top of page

Lumnie Thaçi-Halili: UDHËT E JETËS KTHEHEN NË VARG

  • 6 days ago
  • 9 min read

UDHËT E JETËS KTHEHEN NË VARG

 Lumnie Thaçi-Halili

Letërsia për fëmijë është njëra prej fushave më të ndjeshme të krijimtarisë letrare, sepse ajo duhet të ndërthurë thjeshtësinë e gjuhës me pasurinë e botës poetike. Në këtë traditë krijuese hyn edhe kjo për­mbledhje poetike “Livadheve të fëmijërisë sime” e Maxhun Osmanajt, në të cilën si prej një dritareje hyn ajër i kahmotshëm, hyn erë bari, hyn zë gjyshi, hyjnë zëra fëmijësh që vrapojnë diku në livadhe... Prandaj, ky libër lirisht mund të thuhet se nuk ndërton vetëm një botë për fëmijët, por në kuptimin më të ngushtë të fjalës, ndërton një botë të fëmijërisë, të kujtimeve, të familjes dhe të kohëve, ku fëmija, gjyshi, mësuesi dhe poeti bashkë­jetojnë në të njëjtën hapësirë poetike.

Një prej tipareve më të dukshme të kësaj për­mbledhjeje, është se poezia nuk ndërtohet vetëm nga këndvështrimi i fëmijës që e jeton botën, ajo ndërtohet  gjithashtu edhe nga këndvështrimi i të rriturit që e kujton atë botë. Kështu poezia e këtij libri lëviz brenda dy botëve: botës së përjetimit dhe botës së kujtimit. Në të parën është fëmija që kënaqet dhe e prek borën, jeton stinët, shkon në shkollë, lexon librin, këndon me zogjtë dhe luan lojën..., kurse në të dytën është i rrituri që kthehet te këto pamje përmes kujtimeve dhe përpiqet t’i ruajë e t’i ndër­thur ato në vargje. Parë nga kjo analogji, fëmijëria në këtë libër nuk është vetëm moshë, ajo është hapësirë e brendshme, në të cilën poeti kthehet vazhdimisht.

Titulli i librit është vetë treguesi më i sinqertë i hartës emocionale të përmbledhjes. Livadhet nuk janë vetëm hapësira natyrore, ato janë më shumë hapësira kujtimesh, të lojës, të mallit dhe të kohës, të cilat nuk kthehen më, por që mbeten gjithmonë brenda poetit. Në këto livadhe ai kthehet jo për të treguar histori të mëdha, por me besnikëri për të ruajtur gjërat e vogla, si fjala vjen, një qengj, një bilbil, një shtator shkolle, një gjysh, një nip, një kujtim që nuk do të largohet kurrë, ja vargjet që flasin: “Sa herë kthehem n’fëmijëri,/Shumëçka më del para,/Më troket një kujtim i ri, /Për një qengj zemërush lara-lara.” (Maxhun Osmanaj, “Livadheve të fëmijërisë sime”, URA, Prishtinë, 2026, f. 29).

Gjyshi pra, shfaqet si figura më e rëndësishme këtu, i cili e përforcon dimensionin e kujtimeve ndër breza. Në shumë poezi gjyshi nuk shfaqet vetëm si personazh familjar, ai është karakter poetik që lidh brezat përmes kujtimeve dhe përvojës së jetës. Ai është tregimtari, këshilluesi, shoqëruesi i nipave dhe mbesave, njeriu që kujton, mirëpo është edhe njeriu që rrëzohet mbi borë së bashku me të vegjlit dhe qesh, njeriu që flet për të shkuarën dhe për jetën. Përmes këtij karakteri poezia krijon një urë lidhëse me brezat, për ta paraqitur familjen si strofullin ku duhet të ruhen kujtimet më të dashura, edhe në qoftë se duhet të ndërrohen rolet, ashtu si te poezia “Në pritje të Babadimrit”: “Gjyshi i dashur, nipin s’e tradhtoi,/N’mesnatë u vesh si Babadimri, diçka i dhuroi.” (f.47).

