Mbresa dhe mendime


Mbresa dhe mendime rreth romanit të shkrimtarit të talentuar Kristaq Turtulli

“Në trenin e linjës nr. 16”

Nga Ilinden Spasse

Posa mbarova së lexuari romanin “Në trenin e linjës nr. 16” të shkrimtarit të talentuar korçar Kristaq Turtulli, tani banues në Toronto të Kanadasë.

Librin dinjitoz dhe mbresëlënës, ma dhuroi vetë autori në një takim të rastësishëm, kur erdhi për vizitë në Tiranë. Në takim kishin ardhur dhe disa miq të tjerë krijues. Kisha dëgjuar mjaft prej miqve për këtë krijues të talentuar që jeton larg në mërgim, por nuk më ishte dhënë mundësia ta takoja dhe të lexoja një libër të plotë të tij.

Libri me titull intrigues: ‘Në trenin e linjës 16’ është botuar në vitin 2010 nga shtëpia botuese:’ Globus. R.’

Dhe kur mbylla faqen e fundit të librit: ‘Në trenin e linjës 16’, mu duk sikur lexova e rilexova një shkrimtar profesionist, që flet me kompetencë dhe art për copëza jete të vendlindjes së tij të periudhës së fundit të shekullit të kaluar dhe fillimit të këtij shekullit e, që përkojnë me moshën e tërë brezi tim i cili i ka përjetuar ato ngjarje të dhimbshme në forma të ndryshme. Zanafilla e këtij romani është lufta e klasave, që për një pjesë të popullsisë është zhvilluar me shumë propagandë, ndërsa për një pjesë tjetër, për ata që kanë qenë viktima të kësaj lufte, është zhvilluar me shumë ahe-dhe ohe. Jeta në një farë mënyre është një linjë, një tren, një germë e tjeshtë...

Pra me këtë roman, Kristaq Turtulli, nëpërmjet personazheve të skalitur aq bukur, ripërtërin episode të ndryshme nga jeta e një familjeje me mjaft emër, siç ishte ajo e Merlik Kolës, dy herë hero, personalitet i shquar i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe i ndërtimit të socializmit, që jetoi në bllok, por që “blloku” erdhi një ditë dhe ia “hëngri kokën” si shumë të tjerëve që banonin po aty; ndërsa familjen ia degdisën diku në internim, aty ku kryqëzoheshin erërat më të fuqishme të vendit. Pikërisht, aty, në vendin e internimit, Zamira, e bija e Merlik Kolës, u njoh me Teodor Çomen, ish djalin e vogël të familjes të Milto Çomes, pasanik i madh ky dhe i internuar në Qafë të Flamës. Nga kjo familje e madhe tregtare, vetëm Teodori, arriti të mbijetojë rastësisht nga kthetrat e vdekjes, se u shpëtua nga një plakë shurdhe, Liria, që ishte ndër familjet e para të internuara në fshatin e thellë malor të Lemerisë.

Pavarësisht “luftës së klasave”, sipas shkrimtarit, jeta e pasardhësve të “armiqve të popullit” vazhdoi. Ata të dy, Zamira Kola me Teodor Çomen u njohën në internim, bënë dashuri aty “në mullarët e barit”, apo mes “bajgave” në stallat e fshatit dhe u martuan; lindën katër fëmijë, nga të cilët tre mbijetuan, dy djem e një vajzë...Teodori, ishte mjaft punëtor, mjaft familjar, por i heshtur. Heshtja e tij vinte si karakter, apo si “imponim” nga erërat e ndryshme, që e fshikullonin atë dhe kasollen e tij çdo çast, apo nga frika, se mos fjalët e mendimet e tij i merrte era dhe i shpinte aty ku “bluhej” biografia e tij dhe e familjes së tij... Në këtë aspekt, për mendimin tim Teodori nuk u lind “i pafjalë” “Vuv”, por “pafjalësinë” dhe “vuvllëkun” e fitoi gjatë jetës për të mbijetuar, për t’i shpëtuar syrit vigjilent të atyre që e “vigjilonin”...Pra, mendoj, se me Teodorin shkrimtari Kristaq Turtulli ka skalitur një personazh të rrallë të trajtuar në këtë mënyrë në letërsinë tonë...

