Manjola Toska Merdanaj: Ky libër është kryeshenjë e identitetit individual
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Oct 27, 2025
- 8 min read

“Vetëdija ime mban meshë” – Odise Kote
Nga MSc Manjola Toska Merdanaj, mesuese e letersise, gjimnazi "Siri Shapllo".
Së pari faleminderit për ftesën nën temën: Vjeshtë poetike në Gjirokastër, ku ndjesitë e mira vjeshtake harmonizohen me poezinë e mirë, siç e kanë cilësuar, të aristokratit - poet Odise Kote.
Në përmbledhjen poetike “Vetëdija ime mban meshë”, Kote na fton në një udhëtim të thellë shpirtëror dhe filozofik, ku poezia shndërrohet në akt reflektimi, përulësie, të sjellë me një ligjërim të latuar poeti. Me një gjuhë të ngjeshur, plot figura të ndjeshme dhe simbolikë të thellë, autori arrin të prekë gjendje ekzistenciale që i përkasin njeriut modern, por që mbartin peshën e përjetshme të shpirtit njerëzor.
Ky vëllim i ri vjen si një akt poetik dhe metaforik i ndërgjegjes së autorit përballë historisë, natyrës, përjetimeve personale dhe shpirtërore. Problematikat shoqërore, individuale janë dhënë me një gjuhë të zgjedhur, që vë në pah dyzimin e njeriut, dritë-hijet, pasiguritë njerëzore, shkatërrimin e elitave. Vepra paraqitet si një simfoni me një tërësi realitetesh sociale, që ngrihen sa lart në qiell, aq fuqishëm zbresin poshtë në tokë, nxjerrin në sipërfaqe mishin dhe ashtin njerëzor, dhembjen dhe durimin.
Titulli – “Vetëdija ime mban meshë” – sugjeron një rit të brendshëm, një përkujdesje të vazhdueshme për vetveten, për kujtesën, është një metaforë e fuqishme që tregon se brenda qenies njerëzore ka një përballje me ndërgjegjen, me kujtesën, me mëkatin dhe me shpresën. Shpirti poetik fluturon mes vargjesh për t’ju kundërvënë harresës kolektive me vetëdije, subkoshiencë e imagjinatë që luan me veten dhe mbi veten si djall e shenjtor njëkohësisht.
Ky libër është kryeshenjë e identitetit individual. Në përpjekje për të përcjellë këtë dimension, Kote përdor një gjuhë të ngjeshur, herë - herë simbolike, herë të një thjeshtësie të manifestuar - ku imazhi, fragmenti, heshtja dhe vetëreflektimi ndërthuren.
Në një kohë kur fjala e shkruar rrezikon të humbasë mes zhurmës së përditshmërisë, ky vëllimi poetik vjen si një akt i rrallë përkushtimi ndaj thellësisë, meditimit dhe shpirtit njerëzor. Në shumë poezi ndjehet tensioni midis realitetit të ashpër dhe dëshirës për dritë e qetësi. Poeti nuk proteston me zë të lartë; ai rrëfen me përulësi, por me qëndrueshmëri shpirtërore. Kjo e bën librin një përjetim të thellë, gati ritual.
Stili i tij është i pasur, me një balancë mes thjeshtësisë së fjalës dhe thellësisë së mendimit. Disa vargje tingëllojnë si lutje moderne, të drejtuara vetes apo gjithësisë, duke bërë që lexuesi të ndalojë dhe të reflektojë. Në këtë vëllim, Kote nuk përdor gjuhë të zhurmshme, por një gjuhë të heshtur, të menduar, të peshuar fjalë pas fjale. Fjalori i tij poetik është i pasur, por i kontrolluar me finesë. Termat e përdorur shpesh bartin ngarkesa simbolike që kërkojnë interpretim të thellë: “meshë”, “shenjtërim”, “vetëdije”, “peshorja e kohës”, “hija e një fjale”,
Ai nuk e përdor gjuhën për të përshkruar botën, por për ta zbuluar atë në mënyrë ndryshe – si përmes një dritareje të brendshme. Në një nga poezitë shkruan: Në secilën fjalë ka një pikë gjak, / që s’është plagë, por kujtim. Ky varg është thelbi i të gjithë përdorimit të gjuhës në vëllim: fjala si kujtesë emocionale, si mbartëse e dhimbjes, mallëngjimit dhe reflektimit.
Një nga elementet më të arrira të këtij vëllimi është nënteksti i fuqishëm – ajo çfarë poeti nuk e thotë drejtpërdrejt, por e lë të kuptohet. Temat që trajtohen janë universale: vetmia, dashuria, koha, Zoti, mëkati, por edhe absurdi i realitetit, plagët e shoqërisë dhe përballja me të shkuarën. Poezitë e Kotes kanë shpesh ton meditativ, por edhe revoltë të qetë, që vjen si një rrëfim i brendshëm. Poezia është trajtuar si një detyrë – një meshë që duhet shërbyer për shpirtin. Shumë vargje reflektojnë natyrën jo vetëm si peizazh, por si shtresë shpirtërore, vargje që ndihen si mbetjet e kohës, kujtime, plagë, humbje.
