top of page

MBI ROMANET "TOKËSORËT NË HAPËSIRË-KOHË...


MBI ROMANET "TOKËSORËT NË HAPËSIRË-KOHË...Ç' TRONDITJE"

DHE "POST-NJERIU", TË AUTORIT AGRON Z. SHEHU (RECENSË)


PUNOI

Fatmiroshe Xhemalaj

Studiuese e shkencave shoqërore


Tiranë, më 17 dhjetor 2020



Autori, Agron Z. Shehu, me banim për mbi 25 vjet në Kanada, vjen para publikut, jo vetëm shqiptar, por edha atij të huaj, me romanin "Post-Njeriu"(shqip-anglisht). Ky është volumi i dytë i romanit "Tokësorët në hapësirë-kohë... ç'tronditje" botuar së pari në Amerikë në vitin 2010, në Shqipëri në vitin 2012 dhe në Spanjë në vitin 2017

Duke qenë një vëzhgues i madh i realiteteve të shoqërisë njerëzore, por edhe i ligjeve të natyrës, në volumin e parë, për nga vet titulli i tij, autori na zbulon përmes lojës fantastike dhe shkencore të personazheve Higgs, Hitt, Ardi, Kuark, Gluon, shkaqet e tronditjeve të tij, për ç'ka ka ndodhur dhe ndodh me "tokësorët" si edhe ai i quan; pse tokësorët gjenden ende përkundrejt problemeve të mbijetesës, ndërkohë që mundësitë për një jetë në paqtë janë të mëdha.

Zanafillën e "tronditjeve", të fantazisë, autori e ka marrë nga atdheu i origjinës, Shqipëria. Fëmijërinë e kaloi në vështirësi të madha ekonomike rrëzë malit Shëndëlli të fshatit Aranitas (dikur pronë e familjes së madhe mesjetare shqiptare të Arjanitëve), në Mallakastër. Por edhe pse në vështirësi ekonomike ai ishte nxënës i shkëlqyer. Aranitasi ishte shtysa e parë e zhvillimit të fantazisë, te fëmija Agron. Shkolla ku mësoi deri në klasën e pestë, kishte qenë shtëpia e një ministri, ndërtuar në vitet 30' të shek. XX, me standarde europiane të kohës dhe, fëmijës Agron i zhvilloi fantazinë se si duhet të ishin shtëpitë, jo si shtëpia ku jetonte; standardi i dytë që i dha Aranitasi ishte natyra e tij- një fshat i bukur, rrethuar tërësisht nga kodrat, që përshkohej në mes nga lumi Gjanica e përrenj që derdheshin në të. U rrit i lirë në këtë natyrë duke menduar vazhdimisht se çfarë kishte përtej horizontit ku jetonte.

U formua në rini në qytetin e Fierit dhe të Tiranës (ku mbaroi universitetin për inxhinier nafte, në vitin 1977) ku pasioni për të mësuar gjithçka që ndodhte rreth tij, e bënë të kuptonte se diçka nuk shkonte me shoqërinë ku jetonte. Që në këtë kohë autori shquhej nga të tjerët në fushën e matematikës, fizikës, letërsisë, historisë, filozofisë dhe arteve, pasi në këto fusha rezultatet e tij ishin maksimale.

Profesioni e bëri të shkonte në vende të ndryshme të Europës, por jo vetëm, dhe kuptoi se "tronditjet" ishin më të thella e më të gjera.

Vendosi t'i gjykonte "tronditjet" parë nga një vend tjetër, dhe më një këndvështrim horizontgjerë e gjithëpërfshirës, duke vënë në qendër NJERIUN, jo më shqiptarin, italianin, gjermanin etj., jo më të pasurin apo të varfrin, jo më të bardhin, të ziun, të verdhin; jo më "partizanin apo ballistin" (si ndodh në Shqipëri), por NJERIUN si qenie njerëzore pavarësisht të gjithave.

Në romanin e parë ka shkruar, dedikuar njeriut, prandaj ndoshta dhe romanin e dytë e titulloi POST-NJERIU, për të skalitur profilin e tij se si duhet të jetë ai.

Agroni shkoi në Kanada, e pikërisht aty, në atë vendin e ftohtë për nga natyra, Agroni gjykoi ftohtë për ç'ka ndodhte me "tokësorët" duke e shtrirë gjykimin, jo më tashmë nisur nga Aranitasi, Fieri, Tirana, Shqipëria, Europa apo Kanadaja, por në hapësirë-kohë. Këtu qëndron thelbi i ideve të tij në kërkim të lirisë së njerëzimit, në hapësirë-kohë, të cilat ai vendosi t'i lërë me shkrim si "testament" për shoqërinë njerëzore në të dyja romanet.

Pse në hapësirë-kohë? Sikur do t'ju thotë tokësorëve se sa më gjerë t'i shikosh dhe gjykosh ngjarjet historike dhe dukuritë natyrore shtrirë në hapësirë-kohë, aq më të drejta do të jenë vendimmarrjet për jetën, paqen, të cilat ai i dëshiron me aq ngulëm për shoqërinë njerëzore.

Përmes dy romaneve, Agroni ka marrë përgjegjësinë të formulojë, shkaqet që e tronditin shoqërinë njerëzore dhe për më tepër të jap edhe zgjidhjet se si shoqëria njerëzore mund të jetojë në paqe.

Në këtë punë, ku vihet në lojën e personazheve fanta-shkenca, autori, pa e pasur qëllim në vetvete, e ndoshta pa e ditur as vet ka pasuruar edhe gjuhën shqipe me fjalë që janë të reja për ne të tilla si: udhëdrejtuar, mbërritësit, pritësit, shumëlargët, aqlargët, shqetësimatike, i mirëseardhi, pajetësia, ujëzonin, jetëzonte, tejshmërinë, pasardhjen, përshtypjelënës, jetëhumbjesh etj.

"Tronditjet" e autorit, që përshkruhen me mjeshtëri në romanin e parë, në fakt nuk janë "tronditje", por "ulërima" për veprimet apo mos veprimet e tokësorëve për t'u qytetëruar. E them "ulërima", pasi tokësorët, sipas tij, kishin mënyra më të paqta për të arritur qytetërimin, jo duke ngrënë njeri-tjetrin. Ai "ulëret" kur përshkruan fillesat e makabritetit në kohën kur tokësorët jetonin në kopenë primitive dhe për të mbijetuar hanin njeri-tjetrin; "ulëret" kur sheh se Aleksandri i Maqedonisë, vriste e priste NJERIUN (qenien inteligjente) nga të gjitha anët, pa asnjë shkak, duke pohuar se qytetërimi nuk përhapet me luftë duke vrarë njeri - tjetrin, por me "luftën" për krijim, zhvillim, duke vënë në punë logjikën e kombinuar me ndjenjat pozitive për të ruajtur NJERIUN, planetin Tokë, që siç shprehet autori "nuk gjenden kund në gjithësi"; "ulëret", kur përshkruan me mjeshtëri artistike djegien e mendjes së ndritur të njerëzimit, si dhe ai e vlerëson, Xhordano Brunos. U dogj trupi, shprehet autori, por mendimet, idetë e tij nuk u dogjën, ato ndriçojnë qeniet inteligjente edhe sot, sepse mendimet janë të padjegshme; "ulëret", kur përmes lojës së personazheve, përshkruan krimet e Adolf Hitlerit kundër njerëzimit, apo kur hidhet bomba atomike në Hiroshima dhe Nagasaki që shkretuan mijëra jetë njerëzish.

"Ulërimat" e autorit, që e kanë bazën në dashurinë për njeriun dhe në atë të planetit Tokë, duket sikur duan të "zgjojnë" njerëzimin sot, për të përdorur mendjen vetëm për zhvillim, jo për të zhdukur jetë inteligjente.

