top of page

Lumnie Thaçi-Halili: Shtegtim analitik në universin poetik të Kismete Hysenit


Lumnie Thaçi-Halili: Përmallimi i trajtësuar në varg estetik, ndjeshmëri dhe edukim

 

(Shtegtim analitik në universin poetik të Kismete Hysenit, përmes librit “Vargu im” – poezi të zgjedhura, botoi URA, 2025)

 

Kismete Hyseni është njëra prej autoreve më në zë që e përfaqëson me dinjitet gruan shqiptare, intelektualen e mirëfilltë, nënën, mësuesen, e cila i flet botës me ndershmëri, me dashuri, por edhe me guxim krijues. Pena e saj është fjalë për kujtesën, për fëmijët e sotëm dhe ata të ardhshëm, një penë që i këndon shpresës, që kujton dhe nderon... Në letërsinë shqipe, figura e Kismete Hysenit mbetet një gurthemel i një tradite që kërkon rrënjë të forta dhe po ashtu degë të hapura drejt botës. Ajo nuk shkruan vetëm për fëmijët, ajo shkruan për humanizmin. Dhe pikërisht, te kjo qëndron edhe vlera e saj më e thellë. Vlerësohet si një nga figurat më të spikatura të letërsisë bashkëkohore shqipe për fëmijë, një autore që ka arritur të krijojë një botë të veçantë poetike dhe rrëfimtare përmes një gjuhe të ngrohtë, të dëlirë dhe thellësisht njerëzore. Letërsia për fëmijë, ku ajo nisi rrugëtimin e saj krijues, u pasurua ndjeshëm nga fryma e re që solli pena e saj. Ajo u afrua me fëmijët jo si një zë që mbizotëron me mirëdashje apo që moralizon, por si një bashkudhëtare që ua njeh shqetësimet, botën imagjinare dhe përjetimet e tyre reale. E lindur në Pejë dhe e formuar profesionalisht në Prishtinë, ajo bart në vepër përvojën e mësimdhënëses, të studiueses, të mërgimtares dhe mbi të gjitha, të nënës e shkrimtares që i drejtohet brezit të ri me një zë të sinqertë dhe prekës. Kjo ndjeshmëri, e përshkruar në mënyrë të thellë karakterizon tërë veprat e saj të deritashme, duke na bërë me dije që poezia dhe proza e saj të mos jenë thjesht artistike, por edhe edukative, me një diskurs mikpritës (inkluzive) dhe shoqërore në vetvete. Vargjet e saj  janë të ndriçuar nga dashuria për fëmijët, për gjuhën amtare dhe për historinë. Në librat e saj përfshihet një lirizëm i kthjellët, metafora të ndijshme, që kapin jetën e përditshme dhe e transformojnë atë në poezi. Ajo di të ndërthur estetikën me etikën, përjetimin intim me përvojën kolektive, duke ndërtuar tekste që flasin njëkohësisht për përkatësinë, për mungesën, për ëndrrën dhe për kthimin. Prandaj, duhet kujtuar, që nuk është rastësi, që disa nga librat e saj janë vlerësuar në mënyrë të veçantë, qoftë me çmime letrare, qoftë me përfshirje në kurrikulat shkollore, ndër të cilat vlen të përmendet vepra “Hana në karrocë”, në të cilën shfaq ndjeshmërinë e jashtëzakonshme ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta, duke e bërë këtë libër një mjet ndërgjegjësimi dhe mësimi. Në poezitë e përfshira në tekstet shkollore, ajo flet me gjuhën e fëmijës, por është shumë e kujdesshme ndaj thjeshtësive të zbrazëta, ajo ruan të paprekshëm figuracionin, ritmin, dhe thellësinë poetike, si vlera shquese.


Hyrje në përmbledhjen poetike "Vargu im"


Libri "Vargu im" (poezi të zgjedhura) i autores Kismete Hyseni, është një antologji e krijimtarisë saj ndër vite në vargje, ku paraqet një nga arritjet më delikate dhe domethënëse të poezisë shqipe bashkëkohore për fëmijë, siç u tha edhe më sipër për veprat e saj në përgjithësi. Nisur nga lista e plotë e titujve, ajo na jep një pasqyrë të pasur të strukturës dhe përmbajtjes që ka libri. Me gjithsej 84 poezi që përshkojnë tema nga natyra te familja, nga kurbeti te atdheu, nga loja te legjendat... kjo përmbledhje poetike krijon një mozaik emocionesh dhe mesazhesh që vijnë nga zëri i një gjysheje, e cila komunikon me brezin e ri, me këto lule të jetës me dashuri e përkushtim. Lirisht mund të thuhet se, kjo përmbledhje nuk është thjesht një libër vargjesh të shkruara vetëm për këta shpirtra të brishtë, por është një vepër thellësisht lirike, e ndërthurur me kujtesë personale, ndjenja atdhedashurie, mall për vendlindjen dhe mbi të gjitha, me dashurinë për një fëmijë konkret, mbesën e autores-Erikën. Pikërisht kjo lidhje intime dhe emocionale e kthen poezinë në diçka më shumë se sa letërsi edukative: ajo është poezi e frymës familjare, kujtesës shpirtërore dhe lidhjes së fëmijës me rrënjët. Në përgjithësi, kjo përmbledhje, megjithëse e thjeshtë në paraqitje, mbart në vete një ngarkesë të thellë emocionale dhe edukative. Kjo vërehet që në strofën hyrëse të librit:

I thashë çupës krejt çka pashë,

Fjalë për fjalë e pikë për pikë,

Lulëkuqe, këso, sikur tonat,

Kishin çelë edhe në Amerikë.

Lexuesi ndien përzierjen e mallit dhe habisë, një malli që nuk ankohet, por përpiqet të ruajë lidhjen me vendin e origjinës edhe kur realiteti është i largët. Kjo strofë hyrëse, aq sa është e fuqishme, po aq është edhe e thjeshtë njëkohësisht, e cila  përmbledh thelbin emocional të veprës: përvojën e kurbetit, lidhjen me vendlindjen dhe habinë që diçka “si tonat” (lulëkuqet) mund të lulëzojë edhe larg, në Amerikë.  Ky katërvargësh (katrenë) strukturohet mbi një rimë të pjesshme të tipit b–b, ku vetëm vargu i dytë (pikë) dhe i katërt (Amerikë) realizojnë lidhje fonetike, ndërsa vargu i parë (pashë) dhe vargu  i tretë (tonat) qëndrojnë jashtë sistemit rimor, duke krijuar një konfigurim të lirë dhe asimetrik të tingullit. Kjo lirshmëri ritmike, që shmang skemat tradicionale të rimës së përkryer, përkon me natyrën e brendshme të tekstit: një ligjërim i qetë rrëfimor, si një ninullë, që ruan ngjyrimin e një komunikimi të drejtpërdrejtë e emocional. Zëri lirik artikulohet në vetën e parë, me një ton intim dhe të përkorë, i cili përçon një përvojë personale përmes një akti ndarjeje dhe dëshmie ndaj një tjetri të afërt, në këtë rast çupës. Brenda këtij konteksti, lulëkuqja, si figurë qendrore, ngrihet përtej përfytyrimit natyror dhe shndërrohet në simbol të kujtesës, përkatësisë dhe nostalgjisë atdhetare, duke ruajtur identitetin e saj edhe në një hapësirë të huaj si Amerika. Vargu i fundit, që shënon lulëzimin e “tonave” në një truall të largët, përmban një përthyerje poetike të mallit dhe të habisë, duke i dhënë strofës një përmbyllje me ngarkesë ndjeshmërie të tejzgjatur. Kësisoj, strofa, megjithëse e ndërtuar mbi një formë të thjeshtë, përmban një tension të brendshëm estetik ndërmjet kujtimit dhe të tashmes, rrënjës dhe degës, që e bën atë të veçantë në ndërthurjen e tonit rrëfimor me dimensionin simbolik.

Zëri poetik i poetes Hyseni, bulëzon dritaret e një bote fëminore sikur butësia e një puhize, ku fjalët nuk janë vetëm tinguj, por bëhen edhe bartëse të vlerave, të mallëngjimit, të dashurisë dhe të përkatësisë. Libri, ndonëse me motivim të qartë për të miturit, mbetet gjithashtu një rrëfim i brendshëm i autores, një formë e butë rrëfimi për të kaluarën, për dhimbjet e ndarjes, për mërgimin dhe mallin, por edhe për dritën e shpresës që mbjellin fëmijët, si bekime të Zotit dhe shkëndija të shpresës e bartës të ëndrrave. Poetika e saj është ndër më origjinalet në letërsinë tonë fëmijërore: me metafora të njoma, me ritmika të çiltra, me simbole që rikrijojnë kuptimet nëpër gjuhën e fëmijës. Kështu që, ky libër meriton të lexohet jo vetëm nga fëmijët, por edhe nga prindërit e arsimtarët, si një mjet ndërlidhjeje mes brezash dhe si thirrje që kujtesa kulturore duhet kultivuar me dashuri, e kurrsesi me imponim.

Përgjatë kësaj analize do të synojmë të shqyrtojmë tematikat dhe motivet kryesore, tonin lirik, figuracionin poetik dhe vlerat estetike e edukative të poezive të veçanta që përbejnë trupin e kësaj vepre të rrallë në fondin e letërsisë sonë për fëmijë.

