio Lonxhino), mobilizoi ushtrinë dhe caktoi numërin e anijeve, për fushatën militare kundër Maqedonisë dhe kundër Ilirisë. [3, 5. 9]

I nxitur nga gjenerali Pantauko, mbreti Genci, dërgoi ushtrinë me 80 anije për të pushtuar Durrësin dhe Apolloninë. Konsulli P. Licino Crasso (Krasso) me kontigjentin e parë të flotes romake, fillimisht zbarkoi dhe pushtoi Apolloninë. Konsulli Krasso nuk ishte ekspert lufte, por kishte shtatmadhori me komandantë të shquar në luftat kunder Galëve dhe Kartagjenasve. Kontigjentin e dytë të ushtrise, Roma e dërgoi në qendrat e fortifikuara ilire, që ndodheshin në kufi me Maqedoninë. [5 -. XLII, 25 – 28]

Në vitin 168 p.e.s, Senati Romak urdhëroi gjeneralin L. Emilio Paolo të pushtonte Epirin. Ushtria romake sulmoi dhe shkatërroi 70 kështjella dhe qytete. Në përfundim të luftës, Paulo Emilio dërgoi në Romë rreth 120 000 epiriotë robër lufte. [5 - XLII]

Kundër mbretërisë ardiane, Roma dërgoi legjionet e komanduara nga pretori Luçio Aniçio (Lucius Anicius Gallus)dhe nga Maksimiliano, i biri i Paulo Emilio. Qytetet ilire ranë njeri pas tjetrit, madje pa luftuar kundër romakëve. Luçio Aniçio Gallo marshoi me legjionarët dhe arriti në lumin Genusio (Shkumbini), ku u bashkua me forcat e konsullit Appio Claudio Centone (Apio Klaudio Çentone), i cili ishte emëruar nga Senati përgje-gjës për Ilirinë. [3, 5 -. XLII]

Buzë lumit Genusio u ngrijt kampi i ushtrisë romake, ku bënin pjesë dhe ushtria ilire, si forcat e Bylis, të Amantia, të Apollonisë dhe të Durrësit, që lidhën aleancë me Romën,. Këto forca romako-ilire, te komanduar nga Pretori Luçio Aniçio, qëndruan në kampin e Genusio, në pritje të urdhërit për të marshuar drejt trojeve veriore ilire, për të sulmuar ushtrinë ilire të mbretit Genci. [3 -5]

Flota me trupat navale, të komanduara nga pretori Gn Ottavio, nga porti i Oreo u dërgua kundër flotës ilire në Apolloni dhe Durrës. Pas një beteje të ashper detare, flota e Gencit u thye dhe romakët morën nën kontroll të dy qytetet dhe detin Adriatik. [3, 5 - XLIV]

Mbreti Genci u detyrua ta përqëndroi ushtrinë në Lissus dhe ndërkohë, e dërgoi të vëllanë Karavanci me 1000 këmbësorë dhe 500 kalorës në qytetin Caviis Durnium (Kavis Durni), për të mobilizuar ushtarë. Banorët e Kavis, e mirëpritën Karavancin dhe shume banore hyne ne ushtrine e tij, ndërsa banorët e qytetit Caravandis (Karavandi), nuk e lejuan të hyjë në qytet. I revoltuar nga qëndrimi refuzues, Karavanci e sulmoi qytetin Karavandi me rrethinat, vrau, dogji e plaçkiti, por gjatë përpjekjeve mbetën të vrarë dhe shumë ushtarë të tijë. [3, 5]

Ushtria ilire mbeti e ndarë në dy pjesë. Mbreti Genci në krye të 15 000 shtarëve pushtoi qytetin Bassania, aleate e Romës, që ndodhej 5 milje ne jug te Lissus, ndërsa repartet e Karavanci nuk u perfshine ne luftime sepse ende ishin larg. [3, 5 - XLII]

Pas këtyre operacioneve, sapo u informua për marshimin e legjioneve Romake drejt Shkodrës, mbreti Genci u tërhoq në mbrojtje dhe u mbyll me ushtrinë në kështjellën e Shkodrës.