Mjeshtëria dhe fantazia e autorit në përshkrimin e "tronditjeve-ulërimave", por edhe të përpjekjeve për të gjetur rrugën e shpëtimit jepet në të dyja romanet përmes lojës së personazheve si: Higgsi, Hitti, Ardi, Kuarku, Gluoni, Krispri dhe Siborgu. Këta emra të personazheve tingëllojnë për ne, pak sa çuditshëm, por autori i bënë me dije lexuesit në romanin "Post-Njeriu", se emrat e personazheve kanë një kuptim kur shprehet: "Higgsi merrej shumë me mikrobotën, prandaj dhe planetin ku mbërriti e quajti Proton ndërsa qenien e parë që ndeshi e quajti Kuark. Vet Kuarku të birin e quajti Gluon. Të gjitha ata emra ishin grimca që përbënin atomin. U quajtën ashtu ngaqë imazhet njerëzore kishin shkuar vetëm deri te planeti Proton dhe universi dukej aq i stërmadh sa që galaktika ‘Rruga e Qumështi’ në përbërje, ngjasonte me një atom…"

Kush e lexon s'mund ta besojë që vetë galaktika jonë është sa një atom...!!!. S'mund ta kuptojë, sepse koncepti i njeriut për hapësirë-kohën, është formuar brenda disa rrathve koncentrik me qendër veten dhe me fund planetin ku jeton. Autori, Agron kërkon me ngulm t'i thyejë këto korniza, për ta lënë njeriun të lirë të fantazojë, të analizojë, të interpretojë, të gjykojë e të mbaj qëndrime të tilla që jetën të mos e kornizojë në "tronditje". Ai nuk kërkon një Aleksandër të Maqedonisë, jo..jo - ulëret autori, se ai e vuri mendjen në punë për të vrarë; as një Hitler... por ai kërkon një Xhordano Bruno, një Ajnshtajn...që e vunë mendjen në punë për ta bërë NJERIUN të "pavdekshëm".

Secili personazh i autorit, ka rol të rëndësishëm në zgjidhjen e "tronditjeve" të jetës së shoqërisë njerëzore dhe personifikojnë mendje të ndritura. Autori i ka vënë ata në "punë", për t'ju treguar tokësorëve se jeta e tyre mund të jetë më e mirë në se vënë në punë mendjen, për të përjetësuar NJERIUN, pa luftëra si dhe kanë bërë duke vrarë njeri-tjetrin.

Personazhet janë horizontgjerë. Ata janë jo vetëm tokësorë, por edhe jashtëtokësorë e tokësorë të përzier me jashtëtokësorë. Pse janë të tillë? Sepse realiteti kështu është dhe do të jetë kështu, tokësorë, jashtëtokësorë, e të përzier. Pse vallë, vetë shoqëria njerëzore, pra tokësorët, nuk janë përzier me njeri-tjetrin? Po pse janë përzier? Se kështu e solli jeta e tyre. Po kështu zhvillimi i mëtejshëm i jetës, ka sjell që tokësorët të përzihen me jashtë tokësorët. Eshtë imagjinatë apo realitet? Këtë autori e sjell si realitet duke ndjekur ligjet e zhvillimit të tokësorëve.

Personazhi kryesor është Higgsi, i cili, sipas fantazisë së autorit gjendet i robëruar nga shpirti i tij. S'kishte si të ishte ndryshe. Higgsi, është simbol i mendjes tokësoriane, të cilën autori e njeh mirë e dëshiron ta çojë në hapësirë-kohë. Të njohësh personazhin Higgs, duhet të mësosh përmes leximit të romaneve, kontradiktat midis tij (Higgsit, që autori e ka personifikuar si mendim) dhe personazhit Hitt (që autori e ka personifikuar me shpirtin e një tokësori që mund të jetë Hitleri dhe çdokush tjetër tokësor që për të mbijetuar vret e pret në të gjitha anët). Të dy këta personazhe autori i ka vendosur me fantazi brenda një kafke tokësori, bëmat e të cilit në planetin Tokë ishin aq famëkeqe, sa që shndërroi në kafka miliona njerëz.

Raportet midis Higgsit dhe Hitit, në fakt, janë raportet midis mendimit dhe shpirtit brenda vet njeriut. Mendja dhe shpirti debatojnë midis tyre për vendimmarrje. Kur shpirti "fiton", nënkupton autori, atëherë vendimmarrjet janë të gabuara. Dhe me shpirtin autori nënkupton "të gjitha ndjenjat, emocionet e shqisave te qenia njerëzore"(Romani "Tokësorët në hapësirë-kohë... ç'tronditje", fq. 3)

Autori Agron, në të dyja romanet, është në kërkim të ekuilibrit të shoqërisë njerëzore për një jetë të paqtë. Këtë e sjell me fantazi, por edhe shkencë në sjelljet midis mendjes dhe shpirtit, Higgsit (mendja) dhe shpirtit (Hititt) për vendimmarrje të drejta. Ja si i shpreh autori sjelljet e tyre në romanin e parë, faqe 14-16:

Shpirti me të cilin ai bashkëjeton, nuk kishte sjellje normale, sillej jo mirë si tek të gjithë tokësorët e tjerë, prandaj Higgsi nuk shihte të ardhme me të. E shihte krejt ndryshe, si të thuash, kundër akrepave të orës. Bashkëjetuesi i tij, shpirti, pëlqente jetën e përditshme, mënyrën si ai sillej me turmën dhe veçanërisht sjelljen me mendjen e tij, sepse ai ishte mësuar të sillej ashtu, të mbizotëronte e të vendoste vetë për gjithçka në jetën e tyre. Ai nuk e pranonte mendimin si bashkudhëtar në jetë për t’i marrë vendimet në çdo hap bashkërisht, nuk pranonte të komunikojë asnjëherë me mendimin e tij për të ecur përpara, por vendoste vetë për çdo hap të hedhur. Ai ishte vetëvendosës dhe ashtu donte ta jetonte jetën.

Dhe autori vazhdon: Me gjithë luftën ndërmjet shpirtit dhe mendimit, diçka jo e zakonshme po ndodhte në strehën ku ata bashkëjetonin, nën atë kafkë. Dukej se të dy ata po kalonin në ekstrem, në mohimin e njëri-tjetrit, ç'ka do të shpërbënte ekzistencën e qenies së tyre.

Fantazia dhe mendimi i autorit shkon thellë. Duke qenë dhe unë një tokësore, gjykoj se ç'ka ndodh, si thotë autori, në atë strehën e tyre-kafkën, më lë të kuptoj se kafka është vet planeti Tokë, shtëpia ku jetojnë tokësorët, pra ku "jetojnë" mendimi dhe shpirti, të cilët mohojnë njeri-tjetrin.

Por si e përfundon autori këtë luftë midis mendimit dhe shpirtit, pra midis vetë tokësorëve?

Lexuesi duhet ta vendosë veten në situatën e tyre e duhet të provojë se çfarë do të bënte ai vet. E pikërisht vendimmarrja do ta dallojnë lexuesin nga lexuesi, në se do ta vinte veten në vend të Higgsit apo Hitit. Autori e zgjidh në këtë mënyrë:

"Në çastin që shpirti e ndiente se mendimi po gatitej të shkëputej e të largohej, ai përsëri kërkonte të vendoste vetë, pra ta detyronte atë të qëndrojë aty, me të... të jetonin bashkërisht duke shkuar në të ardhmen, por me kusht mbizotërimin e tij. Kjo ishte e papranueshme për mendimin, pra për Higgsin. Dhe ky ishte shkaku i ndarjes. Dukej se të dy ata përbërës të trurit të tij e bënin atë të dyzuar, si binjak, por me sjellje krejt të ndryshme. Një prej tyre, që mendonte si njeri, dhe tjetri, që ndiente si tokësor. Dy qenie në të njëjtin strehë, në të njëjtë kafkë! Por Higgsi si mendim ishte i vendosur dhe nuk pajtohej me shpirtin e tij arrogant e vetëvendosës. "Përfundimisht, Higgsi i kundërvihet Hitit, shkëputet prej kafkës dhe u largua. "(Romani "Tokësorët në hapësirë-kohë... ç'tronditje", fq. 16)

Lexuesi do të pyesë prapë "Po ku shkoi Higgsi"? Po me Hitin ç'farë ndodhi? Loja që autori shtjellon më tej, nëpërmjet personazheve të tij, bëhet aq interesante në këtë pikë, kur Higgsi largohet, saqë mua mu desh, nga kërshëria, të lija shumë punë të jetës së përditshme për mbijetesë, për të përfunduar leximin e romaneve.

