Lumnie Thaçi-Halili: Një roman për Kosovën si palimpsest historik dhe reflektiv
- 9 hours ago
- 31 min read

(“Blirët e Pejës”, autor Fatmir Terziu, URA, Prishtinë, 2026)
Boshti simbolik i fabulës
Krijuesi, Fatmir Terziu, me këtë roman afirmohet si autor me vetëdije etike dhe historike, që mbizotërueshëm shfaqet si krijues me vizion dhe përgjegjësi artistike, i cili e trajton Kosovën si pjesë të pandarë të tërësisë kombëtare dhe trungut amë. Përmes një topografie të emërtuar, interteksteve dokumentare dhe nyjeve traumatike të historisë, romani merr trajtën e një dedikimi të heshtur ndaj Kosovës, të një akti krijues i cili synon të ruajë gjurmën e dikurshme që rrezikon të zbehet prej harrimit. Autori, me dashurinë e një shqiptari që i njeh pasojat e periudhave të errëta, e ndien si detyrë të shkruajë për atë periudhë historike me gjuhën e artit.
Romani “Blirët e Pejës” ndërtohet si një sagë tragjike që nis nga një krim i përgjakshëm, por që thellësisht shpalos një histori shumë më të gjerë se sa një dramë familjare: është përplasje e dashurisë, nderit, zakonit, pushtetit, manipulimit politik dhe fatit historik të një treve të tërë. Fabula e tij shtrihet midis jetës intime të personazheve dhe rrjeteve të padukshme që i lëvizin ato si figura në një lojë më të madhe: “Kishte gjak në të, kishte skenarë, kishte marrëveshje, kishte dashuri, kishte intrigë, kishte pasuri, kishte femër e kishte meshkuj. Kishte jetë dhe në fund edhe vdekje. Kishte çdo gjë...” (Fatmir Terziu “Blirët e Pejës”, URA, Prishtinë, 2026, kap.21, f.138-139). Ky pasazh me një tufë fjalësh i futur në trupin e rrëfimit, nuk janë fjalë rastësie të ndonjë personazhi, ato janë shenja orientuese, që tregojnë se romani “Blirët e Pejës” ndërtohet nga shtresëzime, ku dashuria dhe historia, dokumenti dhe komploti, kodi zakonor dhe aparati i pushtetit, ndërkallen në një strukturë palimpsesti. Në këtë ndërkallje apo ndërthurje, dashuria shfaqet brenda këtij shtresëzimi si vend i prekshëm ku futen frikërat, interesat dhe ndërhyrjet nga politika, që vepron duke ndryshuar fate njerëzish, ndërsa Kosova, me qytetin e Pejës si qendër simbolike, shfaqen si arkiv i gjallë, ku kujtesa dhe dhuna mbishkruajnë grafema të mbishtresuara.
Vlen për ta cekur tani kur jemi në krye të shqyrtimit analitik, se fabulën ky roman e ndërton mbi truallin e vet historik e të përgjakur, ku fati individual i personazheve është i lidhur pazgjidhshmërisht me dhunën shtetërore, manipulimin juridik dhe shpronësimin sistematik të tokave të shqiptarëve në hapësirën e Pejës dhe më gjerë. Që në fillim, vepra hapet me një skenë gjyqi dhe me figurat përbërëse të sistemit: “Pas pak evidencat u paraqitën radhazi nga sektorët përkatës. Hetimorët kishin konkluduar në një pikë.... Salla dukej e rënduar me një dihatje të thellë” (po aty, f.10-11). Flasin për gjykatës, avokatë e funksionarë, duke krijuar kornizën e një bote ku drejtësia është e blerë, dosjet peshojnë sa floriri dhe vendimet parapaguhen. Si pasojë e veprimeve dhe ngjarjeve të mëvonshme në roman, preket thelbi i jetës dhe shoqërisë, duke treguar mekanizmin përmes të cilit legalizohet krimi historik mbi tokën e Kosovës dhe mbi njerëzit e saj. Mbështetur mbi të vërtetën e madhe të planit historik, sepse autori e vendos dramën në roman në kohën kur marrëveshje të fshehta politike dhe varësi shtetërore e kanë lënë fatin e shqiptarëve jashtë kufijve në duar të interesave të huaja, duke i zhveshur nga mbrojtja ushtarake, diplomatike e kombëtare. Si epilog i këtyre rrethanave, krijohet terreni për Reformën agrare dhe kolonizimin, që në fabul shfaqet jo si terminologji juridike e ngurtë, përkundrazi, ajo shfaqet si proces i prekshëm: shqiptarët shesin tokat, pajisen me pasaporta, lëvizin me dyshim e frikë, dhe ndjejnë se pas “shitjes” fshihet hileja e madhe e zhdukjes nga trualli i tyre. Këto toka, veç pronës, për ta janë jetë, janë kujtime, janë varre, janë traditë, thirrje prej përtej kohëve, si amanete brezash: “Janë detyrime. Janë tradita që na bëjnë të mos i shkulim dot nga trupi... Dhe si e tillë ajo të ndjek me magjinë e saj ngado e kudo. Nuk mundesh të jesh ndryshe, nëse e ke atë në gjakun tënd” (f.121). Janë fjalët e Abdullah Brahimoviçit, emigrantit që jeton larg, por që mbetet i lidhur me Pejën, me shtëpinë e origjinës nga vjen. Prandaj, humbja e tokës është edhe humbje ontologjike. Bëhet e ditur se, në epiqendër të romanit qëndron familja Brahimoviç, sidomos figura e Abdullahut, i cili identifikohet njëkohësisht si personazh konkret e unik dhe si simbol i shqiptarit të shkëputur nga trualli i vet. Kriza nis me çështjen e tokës, si me borxhet e vjetra, presionin administrativ dhe mekanizmat e errëta të pushtetit që e çojnë familjen drejt humbjes së pronës. Pra, këtu toka si pasuri prone e trashëguar nga paraardhësit, është “koka” e tyre, dinjiteti dhe vazhdimësia. Vetë figurat bartëse të veprimeve e argumentojnë këtë lidhje dramatike mes tokës dhe jetës, kur thuhet se “këtu qëndron toka dhe koka e tyre” (f.175), pra, në shënjestër vihet thelbi i ekzistencës së tyre, ku reforma agrare shfaqet si mekanizëm ligjor në sipërfaqe, ndërsa në thelb si proces zhveshjeje për zhvatje. Ajo lidhet me arrestime, urdhra, lëvizje politike dhe kriza shtetërore, duke treguar prapavijën e errët të operacionit politik mbi territorin dhe popullsinë autoktone. Krijohet klima për shitjen e tokës, jo si zgjedhje e dëshirueshme, por si rrugëdalje e imponuar. Personazhet e pranojnë se pasaportat i kanë marrë pikërisht “qëkur i shitëm tokat”, pra humbja e pronës shndërrohet drejtpërdrejt në parapërgatitje për largim. Këtu fabula e romanit merr kthesën e madhe: shpërnguljen! Shqiptarët marrin fillin e ikjes në drejtime të caktuara, drejt emigrimit të largët, përtej Europës, konkretisht Australisë (A. Brahimoviçi), i cili ndodhet në emigrim dhe përmendet vazhdimisht që punon jashtë për të shlyer borxhet e për të mbajtur familjen. Madje, rreth figurës së tij ndërtohen edhe intriga, akuza dhe skenarë të ndryshëm, duke e lidhur nisjen e tij me ngjarje kriminale në Australi, duke na bërë të ditur, se emigranti, veç mallit, bart mbi vete edhe dyshimin dhe manipulimin politik të kurdisur prej të tjerëve. Pra, në thelb, në roman shqiptarët po ikin jashtë vendit (emigrim ekonomik e shpëtim familjar); drejt Shqipërisë si hapësirë kombëtare e mundshme, duke u pajisur aty edhe me pasaporta; nga fshati në pasiguri urbane, qytet, ose përfundojnë të zhdukur tragjikisht prej dhunës sistematike.