 

Tematika dhe motivet kryesore në përmbledhjen "Vargu im"

Në zemër të përmbledhjes “Vargu im” qëndron një motiv i qëndrueshëm dhe i shumëfishtë: dashuria për fëmijën dhe për atdheun, të shkrira në një ndjeshmëri që tejkalon përditshmërinë. Poezitë artikulojnë përmes një zëri të brendshëm të autores mallin për vendlindjen, dhimbjen e mërgimit, përvojën e ndarjes dhe ruajtjen e kujtesës kulturore, gjithnjë nëpërmjet përfytyrimeve të thjeshta dhe të kuptueshme për fëmijët. Po ashtu, tema të natyrës, të miqësisë, të dashurisë për kafshët, lulet, qiellin dhe yjet janë të pranishme në libër në mënyrë të natyrshme, duke krijuar një univers të gjallë poetik për fëmijët, ku bota e vërtetë dhe ajo imagjinare bashkëjetojnë.

Nëpërmjet një rendi që s’është veç numerik, por edhe i ndjesisë, kemi ndalur mbi disa nga më domethënëset. Andaj, për qëllime analitike, kemi ndjekur një renditje të brendshme në përzgjedhjen tematike. Ndërsa tema udhëtare që i prin udhës poetike, si pikë e nisjes tematike është:

 

1. Atdhedashuria dhe përkatësia.

Në shumë poezi, poetesha K. Hyseni ndërton një përfytyrim të ndjeshëm dhe të thellë të atdheut, jo vetëm si hapësirë gjeografike, por edhe si prekje shpirtërore. Atdheu është vend i ëndrrës, mall i pazëvendësueshëm, është gjuha, nana, gjyshja, shtëpia, qielli, lulet... Kjo temë shfaqet me intensitet në disa nga poezitë. Po pasqyrojmë poezinë “Aty nis atdheu”, në të cilën, autorja e vendos fillimin e atdheut jo në një hartë, as jashtë disa kufijve të ndarë politikisht, por në një vend të shenjtë, Prekazin, te shtëpia e Adem Jasharit:

Në Prekaz, moj bijë

Te Adem Jashari

Aty nis atdheu

Atje shko ma së pari!  (f. 5).

Pjesëzat mohore “mos” dhe një “jo” luajnë një rol kyç në ndërtimin e tonit, kuptimit dhe strukturës emocionale të vargjeve. Ato nuk shërbejnë vetëm si ndalesa gramatikore, por ngrihen në funksione të shumëfishta estetike, simbolike dhe ideore. Së pari, mohimi përsëritës krijon një strukturë ndalimi dhe orientimi: vajza nuk duhet të ndalet në vendet e zakonshme të një rikthimi (në hije, te krua, pranë shtëpisë), sepse atdheu nuk fillon më aty. Ai nis atje ku është bërë flijimi për të, në Prekaz, te Adem Jashari. Kjo lloj qasjeje e çon poezinë përtej përshkrimit emocional, drejt një udhëzimi të shenjtëruar, ku çdo ndalim është një hapësirë reflektimi dhe përuljeje. Mohimet i japin vargut një ton solemn dhe ceremonial. Në vend të një përshëndetjeje të butë për rikthimin, lexuesi përballet me një listë ndalimesh, të cilat krijojnë tension poetik mes të zakonshmes dhe të jashtëzakonshmes. Ndërkohë që në mënyrë natyrale do të pritej që rikthimi të shoqërohej me përqafime, pushim nën hije apo freski në krua, këtu çdo veprim i tillë përjashtohet. Kjo zhvendosje e pritjes emocionale e përforcon ndjesinë e shejtnisë dhe nënkupton se ky vend nuk është më thjesht tokë, por është tokë e shenjtëruar nga gjaku. Përdorimi i pjesëzës “mos” në çdo varg, krijon një ritëm të brendshëm, pothuaj liturgjik, si një amanet i përsëritur që nuk lejon harresën. Ai shërben njëkohësisht si strukturë ritmike dhe thellim emocional, duke e bërë poezinë të ngjajë me një lutje të ndaluar, një kujtesë të heshtur që flet me autoritetin e dhimbjes. Në thelb, kjo poezi përmes mohimit e spastron tablonë nga gjurmët personale për të ngritur në qendër kujtesën kolektive, vendin e sakrificës, pikën nga ku duhet të fillojë përkthimi i ndjenjës së atdheut. Është një ftesë për të mos e kërkuar më atdheun në gjurmët intime, por në themelet e lirisë së përgjakur.

Ndërsa poezia  “Atdheu” ngjan me një psalm të butë për vendlindjen. Poetja arrin të përshkruajë një përvojë universale të mërgimit përmes figurës intime dhe të ngrohtë të çupës që flet me shtëpinë e saj të braktisur. E thjeshtë në formë, por e thellë në ndjenjë, kjo poezi është një shembull i përkryer i mënyrës se si letërsia për fëmijë mund të ruajë fuqinë për të artikuluar ndjenja të mëdha:

Ngadalë, kur t’bie nata

Heshtin rrugët e gjata

Do të vi, tek ti, atdhe

Atje e kam shtëpinë

Atje e gjej qetësinë.    (f. 84) 

Krejt poezia ndërtohet mbi motivin e mallëngjimit për vendlindjen, të artikuluar me një zë të përmbajtur dhe të ngrohtë, që ndjek stinët e shpirtit më shumë se ato të natyrës. Në qendër të vargjeve është përjetimi intim i ikjes dhe dëshira për rikthim, që poetja e kthen në një thirrje të përsëritur në secilën strofë të poezisë me të njëjtin varg: “Do të vi, tek ti, Atdhe.” Ky refren i ngjashëm me lutjen përkujton ritmin e përzemërt të një fëmije që kërkon ngrohtësinë e shtëpisë së humbur. Kurse zëri që flet është i brishtë, përplot mall, por i qëndrueshëm në vendosmërinë për t’u kthyer. Ky zë nuk ngrihet me thirrje të larta, por pëshpërit në mënyrë të ëmbël, thuajse fëmijërisht, duke e bërë poezinë të ndjehet si një ninullë shpirti. Struktura e rregullt e vargjeve, e ndarë në katër strofa të shkurtra dhe ritmike, thekson këtë përfytyrim të qëndrueshëm të kthimit. Metaforat që lidhen me natyrën, si “puhi e lehtë”, “bilbilat”, “trëndafilat”, “qershitë në kopsht”, krijojnë një përshkrim të idealizuar të atdheut, ku çdo detaj të emocionon. Këto figura nuk janë vetëm peizazhe, por mbartin kujtime, përkatësi dhe dëshirë. Motivi i “shtëpisë nën lendinë” është shumë më tepër se një vend fizik, është vendi i origjinës, i identitetit, i paqes së brendshme. Ndërkohë që ritmi i poezisë është fare i butë, si një përsëritje që ndërton ndjesinë e ritmit të frymëmarrjes, një frymëmarrje e cila gjithmonë ndalet tek fjala “atdhe”. Kurse tonaliteti është i përmbajtur, por jo i ftohtë, është një përzierje e harmonizuar mes mallit dhe shpresës.

Ndërsa te poezia në tri pjesë “Atdheu” (f. 54-55), kemi të bëjmë me një trini (triptik) poetik të strukturuar në mënyrë të përkryer, ku çdo pjesë është një dimension i përjetimit atdhetar: personal, natyror dhe kolektiv. Në pjesën e parë, “Atdhe është nëna”, gjejmë një ndërthurje të dhimbjes me përkatësinë, këtu atdheu nuk përkufizohet me kufij gjeografikë, por me marrëdhënie intime e të përditshme: fytyra e motrës, gërsheti, loti, varri i babait:

Atdhe është nëna

Është dhembja

Është kënga plot vaj

Atdhe është gërsheti i motrës

Janë sytë e saj.

 

Atdhe është shtëpia

Është ëndrra, fëmijëria

Është loti në mërgim

Atdhe është varri i babait

Është varri im.                    (f. 54)

Është poezia më e prekshme emocionalisht, pasi përmes fjalëve të thjeshta përshkruhet ndjesia më e thellë: të jesh larg nga vetvetja dhe ta ndjesh atdheun si mungesë, si nevojë, si plagë, si vaj, si ëndërr...

Në pjesën e dytë, “Atdheu është Yll”, poezia merr një ton simbolik dhe natyror. Atdheu përfytyrohet si ujë i pastër, si ara me grurë, si lulëkuqe në prill, duke e vendosur përkatësinë kombëtare në kontekstin e një peizazhi të dashur dhe të përjetshëm. Këtu, natyra bëhet përmendore e padukshme e ndjesisë kombëtare dhe çdo imazh merr vlerën e një shenje të identitetit:

Atdheu është jetë

Është dritë dhe nurë

Është ujët e kulluar

Është ara me grurë.

 

Atdheu është Diell

Është lulëkuqe në prill

Atdheu është Hanë

Atdheu është Yll.         (f. 54)

 

Tek pjesa e tretë, “Atdheu jemi ne”, vargjet shndërrohen në manifest të përbashkët, ku përkatësia merr formën e një bashkimi shpirtëror. Është poezi që tejkalon mallin dhe simbolin për të dhënë një mesazh për vetëdijen qytetare dhe identitetin e përbashkët:

Atdheu është liria

Është dhembja,

Është dashuria.

