top of page

Fran GJOKA: Viron Kona dhe libri i tij i ri për fëmijë ”Kampioni Bubulino” 




Bubulinoja shfaqet përsëri në bibliotekën e fëmijëve, këtë herë nëpërmjet librit “Kampioni Bubulino”. Ky libër i ri  i shkrimtarit të njohur,Viron Kona, sapo ka dalë nga shtypi. Redaktor i librit është intelektuali dhe njohës i letërsisë, z.Bujar Agalliu, recensent është shkrimtari AndonAndoni, korrektor gjuhësorështë gjuhëtari MuhametCenko, shtypur në WestPrint, 2025.

      Kam shkruar disa herë për krijimtarinë artistike të shkrimtarit Viron Kona, që është fitues i shumë çmimeve kombëtare, ndërkombëtare dhe i përkthyer e i botuar në Suedi, teksa e kam pritur me shumë interesim këtë botim të ri të personazhit të tij, Bubulino, gjithnjë me kureshtjen se cilat  do të jenë aventurat tërheqëse të këtij vogëlushi simpatik dhe aq të dashur për fëmijët.Personazhi Bubulino, përfaqëson artistikisht një djalë të zakonshëm, i cili fillimisht nga një fëmijë çapkën e i prapë,  u bë interesant dhe tërheqës për fëmijët kur shprehu dëshirën origjinale dhe interesante,  që të ishte njeriu i parë që do të shkonte në planetin Mars. Por, kapiten Liku,  njëri nga miqtë e rritur dhe të afërt të Bubulinos, një kapiten deti i sprovuar, i tha Bubulinos që, krahas hapësirës kozmike, ai duhet të njihte sa më mirë dhe sa më thellë rruzullin tokësor, por edhe detet dhe oqeanet. ”Rruzulli tokësor, - i tha ai, - është “shtëpia e njerëzimit”  dhe e miliarda gjallesave të tjera, kështu që, ti nëse nuk njeh shtëpinë tënde, si pretendon që të njohësh një planet që ndodhet 8-9 muaj udhëtim larg nesh?” E, ndërsa vogëlushi i mençur “studionte” rruzullin tokësor, detet dhe oqeanet, në planetin tonë ka nisur ngrohja globale. Përballë kësaj situate të re, krahas studimeve, por dhe pa hequr dorë nga përgatitjet për të shkuar në planetin Mars,  Bubulinoja, vihet në krye të një ekspedite fëmijësh dhe bashkë me ta nisi të ndihmonte të rriturit për shpëtimin e planetit nga ngrohja globale. Është interesante ekspedita e tij ujore me anijen “Delfini i dy deteve”, përgjatë bregdetit Jonian dhe Adriatik, rreth gadishullit të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit, apo “Bubulinoja dhe Dardi në kryeqytetin e amantëve të lashtë” etj. etj.

Por po aq tërheqëse ishte edhe ekspedita ajrore me helikopter mbi rrugën e Arbrit, e cila asokohe sapo kishte nisur të ndërtohej. Duke përshkruar këto ekspedita dhe lëvizjet e tyre, lexuesi entuziazmohet dhe merr si pa kuptuar njohuri për bukuritë mbresëlënëse të atdheut tonë të dashur.

      Libri “Kampioni Bubulino”,është i ndarë në tri pjesë.

Në pjesën e parë, lexuesi i vogël kënaqet dhe argëtohet me disa episode me humor, që shoqërojnë personazhin Bubulino në jetën dhe në veprimtarinë e tij fëmijërore. Të tilla janë: “Torta me mjaltë”, “Hunda e Pinokut”, “O babi, mos u mërzit!”, “Ç ‘ndodh kur lëviz akrepat e orës së murit?”, “Kalendari vjetor dhe qershitë”,Bubulinoja ka një dëshirë të çuditshme” etj.