Pjestarët e familjes mbretërore, nëna Euridiçe, gruaja Etleva, dy djemt Skerdilaidi e Pleurati dhe familja e të vëllait Karavanci, u strehuan në qytetin Meteone në veriperëndim të liqenit të Shkodrës.

Ushtria romake e Lucio Anicio, i pushtoi njeri pas tjetrit qytetet ilire. Pasi morën Lissus, romakët çliruan qytetin-keshtjelle Bassania. Në luftimet për çlirimin e Bassania kontribuan dhe forcat ilire të parthinëve me 2000 këmbësorë të komanduar nga Epicado (Epikado) dhe 200 kalorës të komanduar nga Algalso. [3, 5]

Rënia e Shkodrës.

Pasi morën Lissus dhe Bassania, romakët rrethuan Shkodrën. Genci me ushtrinë e tij u mbyll në kështjellë, që kondiserohej fortesa më e sigurtë e mbretërisë, si për tipin e ndërtimit dhe për vendosjen strategjike mbi kodrën shkëmbore, që i garantonte mbrojtje natyrale. Tit Livi tregon se kjo kështjellë madhështore kufizo-hej nga lumi Clausal (Kiri) në lindje dhe nga lumi Barbana (Buna) në perëndim dhe pasi bashkohen me lumin Oriundi (Drini), derdhen së bashku në detin Adriatik. [5. XIIV, 28]

Legjionarët romakë, në epërsi numerike ndaj ilirëve, sulmuan me egërsi në të gjitha drejtimet, por ilirët i zbrapsën dhe nuk i lejuan të ngjiten mbi bedenat. Atëhere romakët i përqëndruan forcat në hyrjen kryesore dhe pasi e thyen portën me arjeta, pushtuan një nga kullat kryesore. Ushtria ilire u tërhoq në panik duke lënë 200 të vrarë para portës të kështjellës. [3, 5]

Në këtë situatë të vështirë dhe i preokupuar nga humbjet në rradhët e ushtrisë, mbreti Genci dërgoi ambasadorë dy qytetarët e shquar shkodranë Teutiko (Teutico) dhe Bello (Bellus), të cilët në emër të mbretit, i kërkuan pretorit L Aniçio një armëpushim të përkohshëm. Pretori Luçio Aniçio Gallo pranoi propozimin dhe i dha mbretit Genci tre ditë kohë, të reflektoi dhe të vendosi. [3, 5 - XLV]

Ushtria romake u tërhoq 100 hapa larg mureve të kështjellës, që ishte e izoluar me rrethimin e hekurt. Me urdhër të pretorit, romakët e lejuan mbretin Genci dhe shoqëruesit e tij, të dilnin nga kështjella. [3, 5]

Mbreti Genci, i shoqëruar nga shtabi i tij dhe një pjesë e gardës pretoriane, morën varkat në lumin Buna dhe lundruan në brendësi të Liqenit të Shkodrës ku u strehuan në një vend sekret. Mbreti Genci, bashkë me komandantët besnikë, analizuan situatën. Ndërkohë, me urgjencë dërgoi korriera, t’i çonin Karavancit urdhërin, për të sulmuar ushtrinë romake, por me që ai kishte pak forca dhe ishte larg, nuk mundi t’i vinte në ndihmë në kohën e duhur. [3, 5]

Situata ishte kritike. Genci i kërkoi dhe maqedonëve t’i vinin në ndihmë, por Perseu, me justifi-kimin se ishte i zënë në luftime me romakët, e braktisi Gencin. Fiset ilire të taulantëve, pirustët, dasaretët, parthinët etj, u bashkuan me ushtrinë romake dhe luftuan kundër Gencit. [3, 5 - XLV]

