Lutfi Dervishi: Protesta mes emocioneve dhe fakteve
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 31 minutes ago
- 2 min read

Protestat nuk janë ngjarje të lehta për t’u raportuar. Mund të parashikosh orën, vendin, drejtuesit, madje edhe sa protestues do të vijnë, por nuk mund të parashikosh sjelljen e turmës.
Një gazetar me përvojë në raportimin e protestave e di mirë se mbi emocionet duhet të mbizotërojnë faktet dhe konteksti.
Për çfarë protestohet? Sa protestues ka? Cila është mosha e tyre, nga vijnë, çfarë pankartash mbajnë dhe çfarë mesazhesh përcjellin? Ku(sh) janë drejtuesit e protestës dhe çfarë po flitet në (prapa)skenë?
Protestat mund të jenë të qeta, entuziaste si manifestimet e dikurshme çdo 1 Maj, por ka edhe protesta që shpërthejnë si vullkan, ku siguria e gazetarit merr përparësi absolute. Në këtë rast, përgjegjësia nuk qëndron vetëm te reporteri në terren, por edhe te redaktori apo përgjegjësi në redaksi, që duhet të sigurojë që raportimi të jetë i saktë, por pa rrezikuar sigurinë e gazetarit.
Gazetaria nuk ka nevojë as për heronj, as për lajmës që bëhen lajm. Siç më pati thënë dikur një ish-ushtarak: “Frika më e madhe që ne kishim në ushtri ishin turmat.” Ndërsa në Shqipëri, policia ende ruan një refleks të vjetër nga koha e komunizmit, frikën ndaj turmave që shpërndahen nga stadiumi. Protestat janë si batica, tërhiqen dhe shpërthejnë papritur. Një reporter duhet të mbajë distancën “higjienike”, as shumë afër, për të mos u bërë pjesë e turmës, as shumë larg, për të mos kuptuar se çfarë po ndodh.
Gazetari është dëshmitar, jo pjesëmarrës. Ashtu si gazetarët sportivë e dinë se thirrjet në kor, britmat, sharjet dhe fyerjet janë pjesë e lojës, edhe reporterët duhet ta kuptojnë se emocionet janë të përkohshme. Gazetari është aty për të kapur momentin, por jo për t’u bërë rob i tij.
Kur protestat kanë tension, bëhen të dhunshme, gazetari duhet të bëjë dallimin mes pyetjeve që i drejton organizatorëve dhe atyre që u bën protestuesve, qytetarëve të rastësishëm dhe sehirxhinjve. Madje, në raportimet live, duhet të peshohet mirë vendimi nëse duhet t’u bëhen pyetje të drejtpërdrejta protestuesve. Gazetarët sportivë e kanë provuar se me çfarë fjalësh reagojnë ndonjëherë tifozët kur janë në kulmin e emocioneve për ekipin kundërshtar.
Raportimi në protestë është sfidues. Çdo protestë ka potencial dhune. Gazetari duhet të jetë zëri i publikut pa u bërë pjesë e turmës, dëshmitar i ngjarjes pa u bërë protagonist. Dhe ashtu si në futboll, rezultati i saktë vlen më shumë se çdo brohoritje. Në fund të fundit, siç thonë gazetarët sportivë, kur ndeshja ka përfunduar 8-5, duhet besuar.
Comments