Autori si një mjeshtër i  njohur i letërsisë për fëmijë e  tërheq dhe e përfshin lexuesin e vogël në situata dhe skena plot me humor, duke përcjellë njëherazi mesazhe edukative. Ai e shikon personazhin e tij jo si një “plak” të mençur, por si një fëmijë të etur për dije, të mprehtë, të shkathët dhe me imagjinatë të pasur, sikurse dhe të dashur, me humor dhe komunikues me shoqet, shokët dhe të rriturit.Humori i tij shfaqet shpesh dhe papritmas. Kur shoku suedez i propozoi Bubulinos të shkonin në kopshtin zoologjik të uronin nënën arushë me një torët me mjaltë, sepse ajo kishte ditëlindjen e bëhej plot 10 vjeçe, Bubulinoja pranoi që  të shkonin për ta uruar  nënën arushë, por dhe i bëri një pyetje shokut të tij: “Kur unë të bëhem 10 vjeç, do të vijë nëna arushë me tortë me mjaltë për të më uruar mua?” Apo, kur një aktor i teatrit të kukullave po i shpjegonte Bubulinos  se Pinoku e kishte hundën të gjatë, sepse nuk i mbante premtimet që merrte dhe gënjente shumë, Bubulinoja i tha i shqetësuar: “Xhaxhi po hunda ime po bëhet e gjatë?!” Kurse, te pjesa “Prindërit duanqë Bubulinoja të bëhet njeri i famshëm”, autori zbulon përpara lexuesit dëshirat dhe ëndërrimet nganjëherë të tepruara tëprindërve ndaj fëmijëve, duke ua imponuar ata profesionet, pasionet apo dëshirat që ata kanë për jetën dhe të ardhmen.Prindërit e Bubulinos duan që ai të bëhet i famshëm. Ndërsa shëtisnin, babi  i tha Bubulinos:

      -Ne po bisedojmë për ty dhe për të ardhmen tënde. Po i thosha mamit  se ti je me fat që ke lindur në muajin mars, pasi shumë njerëz  që kanë lindur në muajin mars, janë bërë të famshëm. Do që të dish emrat e disave prej tyre?

      -Po, - tha vogëlushi.

      -Në muajin mars, - u përgjigj babi i Bubulinos, -  ka lindur AmerikoVespuçi, një lundërtar i famshëm, emrin e të cilit sot e mban Amerika. Ka lindur Juri Gagarini, i cili u bë njeriu i parë që udhëtoi në hapësirën përreth tokës me një satelit artificial. Në muajin mars ka lindur fizikani dhe shkencëtari i madh AlbertAjnshtajni, ka lindur skulptori me famë botërore Mikelanxhelo, ka lindur piktori  VincentvanGog. -Në muajin mars, - vijoi mami, - kanë lindur edhe shkrimtarë dhe muzikantë të mëdhenj. Unë dhe babi, besojmë që edhe ty Bubulino të pëlqen të bëhesh si ata njerëz  të famshëm, por ti mund të bëhesh edhe  kozmonaut, që të fluturosh me raketë si Armstrongu, i cili është njeriu i parë që shkeli në Hënë. Apo të lundrosh me anije në dete dhe në oqeane si Kolombi dhe Magelani, të bëhesh piktor i famshëm si Leonardoda Vinçi, muzikant si Bethoveni, shkrimtar si Shekspiri, matematikan si Gausi, botanist si Lineu, bamirës si Nënë Tereza, futbollist si Maradona...

      Mami dhe babi, herë njëri dhe herë tjetri,  përmendnin pareshtur emra njerëzish të famshëm, kurse Bubulinoja po u jepte fund akulloreve dhe vijonte të mos e hiqte vështrimin nga kioska e akullores, që tashmë po humbiste diku në fund të rrugës.

      -Si thua Bubulino, ke dëshirë të bëhesh njeri i madh dhe i famshëm si ata që ne përmendëm?

Bubulinoja gëlltiti çfarë kishte mbetur nga dy akulloret dhe pa mamin dhe babin në sy:

       -Shitës akulloresh! - u përgjigj shkurt Bubulinoja. - Shitës akulloresh dua të bëhem!

       -Çfarë?! - sigurisht të dy prindërit nuk e dëgjuan mirë përgjigjen e vogëlushit. Apo jo?!