Në pamundësi për ndihma nga shtetet fqinje, mos mbështetja nga fiset ilire, për të shmangur humbjet e tjera të ushtarëve dhe për të parandaluar masakrat e mundëshme në popullatë, mbreti Genci vendosi t’i dorë-zohet romakëve.Pas tre ditësh, u kthye në Shkodër dhe shkoi në kampin e shtatmadhorisë të ushtrisë romake, ku takoi pretorin Luçio Aniçio. Si e përshkruan Polibi dhe Livi, mbreti Genci me lot në sy dhe me dëshprim të thellë, u dorëzua para pretorit romak Luçio Aniçio Gallo. Pas këtij veprimi, mbreti Genci hyri në keshtjellë dhe para ushtarëve dhe banorëve, shpalli lajmin e kobshëm të humbjes së luftës me romakët dhe dorëzimin pa kushte. Ushtarët ilirë u detyruan të hapin portën dhe t’ia dorëzonin kështjellën romakëve. [3, 5 - XLV]

Në qershor të vitit 168 p.e.s, Shkodra u pushtua nga romakët. [3, 5]

Pretori Luçio Aniçio, mori drejtimin e kryeqytetit dhe të shtetit ilir të Ardianëve. Së pari, i liroi nga burgu legatët romakë Petilio dhe Perpenna, të cilëve iu riktheu dinjitetin e rangut, të përkëmbur nga ilirët. Ditën e fitores, pretori Luçio Aniçio, mblodhi shtatmadhorinë dhe shtroi një banket madhështor, ku ftoi dhe mbretin Genci, të cilin e uli në krye pranë vehtes dhe e trajtoi me respektet e nderimet e merituara si mbret. [3, 5]

Të nesërmen, pretori Lucio Anicio e dorëzoi Gencin në ruajtje të tribunit Caio Cassio (Kaio Kasio), të cilin e shpërbleu me 10 talente ari, për këtë shërbim special. Ndërkohë, dërgoi në Mateone legatin Perpenna, në krye të një legjioni ushtarësh, për të arrestuar pjestarët e familjes mbretërore, nënën Euridiçe, gruan Etleva, dy djemtë Skerdilaidi dhe Pleurati IV, Karavancin me gruan dhe fëmi-jët, si dhe skortën e rojeve dhe të shërbyesve, të cilët i shoqëruan në kështjellën e Shkodrës. [3, 5]

Më 21 qershor 168 p.e.s, ndodhi eklipsi i plotë i hënës. Ilirët dhe romakët, të ndikuar nga bestytnitë e asaj kohe, e përjetuan me frikë dhe terror atë natë. Për ilirët, eklipsi ishte shenja ogurzezë e pushtimit dhe e rënies së mbretërisë ilire të Ardianëve, për romakët ishte shenjë e një të ardhme të pasigurtë.[3 - XLV, 5]

Më 22 qershor 168 p.e.s, dhjetë ditë pas rënies së Shkodrës, në betejën e zhvilluar në Pydna, Paul Emilio shpartalloi ushtrinë maqedone, arrestoi mbretin Perseu, të cilin bashkë me familjen, i dërgoi në Romë si robër lufte. Perseu vdiq në Romë, por nuk i dihet vendi ku e varrosën. [3, 5]

Në vitin 168 p.e.s, romakët nënshtruan njëherësh Ilirinë, Maqedoninë dhe Epirin, të tre shtetet e fuqishme të gadishullit dhe në trojet e tyre u vendos sundimi romak shumë shekullor. Një muaj pasi pushtoi të gjitha qytetet dhe kështjellat e Ilirisë, Pretori Luçio Aniçio Gallo, nisi për në Romë legatin Perpenna, për të dhënë lajmin e pushtimit të Ilirisë, që tashmë ishte tërësisht provincë e Republikës së Romës. Për këtë fitore, Senati Romak urdhëroi organizimin e tre ditëve feste mbarëpopullore në Circo Massimo. [3, 5]