Kur Abdullahu kthehet nga jashtë, shfaqet motra e tij, Zada, e cila është në prag ndryshimi jete dhe e lidhur me një fejesë të brishtë, të kushtëzuar prej rrethanave ekonomike. Nata që pritej të shënonte çmallje me familjen shndërrohet në tragjedi: Said Suleviçi, i zhytur në borxhe dhe i shtyrë nga dëshpërimi, epshi dhe logjika e shtrembër e “nderit”, organizon një sulm të armatosur për të rrëmbyer Zaden. Si pasojë e këtij sulmi, ngjarja përfundon me katër të vrarë: Abdullahun, Cenan, Saidin dhe vetë Zaden, duke e destinuar pazgjidhshmërisht romanin me shenjën e tragjedisë së pashmangshme.
Paralelisht me këtë vijë, romani ndërton një linjë të errët kriminale përmes figurës së “bosit” në male, që parapaguan vrasje, zhduk njerëz, kërkon sharrëtarë që humbin pa gjurmë... Kjo botë e krimit është vetë shteti, hija e tij, vazhdim i dhunës së institucionalizuar. Ashtu sikurse Reforma agrare që ua shpronëson tokat pronarëve, po e njëjta botë zhduk edhe trupat. Pylli, vilat, florinjtë, gjurmët e gjakut që i ruan edhe vetë toka, të gjitha bëhen metaforë e një hapësire ku jeta njerëzore ka humbur vlerën.
Korniza e gjyqit e mban të lidhur tërë këtë univers, aty përzihen bashkë: gënjeshtra, dosjet, gjaku dhe faji. Ndërkohë, brenda fabulës së romanit, dashuria shfaqet si ndjenjë e lidhur me familjen, me nderin dhe vazhdimësinë e jetës, jo si romancë e lirë. Ajo përfaqëson shpresën për stabilitet dhe ndërtimin e së ardhmes, që fatkeqësisht goditet nga presioni i kohës, humbja e tokës, varfëria, shpërnguljet dhe dhuna. Ngjarjet tragjike ia vënë lakun kësaj mundësie, duke e kthyer dashurinë në një ndjenjë të papërmbushur.
Ballkani si palimpsest dëshmie te “Blirët e Pejës”
Duke lexuar “Blirët e Pejës”, lexuesi e sheh që romani nuk ecën vetëm përmes një shtegu të përcaktuar drejt. Ai të kthen herë te dokumenti, herë te zakoni, herë te shenjat e shenjtnores, herë te kënga, herë te intimiteti i rrëfimit. Këto të gjitha, nuk e zëvendësojnë njëra-tjetrën, megjithëkëtë, mbivendosen dhe lënë gjurmë, si shkrime që nuk fshihen as pak dhe as krejtësisht, por qëndrojnë në zgrip të padukshëm. Leximi i këtij romani na e bën të mundur ta perceptojmë Ballkanin si një hapësirë me shtresa, ku gjurmët lindore dhe perëndimore nuk zëvendësojnë njëra-tjetrën, por vetëm mbishkruhen nëpër kohë të ndryshme. Këtë e ka konceptuar edhe Predrag Matvejević kur flet për palimpsestin ballkanik (Predrag Matvejeviç, Mediteranski brevijor, Međunarodni centar za mir, Sarajevë, 1998, f.14-15). Po kështu, edhe te Terziu, kjo ide merr formë në mënyrë rrëfimi, që do të thotë se kuptimi materializohet nga vendosja e diskurseve dhe e shenjave mbi njëra-tjetrën, jo nga një vijë e vetme narrative.
Arkivi i heshtur i dokumentit shfaqet si “teksti i shtetit” i vendosur mbi “tekstin e jetës”, pra, që presupozohet, si pushtet në veprim. Kjo bëhet e dukshme sidomos në formën e tij të numëruar (nga pika 1-16, në kapitullin 11, f. 68-70), i cili ndryshon menjëherë regjistrin, ku nga narracioni rrëfimor kalon në një gjuhë normëzuese, gati juridike, që urdhëron dhe kërkon zbatimin e rregullave përmes dispozitave të përcaktuara. Futja e traktatit “marrëveshjes top-sekret” të vitit 1924 ndërmjet Pashiçit dhe Zogut brenda rrëfimit, nuk paraqitet si shpjegim historiografik i narratorit, por si lexim i aparatit brenda një bisede operative, kështu, dokumenti nuk shfaqet si “burim neutral”, ai është transformuar si tekst dokumentues që përdoret, administrohet dhe kthehet në instrument veprimi tek “Blirët e Pejës”. Këtu palimpsesti vihet në pah si teknikë kompozimi. Regjistri i rrëfimit kthehet befas në regjistër normativ duke numëruar nga (1-16), ku formula të tipit: “Shqipëria impenjohet t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal.”; “Ministria e Luftës Shqiptare do të anulohet dhe Shqipëria heq dorë që të ketë një Ushtri Kombëtare.”, dhe një xhandarmëri e konceptuar për “qetësinë e brendshme” (po aty, f.68) bëhen fjali që pretendojnë të vendosin kornizën e fatit njerëzor. Dhe kur këto pika shkojnë deri te dispozitat e varësisë dhe përmbylljes: “Ky traktat është sekret dhe nuk mund të zbulohet e të shtypet pa pëlqimin e dy palëve”, ku përmes këtyre romani na e bën të ditur idenë se mbi përditshmërinë njerëzore shkruhet një ligj tjetër, ligji i pushtetit që kërkon të ketë zërin përfundimtar mbi jetën e gjithësecilit. Megjithatë, “shkrimi” i pushtetit, në romanin e Terziut, nuk mbaron te letra, mjerisht ai vazhdon si fshehtësi e mirorganizuar. Vetë klauzola e fshehtësisë prej (16 pikash) është një mënyrë sundimi jo përmbajtësore, e cila vjen si procedurë. Menjëherë pas kësaj procedure, në episodet e romanit, realizohet shtresa operative me Kapiten Zhivjanin, koordinator i strukturave të policisë sekrete, apo pjesë e strukturave të padukshme, pra një figurë, i cili e bart pushtetin nga dokumenti te veprimi.
Në këtë rrjedhë të njëjtë, edhe vetë hapësira bëhet territor i riidentifikuar, ku udhëtimi i tij “në bulevardin kryesor poshtë blirëve” (f.70), ia vesh Pejës dy përshkrime njëherësh, të parin përshkrim me pamjen e qetë të hijes së blirëve, dhe tjetrin, itinerarin e sigurt të një misioni policor. Peja, pra, nuk rri si sfond, ajo shfaqet si “epiqendër”, ku kujtesa dhe kontrolli ruajnë njëra-tjetrën.
Kësaj shtrese dokumentare e të fshehtë i përgjigjet një tjetër strukturë intertekstuale, që kësaj here vjen nga vetë letërsia, që domethënë, letërsia merr nga letërsia. Në episodin ku B. Markovi sjell në bisedë shkrimtarin M. Roberts, i cili përmend një “romancë të përzier me një fakt interesant” dhe përshkruan me hollësi një subjekt me plan, me marrëveshje, me komplot, me mision trullosjeje, me interes dhe kalkulim. Duke mos e futur si lloj bibliografik, vendos një pasqyrë të tërthortë ku romani sugjeron se edhe historia politike shpesh sillet si narrativë e ndërtuar me role, skenarë e mënyra ndikimi. Kështu, dokumentet, romanet e tjerë bëhen burime ndërtekstore që Terziu i integron në një organizëm të vetëm, ku më pas, herë arkivi e mbishkruan jetën, herë letërsia i jep gjuhë arkivit për të prodhuar pasoja. Përmes kësaj ndërthurjeje, ky mozaik rrëfimor merr funksion kompozicional:, sepse ai e udhëheq mënyrën e organizimit të historisë dhe artikulimit interpretues.
Nuk duhet anashkaluar edhe intermexot e qëllimshme filozofike te “Blirët e Pejës”, që shfaqen si zigzake nyjesh, përmes të cilave romani e shpjegon funksionimin e pushtetit: si fabrikohet pushteti, si përhapet dhuna nëpërmjet procedurës, dhe përse “e vërteta” mbetet shpeshherë e pjesshme. Që në fillim të librit, jepet njoftimi për shtyrjen e gjyqit, duke e dyfishuar realitetin: ekziston dosja, por bashkë me të qëndrojnë “arsyet e tyre të padukshme ende”. Kjo fjali në roman, tregon për një regjim ku vendimet nuk merren vetëm “me zë”, në të shumtën ato merren me mjegullime, me shtyrje dhe me lëvizje të padukshme. Sipas të njëjtës logjikë të veprimit të pushtetit, pasazhi ku thuhet se “vetë pushteti ishte lëvizje gjërash… padukshmëri pushtetesh… padukshmëri lëvizjesh” (f.8, po aty) e koncepton sundimin si rrjet veprimesh që funksionon më fort pikërisht kur nuk duket.
