top of page

Lumnie Thaçi-Halili: MËSUESI SHASIVAR MEHMETI NË DRITËN E NJË MONOGRAFIE

  • 1 hour ago
  • 12 min read

(Vështrim kritik për monografinë “Gjoks metoda” e mësuesit Shasivar Mehmeti të Fatmir Sh. Mehmetit)

 

Historia e arsimit shqip në trojet e Kosovës nuk mund të studiohet si rrëfim i natyrshëm zhvillimor institucional, përkundër kësaj duhet të shihet si histori e një përpjekjeje të gjatë për gjuhë, dije, identitet dhe dinjitet. Rrënjët e tij, siç thotë A. R. Vokrri, shtrihen në “thellësitë e shekujve”, ndërsa rruga e shkollës shqipe, sidomos në periudhat e mëhershme, ka kaluar nëpër ndalime, përndjekje, burgosje dhe persekutime të mësuesve të saj. Tahir Z. Berisha, në librin “Emra që nuk harrohen”, e sjell këtë të vërtetë si dëshmi se arsimi shqip nuk është ngritur vetëm mbi dëshirën për dije, por edhe mbi sakrificën e atyre që e mbajtën gjallë (T. Berisha, Emra që nuk harrohen, I, Valton, Prishtinë, 1994, f.8).

Nga kjo vazhdë e tillë historike, duhet lexuar edhe monografia “Gjoks metoda” e mësuesit Shasivar Mehmeti, shkruar nga Fatmir Mehmeti (i biri), botoi Pena, Prizren, 2025, e cila ka një domethënie më të gjerë se portreti i një mësuesi të veçantë. Vepër e cila nuk hyn në vëmendjen tonë vetëm si libër për një figurë familjare a për një mësues të një zone të caktuar (Sharrit), por si një dëshmi për atë model mësuesi, i cili e ka kuptuar shkollën si mision njerëzor, kulturor dhe moral. Nëpërmjet jetës, punës, dokumenteve dhe kujtimeve që mblidhen rreth tij, figura e mësuesit Shasivar vendoset në vijimësinë e atyre njerëzve të arsimit që, në kushte aspak të lehta, e mbajtën në jetë besimin se dija është një nga format më të thella të dinjitetit njerëzor dhe kombëtar. Përmbledhtas, për të shprehet hapur se ishte një figurë që ka lënë gjurmë në arsim, në kujtimet familjare dhe në ndërgjegjen e brezave.

Dihet që në kulturën shqiptare, figura e mësuesit nuk ka qenë kurrë vetëm një profesion. Më shumë se kaq, kjo figurë ka qenë një shtyllë e heshtur e ndërgjegjes sonë të përbashkët, sikur të thuhet pagabueshëm një formë e padukshme e shtetit shpirtëror të kombit. Nuk është e rastit që Sami Frashëri e përkufizon me aq mençuri këtë themel, kur thotë se “Mendja e një kombi është arsimi, kurse zemra është morali i përgjithshëm”, sepse në vetë figurën e mësuesit këto të dyja bashkohen natyrshëm, e para si dritë e dijes dhe e dyta si bazament i karakterit njerëzor.