Kur u kthye në Romë, pretori Luçio Aniçio Gallo, i propozoi Senatit Romak të ligjeronte lirinë e ilirëve, si dhe të përjashtonin nga taksat banorët e ishullit Issa, të qyteteve Rizon e Ulqin dhe të disa fiseve ilire si të taulantëve, pirustëve dhe parthinëve, që ishin bashkuar me romakët në luftë kundër ushtrisë të mbretit Genci. Luçio Aniçio i kërkoi Senatit të përjashtohen nga taksat edhe Daorsët, sepse e kishin braktisur ushtrinë e Karavancit dhe ishin bashkuar me romakët, ndërsa për banorët e Shkodrës, Dassarenës dhe Selepitanës, kërkoi, që ata të paguanin vetëm gjysmën e tributeve, që dikur i kishin paguar mbretit Genci. [3, 5]

Ushtria romake e çarmatosi dhe i sekuestroi armatimet e ushtrisë dhe 220 anijet e flotës ilire. Me vendim të Senatit Romak, anijet u shpërndanë flotës romake të Korkyrës, Apollonisë dhe Durrësit. [3, 5]


Të dhënat e Tit Livit, për thesarin e arkës të mbretit Genci.[5]

Romakët sekuestruan pasurinë dhe thesarin monetar të mbretit Genci, që e dërguan në Romë, të shoqëruar me repart legjionarësh. Në inventarin e pasurisë te mbretit Genci rezultojnë: [5]

- 27 libbre ari

- 19 libbre argjendi

- 13 000 monedha ari ilire

- 120 000 monedha argjendi ilire

Gjithashtu, Pretori Luçio Aniçio Gallo urdhëroi, që me thesarin e mbretit Genci, të shpërbleheshin të gjithë ushtarët romakë, që luftuan për pushtimin e Shkodrës dhe konkretisht: [23]

- Çdo ushtari i paguan 45 monedha argjendi.

- Çdo centurioni i paguan 90 monedha argjendi.

- Çdo kalorësi i paguan 135 monedha argjendi.

Në luftën për marrjen e Shkodrës, u aktivizuan 50 000 ushtarë dhe kuptohet sa ishte buxheti, që u përdor për të shpërblyer romakët.

Në vlera monetare u shpërblyen dhe aleatët ilirë, sidomos flotat ilire, që u bashkuan me romakët kundër flotës të mbretit Genci, por as Polibi dhe as Tit Livi nuk japin të dhëna konkrete.

Titius Livi, duke iu referuar historianit Valerius Antias, thotë se thesari i mbretit Genci vlente 20 miljon sesterce ari dhe argjendi, pa llogaritur arin dhe argjendin e arkës së mbretërisë dhe të qyteteve. [5]

Internimi i mbretit Genci dhe i familjes mbretërore në Gubbio.

Pasi i vuri në vijë punët e Ilirisë së pushtuar, Luçio Aniçio Gallo, organizoi nisjen për në Romë të robërve specialë, mbretin Genci, nënën Euridiçe, gruan Entela, djemtë Skerdilaidi e Pleurati, vëllanë Karavanci me gruan dhe fëmijët. Në grupin robërve ishte personeli shërbyes dhe një pjesë e gardës pretoriane. Fillimisht, familjen mbretërore i dërguan në Spoleto - Umbria, ndërsa pjestarët e gardës dhe të shërbimit i burgosën në Romë. Banorët e Spoletos, nga frika se mund të ndodhnin turbullira, protestuan për praninë e familjes të mbretit Genci, andaj Senati urdhëroi t’i spostonin në Iguvium, në ruajtje nga Magjistratura Iguvina. [3, 5]



Gentiana lutea (Genciana e verdhe) dhe Gentiana albanica,

bimë me cilësi shëruese, të perdorura nga mbreti Genci.

Në mesjetë, emri i lashtë Iguvium u ndryshua në Eugubium, ndërsa aktulaisht quhet GUBBIO dhe është qytet në Umbria. Sipas Plinit Plakut, në dy vitet e fundit të jetës, Genci vazhdoi t’i përkushtohet mjekësisë, duke përgatitur ilaçe nga bimët. [19] Këtë passion, e kishte praktikuar dhe kur mbretëronte në trojet Ilire e ndër të tjera, kishte zbuluar vetitë shëruese të tubereve të një lule mali, të cilën në nderim të tij e emërtuan Genciana (Gentiana). Nga tuberat e kësaj lule përgatitet ilaçi Gencian violet, me efekt dizinfektant, i përdorur dhe në ditët e sotme kundër infeksioneve të lekurës. [16, 19]

