top of page

Mahmuth



Tregim nga Fatmir Terziu


„Mahmuth, a po vjen?“ Eh, kështu e thirri ajo së pari në sy të prindërve. Me këtë emër u ngjiz më tej ai edhe tek gjyshja e tij, edhe tek gjyshi tetëdhjetëvjeçar. Edhe tek fisi, e tek të gjithë të mbeturit në atë fshat. Se që thua ti miku im, në atë fshat kanë mbetur vetëm pak shtëpi. Dhe ata që kanë mbetur janë të moshuar. Aq sa kanë mbetur në atë fshat ende e respektojnë shumë njëri-tjetrin dhe madje sakrifikojnë çdo gjë për ta kënaqur mikun që ndodh të jetë në anët e tyre. Ende janë me të vjetrën, thonë vetë ata, duke shtuar se sa të jetë njeriu fukara sytë vetëm në qiell i ka. Me modernen sikurse e thonë nuk janë ndeshur akoma, apo më mirë nuk janë infektuar prej saj. Nuk kanë dalë jashtë vendlindjes. Nuk kanë pasur mundësi në kohën e tyre të rinisë, se ashtu ishte koha. Por dhe në vitet nëntëdhjetë ata mundësitë i kishin të kufizuara.

Aty u rrit Mahmudi. Aty u shkollua dhe aty kishte rrënjët e tij, derisa çuditërisht dhe ai si disa shokë të tij djaloshë, e theu traditën e shkruar e të pashkruar të atij vatani dhe emigroi duke u varur sa në maune e në kamionë për në Angli dhe më tej kur erdhi koha për nuse, ai i kërkoi dorën Lisës. E ajo që e kishte rastin ta njihte mjaft mirë që në kursin e kolegjit ku ai ishte regjistruar dhe ajo i jepte ESOL, po aq dhe në restorantin e prindërve të saj ku ai punoi. E kështu e thonë troç Lisës, i kishte ngjarë të ishte një djalë punëtor dhe një dashnor i mirë. Ajo nuk e refuzoi. Por ndërsa ajo i pranoi, pretekstet e prindërve anglezë u bënë më të habitshme e pretendimet e tyre, sikurse paragjykimet u bënë më të thella. Lisa i quante ato demonë të lekut dhe të përbuzjes së tjetrit.

Kur e takova për herë të parë, ajo ishte bashkë me Mahmudin dhe ndejtëm një kohë të gjatë bashkë në një kafene „Costa“.

„Demonët e mi duan që unë të humbas, por unë nuk do të humbas një djalë si ky“, - më tha ajo dhe ma bëri me gisht nga ai, ndërsa nuk hezitoi dhe e puthi fort në buzë në sytë e mi. E më tej vazhdoi të më rrëfehej…


Dhe kur të vijë koha, lotët e mi nuk do të bien si shiu, sepse loti i perceptuar do të jetë çaj i ngrohtë dhe mjaltë i freskët që rrjedh faqeve të mia. Shpresoj se një ditë do të lahem me luledielli dhe dashuri të pastër, jam lodhur nga ngacmimet e ngordhura që më rëndojnë trupin, ato zhyten si kokosi i freskët në lëkurën time. Unë zhytem nën ujë ku koha ndalon për një sekondë dhe jam në paqe. Shpresoj që një ditë të mund të ndeshem me ujëvara të nxituara pa u lutur për atë moment realiteti të ndryshuar. Shpresoj që një ditë të lahem me trëndafila në vend të dhimbjeve të mia…

Lisa fliste. Unë vetëm miratoja duke tundur kokën. Vetëm tundja kokën…, pasi nuk e dekodoja dot bisedën e saj. Më dukej se fliste me të dashurin e saj, Mahmudin e jo me mua në atë rast. Sidoqoftë unë e dëgjova.

Lisa jeton me prindërit e saj. Prindërit e saj kanë një shtëpi dy katëshe, vilë tipike angleze në një zonë të Londrës. Prindërit e saj kanë dhe një restorant të vogël. Kanë më shumë se tridhjetë vite që janë të lidhur me atë biznes. Por Lisa më thoshte se ishte ndryshe. Pronësia e saj e vetme është bukuria. Ka një trup si ngjalë. Ama është mjaft e zgjuar. Buzët e saj janë si dy luleshtrydhe të ngjitura së bashku. Fjalët e saj që nxjerr nga goja e tregojnë një vajzë të edukuar mirë, të shkolluar në një nivel të konsiderueshëm.