Në mjedise si ai i Sharrit, pa dallim nga zona të tjera të Kosovës, ku jeta ka kaluar thuajse gjithherë e pareshtur nëpër vështirësi të rënda, pengesa kufijsh, mungesë burrash për shkak të kurbetit dhe përpjekje të gjatë për qëndresë, mësuesi ka përfaqësuar më shumë se dijen: ai ka ruajtur gjuhën, ka bartur kujtesën dhe ka mbajtur ndezur besimin se vetëm drita e arsimit mund ta shpjerë përpara një popull. Në këtë rrafsh merr kuptim të veçantë edhe thënia e Arturo Grafit, shkrimtar italian: “Arsimi është një bimë kryeneçe, e cila nuk gjelbëron e as që lidh kokërr në qoftë se nuk ujitet me lot e gjak” (Arturo Graf, Ecce homo. Aforismi e parabole, Milano, Fratelli Treves, 1908, af. 418). Kjo shprehje nuk është vetëm një formulim i mprehtë për sakrificën, por edhe një përkufizim i ashpër i historisë sonë arsimore, së cilës i përshtatet me një saktësi të dhimbshme, ku shkolla, libri, gjuha dhe mësuesi shpesh janë vendosur përballë varfërisë, pengesave dhe trysnive të kohërave. Prandaj arsimi, në këto rrethana, nuk është përcjellë vetëm si dije, por edhe si durim, flijim dhe besim i palëkundur në fuqinë formuese të njeriut. Në këtë prapavijë historike duhet lexuar edhe monografia me titull “Gjoks metoda” e mësuesit Shasivar Mehmeti, shkruar nga F. Mehmeti, kushtuar mësuesit të cekur në titull, Shasivar Mehmetit, jo si një libër për një individ të veçantë, por si një monument kulture, mirënjohjeje dhe dëshmie për figurën e mësuesit si institucion moral e shoqëror. Figura e Shasivar Mehmetit, në këtë kuptim, nuk përmbledh vetëm jetën e një mësimdhënësi të përkushtuar, ajo bëhet emblemë përfaqësuese e atij brezi mësuesish që punuan me motiv të madh e shpirt rilindës deri në vetëmohim, ndershmërisht e pa bujë, duke lënë pas themele të qëndrueshme në jetën arsimore dhe njerëzore të vendit. Vepër e cila është ndërtuar përmes një renditje faktesh, datash dhe episodesh biografike, duke marrë formën e një organizmi të gjallë kujtimesh, ku ndjenja dhe dëshmia ecin krah për krah njëra-tjetrës, ku afërsia shpirtërore e autorit me figurën e të atit nuk e zbeh aspak besueshmërinë e rrëfimit, por i jep atij thellësi të veçantë njerëzore.

Autori në këtë vepër është njëherësh djali i tij që e kujton dhe dëshmuesi që e ngre kujtimin në vlerë publike. Ai shkruan me mall dhe me përgjegjësi, me përulësi, por edhe me vetëdijen se shtatorja që po ngre në letër nuk i përket më vetëm familjes, tashmë i përket bashkësisë, trevës së Sharrit e më gjerë. Nga kjo pikënisje, monografia fiton që në fillesë një peshë të dyfishtë, për t’u bërë një shenjë nderimi për babanë dhe njëherazi dëshmi publike për një model mësuesi që e ka tejkaluar kohën e vet.

Ndërtimi i figurës së Shasivar Mehmetit nis nga bërthama biografike dhe etike. Përmes jetës së tij, lexuesi nuk do të njihet vetëm me vetitë përgjithësuese të tij si njeri, por me tiparin veçues e të plotë të karakterit të tij pedagogjik. Ai ishte mësuesi që arsimin e kuptonte përtej përcjelljes së thjeshtë të informacionit, si marrëdhënie të gjallë me nxënësin, si punë të përditshme për rritjen e mendjes e të karakterit dhe si përgjegjësi të thellë ndaj njeriut që rritej para tij. Autoriteti i tij, në asnjë rrethanë, nuk mbështetej në frikë e në urdhër, por në bindje, në drejtësi dhe në besim. Ai nuk e ndërtonte marrëdhënien me nxënësin përmes largësisë, as përmes imponueshmërisë, po përmes pranisë së qetë, fjalës së matur me shembull vetjakësie. Qëllimi i tij nuk ishte nënshtrimi i më të voglit, po fuqizimi i tij që ta ndihmonte të rritej me dinjitet, me vetëbesim dhe me ndjenjën se dija e bën njeriun më dalëzotës kudo dhe më të lirë.

 Kjo e bën figurën e tij të ravijëzohet nga kufijtë e zakonshëm të përshkrimit biografik dhe të marrë trajtën e një portreti interpretues, tek i cili bashkohen fuqia, mençuria, përkushtimi, urtësia dhe ngrohtësia njerëzore. E thënë më qartë, se ai, nxënësve nuk ua mësonte vetëm shkronjat e alfabetit dhe numrat, por edhe alfabetin e jetës si një prej gjërave më të rëndësishme.

