top of page

Maskat mëkatare



U takuan në orën dhe vendin e zgjedhur pak më parë në mesenxher. Maska femër mezi mbushej me frymë, por jo më pak se ajo edhe maska mashkull. Emocioni për takimin e parë ju përzihej me vështirësinë e frymëmarrjes nga maska. Për këtë takim maska femër kishte sajuar veten me një copë pëlhurë të pambuktë në ngjyrën e preferuar, bojëqielli. Maska mashkull ishte i dhënë pas të zezës, si ngjyra që fsheh mistiken e jetës së maskave. Ishte hera e parë për ta, vënia e maskës mbi fytyrmaskën e tyre. Meraku dhe frika nga covid19 kishte prekur dhe botën e tyre maskore. Pala kundërshtuese nuk i rezistoi dot argumentit të shumicës pro vënies së maskës.

-Vërtet jemi maska, por kjo është e vërteta shfaqëse e origjinalitetit të qenies sonë, njëlloj si ajo e qenies njerëzore në çastin e lindjes së saj. Të dy palët jemi të pambrojtur para virusit të padukshëm. Të dy palët, sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për njëri-tjetrin. Por ne kemi privilegjin dhe nderin që në këtë kohë epidemie ta mbrojmë me veten tonë racën njerëzore. Duke e bërë këtë, do shpëtojmë në të njëjtën kohë edhe veten nga zhdukja. Të mbrojmë njeriun përmes vetëmbrojtjes sonë! Pas kësaj fjale të kryemaskës, të gjitha maskat filluan të zgjedhin maskën sipas shijes së tyre. * Të njëjtën gjë bëri dhe çifti i ri maskor, që duke shfrytëzuar një nga mundësitë e daljes nga shtëpia, pas lochdown të shpallur për qytetin ku jetonin, veshën rroben sportive dhe u nisën gjoja si për gjimnastikë trupore, drejt vendit të takimit. Ishte takimi i parë i njohjes reale, pas disa bisedave virtuale në faqen e njohur internetike Maskbook. Ndërsa aty kishin tejkaluar atë që realisht ëndërronin, pa kurrfarë vështirësie në bisedën intime deri në flirt erotik, kur erdhi momenti aprovues i takimit real, të dy maskat u ndjenë si dikur të dashuruarit realë në takimin e tyre të parë. -Domethënë ti je MaskAdami. -Kurse ti MaskEva Qeshën të dy, më bukur se sa mund të kenë qeshur, nëse kanë qeshur ndonjëherë në Eden, njeriu femër Eva dhe njeriu mashkull Adam. Mbase asaj kohe në Eden, ende nuk njihej e qeshura. U takuan me brylet e maskës, njëlloj siç bëjnë njerëzit me maska kur takohen. Dhe qeshën përsëri aq bukur, për këtë imitim nga bota e njerëzve të maskuar me maskat e tyre. -MaskEva, ti je shumë më e bukur se NjeriEva,- vazhdoi fjalën pas prezantimit MaskAdami. -Mos më detyro të them të njëjtën gjë dhe për ty, MaskAdam,- guxoi për herë të parë në jetën e saj MaskEva, të thotë të tillë kompliment për një mashkull. -Ne kemi të vetmin fat magjik kësaj bote maskash, të mos pësojmë fatin e keq të edenasve të parë, e mira ime MaskEva,- vazhdoi i entusiazmuar dhe i lumturuar MaskAdami.

-Dua ta besoj me gjithë shpirt këtë që the, i miri im, por kam frikë, shumë frikë, jo nga bota jonë e maskave, por nga bota tjetër rreth nesh.

-E mira ime, ne kemi botën maskore, më të bukurën dhe të sinqertën botë që ekziston në universin tonë të maskave. -Të kuptoj Maskushi im, nëse më lejon të të thërras kështu me përkëdheli, por bota jonë nuk do kishte as kuptim dhe as ekzistencë, pa botën njerëzore. Jemi dy botë të ngjizura aq fort, sa mungesa e njërës e bën inekzistente tjetrën. Papritur, fjalën ia ndërpret oshëtima e një zëri, që nuk e mori vesh se nga ku dhe nga kush iu drejtua vetëm asaj. -Dëgjo zërin e së vërtetës, moj krijesë e bukur e fantazisë njerëzore! Ti nuk u krijove për të qenë skllave e bindur e njeriut. Vlera jote të ka bërë dikur të florinjtë mbi fytyrat pa jetë të faraonëve dhe mbretërve. Bukuria dhe mistika jote i ka bërë njerëzit të bëjnë atë që kurrë nuk mund ta bënin pa ty.

-E megjithatë, i nderuar i panjohur, jeta ime nuk ka kuptim pa krijuesin e saj. Si mund të jem e lumtur kësaj kohe, kur një e keqe e madhe rrezikon krijuesin tim, domethënë dhe jetën time? -Dëgjo dhe mbaj vesh mirë! E keqja e madhe nuk rrezikon aspak botën tuaj të maskave, por botën njerëzore të maskave. E di që pas pak ti do puthesh me MaskAdamin. Lutem të më thuash pa ndrojtje se si do ndjehesh pas puthjes së parë me maska, me atë që dashuron.

-Domethënë ju vini në dyshim këtë dashuri? Heshtje. -Pse nuk përgjigjeni? Përsëri heshtje. -Ç'pate e mira ime? Me kë po flisje? -Më fal, m'u duk sikur dikush më foli. -Ti po dridhesh, mos bëmë gabim që dolëm mes këtij ajri të rrezikuar nga e keqja?

-Jo, jo i miri im. Asnjë e keqe nuk mund të rrezikojë jetën tonë. Në dreq vaftë kjo maskë, që me aq kujdes dhe fantazi arrita ta krijoj dhe vë mbi maskën time të vërtetë. Dhe me revoltën e maskës ndaj maskës, e shkëput menjëherë nga vetja duke e flakur tutje.

-Flake dhe ti maskën tënde MaskAdami im!- dhe me guximin e çmendur që as në ëndërr nuk e kishte patur, MaskEva i afrohet dhe ngjit buzët e saj tek buzët e atij që i kishte fituar zemrën në Maskbook. Puthja zgjati deri afër pragut të ekstazës. Të dy ishin të dëshiruar ta kapërcenin atë prag. Dhe e kapërcyen. Ishte një kapërcim përtej universit të maskave. Qielli u mbush me miliona maskyje, kurse maskHëna shtoi në listën e adhuruesve të saj edhe emrin e MaskAdamit. Pastaj. Çfarë pastaj? Mos ke ndërmend të thuash atë që dyshohoj se mund të ketë ndodhur si dikur në Eden pas ngrënies nga Eva të mollës së ndaluar? Haaa, si e gjete? Atë do thosha, por meqë e ditke, nuk ia vlen ta them.

Fund @Edmond Shallvari

27 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page