Një shtyllë tjetër e rëndësishme e kësaj për­mbledhjeje, ndër të tjera, është tema rreth librit, leximit, shkollës dhe dijes. Në disa poezi libri pasqyrohet si shok, si udhë e ndritur, si pasuri dhe si mjet që e ndihmon njeriun në jetë. Megjithëse këto të gjitha nuk thuhen me tone moralizuese, apo didaktike të thata, por me thjeshtësi që e bën mesazhin më të natyrshëm dhe më të pranueshëm për fëmijën përmes vargjeve të thjeshta, dialogut dhe ngjarjeve në poezi: “... Fluturoja nga gëzimi, /Këto fryte që po i shijoj, /Ardhkan vetëm nga leximi!” (po aty, f. 90). Në këtë mënyrë poezia merr edhe një dimension formues, sepse ajo nuk i flet vetëm imagjinatës së fëmijës, por edhe karakterit dhe formimit të tij.

Në këtë rrjedhë poetike duhet parë edhe një element tjetër shumë të dukshëm, që është prania e natyrës si botë e gjallë. Stinët ecin si personazhe, dimri mpreh dhëmbët, vjeshta udhëton, bora vallëzon, dielli ndonjëherë duket sikur fle, zogjtë shtegtojnë, yjet bëhen mister për fëmijën, era zemërohet dhe natyra flet: “Flokët e borës sikur vallëzojnë,/Bardhësia si mbretëreshë shkëlqen,/ Kujtimet për dimrat më rrethojnë.” (f. 52). Me një për­kufizim të përafërt, mund të thuhet, se të katër stinët, më pas dielli, era, zogjtë, yjet dhe hapësira qiellore, nuk paraqiten vetëm si peizazhe dite apo nate, por si qenie që veprojnë, që ecin, që flasin, që zemërohen dhe që bashkë­jetojnë me njeriun: “Largoi vranësirën miqësisht,/ Globin shpejt ndriçoi,/ Natyra ndryshoi mrekullisht,/ Çdo gjë sikur bleroi.” (f. 67). Kjo mënyrë e personi­fikimit e bën botën poetike të gjallë dhe të afërt me imagjinatën e fëmijës, sepse në botën e fëmijës gjithçka ka shpirt dhe gjithkush mund të bëhet mik. Kjo e vendos poezinë në një hapësirë ku natyra dhe njeriu nuk janë të ndarë, por janë pjesë e së njëjtës botë.

Shquhen edhe poezi lirike atdhetare, që lidhen me atdheun, historinë, gjuhën, pavarësinë, mërgimin dhe kujtesën kombëtare apo identitetin kulturor, tema të cilat janë shkruar me ndjenjë të ngrohtë dashurie e përmallimi.

Motivi i atdheut zë vend të rëndësishëm në këtë përmbledhje poetike, i cili pasqyrohet përmes historisë, kujtimit, natyrës dhe dashurisë për vendin. Kjo temë shihet më së miri në poezinë “Gjeografia e atdheut”, ku atdheu nuk paraqitet vetëm si hapësirë gjeografike, por edhe si hapësirë historike, shpirtërore dhe emocionale. Atdheu ndërtohet përmes një varg figurash dhe simbolesh, si lis, kala, flamur, këngë, det dhe bjeshkë, të cilat krijojnë një imazh të shumëfishtë të tij: si histori dhimbjeje dhe qëndrese, si kujtesë dhe krenari, por edhe si dashuri e përhershme. Përsëritja e foljes “është” në secilin varg, i jep poezisë ritëm dhe e forcon idenë e atdheut si vlerë historike dhe shpirtërore dhe identitare: “Është këngë e moçme e kënduar,/Është edhe hartë e përgjakur,/Është flamur ilirie duke valuar,/Është ëndërr  shekullore e përflakur./Është det i thellë i dashurisë, /Është bjeshkë dhe fushë e gjelbëruar,/Është kujtesë e krenarisë,/Dashuri e përjetshme që duhet nderuar.” (f. 87). Pra, atdheu këtu nuk shfaqet si slogan, por si tokë e gjyshit, si vend i kujtimeve, i familjes dhe i fëmijërisë. Ndërkaq mërgimi, shfaqet si ndarje, si mall dhe si pyetje e fëmijës që kërkon të kuptojë botën përtej:

“- Gjysh, na thuaj të lutem,/Çfarë është mërgimi?/ Aty, ku s’desha të futem,/Më kapluan ca ndjenja tundimi.” (f. 68).

Një tjetër motiv shumë i pranishëm në këtë për­mbledhje është koha, e cila shfaqet përmes stinëve, përmes kalendarit, përmes rritjes së fëmijës, përmes kujtimeve, përmes moshës dhe përmes ndryshimit të botës: “Rritu Hanë, rritu!/Bota ka ndryshime,/Lart e më lart, ngrihu, /Paç shëndet, fat dhe bekime!” (f. 81).