"Loja" dhe fantazia e autorit, po më tërhiqte si një magnet, pasi më dukej se ajo do të më çonte drejt zgjidhjeve të shumë problemeve, që unë si tokësore të mbijetoja.

Përgjigja e autorit se ku shkoi Higgsi është:"I shqetësuar nga shpirti, Higgsi vendosi t’ia kushtonte veten të kaluarës së njerëzimit, duke e jetuar atë, të ishte i pranishëm në ngjarjet e rëndësishme të historisë së saj, ta zbulonte, të dëshmonte e të gjykonte rreth asaj të kaluare. Ai donte të dinte nëse shpirti i tyre sillej në të njëjtën mënyrë si dhe i tiji...Krahasimisht, këto ishin arsyet kryesore për atë zotim, që Higgsi nuk mund të shkonte në të ardhmen, çiftëzuar me shpirtin, si çdo qenie tjetër njerëzore. Shkuarja në të ardhmen me shpirtin i dukej si të ecte si i verbër...

Iku Higgsi, iku...i "theu prangat", zgjodhi të kuptojë të kaluarën për të shkuar në të ardhmen. Po a e di njeriu të ardhmen? A e di ai se ç'është ajo?

Tokësorë të shumtë përpiqen ta gjejnë te besimet fetare, të tjerë, qoftë edhe me shaka, e kërkojnë te fallxhoret dhe janë të paktë ata që vënë në përdorim mendjet e ndritura. Për këtë problem populli ynë ka një shprehje "sikur ta dija se kur do të vdisja...do ta kisha bërë varrin vet".

Pra në fakt, tokësori e di se fundi i tij...pra e ardhmja e tij...është vdekja. Por për të arritur deri aty...ekziston një X kohë...ku njeriu, kjo qenie inteligjente mund të bëjë mrekullira e ta zgjasë sa më shumë kohën e ekzistencës, ose, ta shkatërrojë ekzistencën duke e çuar atë në zero.

Dhe autori i "tronditur" pikërisht nga bëmat famëkeqe të tokësorëve kërkon t'i ndihmojë tokësorët duke ia çuar akrepat e sahatit gjithmonë përpara, kërkon t'i zgjasë kohën e ekzistencës, duke i dhënë asaj kuptim. Dhe autori ja arrin. Ai, me fantazinë e tij e çon Higgsin (mendimin) si valë, drejt qendrës së galaktikës "Rruga e Qumështit".

"Tashmë, Higgsi, thotë autori- është valë mendimi në formë që “mediton” i pavarur nga shpirti dhe vepron i lirë. Ai tashmë është një qenie që thjesht shikon, dëgjon, gjykon thellë e mendon. Nuk ndien, pasi i mungon shpirti, por vetëm komunikon dhe gjykon rreth çfarëdolloj ngjarjeje që ndodh në mjedisin, ku ai ndodhet atë moment, dhe është i lirë të marrë vendime pa u penguar nga shpirti. Higgsi tash e tutje është një imazh i qenies së vet, që udhëton me shpejtësinë e mendimit në hapësirat e pafundme të galaktikës Rruga e Qumështit, duke e lënë trupin bashkë me shpirtin e tij-Hittin në planetin Tokë... (romani i parë fq. 16-17)

Autori, e vë veten në vend të lexuesit kur pyet: "Pse Higgsi vendosi të shkojë drejt qendrës së galaktikës "Rruga e Qumështit" ? Ç'ndodhte në këtë galaktikë? Pse ai e quajti planetin ku mbërriti Proton? Po qenien e parë që takoi në këtë planet pse e quajti Kuark? Si jetonin qeniet e tjera protoniane? Nga ndryshonte ky planet nga planeti blu Tokë? C'kuptim ka kohë-hapësira për protonianët? Po për tokësorët? Pse kohë-hapësira konceptohet ndryshe nga protonianët dhe ndryshe nga tokësorët?

Përmes një loje mendimesh, mbështetur në fantazi dhe shkencë, lexuesi qoftë ai i apasionuar nga çfarë ndodh me shoqërinë njerëzore apo edhe ai i apasionuar nga shkenca, do të marrë përgjigje të shumta rreth asaj që ndodh jo më vetëm në botën e saj/tij në planetin Tokë, por edhe rreth asaj që ndodh në galaktikën tonë dhe më gjerë.

Autori duke përdor mjeshtërisht krahasimet, midis asaj ç'ka ndodh me shoqërinë në planetin Tokë dhe në planetin Proton, me atë çka ndodh në natyrë në galaktikën tonë, sikur kërkon t'i shpjegojë lexuesit, sidomos atij të painformuar, pse ai është i "tronditur" nga përgjigjet që ka marrë gjatë zhvillimit të fanta-shkencës së tij se "monstërat"- si ai i quan- nuk mund të jetojnë pa ngrënë, pa gëlltitur apo pa thithur materie, qytetërime, ne, veten.

Ja si autori përshkruan në roman një dialog midis personazhit protonian, Kuarkut dhe personazhit Higgs-tokësorë për të mbështetur konkluzionin e tij (të më falni që po jua jap pak gjatë, por po e paraqesë me qëllim që të merrni përgjigje më të saktë):

"Ka të dhëna se në qendër të Rrugës së Qumështit, apo të çdo lloj galaktike tjetër, ekziston një objekt masiv i quajtur Vrima e Zezë (Black Hole), me një dendësi të pafundme që shkakton një gravitet aq të fuqishëm, sa dhe drita nuk mund të devijojë, por shkon dhe nuk kthehet prej andej, prandaj dhe quhet vrimë e zezë.

Meqenëse edhe drita nuk mund t’i shmanget asaj “monstre”, do të thotë që atje nuk ka lëvizje, nuk ka ngjarje, nuk ka të kaluar dhe, për pasojë, nuk ka hapësirë-kohë. Kështu, hapësirë-koha fillon nga zero ose pafundësisht e vogël atje në vrimën e zezë dhe zgjerohet drejt kufijve të galaktikës apo më gjerë. Aty materia gëlltitet, thithet nga vrima e zezë. Miliona sisteme diellore janë thithur apo janë gëlltitur dhe të tjera që udhëtojnë drejt saj, vazhdojnë të kenë të njëjtin fat. Për pasojë, kjo “monstër” zmadhohet. Ndërsa vetë galaktika zvogëlohet. Fati i gjithë këtyre sistemeve diellore, ku civilizime të ndryshme mund të jenë pjesë e tyre, duke përfshirë dhe planetin ku jetojmë, Tokë, duke udhëtuar pashmangshmërisht drejt asaj “monstre” ka qenë, është dhe do të jetë zhdukja, pra vdekja. Duke thithur vetveten, galaktika zvogëlohet. Zvogëlohet deri në atë moment, që duket se po zhduket e gjitha duke përfunduar në vrimën e zezë ose singularitet, duke lënë përreth hapësirë-kohë të pafundme”. Ajo “monstër”, pasi gëlltit vetveten, në një çast të caktuar, kur përfundimisht çdo gjë përreth saj ka mbaruar në hapësirë-kohë, çka është koha zero, nuk mund të jetojë pa ngrënë, pa gëlltitur apo pa thithur materie, qytetërime, ne, veten. Ajo konvertohet, si të thuash, në një engjëll. Ajo shpërthen. Ky shpërthim, me sa duket, është Big Bang, që quhet dhe shpërthimi i madh i radhës, ngaqë kjo dukuri ka ndodhur herë pas herë dhe do të ndodhë pafundësisht në të ardhmen. Pra, një tjetër botë e re, sipas përkufizimit, lind. Ky është, pra, fillimi, zanafilla ose krijimi i një materieje të re, i lëvizjes, duke bërë që hapësirë-koha të fillojë të ketë kuptim. Çdo gjë nis nga fillimi, nga e para, dhe

kjo është nisja e një ngjarjeje të re”, shpjegoi Kuarku (protoniani).