Mbreti Genci i Ardianëve, vdiq në vitin 166 p.e.s. Familjarët dhe banorët vendas, e varrosën me nderime në Mauzoleun e ngritur për nder të tij në Gubbio të Umbrias. Struktura bazë e mauzoleut ruhet ende në ditët e sotme dhe është një ndërtese imponente e stilit protoagustea, aktualisht me lartësi rreth 10 m, por kur u ndërtua ishte me e lartë, e veshur dhe e mbuluar me pllaka mermeri, por në shekujt e më pasëm u hoqën nga banorët vendas. Mbi arkitraun e portës të Mauzoleut, ruhen fragmente blloqesh të latuara të mermerit travertino, te marra ne Rapolano - Siena. Hapsira e varri në brendësi ishte i punuar me mjeshtri me përmasa 6. 30 x 4. 72 m. Aktualisht mungon sarkofagu ku ishte mbyllur trupi i Gencit. Në pjesën e sipërme të mazoleut ruhet kupola e lartë 3 m, e ndriçuar nga drita e diellit, që depërton përmes dritares, në pjesën e përparëshme mbi portën. Mungon mermeri mbulues i kupolës, pasi në vitet e më vonëshme janë hequr nga banorët.

Aktualisht varri është i boshatisur. Sendet dhe objektet, që dikur ishin vendosur në brendesi të varrit, u grabitën nga barbarët, në shekujt IV – VI e. s, ndërsa mermeri u hoq nga banorët vendas në vitet më pas.


Mbetjet e Mauzoleumit të mbretit Genci i Ilirisë në Gubbio - Umbria. (Foto. Dr Lida Mulo)

Iliria pas Gencit. Mbreti Balleios i Ardianëve.

Në vitin 167 p.e.s, pretori Luçio Aniçio Gallo, shpalli vendimet e senatit romak, për ndarjen e shtetit Ilir në tri njësi administrative të veçanta: [3, 4, 5, 9]

- E para, me kryeqendër Lissus, shtrihej deri në jug të lumit Mat, ku përfshinte dhe principatën e Kandavias, të cilës romakët i dhanë emërin e ri Chunavia - Kunavia.

- Pjesa e dytë me kryeqendër Shkodra, përfshinte trojet e labeateve. Garnzioni romak i Shkodrës komandohej nga tribuni Gabinio.

- Pjesa e tretë më e madhe, me kryqendër Rizonin, perfshinte dhe Ulqinin (Olcini), me shtrihej në veri deri në Narona, pra përfshinte trojet e vjetra te mbrterisë së Ardianeve. Komandanti i garnizonit u caktua romaku G. Liçinio.

Parthinët dhe Atintanët, si aleatë të Romës, mbetën nën protektoratin e Romës, ndërsa banorët e trevave, që nuk u implikuan në luftë, si Bylinët, Amantët, Dasaretët, u lanë si njësi administrative autonome. Senati romak vendosi, që bashkësitë rurale, që u bnë aleate me Romën, si p.sh Kunavia, të kenë statusin e principatës autonome, por të qeverisura nga veteranët e ushtrisë romake dhe jo nga dinastët vendas. [21, 23, 25, 26, 27]

Pas pushtimit, romakët ia hoqën pushtetin dinastëve ilirë (Princeps Illyriorum, Princeps civitates) dhe i detyroi komunitetet vendase, të zbatonin institutin Fundum fieri, sipas të cilit, detyroheshin të pranonin sistemin juridiko-institucional romak dhe të përdornin gjuhën latine, si gjuhën zyrtare të administratës.