Përballë këtij regjimi të nëndheshëm, autori fut në roman një linjë alternative kujtese: zërin e këngës dhe tingullin e instrumentit. Në sallën ku flitet me “fakte” e “dosje”, vjen “një muzikë e hollë… Ishte një sharki…” (f.11, po aty). Kjo ndërhyrje arti sugjeron se ka të vërteta që nuk i mbajnë dot procedurat, por ato i ruan vetëm kujtesa e dëshirueshme, atëherë kur fjala zyrtare i lë gjërat në hije harrimi.
Reforma agrare dhe vrasjet si palimpsest tragjik
Në romanin “Blirët e Pejës” të Terziut, Reforma agrare shfaqet si mekanizëm politik që vepron mbi jetën dhe fatin kolektiv të shqiptarëve të Kosovës. Çdo akt i saj veprues krijon një mbishkrim tragjik, ku shtresa e re e pushtetit mbivendoset mbi plagët historike dhe humbjet morale të etnisë. Në këtë strukturë, vrasjet e Abdullahut, Cenas, Zadas dhe Saidit, përveç si tragjedi individuale, ato ngrihen si shtresa të reja mbi këtë vazhdimësi fatkeqe, ku secila shtresë tregon ndikimin e Reformës agrare në jetë, në nder dhe në ekzistencën e vetë shqiptarëve, ashtu si Abdullahu, i kthyer nga mërgimi për të ruajtur tokën e familjes, ku më pas bëhet viktimë e këtij sistemi. Shitja e tokës, e imponuar nga Reforma agrare, është një veprim procedural i detyruar prej borxheve, nevojave dhe manipulimeve shtetëror. Kjo strukturë fatale vendoset mbi historinë e tokës së shpronësuar më parë, duke i dhënë dhunës një dimension moral dhe ekzistencial. Vdekja e Abdullahut e shfaq këtë dhunë të shkruar mbi shtresën e parë të humbjes, ku jeta e tij pasqyron jo vetëm humbjen e pronës, por edhe rrënimin e sigurisë ekonomike në përgjithësi. Ndërkohë, motra e tij, Zada, përjeton një sediment dhimbjeje, ku humbjet personale dhe kufizimet e rrethanave formojnë një dimension tjetër të vuajtjes dhe të pakthyeshmërisë së ëndrrave për jetë. Jeta e saj private dhe e familjes është rivendosur nga trysnia e Reformës, ku premtimi i pagesës së “mirë”, nuk është tjetër veçse maskë e varfërimit dhe shpronësimit. Madje, dhe vdekja e saj bëhet një shtresë tjetër dramatike mbi humbjet e mëparshme, duke e kthyer çdo humbje individuale në tragjedi kolektive. Palimpsesti tragjik këtu luan rolin mbi të cilin lexuesi mund të kuptojë ndërthurjen e politikës dhe jetës personale, ku secili akt i dhunës shton një shtresë të re mbi plagët ekzistuese. S. Suleviçi përfaqëson një shtresë tjetër të palimpsestit, sepse ai përveç si viktimë, është edhe agjent i dhunës, i kapur mes presionit ekonomik, social dhe politik. Ai ilustron shtresën ku Reforma agrare shndërrohet në mjet manipulimi mbi individin, duke kontrolluar çdo hap të jetës private. Borxhet dhe manipulimet ndërtojnë cikle të reja tragjike, duke treguar se jeta dhe vdekja e personazheve janë instrumente të një regjimi, i cili shkruan mbi historinë e tyre. Në këtë kuadër, kjo veshje kuptimore nuk është vetëm narrative, ajo është edhe hapësinore, si toka, shtëpia, fshati, qyteti, bliri apo pisha flamur..., që bartin shtresa kohore, pronësi të trashëguara, reforma, shitje dhe boshatisje, të gjitha duke u bashkërenduar krah njëra-tjetrës. Kështu që, çdo akt i Reformës, çdo vrasje dhe çdo zhvendosje shërben si fragment a pjesë e ribërë me intencë nga autori, ku lexuesi i përqendruar mund të dallojë shtresën e dukshme dhe atë të fshehur. Për arsyet që u cekën deri më tash, Abdullahu, Zada dhe Saidi nuk janë vetëm thjesht personazhe, janë më shumë se kaq, janë faqe të palimpsestit tragjik, ku çdo ngjarje shërben për të zbuluar pasojat morale, ekzistenciale dhe historike të Reformës agrare. Ndaj si përfundim, Reforma agrare dhe vrasjet ndërthuren si shtresa të një strukture polifonike dramatike të dhimbshme, ku bashkëjetojnë koordinueshëm: historia, politika dhe dhuna. Ajo shkatërron strukturën familjare, krijon zbrazëti territoriale e morale, duke e riprodhuar dhunën e mëparshme brenda një ndërtimi narrativ kompleks, ndërtuar me kujdes stilistik, që kërkon lexim të vëmendshëm dhe interpretim të matur. Secila humbje jete dhe çdo humbje toke rëndon mbi plagët e mëparshme, duke e shndërruar veprën në një reflektim mbi domosdoshmërinë e kujtesës historike kombëtare, drejtësisë së kohës dhe etikës.
Ndërthurja e narrativave të shumëfishta

Romani “Blirët e Pejës” kapërcen kufijtë e një zhanri të vetëm, duke fituar kështu intensitet estetik dhe thellësi interpretative. Ai ndërthur rrëfim intim dhe familjar, ndërhyrje arkivore, kode zakonore, mekanizma të aparatit shtetëror, intriga dhe komplote, si dhe një damar ndjenjash që nuk shfaqet si idil, por si nyjë tragjike ku përplasen nderi, turpi, dhuna dhe pushteti. Kjo ndërthurje e bën më të arsyeshme leximin e veprës si një roman hibrid, me bosht historik e politik dhe peshë të dukshme psikologjike.
Romani zhvillohet si histori dokumentare. Kalendari i rrëfimit, i shpallur që në prolog: “Ishte viti 1936… nëntë tetor” (f.5), e fikson tragjedinë në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore. Ai shtrihet përmes materialeve arkivore dhe kthimeve historike, duke e bërë narrativën të ndihet si një “arkiv i hapur”. Marrëveshja e vitit 1924, e paraqitur në formë dokumenti “top-sekret” (f.45), revolta e 25 gushtit 1897 (f.159) dhe referenca e vitit 2014 për dokumentet e Kosovës (f.189), tregojnë vazhdimësinë e dhunës dhe përplasjet identitare. Kjo mënyrë e shtrirjes së kohës krijon një rrëfim jo linear, ku historia dhe jeta private ndërveprojnë në një palimpsest tragjik.
Romani shfaq gjithashtu tipare të poetikës postmoderne, pa e shtrembëruar realitetin. Ndërhyrjet e materialeve arkivore dhe teksteve joletrare, si mitet, besëtytnitë, ritet dhe këngët, e zhvendosin rrëfimin nga përjetimi emocional drejt regjistrit burokratik dhe nga intimiteti drejt aparatit institucional. Kjo bashkëjetesë modalitetesh e bën romanin të komunikojë si hapësirë, ku historia shkruan mbi jetën private, dhe jeta private e rimerr dhe e rishkruan historinë.
Brenda kësaj vepre, politika nuk është thjesht përmendje, ajo mbi të gjitha është strukturë që instrumenton individët dhe prodhon fatet. Marrëveshjet, gjyqet dhe dosjet tregojnë se pushteti nuk shfaqet vetëm si dhunë, por edhe si administrim dhe kontroll i fjalës dhe i të dhënave (68-70). Ai operon edhe kur dorën e tij nuk e sheh askush, duke e bërë romanin politik dhe realist në portretizimin e mekanizmave që modelojnë jetën dhe vdekjen.