Ndërsa po dëgjonte gjëra të padëgjuara, të paditura për të, Higgsi (toksoriani), në njëfarë mënyre, ishte konfuz. Megjithatë, Kuarku vazhdoi më tej.

“Kështu, çdo galaktikë ka të njëjtin fat, pra përfundon me vdekje. Por nga kjo vdekje lind një tjetër jetë, që do të thotë ekzistencë, kohë, dhe kjo jetë e re ka një të ardhme, e cila është përsëri vdekja, një e ardhme e caktuar në hapësirë-kohë, një çast që quhet zero dhe kështu vazhdimisht, pa mbarim. Kjo është jeta e gjithësisë.

Ky cikël gjigant ndodh përjetësisht, për të gjitha galaktikat, sepse në hapësirë-kohë, pra në gjithësi, ka pafundësisht galaktika. Kjo është dhe çfarë ndodh me ju njerëzit në Tokë, me ne këtu në planetin tonë. Pra, lindim apo krijohemi dhe shkojmë në të ardhmen, drejt vdekjes...

Dukuri e vazhdimësisë, që i bindet ligjit të papërsëritshëm, në gjithësi, të ashtuquajturit entropi. Ndërmjet lindjes dhe vdekjes është ekzistenca, jeta, koha e galaktikave, si ne, le të themi. Kështu, koha fillon të rrjedhë nga zero dhe mbaron në zero në këtë pjesë të gjithësisë”, përfundoi shpjegimin e tij Kuarku.

“Ju thatë se koha fillon të rrjedhë nga zero dhe përfundon në zero”, përsëriti Higgsi dhe vazhdoi: “Kjo duket si e pakuptimtë.”

“Jo, nuk është pa kuptim”, këmbënguli Kuarku, “sepse kur diçka fillon nga vdekja, pra kur nuk ka lëvizje, nuk rrjedh kohë dhe përfundon në vdekje, ku përsëri nuk ka lëvizje, pra përsëri nuk rrjedh kohë, do të thotë se koha, që përkufizohet nga ndryshimi apo lëvizja e dritës, që të arrijë vendmbërritjen, fillon nga zero dhe përfundon në zero.”

“Ne, njerëzit në Tokë, nuk e konceptojmë kohën në këtë mënyrë”, tha Higgsi, duke vazhduar se në Tokë ishte mendimi se koha është përmasa e katërt e hapësirës, prandaj dhe quhet hapësirë-kohë dhe rrjedh nga e kaluara në të ardhmen. “Por, sipas jush”, vazhdoi ai, “koha rrjedh nga zero e përfundon në zero.”

“Kjo është e vërtetë”, shpjegoi Kuarku, “por me një ndryshim se koha vërtet shkon nga zero në zero në rastin e jetës së galaktikave, por rrjedh në dy drejtime, në dy kahe diametralisht të kundërta. Ajo rrjedh me shpejtësinë e dritës nga e tashmja në të kaluarën dhe nga e tashmja drejt zeros, pra drejt së ardhmes, me një shpejtësi që është relative dhe varet nga shpejtësia e ndryshimit të ngjarjeve në galaktikë e më tej.

Ju, njerëzit në Tokë, kohën e matni në mënyrën tuaj. Ju thoni se koha nis nga zero në tërë gjithësinë, gjë e cila nuk është e vërtetë. Gjithësia është përjetësia dhe koha është po e tillë. Ato nuk kanë fillim apo mbarim. Koha fillon nga zero për një event, siç është shpërthimi i një galaktike, i cili mund të jetë Big Bang, siç e quani ju. Ndërsa ne këtu kohën e matim me shpejtësinë me të cilën materia, pra sistemet e ndryshme diellore, shkojnë drejt qendrës së galaktikës, drejt vrimës së zezë, drejt vdekjes, pra, drejt zeros, por gjithmonë e lidhur me shpejtësinë e dritës.”

“Por ç‘kuptim ka ekzistenca, jeta, kur çdo gjë shkon drejt zeros, pra, drejt vdekjes?”, pyeti Higgsi.

“Për materien në gjithësi, ekzistenca, pra koha, duket sikur nuk ka kuptim, por koha ka kuptim për materien inteligjente. Ka kuptim për qeniet si ju, njerëzit, apo për ne këtu, pasi edhe ne lëvizim dhe ndryshojmë, veçanërisht mendojmë. Dhe, duke qenë se mendimi shkon kudo në gjithësi dhe sheh zhvillime dhe dukuri nga më të ndryshmet, ka vetinë që i gjykon ato duke u dhënë kuptim. Ja përse si pasojë e ekzistencës së materies në hapësirë-kohë, ku dhe bëjmë

pjesë ne, materia inteligjente, i japim kuptim materies jointeligjente dhe, për pasojë, jeta apo ekzistenca jonë merr një kuptim të pazakontë. Prandaj merr kuptim jeta jonë, sepse ne konkurrojmë me njëri-tjetrin, se kush u jep më shumë kuptim ndryshimeve apo dukurive që ndodhin në natyrë. Por më e rëndësishmja është që ne i japim kuptim veçanërisht vetes sonë si pjesë e materies, duke u përpjekur të sofistikohemi sa më shumë dhe sa më shpejt. Dhe këtë e bëjmë duke menduar për të ndryshuar dhe për të prodhuar mjete dhe pajisje, që na ndihmojnë për t’i dhënë kuptim mjedisit që na rrethon dhe vetes, pasi jeta e galaktikave është pafundësisht

e gjatë krahasimisht me tonën, që është pafundësisht e shkurtër, dhe neve na duket sikur mjedisi ku jetojmë, ekziston në përjetësi”, përfundoi Kuarku.

Në dialogun e mësipërm, autori na lë të kuptojmë se midis protonianëve dhe tokësorëve ka dallime të theksuara të zhvillimit dhe të kuptimit për atë ç'ka ndodh në gjithësi dhe shoqëri. Protonianët, në fantazinë e autorit, e kanë më të qartë rrugën e zhvillimit, ndërsa tokësorët janë konfuz. Këtë autori, e tregon përmes personazhit Higgs, i cili, thotë autori - "për të kuptuar se ç’kuptim ka jeta e qenieve inteligjente, pra edhe e qenieve njerëzore, kërkonte që të niste udhëtimin drejt planetit nga kishte ardhur, duke zbuluar se çfarë kishte ndodhur në atë planet në të kaluarën. Ai donte të dinte nëse kishte kuptim jeta apo jo, ishte ajo e bukur e ia vlente të jetohej për të gjithë tokësorët apo njerëzit, që kishin fatin të jetonin, për një kohë të caktuar, atje në Tokë, çka edhe për të kishte qenë e rëndomtë.

Në fakt, për të qenë të sinqertë, ai kishte pasur kundërshti të mëdha me shpirtin e tij dhe, për pasojë, nuk i kishte pëlqyer të jetonte më tej në atë mjedis. Kur Higgsi ishte në planetin Tokë, ishte e tanishme për të. Por tani, që ai është në një planet tjetër, njëzet e katër mijë vjet-dritë larg nga ku ishte, këtu është e tanishme për këtë planet dhe e kaluar për planetin Tokë. Pra, Higgsi do ta fillojë udhëtimin nga e kaluara drejt së kaluarës së ardhme, deri në të tanishmen, në të cilën planeti Tokë vazhdon të udhëtojë. Ndërsa planetin Proton do ta shohë për herë të fundit në të tashmen e tij dhe gjatë udhëtimit do të ndeshë të kaluarën, deri në fillesat primitive të civilizimit të tij. Higgsi, në të dyja rastet, është i interesuar të vëzhgojë të dyja qytetërimet, tokësorin dhe qytetërimin që i duket aq i zhvilluar dhe i sofistikuar, planetin, ku aktualisht ka stopuar udhëtimin në të kaluarën e tokësorëve.

