top of page

Manushaqe Hoxha Laçi: Bulqizë, zemër në thellësi

ree

Ej,

Nëse s’e ke parë, mos fol për të,

Bulqiza s’është thjesht një pikë në hartë,

Është vend ku toka flet me zë,

Ku drita vjen nga balli, jo nga lart.

Nën tokë, aty ku s’ka valë, s'ka dritë,

Me zemër n'dorë e me shpresë n'xhep,

Minatori s'hyn për t'eksploruar bukuritë,

Por për të derdhur djersën me dinjitet.

 

Peshon rëndë çdo hap që hedh,

Çdo gur që thyhet, shkruan histori,

Në damarë mali të ngulur thellë,

Ku gjaku i derdhur s'ka vlerë sa kromi!

Bulqizë, ti s’je veç minierë thesari,

Në muzikën e jetës je ritëm i rrallë,

Je nënë me duar të plasaritura,

Që lutet për djalin t'i kthehet gjallë.

 

Je zëri i atyre që s’kanë zë,

Që mbi supe mbajnë peshën e jetës,

Një terr ku koha ecën ndryshe, a s'ecën më,

Ku e turbullt ndriçon drita e shpresës.

E kush s’ta di emrin ty moj Bulqizë,

S’ka njohur shijen e pastër të djersës kurrë,

S'ka ndjerë aromën e pluhurit që të djeg sytë,

Ku mes jetës dhe vdekjes t'qëndrosh burrë.

Ti rron në heshtje, Bulqiza ime,

Por heshtja jote si krismë jehon,

Në këngët e papërfunduara mbetesh sublime,

N'ëndërr t'bllokuara mes skemash e shifrash, jeton.

 

Bulqizë, ti je më shumë se krom, se pasuri,

Je metaforë që s’e gdhend dot asnjë poet,

Je poezi që lind ngushticave t'errëta n'galeri,

Dhe s'vdes kurrë se nuk harrohesh lehtë!

Se ti je gur që flet me djersë e gjak,

Je burrë që s’trembet, s'përkulet nga vështirêsitë,

Je bijë malësore që ecën pa u ndal,

Je mbretëri mbi të gjitha mbretëritë!

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page