 

Atdheu është ky dhé,

Atdheu jam unë, je ti

Atdheu jemi ne.          (f. 55)

 

Pra, sikurse shihet, atdheu nuk është vetëm kujtim, por është prania jonë e përbashkët, veprimi ynë i përditshëm. Të qenët së bashku është vetë mënyra më e thellë për të qenë në atdhe!

Vazhdojmë me poezinë “Lërmë të vij me ty, moj Hanë” e cila përbën më vete një udhëtim imagjinar me aromë malli, ku fjalët udhëtojnë më shpejt se trupi. Gjuha është e butë, lirike, si një përkëdhelje mbi trupin e Shqipërisë. Vargjet ndërtojnë një peizazh emocional ku qytetet nuk janë vetëm vende, por ndjenja, si këto:

 

Lërmë të vij me ty, moj Hanë,

Ta shuaj mallin në Tiranë,

Të falem, rend, me fushë e kodër,

Që nga Shkupi deri në Shkodër.

 

Lërmë të vij, moj Luleborë,

Sa ta puth flamurin në Vlorë,

Sikur loti yt i pastër,

Të pi ujë në Gjirokastër.

 

Unë po vij, ti më bëj dritë

N’Pogradec a në Mirditë,

Me këta sy ta shoh lirinë

Të marrë ngryk krejt Shqipërinë... (f. 6)

Tirana si etje, Shkodra si frymëmarrje, Gjirokastra si lot i pastër. Përdorimi i metaforave të ndritshme (“të pi ujë në Gjirokastër”, “si pëllumb në imagjinatë”) e bën mallin më shumë se thjesht ndjenjë, e bën një formë udhëtimi të brendshëm. Është një poezi që nuk kërkon të shkojë diku fizikisht, por të afrohet përmes ëndrrës dhe dashurisë.

Në radhë vjen një vargëzim që s’mund të anashkalohet “Ejani në Vlorë”, e cila vjen si një thirrje. Është ftesë për bashkim, për kujtesë, për ndjenjë kolektive. Vargjet e saj kanë ritmin e një marshimi, ku ndarja e dhimbshme gjen shërim përmes përqafimit nën flamur:

Njëqind vjet më parë

Me zor na kanë ndarë...

 

Ejani në Vlorë

Të gjithë në Nëntor,

Ta ngremë lart Flamurin

Përmbi re përpjetë,

Për ditëlindjen tonë

Më njëzet e tetë.       (f. 7)

 

Këtu, Vlorës i jepet statusi i qytetit amë, që përmbledh në vetvete një histori, një dhimbje, një festë. Kjo poezi nuk është vetëm për fëmijë, ajo u flet brezave që i kanë mbajtur sytë drejt Shqipërisë si një ikonë shprese. Thirrja për të ardhur në Nëntor është një metaforë e kthimit në vetvete, në origjinë, në zemrën që rreh njësoj në çdo kohë. Hapësira e radhës i përket poezisë “Do të vij”, e cila është një rrëfim vendosmërie. Subjekti lirik i saj nuk është më një shikues përtej xhamit të mallit, por për një kthyes, njeriun që po kthehet me bindje, me zemër të ndezur:

Do të vij, mëmës i thuaj

Nuk më ngroh ky diell i huaj,

Më njëzet e tetë nëntor

Do ta zë qiellin me dorë,

...

Unë po kthehem në atdhe,

Diell e hanë i gjej atje,

E gjej vendin dhe lirinë,

Miqtë e mi që vejnë e vinë,

Një pëllëmbë tokë ta ngre shtëpinë,

Se e dua Shqipërinë,

Se e dua Shqipërinë.  (f. 8)

Vargu “do ta zë qiellin me dorë” është një metaforë e fuqishme për kapërcimin e pamundësive, për përqafimin e lirisë dhe identitetit. Poezia ndërton një kontrast mes “diellit të huaj” dhe ngrohtësisë që pret në Vlorë, si për të treguar se drita e vërtetë nuk është ajo që të ndriçon, por ajo që të ngroh. Është një poezi që nuk ka vetëm mall, por ka vendim. Është rikthim, është ngulm, është vendosmëri për të qenë vetvetja!

2. Malli dhe mungesa është tematika dhe motivi që pason. Poezitë me këtë përmbajtje janë të përshkuara nga një mall i brendshëm për tokën e largët, për vendlindjen, për afërsinë fizike me të dashurit, si tek poezia “O Yll”: Kjo poezi është më thellë qenies, më refleksive. Është një bisedë me një shpirt që ndoshta endet në errësirë, dhe një thirrje për të mos mbetur në vetmi. Vargjet e saj e shpalosin me shumë finesë atë që shpesh fshihet pas heshtjes: dhimbjen që s’thuhet, mungesën që dhemb në trup. Autores i mjafton një imazh – përkëdhelja e munguar në ballë për të përshkruar një botë të tërë të thyer. Poezia merr tonin e një lutjeje të ëmbël: “Shpejto Yll, për hatrin tim!”. Kjo nuk është thjesht kërkesë për kthim, por nevojë për përqafim emocional. Poezia flet për shërim, për rikthimin tek e njohura, tek ajo që të zbut plagët.

Kjo ndjesi ndodh më së shumti nga këndvështrimi i një gjysheje që komunikon përmes vargut me mbesën e saj apo nipin, duke përçuar mall, ngrohtësi dhe një dëshirë të përhershme për rikthim. Për ilustrim fjalësh, po e nisim  me poezinë që vjen, e cila ndërton një tjetër tingull emocional “Më prit harabel”. Ndërtohet mbi një rrëfim të ndjeshëm, që zë fill në mëngjesin e një dite të zakonshme fëmijërie, por shndërrohet në një moment emocional të thellë përmes mungesës së figurës atësore. Strofa që nis poezinë është ndërtuar me një ritëm të lehtë dhe kumbim zërash fëminorë, shërben si kontrapunkt ndaj trishtimit që do të shpërfaqet menjëherë më pas. Ka zë lirik, ngaqë poetja Hyseni zgjedh zërin e një vajze të vogël për të rrëfyer një mungesë që ka peshuar rëndë mbi shpirtin e saj. Në këtë zë, ndjeshmëria nuk buron nga dramatizimi, por nga një brishtësi e sinqertë që gërsheton mallin, mungesën dhe përpjekjen për të kuptuar realitetin e ndarjes:

S’po fle miku im, kënga jote më zgjoi,

Por pa babin tim në shkollë s’mund të shkoj.

Nuk po më gëzojnë pesat, që i kam radhitur,

Prandaj s’do të vij, se jam e mërzitur.  (f. 10-11)

 

Ai mall shndërrohet në pasqyrë të një fëmijërie që e ndien peshën e një bote që nuk mund ta ndryshojë. Ka simbolikë dhe ndërthurje metaforike të veçantë, si p. sh. Harabelin, i cili troket në dritare dhe është më shumë se një zog, ai është ndërmjetës i jetës që ndodh përtej dhomës së vajzës:

Veç teje në shkollë, sot nuk mungon kush,

Këngë e cicërimë, oborri u mbush.   (f. 10)

Është thirrje për të mos mbetur pas, por gjithashtu zë i ndërgjegjes që i kujton fëmijës se jeta jashtë vazhdon edhe kur brenda mungon një dashuri.

Metafora e kufirit që “ndalon puthjen e ballit” është një strofë e shkëlqyer, një përkthim poetik i barrierave të ftohta që i vënë përballë një ndjenje të zjarrtë. Kufiri këtu nuk është vetëm politik, ai është simbol i ndarjes fizike, emocionale dhe ekzistenciale:

Më ndalon kufiri, që ta puthi ballin,

Që të të marr ngrykë e ta shuaj mallin.

Prandaj, vogëlushe, bashkë me ty po vuaj,

Larg nga vendlindja, këtu në dhe të huaj.  (f. 10)

Është prekës dialogu me të atin përmes telefonit, ngase e  kthen poezinë në një akt të gjallë emocional. Fjalët e babait, të thjeshta por prekëse, bartin një ndjenjë faji të heshtur, një lutje për mirëkuptim, dhe një mall të pazëvendësueshëm. Zëri i tij shfaqet vetëm për të konfirmuar mosardhjen, andaj, kjo është dhimbja më e heshtur e këtij vargu, ndjehet si një çarje kozmike, si një kumt i heshtur për ata që rriten me mungesa të padukshme. Të gjitha vargjet në këtë poezi kanë estetikë dhe tingëllimë që vjen nga ritmi i brendshëm i tyre, duke përcjell një ndjesi të lehtë rrëfimi. Ka një kontrast të qëllimshëm mes botës së jashtme (këngë, cicërima, shkollë) dhe botës së brendshme (mërzitje, mungesë, heshtje), që i jep thellësi poezisë.