Te Higgsi duket sikur e kaluara dhe e tashmja janë të përziera, sikur bashkëjetojnë. Megjithëse, në fakt, e tashmja e këtij planeti dhe e kaluara e tokësorëve janë dy të kundërta, ngaqë imazhet e tokësorëve janë larguar me shpejtësinë e dritës, në mbi katër milionë vjet-dritë në të kaluarën dhe imazhet e vendësve vazhdojnë të largohen prej të tashmes së tyre. Kështu, në të njëjtën hapësirë-kohë, dy civilizime, në largësi prej mijëra vjet-dritë larg njëri-tjetrit, përzihen duke mos e dalluar praninë. Ai, tokësori, ekziston atje, në të kaluarën e vet dhe është primitiv e i pazhvilluar, ndërsa ai i protonëve është në kulmin e zhvillimit dhe të sofistikimit, sepse jeton në të tashmen, ndaj dhe ka filluar, si të thuash, “të nuhasë” praninë e qytetërimeve të tjera në hapësirat e veta.

Në "debatet" midis Higgsit dhe Kuarkut në atë Udhëtimin e njëkohshëm, në të ardhmen dhe në të kaluarën, Higgsi kuptoi se "Gjatë gjithë ekzistencës së vet, tokësori ka qenë në luftë me dukuri të ndryshme natyrore dhe shoqërore, natyrisht, për të siguruar ekzistencën e vet duke eliminuar njeri-tjetrin! A nuk duket paradoks, të eliminosh vetveten për të ekzistuar?!

Higgsi i thotë Kuarkut “Gjatë gjithë historisë sonë, të gjitha misteret apo dukuritë e pashpjegueshme nga ana tyre tokësorët ia atribuojmë krijuesit. Me kalimin e kohës, disa prej tyre u shpjeguan, u njohën nga përmasa e pestë (mendja), që përdor mendimin dhe jo shpirtin. Çfarë mbetej e pashpjeguar, i atribuohej përsëri ekskluzivisht krijuesit, jo nga përmasa e pestë, por nga kundërshtarët, nga ata tokësorë, që më shumë kishin besim te shpirti. Me sa dukej, këtu qëndronte dhe mosbaraspesha ndërmjet mendimit dhe shpirtit në trurin e tokësorit. Dhe cikli është përsëritur vazhdimisht, ku përmasa e pestë, merrte nga krijuesi shumë e më shumë mistere duke i shpjeguar ato”.

Çdonjëri nga ne, ka "tronditjet" e veta. Autori në romanin "Tokësorët në hapësirë-kohë... ç'tronditje", merr përsipër, përmes botës së tij, të hyjë në botën e tokësorëve dhe të shpjegojë pse-në e tronditjeve. Autori pyet gjithmonë veten (përmes personazhit Higgs) se përse qenia njerëzore është shumë entuziaste të jetojë? Përse të mbijetonte primitive e me aq vështirësi në hapat e parë të ekzistencës së vet në Tokë? Si ia doli asaj mbijetese dhe në ditët e sotme arrin të mbizotërojë tërësisht planetin ku jeton"?

Në kapitujt e romanit si: Udhëtimi i njëkohshëm, në të ardhmen dhe në në kaluarën; Qytetërimet e humbura; Qytetërimet e konvertuara; Pronarët e popujve; Epokë e re; Beteja për ndryshim; Shpirti i demonit; Paraja... puna e konvertuar në konvencion

Përsëri tokësorë; Ndalesa e parë dhe... ulja e fundit; Kafka; Gluoni; E = mc2 dhe Përmasa e pestë, tregohen tronditjet, shkaqet e tyre, përgjigjet për një jetë të paqtë.

Duke lexuar me vëmendje titujt e kapitujve të romanit të parë, dhe duke e vënë veten në rolin e lexuesit tokësorianë do të ngrija disa pyetje si:

A është e mundur të udhëtosh njëkohësisht në të ardhmen dhe në të kaluarën?

Pse qytetërimet humbasin? Në ç'mënyrë bëhen betejat për ndryshim? Pse autori e përshkruan shpirtin e demonit? Pse e ka bërë objekt të romanit paranë? Pse e ka kthyer, Higgsin, Kuarkun, Ardin dhe Gluonin në planetin Tokë? Për kë kafkë bënë fjalë në kapitullin "kafka"? Çfarë roli i ka dhënë në kapitullin "Gluoni", Gluonit në zgjidhjen e problemeve tokësoriane? Pse autori ka thirrur në ndihmë të zgjidhjes së problemeve tokësoriane zbulimin e Ajnshtajnit E=mc2? Pse analizon me mjeshtëri artistike dhe përpikmëri shkencore "përmasën e pestë"?

Lexuesit, gjatë leximit të këtij romani do t'i dalin përpara edhe pyetje të tjera. Merita e tij qëndron në atë se ai është horizontgjerë, di se "tronditjet" e tij, nuk kanë lidhje me përkatësinë e tij etnike, politike apo fetare, por ato shtrihen në hapësirë-kohë, duke dalë nga planeti Tokë, nga sistemi ynë diellor, e duke e çuar fantazinë, bazuar në ligjet e zhvillimit të shkencës, në galaktika të tjera të gjithësisë.

Me këtë roman, si dhe me romanin e dytë,që është vazhdimi i të parit, autori sikur do t'ju thotë tokësorianëve, mos gjykoni horizontngusht, se e mira e tjetrit është edhe e mira juaj.

Autori, si dhe e shpreh në roman, në betejat e tij për "ndryshim", asnjëherë nuk e ka parë punën që ka kryer gjatë jetës, si mjet për t'u pasuruar (lexoni se sa me mjeshtëri shkencore dhe artistke e ka përshkruar lindjen dhe fundin e "parasë" në kapitullin "Paraja") apo për famë. Ai ndahet nga lakmia për pasuri apo për famë, pasi ato ai ka parë si burim i tronditjeve, shkatërrimeve të qytetërimeve, të planetit Tokë që ai e përsërit vazhdimisht si planeti që nuk gjendet tjetërkund deri më sot.

Si dhe ju kam përmendur më herët në këtë punim, romani i tij i parë është botuar në Amerikë, në Shqipëri në vitin 2012 (me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë), e në Spanjë në vitin 2017, por le të themi se asnjë medie shqiptare nuk shfaqi interes për t'ja reklamuar "birit të vet" romanin. Romani ishte pjesë e konkursit të panairit 2012, por anëtarët e jurisë as nuk e kishin shfletuar, jo më lexuar si libër kandidat për çmim. Po pse? Sepse autori as që e koncepton të jetë pjesë e "bredhjes" nga mbrapa demonëve për famë apo çmim, ai ju "bredh" mbrapa mendjeve të ndritura për paqe dhe zhvillim. "Demonët", si dhe ju i nderuar lexues e dini dhe vet ju ngrenë permendore diktatorëve të mëdhenj apo të vegjël, të tilë si Aleksandrit të Maqedonisë, Napolon Zervës etj.

Duke lexuar në roman kapitullin "Shpirti i demonëve", ju do të kuptoni shpirtin dhe qëndrimin e autorit ndaj demonëve. Brenda shpirtit të çdo tokësoriani, gjendet edhe shpirt i demonit. Frika e autorit është se ky shpirt, në rrethana apo kushte të caktuara mund të behet pjesë e tronditjeve të njerëzimit, ashtu si dhe është bërë në realitet gjatë gjithë historisë së tij. Autori kërkon të frenoj veprimet shkatërrimtare që burojnë nga shpirtrat e demonëve. Mënyra se si mund të frenohet jepet sa shkencërisht, po aq edhe artistikisht, sidomos në romanin e dytë "Post-Njeriu".