Dashuria në roman nuk është aspak idil, ajo në mënyrë absolute është tragjedi. Kjo përmasë intime, shndërrohet në pikën ku shoqëria, zakoni, statusi dhe frika e thyejnë njeriun, duke nxitur konflikte dhe duke ekspozuar pushtetin mbi trupin dhe marrëdhëniet njerëzore (f.120). Ajo shfaqet si rrjedhë e tragjedisë, si e pamundur nën rendin shoqëror dhe si maskë ironike, duke treguar se edhe ndjenja më humane mund të shndërrohen në pretekst për shkatërrim.
Dimensioni psikologjik zbërthen traumën dhe mekanizmat që e transformojnë ankthin në katastrofë, duke artikuluar zinxhirin e përshkallëzimit nga zemërimi dhe pakujdesia deri te tragjedia që mbetet plagë në kujtesën e fëmijës (f.120). Strategjitë, të cilat instrumentalizojnë frikën, turpin dhe supersticionin, zgjerojnë këtë rrafsh drejt asaj që mund të quhet psikologji e pushtetit. Në këtë mënyrë, “Blirët e Pejës” formëson një strukturë të përthyer tragjike, ku shtresat historike, dokumentare, politike, dashurore dhe psikologjike ndërthuren për të krijuar një portret kompleks të jetës nën trysninë e pushtetit dhe traumës, një vepër që flet njëkohësisht për historinë, individin, fatin kolektiv të një populli dhe vuajtjen personale.
Mes poetikave të romanit modern botëror
Në plan krahasimor, “Blirët e Pejës”, shkruar nga F. Terziu, mund të lexohet e kuptohet në afërsi analoge me tri poetika të afirmuara të romanit modern nga letërsia e përbotshme, duke mos u nënkuptuar assesi si modelim apo varësi, por si pjesëmarrje në një horizont të përbashkët estetik dhe etik. Së pari me Umberto Econ, ku lidhja qëndron te ndërtimi i rrëfimit, i cili ndërpritet vazhdimisht nga materiale dokumentare, kode procedurale dhe forma diskursive të administrimit. Romani merr trajtën e një arkivi interpretues, ku pushteti vepron jo vetëm përmes dhunës së drejtpërdrejtë, por edhe përmes kontrollit të kuptimit, klasifikimit dhe gjuhës së rregullimit institucional (U. Eco, “Emri i trëndafilit”, përkth. D. Omari, Dituria, 2012).
Teksa te U. Eco vëmendja qëndron te arkivi dhe regjistrat dokumentarë, te Vasil Grossman fokusi zhvendoset te ndikimi etik i aparatit mbi individin. Kështu që afërsia e romanit “Blirët e Pejës” së Terziut me V. Grossmanin, qëndron tek theksi etik i individit nën aparatin pushtetor (Vasil Grossman, “Jeta dhe fati”, përkth. A. Doksani, Ombra GVG, 2019). Frika, burokracia dhe mekanizmat e padukshëm të sistemit e zhvendosin fatin personal nga sfera e zgjedhjes në atë të pasojës, duke e bërë jetën private të përthithet nga një racionalitet i ftohtë, ku e vërteta nuk mund të zhduket, vetëm se mund të bëhet më e diskutueshme. Në mënyrë të ngjashme, edhe te romani i Terziut, prania e gjyqit, policisë dhe mekanizmave të ndërhyrjes në jetën private, e shndërron dhunën në një proces të “normalizuar”, ku fati i individit përcaktohet nga një seri ndërhyrjesh të shpërndara, jo nga një akt ekstrem i vetëm.
Pas theksit etik të Grossmanit më sipër, krahasimi shtrihet edhe te Orhan Pamuku, i cili në veprat e tij ofron një perspektivë ku ndjenja, tradita dhe institucionet kulturore ndërthuren me politikën brenda hapësirës narrative. Si rrjedhojë e kësaj, analogjia me O. Pamukun vjen e gërshetueshme përmes intimes dhe politikës. Në njërën prej veprave të tij të shumta siç është “Bora” (Orhan Pamuk, “Bora”, përkth. D. Cetaku-Turdiu, Skanderbeg Books 2007), feja, institucioni, tradita, nderi dhe dëshira, kundërvihen mes vete brenda hapësirës narrative urbane dhe të skajshme, duke formësuar identitetin, kujtesën dhe legjitimitetin. Te “Blirët e Pejës”, kjo ndërthurje shfaqet përmes intimes si portë hyrëse për të lexuar politikën, presionin shoqëror, instrumentalizimin e zakonit dhe kontrollin e kujtesës. Hapësira sakrale (si Patrikana e Pejës dhe ikonat së bashku) bashkë me toponiminë e dendur, ndërtojnë një lloj kartografie identitare, ku kultura shndërrohet në terren veprimi për pushtetin. Brenda këtij rrafshi, afërsia me Pamukun bëhet më e qartë, për arsye se libri “Blirët e Pejës” e trajton historinë jo vetëm si rend ngjarjesh, por si konflikt interpretimesh, mbi thuajse gjithçkanë, se kush ka të drejtën të rrëfejë, të emërtojë, të shenjtërojë dhe, në fund, të legjitimojë pushtetin e një vendi. Pikërisht këtu politika dhe kultura përplasen me intimen, duke e bërë identitetin një hapësirë të vazhdueshme tensioni.
Kështu pra, nga të gjitha piketat e trajtuara lart me afërsitë krahasimore, që të tria e forcojnë më shumë veçantinë e romanit të Terziut, duke e vendosur atë brenda një tradite, ku rrëfimi modern shfaqet njëherësh si formë estetike, si akt dëshmie dhe si instrument kritik ndaj mekanizmave të pushtetit. Ndërthurja e regjistrave dokumentarë, etikë, psikologjikë dhe politikë, krijojnë një perspektivë, përmes së cilës perspektivë tregohet se historia nuk është vetëm rend ngjarjesh për asnjë popull e vend, ajo është edhe luftë interpretimesh e të fortëve mjerisht se kush ka të drejtë të rrëfejë, të emërtojë, të shenjtërojë dhe të legjitimojë pushtetin, qoftë edhe kur është vrasës si në këtë roman.
Kartografia e hapësirës rrëfyese
Në këtë vepër, titulli e tejkalon rolin formal të një etikete dalluese dhe merr vlerën e një pikënisjeje interpretative. Që në pragun e rrëfimit, ai e vendos rrëfimin në një terren të përcaktuar historik dhe kulturor, duke e lidhur Kosovën me një qendër konkrete jetese: Pejën si zemër simbolike të Kosovës. Kjo zgjedhje i reziston përgjithësimit abstrakt dhe e detyron lexuesin të shohë e të ndjejë zhvillimin e ngjarjeve mbi një tokë të njohur, ku konfliktet, dhuna dhe trashëgimia e së kaluarës kanë marrë formë në një vend të caktuar.
Emri “Pejë”, në roman e tejkalon përcaktuesin e treguesit gjeografik, ky emër përshkon një zonë përqendruese me përvoja të shumta historike dhe shoqërore. E mban rrëfimin të lidhur me një kontekst të pakëmbyeshëm të shqiptarëve të Kosovës, ku zakoni, feja, politika e pushtuesit dhe ndasitë shoqërore, ndërhyjnë vazhdimisht në jetën e vendësve. Për këtë arsye, ngjarjet nuk mund të zhvendosen pa humbur kuptim, ato mbeten të varura nga një realitet lokal që i jep romanit peshë artistike dhe kuptueshmëri të qartë.