...Dhe erdhi dita e shumëpritur, e shumëkërkuar prej të gjithëve, e sidomos prej shtresës së të burgosurve politikë dhe të internuarve: U përmbys sistemi....U hapën dyert e “parajsës së munguar”, e ambasadave...Si shumë të tjerë edhe Zamira me Teodorin dhe tre fëmijët nisën udhëtimin e gjatë, larg kasolles prej dërrase ku u martuan, larg erërave të ndryshme që i kishin fshikulluar në ditët më të bukura të jetës së tyre, larg atdheut ku ishin lindur, ku ishin gëzuar po edhe ku kishin qarë dhe kishin vuajtur dhe e nisën udhëtimin jo matanë detit, por matanë oqeanit, për një jetë më të mirë, pa halle, pa ankthe, pa strese... e nisën udhëtimin drejt “botës së re”...

Por, në atë “botë të re”, të imagjinuar si “parajsë”, kjo familje shqiptare, krejtësisht e papërgatitur për “përplasje” të tilla, u përball menjëherë me një problem tepër të rëndë për të: Jona, vajza e tyre e bukur dhe e mirë 16 vjeçare, ra viktimë e drogamanit Mario. Përshkrimi i Marios rakitik e të droguar, i mbushur plot me tatuazhe, sjellja e tij me prindërit e Jonës, që është shumë larg edukatës së familjes shqiptare, përpjekja e vetë prindërve dhe vëllezërve të Jonës për ta rehabilituar e shpëtuar atë nga kjo gangrenë e papritur, vdekja e papritur dhe e shpejtuar e Teodorit...janë nga faqet më te bukura të romanit që mua si lexues më kanë lënë mbresa të fuqishme, më kanë drithëruar... Pikërisht, ky drithërim më erdhi nga forca artistike e shkrimtarit me përvojë, e Kristaq Turtullit, i cili ka ditur të hyjë në psikologjinë e familjeve shqiptare, që kanë probleme të tilla me fëmijët e tyre, që bëjnë çmos për t’i rehabilituar ata....Por ky “çmos” me shumë shpenzime materiale e shpirtërore, shpesh shkon dëm, sepse në të shumtën e rasteve është i pasuksesshëm....si në rastin në fjalë.....

Retrospektivat që krijon autori i romanit me anë të alternimit të erërave të vendlindjes, me ato që gjetën në mërgim, me “aromat” e pasagjerëve nga e tërë bota, që udhëtojnë me “trenin e linjës nr. 16”, alternimi i veshjeve të tyre me lloj-lloj petkash, këpucësh, shamish, alternimi i lloj-lloj moshave, ndërthurja e zhurmave të rrotave të trenit me tekat e pasagjerëve të moshave të ndryshme e të vendeve të ndryshme, teka që kanë të bëjnë me shtyrje për të zënë ndonjë vend më të mirë për t’u ulur, në vagonin që kanë hipur, teka që kanë të bëjnë me sharje në gjuhën e tyre me sjelljen jo të mirë të ndonjë pasagjeri, apo për mos durimin e “aromës”, që mund të lëshonte trupi i mplakur i ndonjë tjetri, e kanë mundësuar autorin e romanit për të na krijuar personazhe, që të mbeten në mënd me bëmat e tyre, që të ngjizin në vetëdije, se këta personazhe mund t’i kesh parë edhe ti si lexues, mund t’i kesh njohur në jetë mbase edhe mund t’i kesh pasur shokë apo të afërm...:

Gjatë retrospektivave të këtij udhëtimi me “trenin e linjës 16”, ne njohim dhe dashurohemi me personazhet e tillë si Zamira Kolën, Teodor Çomen, me prindërit dhe fëmijët e tyre, ndërkohë urrejmë personazhet negativë si prokurorin Gëzim Çarku (djali i mikut të Merlik Kolës), që në “emër të Partisë”, e torturoi për vdekje Merlikën; operativin e zonës, Luti Gërmadhën, që provokonte herë pas here Teodorin, por ai si një “vuv” vetëm heshtte, Sheme Ganxhën, karrocierin spiun të vend internimit, etj. Mendoj, se këta janë personazhe të rrallë të letërsisë sonë të trajtuara me kaq natyrshmëri..

Gjatë retrospektivave të këtij udhëtimi, ne njihemi edhe me personazhe të dorës së dytë, por që të mbeten në kujtesë ...: njihemi me gardianët e burgut, me personelin e spitalit të rehabilitimit, me plakun qorr që mbante erë, me plaka tekanjoze, me kinezin me drogë, me vjehrra e nuse tekanjoze, pra Kristaqi si një shkrimtar me përvojë ka ditur të hyjë thellë dhe mjaft lirshëm në brendësi të familjeve tona, me të mirat dhe shqetësimet e tyre ... Pikërisht, ngandonjëherë, janë konfliktet familjare të krijuara artificialisht, si për shembull grindjet nuse vjehrrë, apo përdorimi fillimisht fshehurazi i drogës, mos menaxhimi mirë i mediave elektronike, apo edhe i shkollave fillestare dhe para universitare, etj, ato që krijojnë premisa që ndikojnë në shpërbërjen e familjeve të konsoliduara, e që tashmë vitet e fundit, në sajë të përdorimit edhe të drogës ka marrë masa galoponte kudo në botë, edhe në vendet e qytetëruara....

Këto retrospektiva që zhvillohen në roman me anën e alternimit të erërave, që tundnin shpirtrat dhe kasollet e të internuarve në fshatin e internimit, me erërat e përtej oqeani, me zhurmën e “trenit të linjës 16”, që na shpalosni copëza jete të pasagjerëve nga e tërë bota me psikologji të tyre të veçante, që përkojnë me botëkuptimin e vendlindjes së tyre, janë një gjetje e bukur artistike, që të bëjnë të mos e lëshosh librin nga dora.

Vendosja nga ana e autorit, në mbiemrat e mjaft personazheve të “nofkave” do t’i quaja unë, si Çarku, Gërmadha, Ganxha, Tigani etj .. e kanë mundësuar mjaft autorin për të tipizuar personazhet negativë; edhe emërimi i mjaft toponimeve me “nofka” të tilla, si Hani i Gjelit. Qafa e Flamës, fshati i Lemerisë, Shkëmbi i Kukudhit, përroi i Qole Myftiut, Pllaja e Gumës, gryka e Doçes i japin romanit vlera të veçanta të ironisë e të sarkasmës.

Përdorimi i shprehjeve të tilla si psh: Pele Tigani, banor i rrugës së shtrembët të Zilexhinjve, plaku i mermeve, skeletori i fshatit, njëzet kile me gjithë lecka, ...- janë tipizime mjaft të goditura, që i japin mjaft frymëmarrje veprës...

...Pra, përdorimi nga ana e autorit Kristaq Turtulli të këtyre alternativave “me erërat, me zhurmat e trenit, me ecejaket e njerëzve, me nofkat “ironike dhe sarkastike”, me shpresat, dëshirat, dhe përpjekjet e personazheve të librit për të mbijetuar...e të gjitha këto të dhëna lirshëm, me fjalor të pasur popullor, e ngrenë këtë vepër në nivelet më të arrira bashkëkohore...

Suksese të mëtejshme shkrimtarit plot talent, Kristaq Turtullit

Ilinden Sterjo Spasse

57 views1 comment

Shkrimet e fundit