Nisur nga tronditjet e tij, autori në roman e drejton vëmendjen e lexuesit edhe drejt linjës së dashurisë, e cila zhvillohet nëpërmjet tokësores Ardi dhe protonianit Kuark. Të them të drejtën duke lexuar romanin nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër duke e njohur autorin, këtë lidhje, sipas koncepteve të mia tokësoriane, do ta quaja të pamundur. Pse? Sepse Kuarku-protonian kishte një nivel zhvillimi mendor (ne tokësorët e themi "kulturor") shumë të lartë, ndërsa Ardi, nga ana tjetër, përfaqëson, në origjinë, njeriun primitiv, në kushte të reja. Pra, ky çift i dashuruar, ngel i tillë gjatë gjithë historisë së treguar nga autori në romanet e tij, pavarësisht "disnivelit kulturor". Unë nuk kam një përgjigje, pse autori - Agron, ka bërë këtë lloj lidhjeje, por mendoj se ai sikur i teston "tokësorët", duke guxuar të tregojë se "e pamundura" bëhet "e mundur".

Nëpërmjet kësaj lidhjeje autori, kërkon t'ju tregojë tokësorëve tendencat e zhvillimit të NJERIUT, dalë tashmë, sipas autorit, nga djepi ku lindi - planeti Tokë, e shkuar në hapësira pa fund. Tashmë familja e krijuar nga kjo dashuri, nuk është më vetëm tokësoriane, përsa i përket ADN-së, ajo është e përzier. Është përzier ADN-ja toksoriane- Ardi (nëna) me atë protoniane Kuarku (babai), nga të cilët kanë lindur Gluoni dhe Krispër (djemtë). Autori sikur do t'i thotë lexuesit toksëorianë se ka dhe do të ketë familje të tilla. Tronditëse apo jo për tokësorin, autori i paraprinë mendjes tokësoriane duke thënë të "vërtetat". Autori bënë "parapërgatitjen" e mendjes tokësoriane për ç'ka ndodh rreth saj/tij, duke treguar edhe se si kjo familje jeton, çfarë roli luan secili anëtar i saj për të qenë NJERI.

Lexuesi tokësorianë, do të kuptoj se pse kjo familje karakterizohet vetëm nga dashuria për njeri-tjetrin, dhe si zhvillohet, vetëm, duke vënë në punë mendjen. Do të kuptoj se paraja për këtë familje ka vlerë vetëm për vepra që sjellin zhvillim, se shpirti ka vlerë vetëm për dashurinë për jetën, NJERIUN. Aty, lexuesi tokësorianë do të mësojë, krahasimisht, se si jeton familja e saj/ tij, e çfarë mund të përmirësoj në marrëdhëniet midis anëtarëve të saj, për të minimizuar "tronditjet" e mëdha.

Duke lexuar të dyja romanet dhe duke e njohur autorin që nga fëmijëria e deri më tani, më duket se unë jam një ndër tokësorët që i kam "shërbyer" mbështetjes së ideve dhe fantazisë së tij, që ai e quan "përmasa e pestë".

Ja si i shpreh brengat e veta autori përmes personazhit Higgs: "Në fakt, të gjithë tokësorët përreth dhe shpirti i tij i dukeshin Higgsit shumë të çuditshëm me sjelljet e tyre...Qytetërimi deri më sot ka qenë i vuajtshëm nga ato qenie që pretendojnë se janë inteligjente..." Shumë e goditur, qytetërimet vuajnë nga ato qenie që pretendojnë se janë inteligjente. Kjo thënie ju bënë i nderuar lexues të reflektoni, në mënyrë që të mos tronditeni.

Për t'i iluminuar më shumë lexuesit, në mbështetje të përfundimeve të tij, autori sjell para saj/tij shembuj të shumtë nga historia që e mbështesin këtë ide, por më brilanti është djegia e Xhordano Brunos. Aq mjeshtërisht e ka përshkruar autori këtë ngjarje, sa s'do më duheshin fare kualifikimet që kam bërë në fushën e historisë dhe filozofisë. Mjafton ta lexojë këtë përshkrim mesazhpërcjellës të autorit, për të kuptuar thelbin e bëmave famëkeqe të tokësorëve që nuk vënë në përdorim logjikën e ftohtë.

Dhe autori tregon: "Në të vërtetë, ai nuk u dogj, pasi ishte shpërndarë, kishte ikur. Flaka që po e digjte, meqë pretendonte se ishte dritë dhe ecte me shpejtësinë që dihet, dukej sikur mundohej ta kapte atë, mendjen e Xhordanos, dhe ta digjte. Por më kot, ajo ( mendja) kishte shpejtësi më të madhe. Ajo kishte ikur dhe flaka e kishte të pamundur. Mendimi i Xhordanos ishte shpërndarë tashmë tek të gjithë, madje kishte mbërritur në hapësirat dhe kohën ku jetonte Higgsi, i konsoliduar e i konfirmuar bindshëm dhe ashtu do të ekzistonte përjetësisht. Mandatori nuk arriti të digjte atë mendje të ndritur, por i pavetëdijshëm ai dogji shpirtin e tij. Atë shpirt që nuk kishte mundur ta manipulonte, që të mbizotëronte mendjen tek ai, siç e bënte tek tokësorët, pasi ai nuk ishte si ata. Ai ishte njeri, qenie inteligjente dhe jo tokësor. Më në fund, turra e druve ishte zhdukur, së bashku me Xhordanon. S’mbeti gjë, thjesht një dorë hi...dhe diçka e madhe, që nuk u pa nga ndonjëri atje përreth, mendimi i tij që mbeti në planetin Tokë. Ajo ishte çka mandatori nuk e dogji, pa e ditur që s’e dogji".

Autori Agron e kthen personazhin Higgs përsëri në Tokë pas udhëtimit të njëkohshëm në të kaluarën dhe në të ardhmen, e kthen me mendje akoma më të iluminuar për të shpëtuar njerëzimin. Ajo që të "trondit" me autorin Agron, është fakti se për shpëtimin e njerëzimit ai ka zgjedhur përsëri mendjen e personit, shpirti i të cilit kishte bërë bëma famëkeqe bashkëtokësorëve të tij. Me këtë fakt, gjykoj, autori përcjell mesazh se mendjet që nuk manipulohen nga shpirti sjellin zhvillim.

Ja si shprehet autori në roman për këtë problem: "...Higgsi dukej sikur e kishte gjetur të keqen, që e mundonte qenien njerëzore dhe atë të shumëpriturën, shpëtimin e saj. Por mjedisi në të cilin donte të rijetonte e ta përmirësonte, pas atyre bëmave famëkeqe, dukej se nuk kishte ndryshuar dhe, mbase, nuk e mirëpriste..., ishte ai, bëmat e të cilit asnjëri nuk mund t’i harronte dhe që atë nuk duhet ta shkonte nëpër mend".

Ashtu si dhe inxhinieri Prof. dr. Pajtim Bejtja shprehet në shkrimin që bëri për librin "Tokësorët në hapësirë-kohë... ç'tronditje" se nuk do ta besoja se do të kishte një tokësor si autori Agron Shehu, që të bënte një libër të tillë", po kështu është dhe pyetja ime për Higgsin që erdhi përsëri në planetin Tokë për të shëruar njerëzimin. Por këtu qëndron e veçanta e autorit Agron, ai thyen korniza konceptuale të tokësoreve, për të zbuluar para tyre se njeriu që pranon fajet mund të bëhet pjesë e zhvillimit.

Ndërsa në volumin e parë, nga vetë titulli "Tokësorët në hapësirë-kohë... ç'tronditje", autori gjatë paraqitjes fantastiko-shkencore të historisë së zhvillimit të njerëzimit gjendet i tronditur nga bëmat famëkeqe të tokësorëve, si dhe ai i quan ata, në volumin e dytë ai tregon përpjekjet e tokësorëve për t'u bërë njerëz, përpjekjet e njerëzve, protonianëve dhe protonianëve-tokësorë për të ndërtuar një jetë ku të gjithë të jetojnë në paqe, e mirëkuptim; tregon përpjekjet e tyre për ta bërë NJERIUN të jetojë edhe jashtë planetit Tokë, në planetë të tjerë të sistemit tonë diellor apo satelitët e tyre, por jo vetëm.