Fjala e parë e titullit, “blirët”, e çon këtë përqendrim nga emërtimi drejt simbolit, i cili nuk nënkuptohet këtu fare si referencë botanike, ai ka të bëjë me emërtimin hapësinor ku përqendrohet kujtesa, norma dhe tensioni, të cilat romani i shpreh përmes figurave dhe rrethanave të ndryshme. Kjo e bën të qartë se “blirët” shfaqet si toponim i brendshëm i romanit, një emërvend që përmbledh përvoja kolektive nga më të ndryshmet, norma shoqërore trillane e prapësuese ndaj gjithkujt që quhej shqiptar dhe gjithçkaje përreth nëpër tensione historike. Përkufizon vendin ku flitet, ku merren vendime dhe ku dinamikat konfliktuale dalin në dritë. Në roman, kjo figurë bëhet shenjë përfaqësuese e komunitetit të andejzës dhe e ekuilibrave të saj të brishtë. Përmes blirit, vendi gjithatje fiton zë dhe hyn drejtpërdrejt në logjikën e rrëfimit libror. E megjithatë, pikërisht këtu bëhet i lexueshëm dyzimi kuptimor i titullit. Bliri, si shenjë e hijes dhe e bashkimit, vendoset përballë një rrjedhe ngjarjesh të përshkuara nga dhuna dhe përçarja. Ai dru që simbolikisht tregon qetësi, në narracion shndërrohet në hapësirë rrënimi. Ky kontrast i brendshëm e vendos veprën në regjistrin e përthyerjes tragjike, ku rendi i përbashkët nuk rrëzohet vetëm prej një force të jashtme, por shpërbëhet edhe prej mekanizmave të brendshëm. Kjo dinamikë nuk mbetet në nivel simbolik, e gjitha, pa përjashtim, shtrihet në ndërtimin konkret të rrëfimit. Romani ndërtohet mbi një rrjet të dendur emërtimesh vendore: Kosova, Peja dhe “Blirët e Pejës”, Deçani, Bjeshkët e Rugovës, Radavci, Lumbardhi, Gryka e Rugovës, Qafa e Thanës, Qafa e Pejës, Pisha Flamur e Qafës së Pejës, Qafa e Morinës, Kufiri i Kullës, Qakorri, Bjeshkët e Nemuna, Çarshia e Pejës, Patrikana e Pejës, Kisha e Shën Katerinës, Gjeravica, Bistrica e Deçanit, Hani i Elezit e të tjera. Këta emra gjeografikë e rrënjosin rrëfimin në tokë, duke i dhënë atij identitet të veçantë dhe duke e bërë të pazëvendësueshëm. Nëpërmjet kësaj harte emërtimesh, dhuna dhe përçarja nuk shndërrohen në nocione të përgjithshme, drejtpërdrejtë ato lidhen me vende konkrete, me Pejën dhe rrethinat e saj, me Grykën e Rugovës, me Qafën e Morinës e Qafën e Thanës, me Kufirin e Kullës dhe Bjeshkët e Nemuna. Gjithë këta emra i japin traumës adresë dhe kohë, duke e penguar që të tretet në abstraksion dhe duke e shndërruar rrëfimin në një formë të besueshme dëshmie për brezat. Për këtë arsye, ky roman (s’)mund të lexohet edhe si kronikë lokale. Peja me rrethinë shfaqet figurë përmbledhëse, një mikrokozmos ku pasqyrohen presionet më të egra shoqërore, si shpërngulja, manipulimi me zakonet, normalizimi i konflikteve dhe rrënimi gjer në shembje i marrëdhënieve njerëzore. Edhe pse titulli e orienton vështrimin drejt një qendre të caktuar, domethënia e veprës e kapërcen këtë fokus lokal, duke i pasqyruar kohët e Pejës si model interpretativ të gjendjes së Kosovës në tërësi. Siç bëhet e dukshme, në këtë kuptim titulli merr vlerë dëshmuese. Duke emërtuar një vend, ai e lidh përvojën e dhunës me një territor konkret dhe me një kujtesë që nuk duhet të pranojë harrimin për asnjë çmim, pavarësisht bashkëjetesës së mëvonshme dhe heshtjes që e pason.
Inskenimi i strategjive përçarëse, vëllavrasëse
Një nga dukuritë më shqetësuese që shfaq romani “Blirët e Pejës” është vëllavrasja. Ajo merr formë veçanërisht të dukshme në kapitullin 14, ku rrëfimi e zhvendos vëmendjen nga drama si ngjarje e izoluar drejt dramës si proces i qëndrueshëm i gjenerimit të konfliktit. Lexuesi do ta sheh qartë, se aty vëllavrasja nuk lexohet si shpërthim i verbër i temperamentit ballkanik, as si fatalitet i një kodi të trashëguar, por kryesisht vjen si rezultat i një racionaliteti të ftohtë që di të ndërhyjë pikërisht te pika më e brishtë e një bashkësie vëllazërore të një populli apo kombi: te rendi zakonor, te besimi se nderi është ligj, te bindja se “gjakut i duhet gjak”. Në këtë kapitull, Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk paraqitet si kod kulturor në kuptimin e tij historik, as si trashëgimi normative e pandryshueshme, ai shfaqet si instrument i përzgjedhur deformues brenda rrëfimit libror, i përdorur për të arsyetuar dhe për të përshpejtuar dhunën. Në këtë mënyrë, romani e zhvendos Kanunin nga sfera e traditës drejt logjikës së manipulimit, duke e bërë një pjesë rrëfimi, pasqyrë politike e psikologjike të mënyrës së vetë pushtetit, ku përmes përvetësimit të normave të brendshme, e kthen shoqërinë kundër vetvetes. Logjika e planit të pushtetit është e thjeshtë, por tejskajshmërisht mizore: dhuna duhet të duket e brendshme, e nxitur nga zakoni, nga “temperamenti”, nga “rregullat e fshatit”, në mënyrë që në fund pasojat të paraqiten si vetëshkatërrim. Romani e bën të dukshëm interesin që fshihet pas këtij inskenimi: në momentin kur njerëzit shtyhen të përplasen mes vete dhe më pas të shpërngulen, kjo dinamikë paraqitet si “fakt i kryer” që mund të instrumentalizohet politikisht. Më detajisht vërehet i fjalëpërfjalshëm S. Vrapçoviçi kur thotë: “Kjo që ndodhi është një pjesë e atyre skenareve... Unë e di pse ndodhin dhe kush i kurdis (f.100). Në këtë aparat dominues, ndarja që Varnalis e thekson te “Apologjia e Sokratit”, kur thotë: “Ne njerëzit ndahemi në ata që urdhërojnë dhe në ata që kryejnë shërbime”, materializohet këtu në mënyrë konkrete. Gjykatësi, polici, ndërmjetësi dhe “besniku i paguar” nuk janë thjesht individë, ata janë hallka të një rendi që zbatojnë urdhrin pa qenë kurrë autorët e tij. Në këtë mënyrë, aktori që ka nxitur konfliktin mbetet i padukshëm dhe i papërgjegjshëm, ndërsa barra e fajit i zhvendoset viktimës, e cila paraqitet si shkaktare e fatit të vet. Për rrjedhojë, spastrimi merr pamje “spontane”: jo si dëbim i drejtpërdrejtë, por si ikje e vetëshkaktuar, jo si dhunë e organizuar, por si konflikt i brendshëm. Ky element nuk zbërthen vetëm aktin kriminal në vetvete, por edhe gjuhën që e mbulon atë: mënyrën se si dhuna ndërvëllazërore e shqiptarëve, riformulohet në rrëfim të pranueshëm dhe tragjedia individuale shndërrohet në narrativë të përdorshme prej së jashtmi. Në këtë kontekst, Kanuni shfaqet si diskursi më i leverdishëm për nxitjen e spirales së konfliktit ndërshqiptar. Autori në roman i jep këtij kodi një trajtim të dyfishtë: nga njëra anë, e njeh si sistem rregullues shoqëror, kurse nga ana tjetër, e tregon si sistem që bëhet i rrezikshëm kur futet në të hija e instrumentalizmit, si dhe aq më keq, kur drejtësia shtetërore mungon e qëllimisht dështon. Më pas, aty ku mungon ndëshkimi institucional, kodi zakonor merr rolin e gjykatës, por pikërisht ky rol i tejzgjatur e bën të manipulueshëm. Pjesa e rrëfimit që lidhet me të, e shtron dilemën në mënyrë akuzuese: a po përdoret zakoni si shkas, si fije shkrepëse për ta ndezur zjarrin qëllimisht? Dhe përgjigjja që na jep romani është jo vetëm “Po!” e madhe pohuese, por edhe një “Po!” tjetër shtuese, sepse në vend të një konflikti të drejtpërdrejtë brenda etnisë shqiptare si komunitet, mjafton të aktivizosh mekanizmat e tij të brendshëm, t’i shtysh të “besojnë” sipas detyrimit moral që të kundërpërgjigjen, të ndëshkojnë, të pastrojnë “turpin”, dhe kështu, plumbi i kthehet brendësisë së vet kombit.