Drejtimin administrativ dhe ushtarak të trevave ilireve e morën veteranët e ushtrisë romake, të cilët Republika i shpërbleu duke iu dhënë pronat e ilirëve të mundur. Veteranët romakë morën drejtimin e pushtetit lokal, duke i vendosur në krye të muncipium urbane dhe të civitates rurale. Shumë nga ushtarët romakë, u martuan me vajza ilire, një pjesë qëndruan ne Iliri, ndërsa të tjerë që u liruan nga shërbimi ushtarak, u kthyen në Romë, së bashku me gratë ilire. [23, 24, 25, 26, 27]

Në vitin 149 p.e.s, pasi shtypën kryengritjen maqedone, romakët krijuan Provincën e Maqedonisë, që përfshinte të gjitha trevat ilire në jug të lumit të Matit. [10 – 25]

Me rënien e mbretërisë së Gencit në vitin 168 p.e.s, dhe me pushtimin romak, mendohej se u mbyll historia e shteteve ilire, por sipas Arthur Ewans, rezulton, se u ruajt vazhdimësia me mbretin ilir Balleios (Βαλλαῖος). [28]

Sipas mendimit të arkeologut Hasan Ceka, fisniku shkodran Bellus (Bello), të cilin mbreti Genci e dërgoi te romakët për traktativat me pretorin për armëpushimin, mund të jetë transkriptim i emrit latin Ballaeus (greqisht: Βαλλαῖος), madje Ceka mendon se Ai ishte pasuesi i mbretit Genci, fillimisht i përkrahur dhe i ngjitur në pushtet nga romakët.

Ballaeus në vitet 167 – 135 p.e.s, rezulton mbret i shtetit të vogël të Ardianëve, të asaj pjese çka mbeti pas riroganizmit nga romakët. Kryeqyteti i mbreterisë së zvogëluar të Ardianeve ishte Rizoni.

Mbreti Ballaues e ripërtriu mbretërinë Ardiane, duke i dhënë jetëgjatësi deri në fund të shekullit II p. e.s. Është me interes të theksohet se mbreti Balleios, nxiti tregëtinë me Romën dhe me shtetet fqinje, emetoi monedha me portretin e tij në faqen e parë dhe hyjneshën Diana, në faqen e pasme.



Monedhe bronxi me portretin e mbretit Ballaeus (Βαλλαῖος), ne faqen e pasme hyjnesha Diana.

Kulti i hyjneshës Diana (Thana - Zana per iliret), admirohej dhe nderohej nga ilirët, të cilët kishin ngritur Tempullin e Dianës në qytetin ardian të Diokleas dhe Tempulli ad Dianem Candaviense në Kunavia. [32]

Në vitet e më pasme, fillimisht në Spanjën e pushtuar dhe më pas në Iliri, për funksionimin e strukturave administrative - municipium u aplikua ligji i quajturi lex Flavia Municipalis, i cili e detyronte popullatën ilire të zbatonte të drejtën latine dhe gjuhen latine. [3, 5, 9, 15 - 17, 28]

Qytetet dhe vendbanimet në thellësi të trojeve ilire, ato kohë ishin të lidhura mes tyre me rrugë, disa nga këto ishin të herëshme, të ndërtuara në periudhën e bronxit dhe pjesërisht të përmirësuara në periudhën e hekurit, kur fiset ilire ishin organizuar në disa mbretëri dhe kishin arrijt nivele të larta zhvillimi ekonomik dhe bashkpunimi tregëtar mes tyre. [25, 26, 27]

Duke zyrtarizuar gjuhën latine, romakët ndikuan që shumica e toponimeve ilire të përkthehen në latinisht. Përdorimi i emrave latine nga pushtuesit romakë, provohet nga shumë studiues, por po i referohem vetëm Stadtmuller, i cili shkruan se shumë nga toponimet arbërore janë latine, si p.sh Bisaku (Bitiacum), Kastrati (Castrum), Shurdhah (Sarda), Petrela (Petrula), Kunavia (Cunavia), Mansi (Mansiones), Guri i Bardhë (Petralba), Plava (Flavia) etj, etj. [27]

Gjithashtu dhe disa kështjella, të shkatërruara gjatë luftave të gjata dhe të ashpëra iliro – romake, pasi u rindërtuan romakët, morën emra latine si p.sh Scampus etj. [27, 28]

Krahas rindërtimit dhe ndërtimit të disa kështjellave të reja, romakët përmirësuan gjendjen e rrugëve ekzistuese, kështu vazhduan punimet me riparime dhe zgjatjen e rrugës Kandavia deri në Bizanc, të cilën romakët e quajtën Via Egnatia (Egnacia), ashtu si ndërtuan dhe shumë rrugë të tjera, të cilave iu dhanë emra latine si p.sh rruga Pubblica, rruga Salaria etj. [11, 12, 13, 27, 28]

Literatura.