Ja cilët janë titujt e kapitujve të romanit "NJERIU": Prapë… ajo, paraja!; Tej tokës; Krispri; ‘Starx’; Adn-ja!; Inteligjenca artificiale-'ia-ja'!; Të parët në Mars!; Dilema e Kuarkut; Fundi i Higgsit; Të vetëm; Jo-gjinorët; Post-njeriu; Zhvillime të reja; Ardipitekus; …Pas një shekulli e më tej; Fillimi i të mëpasshmes; Hëna; Komunikimi; Kuantat; Planeti Afërditë; Çudia!; Projekte të çmendura!; Sistemi jovian; Simulimet; Të papriturat; Qenie jashtëtokësore; Aty ku vetëm eksperimentohej; ‘Divorci’; Përshpejtimi; Akuj të pashkrirë; Në Europën e akullt; Pasojë njerëzore; Këmbëngulja; Përsiatje në të shkuarën!; Të imagjinosh…; Epilog.

Kështu, po të vini re, titujt e kapitujve të romanit, autori e fillon romanin e dytë, me "Prapë...ajo, paraja!, së cilës i ka vënë dhe një pikëçuditëse në fund, për t'i tërhequr vëmendjen lexuesit në kuptimin e saj. Në romanin e parë ai i kushton një kapitull, shtjellimit të lindjes, zhvillimit, mirëpërdorimit dhe keqpërdorimit të parasë vetëm e vetëm që lexuesi të kuptoj, pse paraja, përpos të tjerave, ka shërbyer dhe shërben ende në shkatërrimet e qytetërimeve, të vet qenies njerëzore, që natyra e ka krijuar në planetin e bukur, që nga jashtë tij, duket blu, thotë autori.

Dashuria që ndjen autori për qenien njerëzore, si një gjë e rrallë në gjithësi, e bënë atë, në romanin e dytë t'i rikthehet prapë parasë (që po të lexosh romanet do të kuptosh se ajo është një prej tronditjeve të tij), por duke e vënë atë në një funksion tjetër, në funksionin e bërjes së parasë, jo për luftëra vrastare, por për qëllime të zhvillimit të teknologjisë, gjetjes së energjisë së pashtershme, kryerjes së veprave madhore (për të krijuar anije kozmike si "StarX", zhvilluar, si dhe autori i quan në një kapitull, "Projekte të çmendura") për ta nxjerr tokësorin nga djepi ku lindi dhe u zhvillua në hapësira të reja, "Tej Tokës...( shiheni është një kapitull më vete), në gjithësi.

Jo vetëm për ta nxjerr nga planeti Tokë, por për ta bërë, si dhe autori shprehet, "të pajetueshmen të jetueshme" nga njeriu në planetë të tjerë apo në satelitët e tyre.

"NJERIUN", të cilin autori e vendos në piedestal, do ta shohë të jetojë i lirë në hapësira të pafundme. Me shkencën dhe fantazinë e tij ai i tregon tokësorit të tanishëm se kjo është e mundur, është e mundur që me anë të zhvillimit të teknologjisë, të energjisë atomike (jo më kot ai sjell në vëmendjen e lexuesit se ç'ndodh me atomin, duke ju vënë edhe emrat personazheve sipas grimcave të atomit), të përpunimit të ADN-së së njeriut, të pranimit nga shoqëria të zhvillimeve të reja te NJERIU, si pjesë e zhvillimit të jetës, ku e pajetueshmja të bëhet e jetueshme.

Kur lexova romanin "POST-NJERIU", "luftën" e personazheve Higgs, Kuark, Ardi, Gluon, dhe Krispr në "beteja", që autori i përshkruan, jo vetëm me mjeshtëri të lartë artistike, por edhe në baza të thella shkencore, në mendje, autori Agron më ngatërrohej, herë me Higgsin, herë me Kuarkun, herë me Gluonin, herë me Krisprin... Më dukej se vet ai është modeli i "POST-NJERIUT", pra modeli i njeriut që e bënë të pajetueshmen të jetueshme, parashikues i tendencave të zhvillimit të njerëzimit në të ardhmen.

Këtë gjë nuk mund ta bëj kushdo. Autori-Agron e ka bërë, sepse vet ai që në fillesat e ekzistencës së tij "luftoi" për të jetuar të pajetueshmem, "luftoi" në kushtet kur brenda vetes shpirti ziente nga "tronditjet" e jetës ku jetonte dhe mendja përpiqej të frenonte "tronditjet" deri sa erdhi dita t'i shkruaj ato në roman si kontribut për NJERIUN.

Autori-Agron, që gjatë gjithë jetës së tij, si inxhinier i naftës, nga njëra anë, punoi për të zbuluar hidrokarburet, nga ana tjetër, ai u "trondit", kur kuptoi se, përpos vlerës së tyre të përkohshme si burim i energjisë, përdorimi i tyre ishte dhe burim i të këqijave për NJERIUN dhe planetin Tokë. Hidrokarburet ndikojnë në ngrohjen globale dhe pengojnë zhvillimin e shkencës në gjetjen e burimeve të reja energjetike, pasi demonët, që përbëjnë një përqindje të vogël të popullsisë botërore, i kanë ato burim të madh fitimi. Personazhi protonian Kuark, kishte dëshmuar, thotë autori, se "zhvillimet njerëzore në Tokë lidheshin ngushtas me disponimin e llojit të energjisë që përdornin".

Nga ana tjetër autori, ngre problemin se njerëzimi mund të përdor format e tjera të energjisë që nuk e dëmtojnë jetën njerëzore kur pohon se "Vet universi është energji që transformohen e shfaqen në trajta të ndryshme… ". Këtu ka parasysh zbulimin, e mendjes më të ndritur të njerëzimit, Anshtajnin, energjia - E=mc2, e cila duhet të vihet në përdorim nga NJERIU, jo duke prodhuar bomba atomike, që shfarosin njerëzimin, por duke prodhuar prej saj energji të pashtershme me qëllim që njeriu të jetojë i lirë.

Autori shtjellon idenë e tij për këtë problem duke thënë: "Por ndryshe nga njerëzorët apo të tjera qenie të gjalla, që energjinë lëvizëse e fitojnë biologjikisht, post-njerëzit e Gluonit, me tru kuantik përdornin energji elektromagnetike, përftuar nga radioaktiviteti natyral, çka i bën ata të pavdekshëm. Ata mund të shkojnë kudo në hapësirë, planet a satelit për ta vizituar apo qëndruar gjatë e eksploruar, ndërkohë që njerëzorët e kanë të vështirë, megjithë ndryshimet në ADN që kishin pësuar!"

Në debatin që autori zhvillon midis personazheve mendjendritur, që kërkojnë të bëjnë hapa gjigante në drejtim të zhvillimit të njerëzimit, vë në gojën e personazhit Higgs, tashmë në kohërat e tij të madhërishme, këtë pohim: "Tokësorit iu deshën katër milionë vjet që të zbulonte burimin e parë të energjisë që, në fakt, ishte një frymor që bashkëjetonte me të, por jo i llojit të vet. Ky lloj burimi energjie ishte kali".

Çfarë do të thotë autori me këtë përmbledhje, që bëri personazhi Higgs? Shumë gjëra, por më kryesorja, ai sjell një provë, se përdorimi i një lloj tjetër energjie për kohën, si dhe ishte energjia e kalit bëri të mundur që, tokësori të heqë dorë nga përdorimi i të vrarëve apo i robërve për ushqim", pra bëri një hap para për të mos ngrënë njeri - tjetrin fizikisht.

Goxha hap bëri njerëzimi në këtë kohë...të mos e përdornin veten si ushqim...se vetja-NJERIU është gjëja më çmuar në gjithësi. Kjo u arrit nga mrekullia-energji, e cila sipas autorit është "shkopi magjik" që i heq njerëzimit tronditjet, e çon atë në hapësira të pafundme jashtë planetit Tokë. A nuk luftojnë njerëzit sot për energji që të fitojnë hapësira? A nuk kërkuan Aleksandri i Maqedonisë, Hitleri, hapësira për njerëzit e "vet"? Kërkuan, por jo duke përdorur energjitë e përshtatshme, jo duke përdorur shkencën në gjetjen e tyre, por duke vrarë njerëz të pafaj.