Prandaj, në këtë vepër, autori pikërisht këtë kod zakonor e ndan qartë: ai nuk e sheh më si trashëgimi të mbyllur në kujtesë, por si objekt i kapshëm, si një “instrument” që mund të futet në dorë të “tjetrit” lehtësisht. Në bazë të kësaj kristalizohet logjika dinake e armikut, se nuk ka nevojë ta mohojë traditën e atij vendi, vetëm mjafton ta përvetësojë e riorientojë për qëllime të caktuara. Dhe pastaj, kur ky kod vihet në lëvizje përmes shtysave të jashtme, ai nuk krijon rend, krijon vetëm leqe përdhunuese. Më pas zinxhirin e konfliktit, romani e shpjegon jo me impuls emocional, por me shqyrtim të hollësishëm e përshkallëzues: nga një shkëndijë e vogël në një katastrofë tragjizmi të përmasave gjithnjë e më të mëdha.
Kjo ide e përshkallëzimit merr formën më tronditëse në roman, ku i tërë rrëfimi e lidh dhunën me psikologjinë e shpërthimit, pasi zemërimi është mekanizëm që “pikëtakohet” me jetën dhe e çon njeriun te pakujdesia, te çasti kur kontrolli bie dhe bëhet “hataja” (f.120). Autori e vendos shkakun në përmasën e tij minimale “për një mezhdë e një gur”, për të dëshmuar se në një ambient ku nderi vihet në lëvizje si shtysë konflikti, mjafton një detaj i vogël që të shpërthejë tërë aparati dhunues. Pastaj tragjedia flet me shifra: “Dhjetë burra u palosën brenda një nate dhe pastaj natën tjetër tridhjetë xhenaze shkuan në të zezën tokë.” (f.120), rrjedhë e një hakmarrjeje në dramë të përgjakshme. Autori, termin e huaj “xhenaze” e fut si element të ndërtuar për efekt strukturor, duke besuar për ta zgjeruar edhe më shumë faktin e krimit në ritual, pasi komuniteti ecën drejt tokës së zezë, dhe bashkë me të ecën edhe një rend moral që po varroset.
Element i cili ndërthuret drejtpërdrejt me boshtin e romanit është, siç u theksua, vëllavrasja, që nuk shfaqet thjesht si tragjedi e brendshme, ajo vjen si pasojë e një mekanizmi që di të aktivizojë dhe të shfrytëzojë brishtësinë e shoqërisë. Ndërkaq, romani e bën këtë lidhje edhe më të dhimbshme përmes perspektivës së njeriut kur kujton fëmijërinë: “Isha vetëm fëmijë kur mora udhët e largimit nga ajo tokë, nga ata njerëz që i shoh vetëm në ëndrra ende...”, një fjali që e vendos masakrën jo vetëm si episod, por si zakon dhe si plagë të mërgimit që mbetet mbetet e gjallë në ëndrra. Prej këtej, vëllavrasja shndërrohet në burim të dyfishtë, pasi ajo merr jetë dhe i dëbon jetët, rrënon trupin shoqëror dhe e boshatis hapësirën. Romani e prek edhe një rrezik tjetër zbërthyes: prirjen për ta quajtur këtë “traditë ballkanike”, sikur të ishte një tipar gjeografik i pashmangshëm. Por megjithëkëtë, vepra nuk e lejon këtë të bëhet alibi. Autori e sjell si frazë përgjithësimin “thuajse një traditë kemi…”, jo për ta pranuar, më shumë ndoshta e ka për ta çmontuar. Ai e kundërvë këtë klishe me idenë se ngjarjet e liga nuk lindin vetvetiu, ato riprodhohen me qëllim, mbillen tek të tjerët dhe aktivizohen në çaste të zgjedhura. Dhuna, kësisoj, nuk shfaqet si “fat”, shfaqet si interes i kalkuluar, si plan dhe si shkëndijë e hedhur me kujdes në vendin e duhur. Në këtë rrafsh, kjo dukuri mbrapshtane e riorienton përgjegjësinë, jo nga viktima te gjeografia, por nga gjeografia te mekanizmi i ndërhyrjes dhe te dështimi i drejtësisë, i cili e lë shoqërinë të vetmuar përballë kodit. Prandaj, armiku nuk ka nevojë të fitojë me forcë; mjafton ta instrumentalizojë rendin shoqëror, ta shndërrojë në armë kundër vetes, të përhapë bindjen se gjaku është detyrim dhe ta legjitimojë hakmarrjen. Atëherë, kur njerëzit autoktonë shterojnë, kur varret shtohen dhe kur largimi bëhet normë, pasojat lexohen si zgjedhje të tyre.
Patrikana e Pejës si palimpsest pushtimesh
Te trajtimi i Patrikanës së Pejës, Terziu nuk mjaftohet ta paraqesë konfliktin vetëm në rrafshin e tij përgjithësues politik. Jo, ai fillimisht e paraqet si vatër të fshehtë narrative, pastaj me maturi e përshkallëzon drejt planit tjetër institucional dhe, më në fund, e ashpërson përplasjen duke e shtyrë në një nivel tjetër diskursiv, nëse mund të thuhet, prek aty ku historia po shndërrohet në ideologji pushtimi, aty ku trashëgimia simbolike, kultura dhe shpirti bëhen truall përballjeje. Ky konflikt, tashmë i çliruar nga kufizimi territorial, synon të depërtojë përtej hartës dhe të vendoset në fushën e përkatësisë së kuptimit që u atribuohet monumenteve për zotërim interpretimi. Në këtë fazë, nis politizimi së shenjtës: Patrikana e Pejës shndërrohet prej një hapësire liturgjike e përhershme në provë identitare, prej vend adhurimi në vulë legjitimiteti, prej monument besimi në emblemë përjashtimi për shqiptarët e Kosovës. Patrikana shfaqet në roman jo si monument i qetë besimi, po, si gur sizifian mbi shpatullat e historisë, po ashtu edhe si altar ku ndeshen narrativa pushtetesh. Thënë më ndryshe, romani nuk e konceptualizon pushtimin vetëm si dominim territorial, ai e artikulon njëkohësisht si proces semantik, si ndërhyrje në rendin e shenjave. Antagonizmi, në këtë kuptim, nuk zhvillohet më vetëm mbi truall, por në fushën e simboleve dhe të gjuhës, aty ku formësohet, rishkruhet dhe kontrollohet rrjedha historike. Brenda këtij konteksti, ballafaqimi merr dimensionin që P. Nora ia atribuon marrëdhënies mes kujtesës dhe historisë, një marrëdhënie e përshkuar nga tensioni i përhershëm ndërmjet asaj që ruhet në kujtesën e vendësve dhe asaj që institucionalizohet si histori nga pushteti aneksues, nga subjektet ardhacake që pretendojnë legjitimitet mbi të shkuarën. (Nora, Pierre, Between memory and history: Les lieux de mémoire. Representations, 26, 7-24, 1989).
Hapësira e shenjtëruar shfaqet si skenë e okupuar. Hyrja e vëzhguesit brenda saj, nuk sjell qetësim as solemnitet, ajo shfaqet me ftohtësi të përllogaritur, thuajse administrative, burokratike. Nga rrëfimi i fjalëpërfjalshëm thuhet kështu: “Çdo gjë ishte e padukshme, ikonat ishin memece…” (f.17). Kjo memecëri nuk tregon zbrazëtirën atmosferike rastësore, ajo përfaqëson heshtjen e imponuar si figurë me ngarkesë semantike. Ikona, e cila në traditën e krishterë është shenjë drite që flet pa zë dhe ndërmjetëson praninë me trashëgiminë kulturore e historike, kur mbetet memece, edhe pse e pashkatërruar, nuk shteron nga pamundësia, vetëm neutralizohet brenda kuptimit të saj. Hapësira e besimit nuk e humb shenjtërinë, në këtë rast ajo e humb të drejtën për të folur në “gjuhën e nanës”, në gjuhën historike të popullit që e ndërtoi atë si kult. Heshtja e ikonave shfaqet kështu si formë pushtimi, edhe atëherë kur regjimi nuk rrënon themelet e saj, sidoqoftë ai ngrin kuptimin e mëhershëm dhe e rikonstrukton hapësirën shenjtore, duke e mbajtur nën kontroll jashtë gjuhës së saj historike dhe besimit të krishterë.