Ndërsa “Fjollë, moj Fjollë” është një poezi që vesh dhimbjen me borë dhe heshtje, që nuk klith, por ngjall trishtim të përmbajtur dhe të thellë. Ajo është një himn i nënshtruar i mërgimit fëminor, një protestë e heshtur kundër humbjes së lidhjes me gjuhën, vendin dhe fëmijërinë. Të çudit fakti se si arrin poetja ta bëjë dhembjen të bukur, megjithëse pa e zbukuruar kurrë. Motivi i trenit dhe i dimrit është gjetje shumë me vend, sepse treni që “u nis me zhurmë” është mjeti i largimit fizik, por edhe simboli i kalimit nga një jetë-vend në tjetrin vend. Ai bart me vete fëmijërinë e plagosur, ëndrrat e pambarimta dhe një ndjenjë të thellë zbrazëtie. Dimri nuk është vetëm stinë në këtë poezi, ai është gjendje shpirtërore. I ftohtë, pa ngrohtësi njerëzore, ai “ngrin dhe shkrin pa mëshirë”, duke përfaqësuar egërsinë e një bote që nuk e pret. Duke e lexuar ke ndjesinë e shkëputjes dhe dhimbjes, andaj, edhe mund të quhet “elegji për ikjen e një fëmije nga vendlindja” e bërë jo me britma, por me një heshtje therëse. Fjolla, një emër që ngjason me dëborën dhe butësinë, shndërrohet në simbol të fëmijës së rrëmbyer nga realiteti i mërgimit. Vargu që përmend dorën në xham dhe zhurmën e trenit është vizualisht tronditës heshtja e saj përplaset me zhurmën e ndarjes:

Në xham vure dorën e vogël,

Me shumë zhurmë treni u nis.

 

Prapa të mbet vendlindja e vrarë,

Ëndrrat e bukura të fëmijërisë,

Zemër e thyer e nënëlokes,

Derë e hapur e shtëpisë...  (f. 13)

Përderisa në disa poezi tjera kemi pasur një shpresë që vjen në fund, këtu te kjo poezi ndjesia është më e ngurtë, më e fiksuar në kujtim. Vargjet nuk përshkruajnë vetëm ikjen, por pasojat e saj të vazhdueshme:

Ti u rrite në dhe të huaj,

Thonë se shqipen e flet vështirë. (po aty)

 

Autorja flet në mënyrë të dhimbshme për një vajzë, ku tregon shkëputjen gjuhësore, kulturore dhe emocionale të saj. Kështu që, Fjolla nuk është thjesht vetëm një fëmijë, ajo këtu përfaqëson brezin e tretur në heshtje, fëmijët e mërgatës që, ndonëse kanë rrënjë, rriten larg dhe pa mundësinë për t’i ndjerë ato rrënjë. Në strofën e fundit, poezia kthehet në një thirrje, jo si mallkim, por si lutje:

Mos lejo që prapa diellit

Të të zërë nata përsëri!

E di mirë se të ka marrë malli,

Prandaj ik më shpejt se era.

Eja, çupë, sa s’ke harruar,

Në atdhe si vjen pranvera.  (f. 13)

Ky varg është një paralajmërim që shkon përtej një individi; është thirrje për ruajtje të kujtesës, për kthim në dritën e identitetit, para se harresa të bëhet e pakthyeshme!

Tjetra poezi, “Eja me pranverën” të bën për vete, aq sa të ngjall mallin për atdhe kudo ku je, e cila nuk vjen me nota ndëshkuese apo fajësuese, por përmes ndërtimit të një peizazhi të etur për praninë e fëmijës së shpërngulur. Thjesht, si një lutje e heshtur, e bardhë si petalet që presin hapjen, e ngrohtë si toka që pret këmbën që mungon. Fjala në këtë poezi troket si akt kërkimi, ngaqë është formë e dëshpërimit, por edhe ritual i kujtimit

Çupa ime, a e mban në mend

Sa shi binte kur u nise,

Rrugës së gjatë për në kurrkund. (f. 14)

Kujtimet për udhëtimin e ikjes përshkohen nga imazhe të tronditura “rrugës së gjatë për në kurrkund” një togfjalësh me peshë filozofike që shpreh zbrazëtinë e ikjes pa cak, si humbje e kahes dhe e vetes.

Figura e vajzës që “ishte bërë flutur” për të kapur erën, është mjaft e ndjeshme në gjithë poezinë. Kjo metaforë përçon dritshkurtësinë e moshës, dëshirën për të fluturuar nga realiteti, dhe një pafajësi që sfidon logjikën. Por realiteti është i pamëshirshëm: “era e ftohtë e kësaj bote” e ka tretur atë në fund të dheut, si për të thënë se bota e huaj nuk është tokë prehjeje për shpirtin që është rritur në diellin e Kosovës. Mirëpo K. Hyseni brenda kësaj poezie, nuk lutet që vajza të kthehet, por ajo i ndërton asaj një peizazh me pranverë që flet vetë. Në vend të fjalëve bindëse, ajo i përshkruan ngjyrat, aromat dhe gjallërinë e vendlindjes. Ky është kthimi përmes ndijimit, jo përmes logjikës: kodrat me lule të kuqe, fusha në behar. Janë shenja që duan të rizgjojnë ndjesinë e përkatësisë.

Motivi i rikthimit përmes stinës së pranverës nuk është vetëm stinë në këtë poezi, është vetë vendlindja, vetë nëna, vetë gjuha e ndjenjës: 

Eja çupë, shihe pranverën.

Kurrë këso ngjyra nuk ke parë,

Kodrat janë stolisë me lule të kuqe,

Fushat veshur në gjethe e beharë.  (po aty)

Poetja përpiqet të përçojë se kthimi nuk është vetëm akt fizik, por kthim në përjetim: një ftesë për të mos harruar se çfarë do të thotë të jetosh i lidhur me tokën dhe rrënjën.

Ndjeshmëria e humbjes dhe rikthimit të pamundur haset në njërën nga poezitë e këtij libri: “Kot e ke tash që i kërkon”. Këtu lexojmë një zë që i flet dallëndyshes me një trishtim të matur dhe një dorëzim të butë përballë humbjes. Dallëndyshja është emblemë e shpresës, e rikthimit, e kujtimit të përvitshëm, por këtu ajo nuk është më bartëse e lajmeve të mira. Është larguar, është bërë puhi mbi det, fshehje pas reve... gjithçka është shkrirë në përkohshmërinë e ndarjes:

Kot e ke tash që nxiton,

Dallëndyshe, s’i zë dot.

Kur u fshehën prapa reve,

Edhe qielli u përlot.  (f. 47)

Tingëllimi “kot e ke tash” është i përsëritur pesë herë, në vargun e parë të çdo strofe, por që asnjëherë nuk tingëllon i ashpër, i ngjan një thirrjeje të qetë,  përqafuar me pajtim dhe mungesë. Po ashtu, referenca “Yll e Hanë” i jep poezisë një dimension metaforik, ku ndarja nga atdheu bëhet ndarje nga drita, nga njerëzit e dashur, nga vetvetja fëmijërore:

Kot e ke tash që i pret

Dallëndyshe, e lan folenë.

Kur të mbërrish larg në tretdhe,

Yll e Hanë, atje i gjen.   (po aty)

Poezia ngrihet si një këngë e butë lamtumire, por pa mbyllje përfundimtare, sepse gjithçka përmbyllet me një ftesë për t’u kthyer "pranverën tjetër", si një shpresë që nuk shuhet, por vazhdimisht ndërron stinë.

Ndryshe nga ajo që sapo lamë, tani hasim thirrjen e ngrohtë për kthim:  te poezia “I thuaj Hanës” Edhe kjo poezi është një himn i dashurisë së pastër dhe nostalgjisë për të afërmit, ku çdo varg është një thirrje për të mos munguar më. Poetesha i jep zë natyrës për të ftuar Hanën të rikthehet: bilbili këndon për të, manushaqja zbukuron kopshtin e saj, çupat vallëzojnë nën diellin që ka nisur të shkëlqejë përsëri. Këto vargje e personifikojnë natyrën si lajmëtare të pranverës së përbashkët, të një atdheu që është më shumë ndjesi se sa vend. Ftesa për Hanën është një ftesë për kthimin në jetë, në ngrohtësi, në kujtime, është edhe një mënyrë e butë për t’i kujtuar se jeta e pret – jo me fjalë të mëdha, por me shenja të vogla dhe prekëse: një këngë bilbili, një yll në ballë, një rreze në mëngjes.

Kjo poezi është një ndër më të ndritshmet në tërësinë poetike – sepse ka një zë të kthjellët, të dashur dhe plot dritë. Një poezi që nuk lodhet duke pritur, por shndërrohet në lutje poetike për të ardhmen:

I thuaj Hanës: çka të duash, thuaj...

Mos të vonohet, le të vjen!  (f. 48)

 

Ndërsa poezia “Hajt e hajt” është një poezi e mbështetur në frymën e lëvizjes, e cila në thelb përçon ndjenjën e një dashurie që nuk ndalet për të marrë frymë. Është një nxitje  që vrapon drejt kujtimit, ngarkuar me mall, dhe që i flet jo vetëm fëmijës që pritet, por edhe vetes që vrapon drejt një identiteti të përhershëm, atij të përkatësisë dhe të dashurisë së ndarë në dy brigje. Poezia, që në vargun e parë vendos një ritëm të veçantë  “Hajt, e hajt, e hajt”, që tingëllon si këngë udhëtimi, apo si frymëmarrje e përsëritur gjatë ecjes. Veç tjerash, ajo ndërtohet mbi një varg shprehjesh që theksojnë lëvizjen në çdo varg të parë të secilës strofë: “ec e ec”, “lart e lart”, “shpejt e shpejt”, “fort e fort”, të cilat shprehje nuk janë vetëm përsëritje, por që funksionojnë si ritme të zemrës së një njeriu që udhëton me mall, që vrapon pas kujtesës, që përpiqet të arrijë fytyrën e dashur që s’e ka parë “kaherë”:

Shpejt e shpejt e shpejt,

Vet u bëra erë,

Ata sy ngjyrë lumi,

S’i kam parë kaherë.  (f. 34))

 

Duke rendur pas këtij motivi, s’mund të anashkalosh “U tkurr bota, u zvogëlua”, një poezi e shkruar me pak fjalë, por me një thellësi që ngërthen tërë përvojën emocionale të ndarjes:

U tkurr bota, u zvogëlua,

U bë sa një grusht.

