top of page

Majlinda Sota Mullaj: Bota pa ngjyra!?



Ngjyrat kanë mbaruar fare, ato kanë humbur fare, nuk ka më ngjyra, pra ngjyrat kanë mbaruar fare. Djali ngrihet, ulet dhe përsëri duke hapur krahët thotë që ngjyrat e botës kanë mbaruar. Kështu përsërit e ripërsërit në vazhdimësi fëmija e një çifti të ri, i cili prej pak kohësh konsultohet në QPS përsa i takon lakunave të lindura gjatë marëdhënies së tyre bashkëshortore. Djali, për ta bërë idenë e tij sa më të kuptueshme, vazhdon të theksoj tashmë me një ton të ndjeshëm dhe pezimist që ngjyrat kishin mbaruar.

Pra, fëmija, ashtu me të shpejtë, në prezencën e dy prindërve të tij, të cilët dolën nga studio së bashku me mua, vazhdoi të përsëriste togfjalëshin, “ngjyrat kanë mbaruar”.  Duke i bërë përsëri një rikalim bagazhit të tij gjuhësor me togefjalëshin “ngjyrat kanë mbaruar ” djali afermoi dhe një herë tjetër që asaj bote, që vetëm ai njeh, i kishin mbaruar ngjyrat.  Përkufizim ky të cilin nuk mundi ta ndërmjetësonte ose spiegonte ndryshe me fjalë të tjera. Me siguri ai flet, mendon dhe shpreh atë botë që, ai si fëmijë jeton ashtu në mënyrën e vet. Pra duke i vendosur theksin botës që ai jetonte, edhe pse në moshën pesë vjeare, besoj që ne të rriturve do të na mjaftonte për të kuptuar botën e tij, pra botën e një fëmije.

Fëmijët janë të çuditshëm. Ata vëzhgojnë, dëgjojnë dhe veprojnë ashtu në mënyrë e tyre. Fëmijët nuk dinë të bëjnë kompromise, ata në përgjithësi hapen, tregohen ose shprehen në bazë të fenomeneve që ata perceptojnë. Një fëmijë që ankohet për mungesë ngjyrash do të thotë që më parë ato i paska njohur. Cilat janë ngjyrat që me të vërtetë fëmijës i mungonin dhe kush janë  ngjyrat që mundeshin ta shpëtonin atë nga ai mankth i madh mungesash !? Çfarë ngjyrash mund t’i mungojnë një fëmije dhe pse ngjyrat që e rrethojnë nuk i bëjnë efekt!? Ndoshta ato nuk i bëjnë efekt sepse ato nuk janë ngjyrat që ai preferon!?  Çfarë dhe kush e influencon botën e një fëmije i cili në mënyrë të pa parë bëhet indiferent përkarshi asaj që bota jashtë i ofron!? Ai është kurjoz për botën e tij të brendëshme dhe ndoshta për këtë ai është në vështirsi, ndoshta dhe i inatosur sepse ai nuk arrin të na i tregojë dhe të na i spjegojë ashtu sikur ai dëshiron ose sikur ai e kupton atë!? Influenca dhe kureshtja për të njohur botën e tij të brendëshme nganjëherë shtohet, zgjerohet dhe arrin një moment që ulërima apo kundërshtimi i çdo lloj imputi që arrin nga bota e jashtëme bëhet shprehje e shenjës së frikës së largimit prej botës së tij të brendëshme. Frika e largimit prej botës së tij merr përmasa të pa para, dëgjohen refuzime, mbyllje, kundërshtime dhe mohime. Bota e jashtme shuhet deri në atë pikë derisa aprovon mungesën e interesit të djalit për ta njohur atë përderisa ai arrin ta vëzhgojë atë, botën e jashtme, ashtu si pa ngjyra.

Pra i kuptueshëm është vetëm faktin që kur bota jonë e brendëshme lundron në një fushë të gjerë ngjyrash, të cilat personifikojnë shkëlqimin e gjithckaje, janë pikërisht këto ngjyra që e ngrejnë gjëndjen tonë shpirtërore në pikën më të lumtur, kjo do të thotë që në këtë mënyrë shpirti ynë arrin të perceptojë, të shohi, të jetojë edhe botën jashtë ashtu plot me ngjyra. Pra ngjyrat thërrasin lumturinë dhe lumturia nuk perceptohet ashtu pa ngjyra. Ngjyrat personifikojnë emocionet e mrekullueshme e pra lumturia pa një përzierje emocionesh të bukura, pra pa ngjyra shkëlqyese nuk ekziston për ndryshe dhe bota që na rrethon do të na dukej ashtu sikur i duket djalit të vogël, njëngjyrëshe ose fare pa ngjyrë.

Pra kudo që të rrotullohemi botët tona individuale ndikohen dhe njëkohësisht ashtu bashkë ndikojnë botën “shpirtërore”. Është një fenomen që na ndihmon të mendojmë fenomenin tërheqës të forcave pozitive dhe negative që trysnojnë shoqërinë. Kjo na ndihmon të  kuptojmë që e nevojshme është kapja e çdo sinjali që na njofton ose na vendos përpara një situate të tillë, sikur mund të jetë ajo e djalit që thërret, bërtet deri në refuzim të botës së ngjyrave të munguara. Pra kjo e fundit shihet me sytë e një fëmije, ashtu sikur ndihet ndikimin reciprok për mirë apo për keq nga ana e shoqërisë tek individi dhe anasjelltas.