Në këtë vëllim poetik, një vend të veçantë zë cikli i poezive dedikuese, i cili mund të shihet si një botë më vete brenda librit. Në këto poezi autori largohet përkohësisht nga temat e natyrës, fëmijërisë dhe atdheut dhe u drejtohet njerëzve konkretë: shkrimtarëve (Xhevat Sylës, Vehbi Kikajt, Xhahid Bushatit), miqve, nxënësve (Ju ruaj në kujtesë; Mungesë), figurave të kulturës dhe institucioneve të jetës letrare e arsimore (Kur na viziton Karvani-Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë; Revistës “Zog mëngjesi”), ditëve festive (Shtatëmbëdhjetë shkurti-Datë e artë). Përmes këtyre shihet që vetë poezia bëhet edhe një formë kujtese, nderimi dhe mirënjohjeje ndaj njerëzve dhe udhëve të lavdishme, që kanë ndikuar në jetën dhe në krijimtarinë e autorit. Të gjitha që u cekën,  pasqyrohen si një lloj galerie poetike portretesh, ku çdo poezi përcakton një portret të gdhendur në varg. Duhet bërë e ditur, se autori nuk përpiqet të ndërtojë portrete psikologjike të thella, por më shumë portrete morale dhe njerëzore, duke theksuar virtyte si urtësia, mirësia, përkushtimi ndaj letërsisë, puna me fëmijët, miqësia, kujtesa dhe dashuria për dijen: “Ka ca vite që e kam njohur, /Në revista dhe në gazeta, /Një ditë zbrita në Shkodrën Loce, /Vëllazërisht i thashë: Tungjatjeta!” (f. 24).

Në këtë mënyrë, këto poezi nuk janë vetëm dedikime personale, mbi të gjitha ato pasqyrojnë edhe një lloj vlerash të çmuara që autori dëshiron t’i ruajë dhe t’i përcjellë te brezat e rinj.

Në shumë nga këto poezi vihet re se figura e shkrimtarit, mësuesit dhe krijuesit paraqitet si figurë e dritës dhe e dijes. Shkrimtari është ai që u jep fëmijëve gëzim, që u jep lexuesve art, që ruan kujtesën dhe që e shndërron jetën në varg. Mësuesi paraqitet si ai që ndërton “kalanë e edukimit”, që hap rrugën e diturisë dhe që mbetet gjithmonë në kujtimin e nxënësve edhe kur largohet fizikisht prej tyre. Kështu, poezia dedikuese merr edhe një dimension edukativ dhe etik, duke e paraqitur jetën si një vazhdimësi mësimi, pune dhe kujtese: “Mësoni ligjet e jetës vetë,/Dyert çelni me çelësin dituri,/Asgjë e gatshme s’ju pret,/Çdo e nesërme ka një kuptim të ri.” (f. 63).

Po ashtu, në disa prej këtyre poezive shfaqet edhe dimensioni kombëtar dhe kulturor, sidomos në poezitë që lidhen me pavarësinë, me bashkimin kulturor, me Karvanin e shkrimtarëve, me revistat dhe me udhëtimet letrare: “Fluturo Karvan, na dhuro fjalë magjike,/T’i shijojmë me shpirt ndjenjat epiko-lirike!/Duartrokitje për ju, duartrokitje për ne,/Ta mbajmë të gjallë me punë, të bukurin Atdhe!” (f. 55).

Për nga ndërtimi formal, këto poezi janë më rrëfimtare dhe më të drejtpërdrejta se poezitë tjera të librit. Ato u ngjajnë tregimeve të shkurtra në vargje, ku tregohet një takim, një kujtim, një udhëtim, një miqësi, një përvojë. Prandaj këto poezi kanë një ton më personal, më bisedor dhe më përkujtimor, të cilat lexohen si rrëfime të shkurtra poetike për njerëzit dhe për jetën. 

Në një kuptim më të thellë, këto poezi tregojnë se për autorin jeta nuk ndahet nga letërsia dhe letërsia nuk ndahet nga njerëzit. Kështu pra, njerëzit e veçantë përjetohen në poezi, ndërsa poezia bëhet thesari më i besueshëm i kujtimit për t’i ruajtur nga harresa dhe për të nderuar gjurmët që kanë lënë në jetën e të tjerëve.