S’po na zë çupën dhe mua,

Po na bie ngushtë.

Vetëm malli vjen e shtohet,

Vetmia më mbyt...

T’i puth çupës dy gërshetat,

Faqet, të dy sytë.   (f. 73)

Është një pikturë e heshtur e dashurisë prindërore në kohë të vogla, por me mall të pafund. Me vetëm tetë vargje, kjo poezi krijon një intensitet të rrallë emocional. Reduktimi i hapësirës fizike në “sa një grusht” nuk është vetëm përshkrim i ndjesisë së mbylljes, por edhe shpërfaqje e ngufatjes shpirtërore që shkakton mungesa.

Forma epistolare dhe ndjeshmëria e distancës jepet tek poezia e shkruar si një letër, titulluar “Letër nga Amerika” (f. 20-21), drejtuar mbesës, Erikës, dhe përmes kësaj forme intime, poetes i jepet mundësia të shpalosë një gamë të gjerë ndjenjash: mall, vetmi, ankth dhe dashuri. Letra, si mjet komunikimi, këtu shndërrohet në rrëfim poetik ku çdo fjalë është një përpjekje për të shkurtuar distancën midis dy realiteteve: të mërgimit dhe të fëmijërisë në vendlindje. Mesi i poezisë përshkruan “mrekullitë” e Amerikës: qytetet, shkollat, kullat, por pavarësisht këtyre, ato nuk janë të mjaftueshme për të zëvendësuar mungesën e atdheut. Vargjet krijojnë një kontrast të thellë: dritë e hijeshi nga njëra anë, por ftohtësi e zbrazëti shpirtërore nga ana tjetër. Përmes kësaj dialektike, autorja Hyseni mençur na e shfaq thelbin e mërgimit modern, si joshje materiale, por që nuk përmbush nevojat e zemrës.

Toni në poezi është i ngarkuar emocionalisht me metafora ftohtësie: “Kam të ftohtë këtu në Amerikë”, i cili përsëritet si një refren i brendshëm, që nuk ka të bëjë me klimën, por me vetminë. Ftohtësia është një ndjesi ekzistenciale, është mungesa e vendlindjes, e njerëzve të dashur, e kujtimeve që e bëjnë jetën të ketë kuptim.

 

3. Fëmija si figurë qendrore shtrihen gjerësisht në të gjitha poezitë e kësaj vepre. Përveç atdhedashurisë, mallit e mërgimit, vend të veçantë zë edhe fëmijëria si një vend i mbushur me dashuri, lojë, pyetje dhe ëndrra. Figura e mbesës, qoftë si dëgjues e rrëfimeve, qoftë si personazh i drejtpërdrejtë, është porta përmes së cilës fëmija bashkëjeton me historinë dhe ndjesitë e të rriturve.

Çupa, Erika, Hana, Ylli, Fjolla, Lilushja-Lila dhe fëmijët e tjerë janë në qendër të shumë poezive. Të gjithë përfaqësojnë pafajësinë, të ardhmen, por edhe urtësinë e një bote që kërkon vezullim. Poetja Hyseni ndërton një raport të veçantë dashurie dhe përkushtimi përmes këtyre figurave. Në të njëjtën ndjesi dashurie dhe përkushtimi zbulohet edhe poezia “Pesë lule”, një lirikë e pastër për bukurinë dhe veçantinë e vajzave-fëmijëve, të shndërruara simbolikisht në lule. Këtu autorja e ndërton poezinë mbi kontrastin mes natyrës dhe portreteve të vogëlusheve, të cilat e tejkalojnë natyrën në ngjyra, dritë e jetë. Emrat e tyre: Rrezja, Zamira, Ilirja, Hana, nuk janë më vetëm identitete personale, por metafora të shpirtit shqiptar në rritje, të ndritshme, të gjalla, krenare. Po ashtu, përmbyllja sjell një lartësim emocional: ato luajnë nën Yll dhe e mbajnë atë “në ballë”, sikur vetë drita e ardhmërisë është në duart e tyre.

Në këtë përmbledhje ka poezi që duket sikur janë  ndërtuar mbi ritualin e dhuratës, e tillë është edhe “Lulet e Lilushes”, lulet e ruajtjes dhe bartjes së kujtesës përtej hapësirave. Poetja këtu vjen me ton të qetë e të ngrohtë, duke thurur me thjeshtësi figurative një vepër artistike që mban brenda simbolikën e rrënjës:

Ia dhashë për kujtim,

Plisin bardhë si bora.

 

Palë-palë dhe flamurin,

Shkabën me dy krerë.  (f. 82)

Lulet e fushës janë bartëse të dashurisë, kujtimit, frymës së vendlindjes. Shkrimtarja i përmbledh me kujdes, i lidh me borzilok dhe ia jep Lilës si kujtim, si identitet. Ndërsa simbolet si plisi dhe flamuri kombëtar vendosen në qendër si thelb i atdheut që merret me vete në kurbet. Ritmi i poezisë është i qetë, elegjiak. Vargjet rrjedhin si kujtesë dhe mall, pa ngritje dramatike, por me forcë në figuracionin e heshtur. Kurse përmbyllja është kjo:

Të ketë pak atdhe,

në shtëpinë e re.  (po aty)

 

Është përmbledhje e poetikës së mërgimtarit që e bart ngado që shkon thelbin e rrënjës me vete.

Në shumë poezi, krijuesja Hyseni, flet, e thërret, i tregon, e kujton... më së shpeshti Erikën-mbesën e saj, në shumë mënyra, në rrethana të ndryshme përmallimi, porosie, kujtimi etj. Mbase do të mund të krijohej një cikël adresimi me emërtimin: Erikës! Ja njëra “I kam thënë Erikës”, për të cilën është më mirë të thuhet se është dashuria e rrëfyer në formë rituali, sepse në çdo strofë të kësaj poezie, përsëritja “I kam thënë Erikës” shërben si një ritëm i zemrës, si një formulë e përditshme që gjyshja e përsërit me adhurim. Ky nuk është vetëm pohim i dashurisë apo përmallim, por një rit që zë vend në kujtesë dhe i përket intimitetit familjar. Poezia shndërrohet në një ditar të hapur ku fjala ka peshën e një dashurie, premtimi, shprese:

I kam thënë Erikës

Çupës, sime mbesë

Të kam zemër, rreze drite,

Dashuri dhe shpresë.  (f. 23)

Detajet si gjuhë ndjesie e dashurisë së butë shihet te përzgjedhja e imazheve, faqja, sytë, bora, manushaqja, të cilat nuk janë të rastësishme. Janë figura që i përkasin botës së fëmijës dhe të pastërtisë. Ato nuk janë thjesht cilësi të Erikës, por pasqyrim i ndjesive që zgjon ajo te gjyshja. Kur i kërkon një faqe, nuk do vetëm bukurinë e saj, por një copëz afërsie; kur i flet për borën dhe diellin, e pranon se dashuria e saj ka fuqinë të ndryshojë gjendjen e brendshme të saj. Erika si figurë poetike dhe ekzistenciale në poezi nuk është vetëm mbesë, është drita, dashuria dhe shpresa e shkrimtares. Në dy vargje shprehet qartë:

Të kam zemër, rreze drite,

Dashuri dhe shpresë.

Këto fjalë nuk janë metafora zbukuruese, por identiteti i ndjenjës që poetja ka ndaj saj. Poezia është një testament emocional që i mbetet Erikës  “çdo ditë pa u ndalë”! Ky është një varg që tejkalon momentin, është dashuri që nuk pret ngjarje, që nuk kushtëzohet me kthim. Është dhuratë pa kthim, dhuratë që përjetësohet vetëm në vargje.

Ndërkaq poezia tjetër “Erikë, moj Erikë”ndërtohet përmes një strukture të përsëritur të pyetjeve që nisin me “Çka fole me…”. Ky ritëm i qëllimshëm jo vetëm gjeneron një energji të veçantë letrare, por gjithashtu e vendos Erikën në qendër si një qenie që ndikon në gjithçka që prek: diellin, lulet, zogjtë, zemrën e gjyshes - gjyshërve. Poezia bëhet një proces i zbërthimit të ndikimit që prania e saj sjell gjithçka në jetën përreth. Vargjet sugjerojnë se me ardhjen e Erikës, gjithçka ndodh: çel dielli, lulëzojnë lulet, këndojnë zogjtë, gjyshi rinohet. Është më shumë se përshkrim, është një vërtetim i fuqisë jetësore që mbesa bart me vete. Brenda këtij universi, fëmija nuk është vetëm objekt dashurie, por një forcë aktive që krijon ndryshim. Poezia e ruan me kujdes një ton të gëzueshëm, të çiltër. Ndërsa“Diçka m’u bë pikë” është shprehje që përsëritet me qëllim, duke u bërë refren emocional, një mënyrë për të shprehur ndjeshmëri pa e emërtuar qartë. Kjo e bën poezinë të komunikueshme për fëmijë, ndërsa për të rriturin ajo përçon një peshë të brendshme ndjesie që ngjason me prekje e mall:

 Erikë, moj Erikë,

Diçka m’u bë pikë,

Kur më përqafove...  (f. 24)

 

Pikë shpërthyese emocionale në fund përbëjnë vargjet përmbyllëse:

Çka fole me gjyshin

Që u bë i ri?!              (po aty)

 

Këtu, pra, është kulmi emocional i poezisë. Është një deklaratë e heshtur për rigjenerimin përmes dashurisë. Poezia shkon përtej përkëdheljes së Erikës si mbesë, sepse ajo shpall aftësinë e fëmijës për t’i dhënë kuptim jetës së të rriturit, për ta rilindur.