Kështu që kuptimi ose rëndësia e duhura, pra thekoj rëndësia e duhura që ne i japim sjelljes së një individi, sikur në rastin me djalin, na ndihmon të ulim ritmin tonë. Në fakt, po ta mirë mendojmë nuk duhet të jetë e vështirë për ta kuptuar se për çfarë ritmi jemi duke folur, kur ne vetë  i japim jetës një ritëm të caktuar duke menduar të mirën tonë, të mirën e fëmijëve tanë apo të familjes dhe në fund të mirën e shoqërisë ku jetojmë. Se vetvetja e dy të rriturve, pra vetvetja e dy bashkshortëve, i drejtoi ata tek një ekspert, ky fenomen me siguri që ka ndikuar dhe në komponentët e tjerë të familjes, sikur në rastin tonë ka ndikuar tek fëmija në fjalë.

Djali i cili ndodhej së bashku me edukatoren në pritje të prindërve, ndoshta ishte pikërisht kjo pritje kështu e pa justifikuar që e vuri atë përballë një bote e cila për atë dukej e pa perceptuar dhe mbi të gjitha e pa justifikuar prandaj dhe imazhi i një bote pa ngjyra ishte një imazh i fortë tek ai...

Pyetja që vetvetiu lind është: Çfarë shoqërie presim të ndërtojmë kur dy komponentët kryesor të saj, pra të shoqërisë, siç është prindi dhe fëmija, ndodhen në udhëkryq të dilemave. Prindërit ndodhen në dilemën e ekzistencës së një  raporti të shëndentshëm bashkëshortor dhe fëmija ndodhet në dilemën e eksistencës së një bote me ngjyrë përsa ai e shikon atë si një jo të tillë. Nga dilema të pazgjidhura lindin ose krijohen të tjera dilema;  dilema që krijojnë pritje dhe që ngatërrojnë idenë e raportit familjar duke krijuar dyshimin mbi pyetjen; se kush duhet të presë dhe kë duhet të presë?  Në një raport të drejtë është pothuajse e qartë  që një prind zakonisht mundohet të mos i krijojë pritje fëmijës sikurse arrin koha e dytë ku fëmija nuk duhet t’i krijojë pritje prindit.

Në kohën kur çifti u bë gati për të dalur nga studio u vëzhgua që fëmija nuk donte të lëvizte  nga karrigia ku ishte ulur. Për një çast kërkova të hedh sytë tek edukatorja e cila nuk ngurroi të thoshte se në të gjithë atë kohë që ne të rriturit ndodheshim në studio djali pothuajse nuk kishte folur fare. Edukatorja spjegohej me ne dhe njëkohësisht kërkonte të bindte fëmijën që të na tregonte vizatimin që kishte bërë për gjatë kohës që prindët e tij ndodheshin në studjo me mua.

Fleta e vizatuar ishte palosur shumë herë saqë fëmija na ftoi që të mos mërziteshim derisa ai ta çpaloste komplet atë. Heshtja që krijoi pritja ishte kurioze po aq sa ishte kurioze dhe vizatimi që ne prisnim të shikonim. I vogli e hapi fletën komplet dhe ajo që u shfaq brënda saj ishte vetëm një fletë e bardhë e paprekur. Një fletë e mbetur ashtu e bardhë sikur edukatorja ja kishte dhuruar. Heshtja e dytë, pra ajo që u krijua pasi ne pamë fletën e hapur, ishte pothuajse pa zhurmë, tashmë dhe zhurma e fletës së zhubravitur ishte shuar dhe nuk dëgjohej më. Vetë heshtja tashmë mori një formë tjetër. Sapo kishte filluar të dëgjohej zhurma e një heshtje të padëgjur ndonjëherë më parë. Zhurma e asaj heshtjeje filloj të marrë zë. Ajo ishte me të vërtetë zhurma e heshtjes së djalit të vogël i cili deri në ato momente, që prindërit ishin të angazhur për të folur mbi raportin e tyre, nuk ishte dëgjuar fare. Zhurma e heshtjes së fëmijës deri në atë moment ishte përqëndruar në brëndësinë e asaj fletës së bardhë, duke kërkuar kështu që të mos çpërqëndronte atë heshtje e cila kishte përfishirë studjon në të cilën ndodheshim unë dhe prindërit e tij.