Poezitë e këtij vëllimi nuk janë thjesht vargje; janë rrëfime të ndjeshme që ndërtojnë një hartë të brendshme të shpirtit modern. Kote e shikon veten jo vetëm si poet, por si një dëgjues të përhershëm të asaj që nuk thuhet – siç shprehet në një poezi: Fjalët që s’i them i shkruaj në ajër, / vetëdija më lutet mos i harroj.

Stili i tij është i pasur, me një balancë mes thjeshtësisë së fjalës dhe thellësisë së mendimit. Disa vargje tingëllojnë si lutje moderne, të drejtuara vetes apo gjithësisë, duke bërë që lexuesi të ndalojë dhe të reflektojë. Vepra sfidon lexuesin – nuk është poezi “komode”, por kërkon angazhim, heshtje, reflektim. Është akt përballjeje – me natyrën, historinë, kohën, vetminë. Ndërthur lokalitetin shqiptar, identitetin gjirokastrit me universalitetin. Temat përvetësuese si koha, humbja, natyra, bëhen të prekshme për lexuesin shqiptar. Fjala nuk është vetën brum për të ngjizur poezinë e bukur, por element bazë që dëshmon motive jete, ku harmonia dhe shkëlqimi i saj vendosen si gurë mozaiku në këtë letërsi të veçantë.
Poezitë kapërcejnë kohërat, sepse i bashkon të gjitha dhimbja njerëzore që ulërin brenda shpirtit, përplaset në ishujt e brengës dhe gjen paqe te gjërat e mira që vijnë pas furtunës. Poezia "Si do të mundë bota" e Kotes është një tekst i ngjeshur emocionalisht, me ngarkesë filozofike dhe strukturë retorike që shtron pyetje thelbësore për kuptimin e ekzistencës pa një tjetër të dashur, që mund të jetë njeriu, dashuria, ndjeshmëria, Zoti apo vetë poezia. Ka metafora të fuqishme: "mbështjellë nga frikërat e pikta të natës", "boshësi lineare", "misteri që ndez e shuan zjarre", aluzione kulturore si përmendja e Ferrit, Parajsës, germave cirilike, emocioneve hebraike krijon një ndjesi universale, që përfshin religjionin, historinë dhe kulturën botërore. Figura si “ngjarje të trazuara, dallgë, baticë - zbaticë” krijojnë një peizazh simbolik të jetës njerëzore.
"Drita e fjalës" është një poezi e fuqishme, që flet për rolin shpirtëror të letërsisë dhe për besimin poetik në pavdekësinë e saj. Vepra e Kotes vazhdon të frymëzojë përmes këtij vizioni të ndriçuar dhe të thellë për artin. Poezia që paraqet është një shpërthim poetik i mbrojtjes së fjalës, dritës dhe poezisë si akt rezistence ndaj harresës, heshtjes dhe zhdukjes. Ajo përçon një pohim të fuqishëm për rolin e poezisë si qëndresë dhe si thelb i ekzistencës njerëzore. Gjuha është e fuqishme, poetike dhe metaforike, duke përdorur simbole të qëndrueshme si: "dritë", "stuhi", "fara", "agim", "perëndim", "heshtje". Metaforat si: “t’i presin krahët fjalës”, “forma e zbrazur e bregut”, “poezia ime do të jetë fe ekzistence” japin forcë shprehëse dhe krijojnë një dimension të thellë simbolik. Antitezat lindje - vdekje, agim - perëndim – tregojnë dualitetin jetësor dhe ciklik të qenies.
Në poezinë “Ujëra të nëndheshëm” vargjet e gjata, rrjedhin si vetë ujërat që përshkruhen, me një ritëm të brendshëm të qetë, por të ngulitur, që ndjek logjikën e mendimit reflektiv. Strofa e fundit është më e butë, intime, duke mbyllur me një ndjesi personale: ëndrrat e mira, të fshehta. Poezia flet për njerëzit që krijojnë pa bujë, që nuk kanë nevojë për lavdi të jashtme apo miratime zyrtare. Ata janë si “ujërat e nëndheshëm” – të thellë, të duruar, të lirë dhe të ndershëm. Është një himn për krijimtarinë e heshtur, për lirinë mendore, për vlerat e brendshme që nuk kanë nevojë për pushtet.
Poezia “Vetëdija ime mban meshë” është një tekst poetik i thellë, që përzien meditim filozofik me ton elegjiak dhe simbolikë të pasur kulturore. Kjo poezi përfaqëson shpirtin e të gjithë vëllimit me të njëjtin titull, duke ofruar çelësin për të kuptuar estetikën e poetit dhe fjalën e tij të brendshme. Referenca ndaj Nolit në vargun “Si imzot Noli, mban meshë” ngjall rezonanca kulturore, kombëtare dhe shpirtërore, duke e lidhur vetëdijen e poetit me një figurë të shenjtë të historisë dhe gjuhës. Vetëdija përfytyrohet si një “anije e vjetër”, që pavarësisht lodhjes dhe brishtësisë, mbijeton mbi “detet”. Kjo anije është e vogël, por e shenjtë, mbartëse e kuptimit dhe e vlerave të qëndrueshme. Këtu poeti shenjtëron fjalën dhe mendimin. Në kontrast me realitetin e tokës, ku fjala është shpesh e humbur apo e pavlerë, në botën e vetëdijes ajo ka peshe të përjetshme dhe shije besnikërie.