Vihet re dhe një lloj tensioni midis largimit dhe dashurisë si konflikt poetik te poezia “Ani pra, Erikë, po shkoj në Amerikë”, e cila fillon me një deklaratë të qartë dashurie :

Të dua vogëlushe,

 sa krejt këtë planet.  (f. 26)

Një dashuri e menjëhershme, e pafundme, e pakushtëzuar. Por menjëherë më pas kjo dashuri përballet me diçka që e sfilit:

Por ky mall i shtuar 

Nuk më lë të qetë.   (po aty)

Brenda këtij tensioni ndodhet zemra e poezisë: një gjyshe që e do pafundësisht mbesën, por që është i detyruar nga një boshllëk i brendshëm që mund ta mbushë vetëm përmes një ikjeje të përkohshme. Lëvizja shfaqet si kërkim emocional, e jo vetëm fizik, ngase nisja për në Amerikë nuk është thjesht udhëtim drejt një vendi, por është ikje drejt kujtesës, rikthim te të humburat, ndjekje e një pranie të munguar. Vargjet: “Sa stinë, sa pranvera/ më tretën andej” shprehin një humbje të zgjatur që pret të zbutet përmes një rikthimi të përkohshëm. Largimi bëhet kështu një përpjekje për të shpëtuar diçka nga vetvetja. Ndjehet ndërthurja e kujtesës me gjendjen shpirtërore përmes motivit të “lulëkuqeve rritur në Amerikë” që është shumë i goditur, se nuk janë lulet që mbledhim zakonisht, por simbole të kujtesës së zhvendosur, të identitetit që kërkohet në një tokë tjetër. Ato lulëkuqe janë metaforë e përpjekjes për ta mbartur dashurinë në një kontekst të huaj, për ta ruajtur ngjyrën përmes kujtesës edhe në dhe të largët. Megjithëkëtë, kthimi i përhershëm si qëllim i përkohshëm është i domosdoshëm, dhe ai bëhet përmes një premtimi që “ti më prit se kthehem” është i pasigurt, por i sinqertë. Është një formulë që e gënjen dhimbjen, që e qetëson zemrën e mbesës, edhe kur largimi bëhet realitet. Në fund, zëri i subjektit lirik bëhet ndjeshëm më i brishtë. “Po më merr me vete, / tinës më pushton” është rrëfim i dorëzimit përballë një force që nuk ka emër të qartë: është kujtesa, malli, ndoshta edhe ndjenja e fajit. Fjalët e fundit janë përpjekje për pajtim: poetja ikën, por jo për të harruar, ai ikën, që të rikthejë pranverat që mbetën diku pas.

Jemi përsëri me Erikën te “Çupa jonë Erikë – bën gjimnastikë”, një poezi që mbështet jetën aktive, mirëqenien fizike dhe ritmin fëminor si formë ekzistence. Pa ngarkesa emocionale, ajo ofron një tjetër dimension të Erikës: atë të vajzës që rritet me trup e me jetë, që numëron hapat me gëzim dhe që kërcen nëpër vargje me lehtësinë e një fluture.

Autorja është zëri i fëmijëve të familjes, të vendit, të shkollës, të lagjes, të qytetit... nëpër kohë, jo vetëm të atyre që gëzojnë sot lirinë, por edhe të atyre që janë vrarë në luftë-luftën e fundit në Kosovë. Janë dhimbje e lot poezitë si “Pa fjalë” (kushtuar fëmijëve: Majlindës, Herolindës, Altinit dhe Redon Berishës, vrarë nga forcat serbe në vitin 1999). Kjo poezi është një elegji për fëmijët e vrarë, një dëshmi poetike që e shndërron dhimbjen në varg, atje ku fjala mungon e shpirti vuan. E ndërtuar në formën e një monologu të përmbajtur, teksti fton lexuesin në një heshtje të thellë përkujtimore, ku loti nuk bie me britmë, por me peshë të shenjtë. Që në vargun e parë, poetja i drejtohet një “çupe”, një fëmije, me një zë të ndrojtur e të kapluar nga një dhimbje që nuk artikulohet lehtë:

Çupë, unë desha të flas me ty 

Pse djersë të ftohta shpesh m’kaplojnë,

U dëshpërova, në heshtje u ndryna,

Sepse fjalët s’më mjaftojnë.             (f. 35)

Kuptohet si thirrje që përmban mall, faj dhe ndalesë. Vargu na fton në një komunikim që është i pamundshëm, jo sepse s’ka dashuri, por sepse ajo që është humbur, është vetë jeta. Në strofën e dytë, shfaqet Majlinda, simbol i një pafajësie të shuar, me fjalën “lulëkuqe”, një metaforë e vdekjes së dhunshme dhe të njomë. Ajo është shndërruar në kujtim të përhershëm, ndërsa “vargu” i poetes Hyseni, nuk mund të rrjedhë më as gëzim, as lojë, por vetëm përvijim dhimbjeje. Kënga e zogut, në strofën tjetër, bëhet një përpjekje për t’u kthyer në dritë, në buzëqeshje, në jetë fëminore, por rënia e yllit të Herolindës e thyen sërish këtë përpjekje dhe kthjellon pikëllimin që fshihej pas gëzimit të shtirë. Kurse strofa e fundit është si një psalm pa zë, për kujtimin e Altinit dhe Redonit. Ata përmenden jo si emra të veçuar, por si “dy pëllumba, ma të bardhë se bora”, një figurë e bardhësisë dhe e pafajësisë së përjetshme. Krijuesja e pranon se dhimbja që mbartin këta emra është më e madhe se vetë gjuha “që kurrë fjalët s’mund ta thonë.” Kështu, poezia mbyllet me një pohim të heshtjes si formë e vetme e të folurit për tragjeditë që prekin fëmijët. Siç u pa, “Pa fjalë” është një poezi që nuk synon të tronditë me figuracion të zhurmshëm, por të përqendrojë heshtjen si akt shprehës. Ajo përkujton me ndjeshmëri, jo vetëm jetët e ndërprera, por edhe kufirin e dhimbjes njerëzore, aty ku as vargu nuk mjafton, dhe fjalët mbeten të paarritshme përballë sakrificës së fëmijës së pafajshëm. Në këtë heshtje, poetja vendos një kujtim të shenjtë, një lapidar të bardhë në zemrën e lexuesve për ata engjëj të pafajshëm.

Ndryshe nga poezia e sipërvënë, poezia “Mos qaj, Pranverë” është një këngë e ngrohtë ngushëllimi për fëmijën e lënduar, e shkruar me një zë amnor e plot dhembshuri. “Pranvera” përfaqëson fëmijërinë e pafajshme dhe të plagosur, ndërsa figura si syri i pëllumbit, lulëkuqet dhe rrezet e diellit shpërfaqin botën e brishtë të fëmijës, e cila është dëmtuar nga dhuna apo padrejtësia:

Pse lodrat t’i rrëmbyen, për lojë nuk ke vend,

Ti mos qaj Pranverë, nuk ndodh me fajin tënd.  (f. 12)

Poezia zhvillohet si një thirrje e përsëritur për të mos qarë, duke i dhënë vend shpresës, ripërtëritjes dhe dashurisë mbrojtëse. Edhe pse fëmija ka humbur gëzimin dhe lojën, vargjet vijuese ia premtojnë kthimin e buzëqeshjes dhe ëndrrave, teksa përmbyllja mbart një premtim të bardhë për ditët që do të vijnë:

Mos më shiko dhimbshëm me ata sy pëllumbi,

Ku t’u tret gëzimi, kënga pse të humbi.

Me lot nëpër faqe, nëna nuk të len,

Më e bardhë se kjo ditë, tjetra do të vjen.   (po aty)

 

4. Zgjimi i kujtesës së përbashkët vjen nga zëri i historisë së përbashkët, i cili pasqyrohet përmes disa poezive me peshë historike, qoftë kur flitet për figura historike si Gjergj Kastrioti apo Gjergj Elez Alia, tek poemat me tematikë historike, si “Dikur moti rronte Kastrioti” dhe “Kënga e Gjergj Elez Alisë”, sjellin figura mitike, legjendare e historike shqiptare për të frymëzuar fëmijët këtu dhe brezat e rinj.