Energjia, për autorin, është "fryma" për njeriun, por jo energjia që përdorim sot ajo e hidrokarbureve që është "vdekja" e tij. Po pse njerëzit e përdorin atë kur është vdekja e tyre? Këtu qëndron thelbi i shtjellimit të kontradiktave njerëzore, që autori ka marrë përsipër. Ai përgjigjet në roman, se nga përdorimi i tyre marrin fitime marramendëse një pakicë njerëzish, të cilët i mbrojnë fitimet edhe me luftëra vrastare duke penguar mendjet e ndritura të sjellin energji pozitive për tërë njerëzimin, shkencën e Ajnshtajnit e të tjerëve si ai. Por detyra e Agronit është t'i jap shpresë njerëzimit se do ta fitojë luftën me "karbin" si dhe ai shprehet në roman. Për më tepër, ajo ka filluar të fitohet, "karbi" është në rënie të lirë. Prandaj i ka vënë personazhet e tij mendjendritur të "qeverisin" jo ngushtësisht, por në hapësirë-kohë.

Ata ecin përpara, kanë zhvilluar teknologjinë, për pasojë komunikimin me anë të internetit e formave të tjera, kanë krijuar StarX-in’, përpunuar ADN-në e njeriut, zhvilluar inteligjencën artificiale. Ata kanë shkuar në Mars, kanë thyer koncepte tokësoriane bazuar në shkencë, për jo-gjinorët, kanë krijuar modelin e njeriut të së ardhmes apo POST-NJERIUT, e kanë shndërruar satelitin e Tokës - Hënën në një bazë eksperimentale për ta çuar njeriun dhe post-njeriun në të tjera hapësira si në hënën jupiteriane, Europën e më gjerë.

Jo vetëm kanë krijuar krijesat e inteligjencës artificiale,por kanë bërë të mundur që ta përafërsojnë atë, me inteligjencën biologjike, atë të njeriut. Këtë autori e përshkruan me mjeshtëri tek lidhja dashurore midis kuantës Afërditë (IA-ja), që zhvillon projekte të çmendura në planetin Afërditë dhe Gluonit. Për më tepër, në këtë lidhje dashurore, që për lexuesin toksorianë sot përkthehet vetëm në imagjinatë, autori ka përshkruar me mjeshtëri edhe një aspekt të jetës tokësoriane, divorcin. Pra, autori i paraprin tendencave të zhvillimit, duke pohuar se lidhjet dashurore apo dhe ndarja ndodh edhe te këto lloj qeniesh.

Aq e fuqishme është fantazia e autorit, bazuar në ligjet e zhvillimit të shkencës, për të bërë të pajetueshmen të jetueshme, saqë në kapitujt "Akuj të pashkrirë", "Në Europën e akullt" (është fjala për hënën e planetit Jupiter-Europa) ai tregon, luftën titanike të personazheve të tij, që personifikojnë mendjet e ndritura, për të shkrirë me anë të energjisë akujt e satelitit Europë, në mënyrë që të krijonin atmosferën, si në planetin Tokë, e cila më pas do të sillte fenomenet dhe dukuritë jetësore të jetueshme nga njerëzit.

Më duket interesante, gjetja e autorit, për të shkrirë akujt e satelitit jupiterian Europa, për ta bërë atë të jetueshme për njeriun. Më duket interesante, pasi vet autori ka jetuar në kontinentin Europa të planetit Tokë dhe me logjikë e ka parë atë të akullt ndaj njeriut si qenie njerëzore, jo të integruar, por të ndarë në kombe që luftojnë me njeri-tjetrin për energji e hapësira; që vrasin njeri-tjetrin për të treguar epërsinë. Autorit i duket më e lehtë, të shkrijë akujt natyralë të satelitit jupiterian Europa, përmes anëtarëve të familjes së Kuarkut, ku lulëzojnë të gjitha ngjyrat (tokësorja, jashtëtokësorja, tokësorja e përzier me jashtëtokësoren) sesa të shkrijë kornizën konceptuale të demonëve në kontinentin Europa, që ai i njeh deri në qelizë.

Nëpërmjet luftës, jo për të vrarë njerëz, por luftës për të bërë të pajetueshmen të jetueshme, atje në satelitin Europa, autori në fakt, jep modelin sesi, të shkrijë edhe akujt që i ndajnë njerëzit në vendlindjen e tij, planetin Tokë, sesi t'jua bëjë jetën atyre të jetueshme. Autori më duket si babai dhe nëna që përpiqen, nisur nga dashuria e tyre, t'ju japë fëmijëve një strehë të ngrohtë. Në bazë të modelit të tij qëndron përdorimi i mendjes në funksion të zhvillimeve shkencore për hapësirë-kohë të pafundme.

Vet personazhi Kuark pohon se atje në planetin proton, protonianët, në fillesat e ekzistencës së tyre, kishin kuptuar se "burimi i të keqes, i luftërave me njeri-tjetrin ishte prania e natës në planetin e tyre. Prej saj trashëgohej në shpirtin e tyre urrejtja për të tjerët, që jetonin më mirë, ndërsa këta të fundit, të dembelosur prej natës, përdornin dredhinë apo forcën, që të jetonin pa punuar, duke përfituar apo duke grabitur nga puna e të tjerëve. Kështu niste dhe lufta. Pra, duke kuptuar se nata ishte djalli që kultivonte apo gjeneronte në shpirtin e tyre atë të keqe, bëri që qeniet e atij planeti të përqendroheshin e të çrrënjosnin atë djall".

Në kohën që Higgsi i njohu protonianët, ata nuk kishin armë, as ushtri. Ata bënin luftëra, por luftëra, ku "çdokush do ta kishte për nder të merrte pjesë në to". Ishin luftëra në kërkim të energjisë dhe zhvillimit të teknologjisë për ta bërë natën, ditë. Dhe protonianët e kishin arritur, ta bënin natën ditë, për pasojë dhe shoqëria e tyre ishte një shoqëri e paqtë. Protonianët kishin krijuar një "diell" të dytë, pikërisht, duke gjetur burime të reja energjie, përmes zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë. Autori, pra Higgsi, e kërkon këtë shoqëri edhe për shoqërinë e planetit Tokë.

E shohim këtë kërkesë në mënyrën sesi krijon modelin e njeriut të ri, apo të "Post-njeriut" kur shprehet: "Krispr nuk ishte thjeshtë tokësorë, nuk mund të gabonte ose të krijonte të papërshtatshëm, jashtë natyrës inteligjente, në kuptimin e të jetuarit në paqe, në harmoni, të pavarur nga njëri-tjetri. Nuk mund të gjeneronte një tjetër Hitt! Ishte një mënyrë për të përmirësuar racën njerëzore që të jetonte e qetë aty në Tokë, edhe të delte në hapësirë… por jo të krijonte monstra".

Sa bukur,,,, NJERIU që ai do është njeriu që nuk gjeneron një tjetër Hitt! (një tjetër Hitler-shënimi im)

Shumëkush nga ju do të pyes: Si përfundoi Higgsi, heroi që ju qep pas të pajetueshmes për ta bërë të jetueshme? Këtë do t'jua lë juve ta zbuloni duke lexuar të dyja romanet. Të gjithë lexuesit do të gjejnë vetën në roman.

Për qëllime praktike të formimit të personalitetit, do e gjejnë veten studentët dhe gjimnazistët e apasionuar pas shkencave natyrore si matematika, fizika; ata të apasionuar pas filozofisë, historisë, letërsisë etj.

Lexim të këndshëm i dashur lexues, me shpresën që ju do të përpiqeni të kuptoni se e pajetueshmja mund të bëhet e jetueshme. Këtë e bënë NJERIU i vërtetë.

25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page