top of page

Lungomare

  • Aug 10, 2022
  • 1 min read

Lungomare

Nga Fatmir Terziu


Tani një laps dhe pothuajse mbi gomë

shtriqet, me trup të shkelur, pa gjumë.

Me duar të fashuar dhe të lyer me vaj plazhi,

çfarë rëndësie ka nëse gjuhët e kanë përvjedhur,

palmat nuk do të heshtin kurrë,

trotuaret do të digjen furrë

po ju përsëri mos u shqetësoni fare

përsëri shqiptoni shqip ndonjë rënkim, ose psherëtimë

aty në Lungomare.

Dhe shikoni se tashmë gjuha është e vrarë dhe e çuditshme

ai laps në duart e saj, i kryqëzuar përgjithmonë

dhe pothuajse mbi gomë.


Pra e dëgjoni gjuhën që artikulohet pafajshëm

duke oshëtirë deri tek Uji i Ftohtë.

Në një minikrevat aty pranë një foshnjë

lëviz duar e këmbë mërmërit

buzët e tij tek gjiri i nënës shqiptare

pi qumësht në Lungomare.

Aty është celulari i ndezur, i transferuar dhe i ftohtë,

flet në gjuhë tjetër dhe mesazhet ikin nëpër botë,

dy të dashuruar të rinj e bëjnë detin më të ngrohtë,

do kalojnë ditë, vite, shekuj

e bota do ta harrojë fare

se dashuria e një emri të vërtetë ka vdekur

do të pëshpëritet vetëm si Lungomare.


Natën mes flladit që shkulet nga zemra e detit

foshnja do të përpijë gjithçka, edhe emrin,

sytë, buzët, flokët postmodernë të Tjetrit

aty në Lungomare, nuk do të gjej më të vërtetin.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page