“Kënga e Gjergj Elez Alisë” është një poemë që ngre legjendën mbi themele të reja poetike, e cila vjen si një përrallë në vargje, ku epika nuk është thjesht rrëfim i një beteje, por zbulesë e një kodi moral që sfidon kohën. Ajo shpalos një përshkallëzim të tensionit të brendshëm, duke udhëhequr lexuesin fëmijë dhe atë më të rritur, drejt një përplasjeje vendimtare, ku fjala dhe heshtja, dhimbja dhe qëndresa, ndërthuren si në një rit të lashtë. Zëri i Motrës, i dridhshëm dhe i përndritur nga frika, bart një jehonë të gjakut dhe të kujtesës, ai është zëri i një kombi në prag harrese:

Motrës së mjerë zëri po i dridhet,

Fjala në grykë seç po i mbështillet.

Zuri po i thotë dalëngadalë,

Vëllait të vet të idhta do fjalë.

 

Përballë saj qëndron Gjergji, një figurë që nuk lëkundet, një ndërgjegje e kristaltë që e mohon vdekjen për hir të një detyre më të lartë:

Ngjeshi Gjergji armët në brez,

S’paskam kohë njëherë të vdes!

Në fushë të betejës do të dal,

Me bajlozin i kam dy fjalë!     (f. 67)

 

Kundërshtari, Bajlozi, këtu nuk ka trajtë të caktuar, ai është hije, pushtim, thyerje e shenjtërisë. Në ballë të kësaj errësire, qëndrimi i Gjergjit merr përmasën e një amaneti të paprekshëm:

S’e zbraz vendin nga shqiptarët, 

Se amanet na e lanë të parët: 

Ta ruajmë tokën si dy sytë, 

Në vatrën tonë s’duam zot të dytë!  (f. 68)

 

Në vargun e fundit të kësaj strofe përforcohet një amanet që shkrep si vetëtimë në terr. Poema digjet nga brenda me zjarrin e simbolikës: tymi, flaka, yjet që bien, toka që dridhet, duke e shndërruar betejën në një përballje kozmike. Të cilat nuk janë thjesht pamje, por gjuhë e dhimbjes që kërkon të mos harrohet. Në thelb, kjo poemë që tingëllon si këngë është më shumë se një rrëfim legjendar, është një mësim rikujtues për qëndresë, një betim që ruan dinjitetin e një populli nëpërmjet një figure që nuk bie për t’u lavdëruar, por për të lënë gjurmë veprimi heroik.

“Dikur moti rronte Kastrioti” është një poemë që sjell në jetë historinë e Skënderbeut, ashtu siç ndodh rëndom në përrallat epike, por me një gjuhë të pastër e të zgjedhur për fëmijë. Vargu hyrës:  

Nëntorin e parë, më dyzet e tre

Për Shqipërinë fillonte një epokë e re...  (f. 64)

Autorja vendos menjëherë në qendër një kohë historike që tingëllon solemne, por edhe frymëzuese, dita kur fillon shpresa. Këtu Skënderbeu përshkruhet jo thjesht si një luftëtar, por si një prijës i ndritur dhe simbol i bashkimit kombëtar:

Gjergji merrte rrugë që shënjon epokë,

Nuk durojnë shqiptarët, njeri përmbi kokë. (po aty)

Këto vargje përçojnë ndjenjën e dinjitetit kombëtar që nuk pranon nënshtrim dhe vendos drejtësinë mbi frikën. Nga ana tjetër, bashkimi i princave shqiptarë merr formë të gjallë përmes vargjeve ritmike:

Nga vrapi i tyre po lëkundej dheu,

Gati të bashkohen kur thërret Skënderbeu.  (po aty)

 

Këtu poema fiton frymë heroike, dhe pa dyshim që fëmijët kur e lexojnë edhe do ta ndiejnë fuqinë e bashkimit si diçka të prekshme dhe të lavdishme, si një ideal që do të rritet bashkë me rritën e tyre. Ndërsa përshkrimi i luftës në poemë është epik, i pastër dhe figurativ:

Në luftë ishte zjarr që nuk shuhej kurrë,

Priste e thërrmonte shkëmbinj edhe gurë.  (f. 65)

 

Nëpërmjet këtij zjarri të pandalshëm, Skënderbeu bëhet simbol i qëndresës dhe i dritës që nuk shteron kurrë! Në fund, qëllimi i gjithë kësaj sakrifice përmblidhet me vargun:

T’ia kthejë Shqipërisë çdo cep, çdo pëllëmbë.  (po aty)

 

Ky varg është shpirti i poemës: një dëshirë e thellë për ta parë atdheun të lirë dhe të bashkuar, që fëmijët ta ndjejnë këtë përbashkim nën një flamur të vetëm, pa kufij ndarës më. Në këtë mënyrë, poema është më shumë se një rrëfim: është një mësim i gjallë për atdhedashurinë, që përdor ritmin, figurat dhe historinë për të krijuar te fëmijët ndjenjën e përkatësisë dhe krenarisë kombëtare!

Ritmi i vargut në poemë ruan një rregull të epikës gojore shqiptare, një varg që godet si rrufe dhe ndërton me ngadalë themelet e kujtesës, një varg me tonalitet mitik që e vendos heroin - Gjergj Kastriotin në nivelin e legjendës.

 

5. Simbolika natyrore dhe cikli i jetës, hetohet apo pasqyrohet tek përdorimi i cikleve kohore-stinëve, pastaj elementëve natyrorë (harabeli, ylli, hana, lule, reshjet, deti) janë shumë të theksuara. Ato nuk janë vetëm zbukurime poetike, por bartin kuptime të thella metaforike që lidhen me lëvizjen, largimin, rikthimin, mallin, ringjalljen e ndjenjave. Për shembull ja disa nga poezitë që lidhen me natyrën: “Eja”, “Kur bie shi”, “Koncert me këngë gazmore”, “Vapa e verës vjen e shkon”, “Vjeshta”, “Dimri”, “Përshëndetje Babadimër”, “Edhe ti flutur me lara”, “Kënga e zogut të verës”, “Dallëndyshes” etj.

“Vapë e verës shkon e vjen” është një simfoni atdhedashurie me zëra të gjallë të natyrës:Poezia shpaloset si një kor i ngrohtë veror, ku zogjtë, instrumentet dhe motivet kombëtare formojnë një mozaik të bukur, ku vetë natyra këndon për atdheun. Zogjtë janë figura simbolike të krenarisë kombëtare: trumcakët, kanarinat, bilbilat e qukapiku marrin rol aktiv në këndimin për Shqipërinë dhe Kosovën. Ata janë bartësit e frymës liridashëse, që përmes melodisë shprehin të pathënat e njerëzve. Çiftelia, kitara, repi dhe roku bëhen mjete të shprehjes së një kulture të gjallë dhe moderne:

Këndon bilbili përsëri

Këngë të re me çifteli,

T’i pëlqej të bardhat agime,

Shqipëri oj nëna ime.  (f. 39)

 

Poezia është e ndërtuar me një stil polifonik dhe të bukur me ngjyra patriotike përmes gëzimit muzikor, ku jo vetëm që përçon dashuri për atdheun, por e vesh atë me tinguj të jetës, duke sjellë një përshkrim që është edhe festë, edhe mall. Të gjitha hitet kombëtare: Mora rrugën për Janinë; O sa mirë me qenë shqiptarë; Shqipëri oj nëna ime; Eja, eja, luleborë, Se me ty do të thur kurorë; Moj e bukura More; Nënë moj do pres gërshetin; Xhamadanin vija, vija, është Kosova, është Shqipëria, janë shenja  të gjalla, të dashura dhe me vlerë që çdo fëmijë e i ri, duhet t’i ketë për zemër.

 

Zëri poetik dhe figuracioni

Zëri poetik në përmbledhjen poetike “Vargu im” është një zë sa i brishtë po aq edhe i fortë, i qetë, si dhe i mbushur me një forcë të brendshme përçuese. Ai është shpesh zëri i një gjysheje që i flet mbesës së saj, nipit, fëmijëve në përgjithësi, një zë i urtësisë dhe i dashurisë, e cila përdor fjalë të thjeshta për të thënë të vërteta të mëdha. Në këtë zë, rrjedh natyrshëm ritmi i përkëdheljes dhe i mendimit vezullues. Nuk ka imponim, nuk ka mësim të drejtpërdrejtë, por një rrëfim intim që hap rrugë drejt ndjeshmërisë.

Nga ana tjetër, figuracioni poetik është ndër elementet më dalluese të librit. Përdorimi i metaforës së zogut, hanës, yllit, lules, shiut..., të gjitha janë forma simbolike për të komunikuar me emocione, për të folur për mungesën, për mallin, për dashurinë. Poezitë janë të mbushura me metafora që fëmijët i kuptojnë përmes ndjesisë, jo përmes analizës, kjo po, që duhet të jetë një mjeshtëri e vërtetë poetike.

Zëri lirik është i përmbajtur me maturi, por që është shumë emocional: Poetja nuk rreket asnjëherë të bëhet melodramatike. Ajo ruan një ton të qetë, të qëndrueshëm, me një dashuri të qëndisur në secilin varg. Ndonëse stili është fjalëpak, i përzgjedhur me shprehje e me një fjalës (Dictionarium verborum), duke e bërë ndjesinë përcjellëse tek lexuesit mjaft të thellë, sepse kjo ndjesi, e gjitha vjen nga thjeshtësia e ndjenjës së sinqertë dhe të patjetërsueshme.