Krahas gjithë këtyre elementeve që u përmendën sipër, vlen të ceket edhe ana gjuhësore e këtij libri për fëmijë, poezia e kësaj përmbledhjeje është e qartë, e thjeshtë dhe e rrjedhshme. Vargu është i kuptueshëm dhe i rimuar, gjë që e bën poezinë të lehtë për t’u lexuar dhe për t’u mbajtur mend nga fëmijët. Nga pikëpamja stilistike, një element shumë të dukshëm zë prania e dialogut, sepse shumë poezi ngandonjëherë ndërtohen si bashkëbisedim midis nxënësit dhe mësuesit, midis nipit, mbesës dhe gjyshit, midis fëmijës dhe nënës, midis njeriut dhe natyrës. Poezia shpesh merr formën e pyetjes dhe të përgjigjes, të bisedës dhe të komunikimit: “-Nënë, të lutem, më trego,/Pse zëra zogjsh më s’dëgjoj?/-Ah, vajza ime, më kupto,/Ikja e tyre, natyrën varfëroi.” (f. 75). Një dialog i tillë e bën poezinë më të gjallë dhe më të afërt me botën e fëmijës, sepse ajo nuk duket si ligjërim nga larg, por si bisedë e drejtpërdrejtë që zhvillohet sakaq.

Nëse shihen të gjitha këto elemente së bashku, del se kjo përmbledhje poetike ndërtohet mbi disa botë që ndër­thuren me njëra-tjetrën: bota e fëmijës, bota e familjes, bota e natyrës, bota e shkollës dhe e librit, bota e kujtimit dhe bota e kohës. Pikërisht ky gërshetim e bën librin të mos jetë vetëm një përmbledhje me poezi të veçanta, por një botë e tërë poetike, ku temat, perso­nazhet apo figurat dhe motivet kthehen dhe lidhen me njëra-tjetrën. Andaj në tërësi, kjo përmbledhje poetike ndërton një botë madhore ku bashkëjetojnë fëmijëria, familja, natyra, libri, kujtesa, shkolla, atdheu dhe koha. I tërë libri duket si një udhëtim nëpër stinët e jetës, ku poeti M. Osmanaj, herë flet si fëmijë, herë si mësues, herë si gjysh dhe herë si njeri që kujton udhën jetësore, të cilën e ka përshkuar.

Përmbyllja e përforcon idenë, se këto poezi nuk janë vetëm poezi për fëmijë, por edhe poezi për fëmijërinë në thelb, si periudhë e jetës, për kujtimet, për familjen, për kohën dhe për udhët e jetës. Pa dyshim që kjo është veçantia më e madhe e kësaj përmbledhjeje, sepse ajo e shfaq fëmijërinë jo vetëm si fillim të jetës, por si një vend ku njeriu rikthehet gjithmonë përmes kujtimeve dhe poezive. Duket si një përpjekje e autorit për ta ruajtur atë kohë kur njeriu gëzohej me gjëra të vogla, kur një borë ishte aventurë, kur një shtator ishte ëndërr, kur një bilbil mendohej se ishte mik dhe kur një libër përbënte një botë të tërë. Thënë drejtpërdrejt, kjo vepër lexuesin e çon apo e rikthen në një kohë kur jeta dukej më e pasur shpirtërisht, me dashuri më të madhe dhe më e thjeshtë njëkohësisht për t’u jetuar.

Gjithsecili lexues, i vogël apo i rritur, Livadhet e Fëmijërisë së poetit të M. Osmanajt në këtë libër, mund t’i përshkojë edhe si livadhe të vetat e të lodrojë lirshëm, sepse ato janë livadhe që u përkasin të gjithëve, si burime më të pastra të jetës. Ato janë vendi ku njeriu kthehet gjithmonë, edhe kur rritet, edhe kur thinjet, edhe kur bëhet gjysh dhe u tregon nipave e mbesave histori të ndryshme, për shkollën, për librat dhe për jetën në përgjithësi.

Nga ana tjetër, për ta shpjeguar më qartë në për­mbyllje, ky libër poetik për fëmijë, nuk përpiqet të krijojë një botë të re, por më shumë ka si mesazh të ruajë një botë që ekziston në kujtime. Fëmijëria, familja, natyra, libri dhe koha bashkëjetojnë në këto vargje si pjesë e një jete të thjeshtë dhe të përmbushur me kuptim të mirëfilltë. Në këtë kuptim, poezia e kësaj përmbledhjeje duket më shumë si rikthim sesa si shteg udhe përpara: një rikthim te fillimet, te kujtimet dhe te gjërat e vogla që në të vërtetë janë gjërat më të çmuara të jetës!

 

 

 


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page