01. Historia e Popullit Shqiptar. Tiranë 2002, f. 3

02. Muzafer Korkuti. Probleme etnokulturore te epokes se neolitit. Tirane. 1982, 1, f. 156 – 173].

03. Polibio, Storie II, 8, Rizzoli, Milano, 2002. XXI, 11, 7; XXI, 21, 3.Traduzione: M. Mari.

Pleuratus' relations with Rome. Polybius XXI. Le storie di Polibio da Megalopoli. Sul testo

greco di Schweghauser, e corredate dal Dott.Kohen da Trieste. Tomo 8° Milano 1842, f. 6-10

04. Cassio Dione: Historia romana. Libro XVIII, Harvard University Press. 1978

05. Titius Livi: Ab urbe Condita, Libri XLV, 34, 1 e 7

06. May, J. F. (1946). "Macedonia and Illyria (217-167 B.C.)". Journal of Roman Studies. 36: 48

07. Appiano Alessandrino, Historia Romana. De rebus Macedonicis et de rebus Illyricis. IX.

08. Edwin Jacques. Shqiptaret. Vol. 1. 1996, f. 124 -140

09. John Wilkes. The Illyrians. Wiley-Blackwell. 1995

10. Gilkes, O. Albania An Archaeological Guide, I. B. Tauris 2012,

11. Elena Kocaqi. “Roli i pellazgo – ilirëve ne formimin e kombeve dhe gjuhëve europiane”.

Emal. Tirane 2009. f 5.

12. Fanula Papazoglu. Les origines et la destinée de l’Etat Ilyrian”, 1965

13. Selim Islami. “Historia e ilirëve”. Tiranë 2008.

14. Paul Veyne. Did the Greeks, belive in their Myths? Editions du Seuil. London 1983

15. Patrick Counillon De Boccard. Pseudo - Skylax: Le periple du Point-Euxin. 2004, f. 24

16. Jacob Gronovius. Geographia Antiqua, University of Michigan,

Henry Vignaud Library 1817, f. 16

17. Chiara Carsana, Commento storico al libro II delle Guerre Civili di Appiano (parte I), Pisa,

Pubblicazioni dell'Università di Pavia, 2007

18. Moikom Zeqo: Mbreti ilir Monuni dhe kulti i Meleagrit. Pashtriku.org. 2012

19. C. Plinii Secundii. Naturalis Historia, Vol III, D. Detfelsen recensuint. Libri XII – XXIII.

Berolini – Apud Weidmannos 1868

20. Moikom Zeqo. Mbretëresha e pazbutëshme e ilirëve: Shkëlqimi dhe rënia e Teutës:

American Eye 09/04/2017

21. Smith W. Dictionary of Greek & Roman Biography & Mitology. Boston, Brown 6Co, 1870,

Vol 2, 313

22. Johann Thunmann. Über die Geschichte und Sprache der Albaner und der Wlachen.

Leipzig 1774

23. Francis Ryan, Rank and Participation in the Republican Senate, 1998

24. Umberto Laffi. Colonie e municipi nello Stato romano. Roma: Ediz. di storia e letteratura, 2007

25. Giovani Rotondi. Leges publicae populi romani, Hildesheim: Edizione Olms, 1962

26. Berranger Danièle; Cabanes Pierre; Ėpire, Illyrie, Macèdoine.

Presses Universitaire Blaise Pascal. 2007.

27. Stadtmüller. G Forschungen, 1966, p. 89 sq.

28. Arthur Ewans. Ancient Illyria (an archaeological exploration).

Edition "I.B.Tauris” London, 2006.


262 views1 comment

Shkrimet e fundit