Ah, se desh harrova, në atë takim ajo kishte përpara vetes në tryezë një revistë dhe diku aty më zuri syri një frazë që doja ta kuptoja më mirë nga shpjegimi i saj.

„Raining cats and dogs“ – i thashë ku e kishte kuptimin.

Menjëherë u tregua e gatshme dhe ia nisi. Idioma në gjuhën angleze „raining cats and dogs“ ose „raining dogs and cats“ përdoret për të përshkruar shiun, veçanërisht shiun e fortë. Është me etimologji të panjohur dhe nuk lidhet domosdoshmërisht me fenomenin e kafshëve që bien shi. Fraza thuhet se është përdorur të paktën që nga shekulli i 17-të.

E kuptova i thashë, ndaj më duhet të iki me vrap, se nuk kam ombrellë me vete. Lisa buzëqeshi pak, e puthi dhe një herë Mahmudin në buzë dhe m'u kthye mua duke më thënë se herën tjetër duhet të mbash ombrellën me vete. Këtu i thonë Londër. Mua më është bërë një sëmundje kronike, pasi përditë dëgjoja fjalët e gjyshes sime, që më rriti, duke më këshilluar të mbaja një ombrellë të vogël në çantë. Gjyshja ime që ishte përkujdesur aq shumë për mua që të mos më gjente gjë nga shiu dhe lagështia, gjithnjë më shpotiste keq për punën e ombrellës. Ehe, ishte shumë shpotative. Ishte e tillë me mua derisa ndërroi jetë nga një simptomë e mushkërive që i kishin thithur ujë të tepërt nga atmosfera e lagur e Londrës.

Eh gjyshja. Gjyshja ishte shumë e thellë. Mbaj shumë kujtime për të. Por kur erdha tek gjyshja e Mahmudit, në fshatin e lindjes së tij në Shqipëri mua më dukej se gjyshet janë të gjitha njëlloj. Edhe ajo ishte shpotative, edhe pse nuk ia kuptoja mirë gjuhën. Ditën e parë, sa u zbardh përjashta, dëgjova zërin e saj …


O, kuku…, kuku. A nuk ka parë nuse ai me sy, a …qyqa, qyqa. Tërë natën kilivili, e tërë ditën njashtu. Ja tashti dielli ka shkue matanë kodrës së vreshtave dhe ai akoma me atë në shtrat. O kuku, djali qenka trend fare nga trutë.

Unë sa e dëgjova e fiksova celularin tim në regjistrim dhe thashë me vete, se kur të ngrihet Mahmudi do ti lutem të ma përkthejë. E kështu bëra. E regjistrova të gjithë fjalën e gjyshes, ndërsa ndonjëherë fjalët nuk i dëgjoja fare mirë, pasi ajo fshinte me një grumbull barishtesh të thata oborrin e madh që kishin para shtëpisë.

Ajo fliste me vete dhe vazhdonte të fshinte.

Hajde dil përjashta. Dil se ju zuri dreka duke bërë gilivili. Nuk po të dilet nga dhoma, ah kuku, kuku djali. Mahmud, apo jo më kot ..., ah jo më kot të ka vënë atë emër ajo more bir, Mahmuth… Ah, Mahmuth, mamuth, ah… E unë nuk durova dot dhe qesha me zor, pasi gjyshja shfryu fort në gjuhën e saj dhe e hodhi tej me inat atë grumbull barishtesh të thata. Në atë kohë, Mahmudi u zgjua dhe unë nuk e ndaloja dot të qeshurën time.

„Çfarë ke më pyeti, a mos po flisja përçart në ëndërr?“

„Jo“ – i thashë.

„Po atëherë?“

„Ja dëgjoje.“

Mahmudi nuk u mërzit për veprimin tim dhe e dëgjoi me kujdes… Pastaj u ngrit dhe duke më lënë mua në dhomë vetëm doli përjashta. Unë prapë po regjistroja në celularin tim.