Nëna e djalit instiktivisht mori në dorë kutinë e ngjyrave dhe ndoshta me një xhest të tillë donte t’i demostronte djalit të saj që lapsat me ngjyra ishin aty. Habija zuri vend në të gjithë fytyrën e saj. Djali ashtu si me nxitim u drejtua drejt kutisë duke e rrëmbyer atë ashtu me të shpejtë dhe pa folur e vendosi atë mbi tavolinë. Heshtja e disa sekondave ngriu në fytyrat e të gjithë të pranishmëve. Nuk kaloj shumë dhe djali gati i shqetësuar tha: -nuk janë këto ngjyrat e mija - dhe ndërsa me dorë tregonte kutinë e ngjyrave vazhdonte të përsëriste: nuk janë këto ngjyrat e mija. Këto, vazhdoi  ai gati i zemëruar,-  janë ngjyrat e kopshtit. Këto përsëriste ai, duke marrë në dorë përsëri kutinë e ngjyrave dhe duke e përplasur atë në tavolinë,-  janë ngjyrat e kopshtit.

Çfarë nënkuptonte  djali vallë me ngjyrat e kopshtit!? Në moment mendova të ndërhyja duke i thënë që mund të merrte kutinë me vetë dhe t’ja çonte atë fëmijëve në kopësht. Por pamja e djalit të mërzitur më bëri që të hezitoja. Djali ngriti sytë ashtu i inatosur dhe për një moment nuk mori asnjë lloj inisiative. Qëndrimi im në heshtje ishte që djali të reagonte. Nuk vonoi dhe djali mori përsëri në dorë kutinë e bojrave dhe me një lëvizje të shpejtë e fshehu atë nën grumbullin e dosjeve që ndodheshin mbi tavolinë. Asgjë nuk mundi ta qetësonte. Bota e tij nuk ishte e mundur të ngjyrosej me bojra vizatimi. Bota e tij kërkonte ngjyrat e vërteta, bota e tij kërkonte ngjyrat e saj, ato ngjyra që i ishin mbaruar. Bota e tij tashmë ishte bërë një botë pa ngjyra.

Pas një jave u takuam me të dy prindërit në një tjetër orar. Pikërisht takimi u krye në mëngjez kur djali ishte në kopësht. Takimi mori një kthesë të papritur. Të dy prindërit ishin të përqëndruar vetëm tek marëdhënia me fëmijën e tyre. Pothuajse gjithë takimi ju dedikua marëdhënies me djalin e tyre dhe çuditërishtë ata të dy nuk folën fare për veten apo për raportin bashkëshortor. Për tre herë në vazhdim u zhvillua po e njëjta situatë. Nuk kisha dëgjuar aq shumë mbi jetën e vërtetë të tyre sa dëgjova në ato takime. Takimin e radhës prindërit më kishin lajmëruar që do të vinin së bashku me djalin pasi nuk mundeshin të organizoheshin ndryshe.  Këtë radhë isha kujdesur që të eliminoja nga tavolina çdo gjë që mund të provokonte ose shqetsonte memorien e të voglit.

Djali sapo hyri, gjeja e parë që bëri ishte ekzaminimi i tavolinës.  Vrojtimi i tij kureshtar dhe gati shqetësues ishte ndoshta sepse donte të kuptonte se kutia e ngjyrave ishte apo jo mbi tavolinë. Ashtu kureshtar kërkonte atje ku ai i kishte lënur herën e fundit. Më pas djali i vogël më pyeti për Ninën, edukatoren.  Ndërsa ju përgjigja që ishte duke ardhur ai menjëherë nxori nga xhepi i vockël i pantallonave dy fleta vizatimi të palosura ashtu sikur ai dinte t’i paloste. Te dyja fletat ishin të mbushura plot me vizatime të ngjyrosura. Këtu janë të gjitha gjërat që kam bërë në kopësht,- tha djali i vogël. Ndërsa mori frymë thellë u drejtua tek karrigia e “tij” në të cilën u ul ashtu i rehatuar. Pas këtij akti heshtja pushtoi përsëri dhomën.  

Ndërsa unë me prindërit e tij po drejtoheshim drejt studios, pashë që djali po na ndiqte pa na i ndarë sytë. Tek hyrja e studios ndalova hapat dhe ashtu papritur u drejtova tek ai. Pa u menduar dy herë e ftova që dhe ai të hynte në studio me ne, pra me mua dhe dy prindërit e tij. Ndoshta ishte shikimi i tij ashtu  penetrues dhe i vendosur që më ndihmonte  të merrja atë vendim. I vogli u ngrit nga ku ishte ulur pa u përgjigjur dhe po ashtu pa hezituar mori rrugën drejt studios. Unë hyra e fundit.  Në dorë mbaja karrigen ku djali me rehat  ulej çdo herë që priste prindërit e tij që dilnin nga studio. Mbylla derën dhe vendosa karrigen e djalit midis dy karrigeve në të cilat uleshin prindërit e tij. Djali u ul menjëherë tek karrigia e sapo vendosur dhe, me një kuriozitet shikonte karriget ku do të uleshin prindërit e tij. Karrigia e sapo vendosa nuk u hoqë asnjëher nga ai pozicion. Të qëndruarit brënda ose jashtë studios ishte një çështje e të treve, përderisa të tre së bashku ishin pjesë e këtij udhëtimi, po të tre do të duhet të ishin të përfshirë dhe në mënyrën e  marrjes së vendimit. Ja pse bota nganjëherë mund të duket fare pa ngjyra.

Bergamo, qershor  2024

56 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page