Motivi i “padukshmërisë” shtrihet më tej: “e padukshme ishte edhe boja e bardhë… Një mur vetëm fliste në heshtje…” (f.17). Këtu në roman bëhet një përmbysje domethënëse: objekti i shenjtë nuk është më vetëm i së shkuarës, ai tani është mur, materie e heshtur që vetëm e mban kujtesën. Kur instancat simbolike heshtin, dëshmitë zhvendoset te gjurmët materiale, siç janë muret, shkrimet e zbehura, shenjat dhe çarjet që koha nuk i fshin dot. Gjë që e sjell Patrikanën të shfaqet si një arkiv i heshtur, ku kujtesa kolektive ruhet jo më si deklaratë, tani ruhet vetëm si gjurmë në sipërfaqe, si teksturë historike, e cila reziston përmes materies. Romani i afrohet kështu idesë se vetëdija kulturore shpesh strehohet në ambiente konkrete, ku materiali arkivor dhe simboli shpirtëror ndërthuren për ta bërë heshtjen formë dëshmie.
Një tjetër shenjë semiotike e pushtimit është shkrimi cirilik mbi objekte të shenjta: “mbi trup mban një gradacion cirilik” (f.17). Alfabeti në objektin e shenjtë shqiptar sinjalizon pushtimin si kodifikim, sepse pushtuesit nuk i mjafton vetëm zotërimi fizik, atij i duhet edhe rishkrimi mbi shtresat ekzistuese të Patrikanës, duke krijuar përshtypjen se këto shenja kanë ekzistuar “kaherë”, përgjithmonë aty. Ky është dominim simbolik klasik, ku kontrolli i shenjave në fazën e parë të mbizotërimit pasohet më vonë nga kontrolli mbi tokën, mbi rrëfimin dhe mbi kuptimin e saj. Rituali shfaqet gjithashtu edhe si mekanizëm legjitimues. Vargu: “festë e mbyllur brenda Patrikanës së Pejës” (f.17) e tregon shenjtoren të nënshtruar me rituale të kontrolluara e të kufizuara. Edhe pse ka festë, ajo qëndron e kufizuar, e administruar, e rrethuar. Pyetja retorike që gjendet në rrëfim: “Vallë për t’u habitur, nga kush ka frikë?” (po aty), e zhvendos vëmendjen te struktura e pushtetit. Frika këtu nuk është ndjesi subjektive, është mekanizëm disiplinues, që e shndërron anormalen në normë dhe e maskon rrëmbimin e Patrikanës si domosdoshmëri rendi. Në këtë mënyrë, shenjtorja mbetet vetëm si formë, ndërsa funksioni i saj përvetësohet nga të tjerët si mjet legjitimimi. Përmes uniformave që vijnë e zhduken, romani krijon imazhin e palimpsestit të pushteteve: “Mijëra e mijëra veshje të ndryshme uniformash erdhën e u ulën. U lutën e pastaj u zhdukën” (f.18). Këtu, Patrikana shndërrohet në hapësirë ku pushtetet marshojnë egërsisht njëri pas tjetrit, kryejnë ritet e tyre dhe zhduken, ndërsa gjurmët e kontrollit (edhe sot) mbeten të ngulitura si fiksime. Uniforma nuk perceptohet si detaj i thjeshtë realist, ajo, para së gjithash, është figurë e ciklit historik, e cila tregon përplasjet rreth ambientit të shenjtë dhe modelet e ndryshme të uzurpimit nëpër shekuj. Parë prej këtij prizmi, hapësira shndërrohet në një vend përplasjesh mes historisë vendëse dhe pushtuesit, duke marrë tiparet e asaj që J. Assmann e koncepton si trashëgimi kulturore e ndërmjetësuar nga shkrimi dhe pushteti simbolik (Assmann, J. Cultural memory and early civilization: Writing, remembrance, and political imagination. Cambridge University Press, 2011).
Për më tepër, Patrikana dhe muri që “flet” shfaqen si përgjigje poetike e identitetit: “Pejë!… sa peshon emri yt shqiptar, Pejë…” (f.18). Ky emërtim rikthen kontrollin mbi kuptimin, i cili vepron si përgjigje estetike që kundërshton instrumentalizimin e hapësirës nga pushteti, pasi aty ku pushteti synon të administrojë kuptimin, pasazhi i kundërpërgjigjet me rikthimin emërtues: Pejë! Në roman, Peja ruan emrin e vet të kahershëm, i cili mban brenda tërë historinë e tij. Vargjet e lirizmit tragjik e refleksiv brenda prozës ngrihen si akt rikthimi, duke e shndërruar gjuhën në mjet rezistence, përmes ritmeve, figurave, toponimisë dhe shenjave.
Pas pushtimit të Kosovës nga sllavët, Patrikana e Pejës fatkeqësisht nuk e ruajti më rolin e saj origjinal si objekt i besimit të krishterë shqiptar, ajo u përvetësua nga pushtuesit dhe u shndërrua në kishë ortodokse, duke shërbyer edhe sot e kësaj dite, si hapësirë ku përplasen historitë, gjuhët dhe identitetet. Megjithatë, emri i Pejës ruan brenda vetes historinë dhe identitetin shqiptar, duke kthyer gjuhën dhe kujtesën në mjet rezistence përmes ritmit, figurave, toponimisë dhe shenjave. Për shkak të këtyre rrjedhave, hapësira fetare e zhvendosur nga funksioni i saj origjinal shndërrohet në akt të dukshëm tensioni kulturor dhe simbolik, ku memoria dhe identiteti përpiqen të mbijetojnë përballë instrumentalizimit pushtues.
Vetëzat përtej jetëpërshkrimit
Në veprën “Blirët e Pejës”, personazhet nuk ndërtohen vetëm si individë me jetëshkrim (biografi), ato, thuajse të gjitha ndërtohen si bartës funksionalë të një sistemi rrëfimor ku historia, pushteti dhe trauma e përthithin botën personale. Kjo e bën të lexueshëm romanin edhe nga optika e postmodernes, jo nga largimi i realitetit, por nga mënyra e shpërndarjes së të vërtetës, përmes disa forma shprehjesh: të rrëfimit personal, zërave “proceduralë” (gjyq, polici, medie), krijimeve dokumentare dhe fragmenteve poetike. Kështu krijohet një fragmentim këndvështrimesh, ku e njëjta ngjarje nuk ka vetëm një rrëfimtar moral, por ajo kalon nëpër sy të ndryshëm, të cilët formojnë edhe kuptime të ndryshme. Në këtë mozaik, motivi i “padukshmërisë” (si gjë që s’thuhet e s’shihet, por vepron) shndërrohet në metaforë të pushtetit, se mbizotërimi nuk është vetëm dhunë e hapur, por është edhe administrim i hijes, i asaj që lëviz prapa dosjes, prapa fjalës “zyrtare”, prapa vonesave, prapa një realiteti që nuk pranon transparencë.

Bërthama tragjike e romanit përqendrohet te familja Brahimoviç, e cila ndërton një “moral të brendshëm” të rrëfimit, ku bëjnë pjesë nderi, familja, dashuria dhe ëndrra e shpëtimit, që dalin si vlera, të cilat kërkojnë të mbijetojnë, por që fatkeqësisht preken pikërisht aty ku duken më të shenjta. Abdullahu, si figurë e mërgatës që kthehet me projektin për të “mbledhur” të vetët (vëllain e motrën) dhe për t’i zhvendosur drejt një sigurie relative, ajo mbështetet në një etikë të thjeshtë humane: shpëtimin e njerëzve të vet. Megjithatë, romani, në rrjedhën e ngjarjeve, e përmbys këtë etikë në ironi tragjike, sepse dashuria e munguar dhe familja, të menduara si strehë, bëhen hapësirë ku ndërthuren fijet e përçarjes. Sado që Abdullahu sjell në narrativë një horizont drejtësie, prapëseprapë, romani e ekspozon këtë horizont si të pamjaftueshëm përballë një rendi dhune.. Nga ana tjetër, Cena, vëllai i Abdullahut, shfaqet jo si figurë heroike, por si instinkt i menjëhershëm mbrojtjeje. Ai pa pasur kohë të ndërtojë një heroizëm, kthehet shpejt në figurë të çmimit që rendi shoqëror paguan kur konflikti lahet me gjak. Roli i tij është i dyfishtë: fillimisht si viktimë e shpejtë e një nate të errët dhe, më pas, si zë i brendshëm që rikthehet në kujtesën e romanit për të thënë atë që shoqëria shpesh e mbulon me fjalë të buta, hipokrizinë, “gënjeshtrat e sjellshme”, normalizimin e rrezikut. Ky konfigurim dual, është shumë domethënës, sepse në romanin tragjik, i vdekuri nuk pushon së foluri, ai kthehet si ndërgjegje, si jehonë, si kriter moral për ta gjykuar të gjallin.