       -Unë, o ma dhe ba, - përsëriti Bubulinoja, - dua që të bëhem shitës akulloresh.Akulloret mua më pëlqejnë më shumë se çdo gjë tjetër. Në qoftë se  unë bëhem shitës akulloresh, mund të ha akullore sa të dua gjithë ditën dhe gjithë natën dhe nga të gjitha llojet. Edhe juve nuk do t`ju mërzit, duke ju kërkuar vazhdimisht të më blini akullore, por edhe do të kem miq gjithë kalamajtë e lagjes, madje do të jem i rëndësishëm përpara tyre. Gjithë ditën ata do të përmendin emrin tim: “Bubulinoja shet akullore të shkëlqyera!” “Po vjen Bubulinoja me akullore!” “Eh, sikur të ishim edhe ne si Bubulinoja!” Sa herë që fëmijët do të kujtojnë akulloret, do të përmendin emrin tim. Kështu, unë do të plotësoj, jo vetëm dëshirën time, por edhe dëshirën tuaj që të bëhem i famshëm...

Kështu,me humor dhe mësimdhënës, vijojnë edhe episode të tjerë që e mbajnë  lart interesimin e vogëlushëve për të vijuar leximin e librit.

Në pjesën e dytë,autori shkruan disa episode dhe tregime të shkurtra, që i vlejnë jo vetëm fëmijëve, por edhe prindërve të tyre dhe mësuesve. Të tilla episode apo rrëfime janë titulluar:Gurë shahu”, “Bubulino, më thuaj çfarë kuptove?”,“Pedagogji moderne!?”, “Bubulinoja nën bankë”, “Dyzetë ujkonja”, “Hëna sa një kungull!”, “Kampioni”, “Më pëlqen futbolli, por më shumë më shkon mendja tek anijet kozmike.”, “S`ka futbollist që t`i bëjë gol me penallti portier Kallamit!”, “Spektakli i portier Kallamit.”, “Qesh, mirë, kush qesh i fundit!”,”Bubulinoja gjuan penallti”, “Si e komentuan penalltinë e Bubulinos trajneri i tij dhe portier Kallami?”, “Bubulinon e interviston një gazetare e gazetës “Sporti për fëmijë””,”Bubulinoja, hero i ditës në futboll”, “Po vetë Bubulinoja si reagonte?” “Helmeta”... Në këto aventura të mësipërme fëmijët shkrihen së qeshur, jo vetëm me veprimet e Bubulinos, por dhe me zgjuarsinë dhe mesazhin që ai u përcjellë të rriturve dhe disa mësuesve të tij. Me humor të këndshëm përshkruhet veçanërisht tregimi “Pedagogji moderne”, i cili ne të rriturve, na kujton kohën kur ishim të vegjël dhe, mësuesja, ngaqë s`kishim bërë detyrat, na ngrinte me një këmbë prapa dërrasës së zezë. Mjaft bukur përshkruhen edhe veprimet e vogëlushit si futbollist, që me zgjuarsi arriti t`i bënte gol edhe portierit më të mirë të lagjes, i cili e radhiste veten ndër portierët kampion.

Në pjesën e tretë, shkrimtari Kona shpreh artistikisht mesazhi kryesor të këtij libri, mësimin sa më mirë të gjuhës së bukur shqipe dhe shfrytëzimin me seriozitet dhe sa më mirë të pasurive të fjalorit të shqipes, duke mënjanuar përdorimin e fjalëve të huaja të panevojshme, që sot po përdoren dendurpadrejtësisht. Siç thamë, fjalori i gjuhës shqipe është aq i pasur, saqë nuk është aspak e nevojshme që të përdoren fjalë të huaja, në vend të  fjalëve të bukura shqipe, që ne i kemi në fjalor apo në gjuhën e folur  dhe të shkruar. Janë interesante tregimet:“Fjala e huaj në gjuhë është si dhia  ndër dhen”,  “S`është e lehtë të bësh vërejtje!”, “Mua më gjete të më mësosh ti, Bubulino!?”, “Rojës po i binte nervozizmi.”,  “Siç merr edhe jep.”, “Shqipja – bijë e ilirishtes” etj.