 

Dimensioni kulturor emocional i poezive të veprës

Një nga shtresat më të thella të përmbledhjes “Vargu im” është dimensioni kulturor emocional, i cili shfaqet si një strukturë e padukshme, por gjithnjë i pranishëm nëpër poezi. Ky dimension përfshin lidhjen shpirtërore me atdheun, kujtesën e vendlindjes, përjetimin e mërgimit dhe nevojën për të ruajtur identitetin përmes fjalës, gjuhës dhe kujtesës familjare. Poetja, mbase herë-herë e ndarë fizikisht nga atdheu, ndërton një lloj atdheu poetik përmes vargjeve, ku çdo lule e përmendur, çdo emër mbese, nipi apo fëmije, çdo kujtim i një vendi apo simboli kulturor, na e bën pjesë të ndonjë mozaiku emocional. Kjo lidhje poetike me vendin nuk është as nostalgji e thjeshtë, as retorikë patriotike, por është ndërtim i një përkatësie të re, përmes fëmijës që rritet në një realitet tjetër, por që ushqehet me rrënjët e së shkuarës. Me këtë domethënie, poezia e K. Hysenit bëhet edhe akt ruajtjeje kulturore. Shprehje si “plisi i bardhë”, “shkaba me dy krerë”, “lulëkuqe” etj., që për fëmijët e mërgatës mund të jenë terma të panjohura, vendosen në një kontekst dashurie, kuptimi dhe ndjenje, dhe kështu ruhen jo si fjalë, por si përvoja të çmuara ndjesie. Emocioni në këtë përmbledhje është kulturë më vete: është kujtesë që qan dhe qesh në të njëjtën kohë, është përpjekje për të mos humbur lidhjen, për të mbajtur të gjallë trungun familjar dhe shpirtëror. Poezia këtu është më shumë se art, është mënyra e vetme për të mbijetuar shpirtërisht në një botë të ndarë mes largësisë dhe kujtesës.

Ndjeshmëria emocionale i ndihmon fëmijët të shprehin ndjenjat, ngase poezitë në këtë libër përmbajnë shumë tone intime, mallëngjyese dhe të përzemërta dashurie, që u japin fëmijëve mundësi të zhvillojnë shprehjen emocionale dhe empatinë. Të gjitha, pa dallim, nxisin identifikimin me ndjenjat e personazheve: malli për atdheun, dashuria për gjyshen, gëzimi për pranverën, miqësia me zogjtë apo yjet...

E para, nxisin lidhjen me gjuhën shqipe, përmes Fjalorit poetik që është i thjeshtë, por shumë i pasur, me shumë fjalë ndjeshmërie dhe simbole kulturore: plisi, flamuri, dallëndyshja, Hanë, Yll, gurabia...

E dyta, recitimi i këtyre poezive, do të forconte lidhjen me rrënjët gjuhësore dhe kulturore, sidomos për fëmijët që jetojnë jashtë trojeve shqiptare.

E treta, të gjitha poezitë e Kismete Hysenit në këtë libër, mund të përdoren në aktivitete kulturore, madje janë ideale për:

  • Festat e Abetares

  • Aktivitete për Ditën e Mësuesit, Ditën Flamurit, të Pavarësisë

  • Koncerte të ndryshme me temë “Dashuria për atdheun”

  • Orë letrare të ndryshme, kushtuar familjes, fëmijërisë apo natyrës...

Përmbledhja “Vargu im” promovon bashkëveprim mes brezash, sepse shumë poezi të librit janë shkruar si dialog ndërbreznor (gjyshe–mbesë), dhe recitimi i tyre, veç tjerash, mund të organizohet edhe si recitim në çifte: një fëmijë dhe një prind, një gjyshe dhe një mbesë, veprim artistik që rrit vlerën edukative dhe emocionale të përvojës.

Mënyra si janë ndërtuar vargjet, strofat dhe ritmi në këtë përmbledhje është në funksion të ndjeshmërisë dhe komunikimit me fëmijën. Poezitë rrjedhin si një këngë e brendshme, pa ashpërsi teknike, pa prangosje nga forma, por me një ekuilibër të natyrshëm ndërmjet thjeshtësisë dhe fuqisë emocionale. Prandaj, kjo i bën ato të recitueshme, të afërta dhe të paharrueshme si një këngë e thjeshtë që mbetet dëshirueshëm në mendjen dhe në zemrën e lexuesit fëmijë. Vetë struktura e këtyre poezive e lehtëson recitimin, se Vargjet janë të shkurtra  dhe me ritmikë natyrore që bëjnë recitimin të rrjedhshëm dhe të kuptueshëm. Kanë rimë të butë dhe muzikalitet të brendshëm që e nxisin mbamendjen (memorizimin) pa mundim. Kanë strofa të ndara mirë, që e mbyllin mendimin, ndihmojnë në frymëmarrjen e saktë gjatë të folurit.

 

Funksioni edukativ i veprës

Poezitë e librit "Vargu im" të Kismete Hysenit kanë një funksion edukativ të thellë dhe shumëplanësh, ku secila mësimdhënëse a edukatore apo prind, do të mund ta realizonte pa imponim, por me ndjeshmëri, përmes gjuhës artistike dhe përvojës së drejtpërdrejtë emocionale. Ja si mund të konkretizohet ky funksion:

 1. Edukimi emocional dhe etik: Poezitë u mësojnë fëmijëve ndjeshmërinë, empatinë dhe kujdesin për të tjerët, siç ndodh, fjala vjen, me poezitë ku përshkruhet marrëdhënia me gjyshen, kujdesi për zogjtë, apo mallëngjimi për të dashurit; Fëmijët mësojnë të shprehin ndjenjat në mënyrë të shëndetshme, duke i dhënë emër trishtimit, mungesës, dashurisë, shpresës.

2. Edukimi kulturor dhe kombëtar: Autorja sjell figura kulturore, legjendare e historike (Skënderbeu, Gjergj Elez Alia etj), simbolika kombëtare (flamuri, plisi, shqiponja), dhe tradita shqiptare, të integruara në mënyrë poetike; Për fëmijët jashtë atdheut, këto poezi funksionojnë si shteg ndërlidhës i fuqishëm, për ruajtjen e identitetit dhe të trashëgimisë kulturore.

 3. Edukimi gjuhësor dhe estetik: Gjuha e pastër, me figura të bukura dhe ritëm të lehtë, u jep fëmijëve mundësinë të pasurojnë fjalorin, ta ndiejnë a përjetojnë bukurinë e gjuhës shqipe, dhe të ndërtojnë ndjeshmëri për poezinë si formë shprehjeje; Vargjet ndihmojnë edhe në zhvillimin e të folurit të rrjedhshëm, kuptimit të metaforave, rimave dhe strukturës poetike.

 4. Edukimi për natyrën dhe botën: Në shumë poezi jepen imazhe nga natyra, dashuri për lulet, zogjtë, stinët, detin, bjeshkët. Kjo krijon vetëdije ekologjike dhe lidhje të brendshme me botën që i rrethon.

 5. Edukimi mbi migrimin dhe ndarjen: Poezitë që trajtojnë mërgimin, largësinë dhe mallin nuk kanë vetëm vlerë emocionale, por edhe sociale dhe edukative, sepse ato i ndihmojnë fëmijët të kuptojnë dhe të përballojnë përvojat e ndarjes, të njohin e të mos harrojnë veten dhe rrënjët.

 

Përmbyllje

Në përmbledhjen poetike “Vargu im”, Kismete Hyseni nuk shkruan thjesht poezi, ajo kultivon një botë të vogël që frymon mes kujtesës dhe ëndrrës. Si një kopshtare e heshtur e fjalës, ajo mbjell në secilin varg një farë malli, një frymë të përzier me ndriçim dhe mallëngjim të qetë. Në vend që t’i japë zë së tashmes së zhurmshme, ajo zgjedh të dëgjojë atë që është shushurimë, e shkuara, rrënja, hapi i një fëmije që lë gjurmë në baltën e kujtesës. Ajo, përveç që na mëson rrjedhshëm alfabetin e letërsisë për fëmijë, mbi të gjitha, na mëson alfabetin e brendshëm të shpirtit, ku çdo shkronjë është një zë dashurie, një ndjesi që nuk kërkon zë të lartë, por një zemër të hapur.

Në këtë libër, malli nuk është mallkimi i ndarjes, por ura që lidhet përmes një petali, një ylli, një gërsheti... Fëmija nuk është vetëm lexues i librit, por bashkudhëtar i brendshëm i autores. Tufëzat e metaforave nuk janë hartuar për t’u zbërthyer, por për t’u ndjerë siç ndjehet dielli në lëkurë pas një dimri të gjatë.

Me këtë vepër, Kismete Hyseni nuk lë vetëm një gjurmë në letrat shqipe për fëmijë, ajo lë një pasqyrim yjësie që qëndron xixëllueshëm edhe kur faqja e fundit mbyllet. Ajo e kthen letërsinë në vend të sigurt, ku fëmija mëson jo vetëm fjalët, por dhe mënyrën se si rritet shpirti. Përfundimisht, ajo i jep letërsisë shqipe për fëmijë jo vetëm një vëllim emocional bukurie, por edhe një përkushtim të rrallë ndaj së vërtetës së brendshme që vetëm krijueset e vërteta si ajo, dinë ta shohin dhe ta thonë.

 

 

 

 

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page