Ndërsa “Poezia ime”, është një reflektim i thellë mbi natyrën intime dhe shpirtërore të krijimit poetik. Ajo zbërthen poezinë si udhëtim të brendshëm, të panjohur, shpesh të pakuptuar nga të tjerët, por thellësisht të vërtetë për autorin. Autori përdor një gjuhë të ngarkuar emocionalisht, me metafora të fuqishme si “zjarr, kurm’ i ëndrrës”, “agimi që shkumb”, “lëngu i rrënjëve”, që krijojnë një atmosferë tensioni, lirie dhe shpërthimi të brendshëm krijues. Fjala është mjet, por edhe qëllim - “zbut gurin”, “vizatohet me lapsa trilli”. Poezia është liri, arratisje dhe kthim në vete. Strofat ndjekin një ritëm të brendshëm që imiton lëvizjen e një treni - ikje e pandalshme, e pavend, por e domosdoshme.
Në këtë mënyrë, Kote krijon një manifest poetik për vetë poezinë - si shpëtim, si shfaqje e shpirtit në një botë ku njeriu shpesh nuk gjen vend.
Poezia "Ka kohë që kërkoj një kishë të re" shpreh një kërkim të thellë shpirtëror dhe emocional për një vend të ri besimi. Vargjet sjellin imazhe të buta, nostalgjike dhe natyrore, ku ndjenja fshihet “nën fije bari” si për të treguar se kujtimi i dashurisë është i gjallë në natyrë dhe kujtesë. Kërkimi për një “kishë të re” është një metaforë për një hapësirë të pastër, të re, ku të mos dominojë rutina, dhimbja apo dogma, por një shpirt i gjallë dashurie. Përdoren simbole si “psalm i ri”, “hapi i lehtë i barit”, “drita qiellore”, “vullkan” për të treguar energjinë jetësore që vjen nga dashuria dhe besimi i sinqertë. Vargjet e fundit – “të shqepem, të ngopem dashuri!”- janë kulmi emocional, një shpërthim i dëshirës për t’u çliruar dhe për t’u mbushur me kuptim të vërtetë.
Poezia “E qeshura e mbesës” është shpresë, jetë, sepse këtij shekulli i duhet patjetër një e qeshur fëmije. Universalizon gëzimin individual, shpresën që lind nga një jetë e re që ndryshon të vjetrën e rrugëton për t’i dhënë kuptim mirësisë njerëzore. Poeti lumturohet nga kjo prani, por dëfton detajin më kuptimplotë, “të qeshurën”, që shpirtin e lartëson dhe botës i jep dritë. Ky është Kotja njerëzor, që i ngre kult të qeshurës fëminore, testamentit të mirësisë.
“Poezia e bën botën më të durueshme” ka efekt përmbyllës poetik, që shpalos misionin e poezisë, që niset nga shpirti e përfundon përsëri në shpirt duke marrë me vete rrugëtimin e mundimshëm me emrin “jetë”, sfidat që poeti përjeton në botën e madhe në përbashkimin e historisë me intimen, në luhatjet e buta për të mbajtur qëndrimin e duhur, drejtpeshimin e të cilit e vendos vetë poezia. Ajo, në stilin e Kotes është unitet të kundërtash e urtë-e prapë / ushqyese-mizore, por që cytet të dalë në dritë botimi nga dashuria e pastër për të, duke kaluar përtej luftës së përditshme, duke mposhtur ambicien rrethuese dhe duke na sjellë në mënyrë të përkorë mesazhe mahnitëse.
Si përfundim: Kam mbetur e mahnitur nga ky ligjërim poetik. “Çmenduria” e bukur e vargut poetik të tërheq se është model jetësor që ofrohet si një dritare shprese për të dalë nga kaosi i përditshmërisë, nga ndjesitë ekstreme e nga përplasjet. Vepra është një kontribut poetik i rëndësishëm, që flet përmes heshtjes, mendimit të thellë dhe imazhit të natyrës.
Është një vepër që mbart mesazh për vetëdijen, për poetikën, për detyrën e artit dhe ofron eksperiencë leximi. Një dëshmi se poezia shqiptare bashkëkohore mund të ruajë dinjitetin artistik, përmbajtësor dhe shpirtëror. Një libër që nuk lexohet njëherë, por rikthehet si një lutje që qetëson dhe ndriçon, që nuk lexohet vetëm me sytë, por me mendjen dhe zemrën. Është një ftesë për të dëgjuar zërin e brendshëm në një botë të zhurmshme - një meshë e heshtur për shpirtin.









Comments