„Mirëmëngjes gjyshe.“

„Mirëmëngjes more bir…, po…“ – i foli dhe ia bëri me shenjë nga dielli.

„Unë me u zgjue herët moj gjyshe, po ku din ajo. Ajo dhe në banjo duhet ta shpie unë. E ku di ajo me u vesh …“

„U kuku, u prandaj i mban ato të shkretat sa gishtat e mi. Oh, kuku …“

„Gjyshe mos se po i bie në qafë kot tani. Ato nuk duhen përmendur. Janë punë private.“

„Po tradita jonë, po … ku vajti?“

„E ku di ajo nga tradita. Ku di ajo me mbaj dimija…“

„Po me tu hudh në pren a din ajo? O kuku … kuku“.

„E pra këtu është e gjithë puna, apo jo?“

„Po s'ki ti faj jo. Edhe patikat i ka si ato të vetat. A sillet një e tillë në anët tona? Por kur të vijnë ato të Demiricës pastaj, si do të skuqim faqet?'

„Mirë gjyshe mirë, të dua shumë, kjo është shumë allafranga. Hajde se e ndreq unë…“.

Mahmudi iu afrua gjyshes më afër dhe e rroku në qafë. Pastaj e ngriti në ajër dhe ashtu me të në krahët e tij erdhi drejt e në dhomën ku isha unë. Unë kisha shtangur. Ai po qeshte me të madhe. Gjyshja herë shikonte nga unë e herë nga Mahmudi. Pastaj i foli diçka në vesh… Ajo e shtyu me duar. Ai përsëri i foli diçka tjetër. E ajo në atë rast ia ktheu më në fund duke qeshur… „Juve u ka plas tashmë cipa, po mirë e keni, fare mirë mirë. Jetoje jetën në kuptimin e saj. Dashurohuni dhe dashurojeni jetën. Mahmudi po më përkthente, kur gjyshja ishte më afër meje dhe në gjuhën e saj m'u duk sikur donte të më tregonte më shumë nga jeta e saj e shkuar. Eh, shfryu ajo dhe ofshau. „Sa herët hyra unë në këto dimija, eh sa herët!“

„Gjyshe, gjyshe… do ndonjë gjë?“ – i fola unë në gjuhën time, dhe ktheva kokën nga Mahmudi që të më përkthente.

Ajo buqëqeshi dhe nuk foli asnjë fjalë. Vetëm buzëqeshte… Unë e rroka në qafë dhe ashtu dolëm bashkë në oborr ku ato të Demiricës sapo kishin ardhur…


Sqarime: „Raining cats and dogs“ - Bien shi, mace dhe qen (idiomë e sqaruar në tregim)

129 views8 comments

8 comentarios


Tregim i ndjerë emocionalisht dhe shumë i arrirë artistisht që lexohet me një frymë. Urime profesor! Kur lexova variantin anglez të shiut mu kujtuan variantet tona si bie shi me gjyma, bie shi me kërcunj etj Suksese të mëtejshme i nderuar Fatmir !


Sakip Cami

Me gusta

Resmi Corbaxhi

Ngjarje te vogla te ndertuar bukur dhe me art, qe te mbeten ne mendje per nje kohe te gjate. Dy bote te dhena me dashuri qekane nje pike te perbashket; Dashurine! Faleminderit Fatmir! Kenaqesi te lexosh tregime te tilla.

Me gusta

Janaq Pani

U tjetërsua Mahmuti aty ku turinjtë futi...që kur na u bë me grua në Mamuth u tjetërsua... - një rrrëfim që lexohet me ëndje e një qeshje e hidhur të ravijëzohet në buzë, për fatin e sa e sa Mamuthëve të tjerë. Urime Profesor Fatmiri.

Me gusta

Teuta Beqari Osmani

Po tregim me shumë vlerë që na bën krenar pena e tillë e z Fatmir . Por unë kam lexuar dhe fate që nuk lexohen nga Ju, por nga vet poetet e nga vet shkrintaret që kanë frikë të thonë të vërtetën në kohë të shkuar e të harruar! Pasi u është shterrur frymëzimi dhe presin ndonjë fat tjetër jo si ajo që humbën

Me gusta

Nada Nadia Cela

Lidhje qè has perplasje kulturash. Me njerez tè mire, gjithcka kalohet. Urime!

Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page