Ka origjinalitet, bukuri, mesazhe dhe humor biseda e heroit kryesor, Bubulino me rojën e shkollës, me të cilin vogëlushi bashkëbisedon për gjuhën shqipe, pasurinë e saj dhe përdorimin pa qenë nevoja të fjalëve të huaja. Vogëlushi Bubulino e nis bisedën e tij të parë me rojën e shkollës, duke i argumentuar atij se, nxënësit, sapo hyjnë në shkollë, të parin njeri  që përshëndetin është roja i shkollës. Madje ata e konsiderojnë rojën një njeri shumë të afërt, ata i shprehin atij mendime apo shqetësime  që do t`ia thoshin vetëm prindërve të tyre. Por edhe ai nga ana e tij i mirëkupton ata, i trajton si fëmijët e tij, i qorton me kujdes, por edhe mëson prej tyre, ndërkohë ai është emocionues për lexuesin, kur shprehet se nipit dhe mbesës që kanë emigruar me prindërit në Gjermani, do t`u dërgoj dy abetare, por dhe libra të tjerë shqip, që të mos e harrojnë kurrë gjuhën tonë të bukur.

      Skena e bashkëbisedës së Bubulinos me rojën e shkollës është tërheqëse, e këndshme dhe me humor. Si  pa kuptuar lexuesi merr njohuri për pasurinë e gjuhës shqipe, fjalorin e  saj të pasur, dialektet, por edhe për zëvendësimin e fjalëve të huaja dhe të panevojshme, me fjalë të bukura shqipe, që ekzistojnë, por që duhen përdorur nga nxënësit dhe nga të gjithë shqiptarët e çdo moshe. Për ta bërë edhe më tërheqëse këtë skenë që është kryesorja dhe plot mesazhe, autori përfshin aty edhe të tjerë personazhe si, mësuesin e gjuhës shqipe, shokë moshatarë me Bubulinon me të cilët ai ka dhe kundërshtime, aty ndodhet edhe kryetari i bordit të prindërve, por edhe nxënës të ndryshëm. Personazhet portretizohen në mënyrë të plotë teksa krijojnë marrëdhënie e komunikime interesante me personazhin kryesor. Mes moshatarëve të Bubulinos,  ka edhe ndonjë nxënës, i cili nga zilia kërkon t`i bëhet pengesë  për arritjet dhe sukseset e tij të merituara. Bubulinoja fiton simpatinë e shoqeve,shokëve,mësuesve dhe të të gjithë të tjerëve.

      Po aq interesant e bënë zhvillimin e ngjarjeve të librit edhe përfshirja e natyrshme e dy autorëve të mëdhenj të gjuhës shqipe NaimFrashërit dhe Gjergj Fishtës. Libri shfaq kulturë gjuhësore të autorit, njohje prej tij të kërkesave që ka sot shoqëria shqiptare për t`u ngritur në standardin e dijeve bashkëkohore. Autori përmend me respekt emrat dijetarësh të mëdhenj shqiptarë dhe të huaj, dashamirës të kombit shqiptar dhe të gjuhës së bukur shqipe. Libri mbyllet me vargje kushtuar gjuhës shqipe nga NaimFrashëri dhe,në përfundim me vargje nga Gjergj Fishta:

“Nper gjuhë shqype bota mbarë

ka me ju njohtë se ç ‘fis ju kini,

ka me ju njohtë për shqyptarë;

trimi n' za, sikurse jini.

Prandaj, pra, n' e doni fisin,

mali, bregu edhe Malcija

prej njaj goje sod t' brohrisim:

Me gjuhë t' veten rrnoftëShqypnia!”

      Urime autori Viron Kona për këtë libër tërheqës, plot mesazhe, me humor dhe mbresëlënës, që u shërben fëmijëve në radhë të parë, por edhe të rriturve, ndërkohë që libri është edhe një kontribut i çmuar për dashurinë ndaj gjuhës së bukur shqipe.

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page