Zada mishëron kalimin, ku romani e zhvendos dashurinë nga hapësira e ndjenjës së pastër në territorin e dhunës. Fejesa “sipas zakonit” shfaqet si shenjë e rendit dhe e legjitimitetit shoqëror, por i njëjti kod më vonë kthehet në veprim shtrembërimi, ku nderi përmbyset, trupi trajtohet si objekt dhe dhuna merr formën e një rituali poshtërues që godet jo vetëm vajzën, por gjithë familjen e saj. Psikologjia e Zadas ndërtohet si tension i vazhdueshëm mes turpit të nxjerrë në dritë, fatalizmit që flet në gjuhën e “orës”, të “Zotit” dhe të bestytnive, po ashtu dhe një qëndrese të heshtur, por të palëkundur, ndaj pranimit të dhunës si rregull. Pas këtyre rrjedhave, romani kapërcen kufirin e kronikës, që nuk rrëfen vetëm një ngjarje, më shumë se kaq, ai hap një etikë të trupit të dhunuar, ku zakoni, patriarkalizmi, politika dhe armiqësia i përafrojnë largësitë dalluese mes vete dhe veprojnë si një mekanizëm i vetëm.
Përballë kësaj bërthame morale që përpiqet të mbijetojë, është Said Suleviçi, i cili shfaqet si figura më e rrezikshme, pikërisht si armiku i brendshëm. Ai përfaqëson në roman frytin e një rendi të kalbur, ku turpi, borxhi, lakmia dhe frika ushqehen mes tyre. Portretizohet si një pasanik i rremë, një njeri që cenohet nga shantazhi, një karakter që e shndërron dobësinë në krim. Thënë më qartë, roli i Saidit është thellësisht strukturor, sepse përmes figurës së tij, në roman tregohet se dhuna nuk depërton vetëm nga jashtë, ajo gjen shtigje hyrjesh brenda vetë jetës shoqërore, si për shembull te karakteri që, për interesa të vogla, kthehet në vegëz për të lidhur fijet e një plani të stërmadh. Edhe kur përmenden “besnikë” të paguar që “flasin gjuhë tjetër”, fokusi i rrëfimit asnjëherë nuk ngulitet te individi i veçuar, vazhdimisht zhvendoset te rrjeti. Të gjithë së bashku ata përbëjnë një logjikë, e cila e ushqen përçarjen dhe e përdor atë si mënyrë sundimi.
Prej këndvështrimit të përkundërt, romani shfaq një rrafsh tjetër me figurat e aparatit, si gjyqi, policia, mediet, të cilat e kthejnë tragjedinë në procedurë. Gjykatësi Ivan Petroviç, i cili pasqyron një drejtësi të korruptuar e të shtrembëruar, ku vendimet asnjëherë nuk lindin nga faktet, përherë ato krijohen nga “arsye” që mbeten hijeve. Padukshmëria shfaqet këtu si formë pushteti, me shtyrjen e seancave, lëvizjen e dosjeve dhe manovrimeve të prapaskenës, si mënyra, përmes së cilave sundimi vishet me petkun e rregullit. Mbrojtësi Zdravko Peshikovski e fut në rrëfim konfliktin retorik, duke e bërë të dukshme se ligji mund të luaj rolin e një teatri trysnues, larg hapësirës së neutralitetit. Ndërsa Bozhidar Markovi, po nga i njëjti rrjet, ndërvepron si hallkë burokratike e dosjeve, i përgatitur, lehtas e rikthen tragjedinë në mall, me parapagime, me pazare, “shuma pas rezultatit” etj. Brenda kësaj veprimtarie të errët e të shëmtuar, përmes këtyre karaktereve, autori demaskon dhunën, e cila institucionalizohet përmes gjuhës së procedurës ligjore.
Ana Dugarova dhe Iridon Gashi e plotësojnë aparatin e dhunshëm me dimensionin e “prodhimit të së vërtetës”, përmes medies dhe policisë, si dy kanale që e formësojnë narrativën publike. Në roman tregohet se e vërteta historike është, thjesht, çështje e kanaleve të fshehta, pa fakte, vetëm mjaftohet se kush flet, si flet, për kë flet dhe cilat pjesë të ngjarjes lejohen të përfliten. Kjo, mbase duket si shenjë tjetër e modernitetit të romanit, që e trajton edhe komunikimin si pushtet, e jo vetëm si informacion.
Rreth këtyre figurave kryesore, qarkullon edhe një bashkësi zërash e personazhesh, elita, oficerë, analistë, rrjete interesi, të cilët e kthejnë hapësirën e dhunës në treg për tokë, për para, e për ndikim. Këto personazhe janë formësime përmes të cilëve romani “Blirët e Pejës” e zhvendos tragjedinë prej të veçantës drejt së përgjithshmes. Falë tyre, ajo që ndodh në Pejë lidhet me rendin e pushtetit ku përçarja, frika dhe interesi ushqehen nga kaosi.
Në përmbledhje të përgjithshme, në vepër dallohen një tipologji e qartë personazhesh: tragjikët, familja Brahimoviç, mbi të cilët peshon morali dhe plaga; antagonisti i brendshëm, Saidi, si dorë e rrjetit përçarës; mekanizmat institucionalë (gjyqi, policia, media); si dhe zëri i interesave të përbashkëta, të cilët e bëjnë të besueshme lidhjen mes dhunës dhe përfitimit të pushtetarëve. Pikërisht ky ndërtim i personazheve e përforcon idenë se në “Blirët e Pejës” e keqja shfaqet si sistem logjik i së keqes që përdor zakonin, turpin, borxhin, institucionin dhe gjuhën për të përçarë komunitetin prej së brendshmi, madje deri aty sa tragjedia bëhet “normale” dhe e vërteta endet nëpër kthina të fshehta.
Fjalë përmbyllëse
Në romanin “Blirët e Pejës”, F. Terziu shpalos një hapësirë ku autoktonia shqiptare dhe projekti i aneksimit përballen jo vetëm mbi truallin fizik, por mbi kuptimin e tij historik dhe simbolik. Konflikti nuk zhvillohet thjesht për zotërim territori, ai përqendrohet mbi të drejtën për ta emërtuar, për ta interpretuar dhe për ta institucionalizuar atë. Përmes një rrëfimi të ndërtuar me vetëdije historike, ndjeshmëri etike dhe integritet autorial , autori e vendos trashëgiminë e ruajtur nga vendësit, të bartur në kujtesë, në gjuhë, në rituale dhe në përvojë, përballë përpjekjes për ta riformatuar sipas një narrative aneksuese që synon ta kodifikojë historinë në funksion të legjitimitetit të vet! Në këtë përplasje, fjala e gjallë e kujtesës ndeshet me fjalën e arkivuar, me historinë e formalizuar nga pushteti.
Kështu, Terziu e vendos lexuesin përballë një tensioni përcaktues: ndërmjet autoktonisë si vazhdimësi historike dhe aneksimit si projekt rishkrimi! Ajo që ruhet në ndërgjegjen e rrënjësve përballet me atë që institucionalizohet në dokument, duke e kthyer hapësirën në fushëbetejë semantike. Në këtë kuptim, përplasja nuk është vetëm politike, ajo bëhet betejë për kujtesën, për kuptimin dhe për të drejtën e të qenit. Dhe pikërisht këtu romani tejkalon kufijtë e narracionit, duke u shndërruar në një akt të vetëdijes historike dhe në një mbrojtje estetike të autoktonisë shqiptare përballë çdo përpjekjeje për ta zhbërë apo për ta rishkruar atë!









Comments