Prej këtij themeli etik, libri zgjerohet natyrshëm drejt familjes, vendlindjes dhe kontekstit krahinor, duke e vendosur figurën e mësuesit në truallin njerëzor e kulturor prej të cilëve merr kuptim. Për ta qartësuar, figura e mësuesit Shasivar nuk pasqyrohet si një përjashtim i shkëputur nga koha dhe trungu i vet, por si fryt i një vazhdimësie familjare, kulturore dhe shpirtërore, që e bën më të plotë përmasën e personalitetit të tij. Duke nënkuptuar që monografia nuk e paraqet njeriun si të dalë nga hiçi, por të mbështetur mbi rrënjë, e vendos në vijimësi shpjeguese, e pasuron dhe e bën më të kuptueshëm formimin e tij, duke hyrë në njërën prej shtresave më të ndjeshme të librit: te kujtimet e fëmijëve të tij.

Këtu figura e mësuesit Shasivar zbret nga hapësira publike dhe fiton një dritë tjetër. Ai nuk shfaqet më vetëm si pedagog, por si baba, si kryefamiljar, si këshillues, si njeri i punës, si besimtar në Zot dhe mjaft parimor. Zërat e vajzave dhe djemve të tij nuk e përsërisin asnjëherë njëri-tjetrin, secili a secila sjell një cilësi të veçantë të kësaj figure. Njëri kujton drejtësinë e tij të prerë, tjetri a tjetra ngrohtësinë, një tjetër etikën e punës, dikush përkushtimin edhe në lodhje e sëmundje, kështu, portreti pasurohet dhe i ngjan një mozaiku ngjyrash. Lexuesi gjen një njeri që e jeton përditshmërinë në shumë role, herë si prind që edukon me urtësi, herë si burrë pragmatik, duke jetuar e mësuar, herë si shembull që nuk ligjëron vetëm me fjalë, por me mënyrën si duhet qëndruar vertikal në botë.

Mirëpo pasuria e vërtetë e më bindëse e kësaj vepre gjendet te zërat e ish-nxënësve të tij. Përmes tyre figura e mësuesit plotësohet përfundimisht nga kujtimet individuale dhe hyn në kujtesën e përbashkët. Këto dëshmi nuk tingëllojnë si mirësjellje ceremoniale, as si lavdërime të zakonshme, të gjitha kanë peshën e përvojës së jetuar.

Në to kujtohen jo vetëm mësimet, por mënyra e të vepruarit të mësuesit, si hyrja në klasë, komunikimi me nxënësit, drejtshqiptimi i qartë, disiplina, ndihma, përkushtimi, afërsia njerëzore, drejtësia dhe aftësia për të mbjellë besim etj.

Në këtë pikë të trajtimit, vjen natyrshëm edhe thënia e Sami Frashërit: “Shërbimi që bën arsimi për përmirësimin e një kombi, asnjë ligj s’mund ta bëjë kurrë!”, sepse nëpërmjet këtyre dëshmive kuptohet qartë se ndikimi i një mësuesi të vërtetë nuk matet vetëm me mësimet që ua mëson nxënësve në klasë, por me atë që mbjell në ndërgjegjen dhe formimin e brezave, për të mos u harruar kurrë.

Nga dëshmitë e ish-nxënësve, mësuesi Shasivar Mehmeti , apo Mësuesi Shas siç e thërrisnin ata, del si udhërrëfyes, frymëzues dhe formues karakteresh. Ai kujtohet si një figurë që nuk ka mbjellë vetëm dije, por gjurmë, madje quhet edhe “Mësuesi i legjendës-Shasivar Mehmeti” (po aty, f.61). Vlen të ceket se, në këtë monografi, profili i dëshmitarëve nuk është i rastësishëm. Shumë prej ish-nxënësve shfaqen jo vetëm me emër, por edhe me profesionin dhe titujt që kanë fituar më vonë në jetë: mësimdhënës, profesorë, poetë, publicistë, drejtues revistash, mjekë, shkencëtarë, gazetarë, analistë e shkrimtarë etj. Kjo e dhënë më shumë se thjesht biografike, është dëshmi se ndikimi i mësuesit ka vazhduar përtej bankave të shkollës, në formimin e njerëzve që më pas u bënë bartës të dijes, kulturës dhe jetës publike. Ndër ta përmenden F. Musliu, B. Batiu, H. Halimi, H. Jonuzi, H. Shemsedini, N. Mestani, S. Sylejmani, Xh. Sylejmani, H. Mehmeti, F. Sadiku, N. Osmani, H. Neziri, E. Abdullahu, A. Rysheni, M. Veliu, V. Veseli, Q. Halili etj. Ky identifikim përmes profesioneve përkatëse ka domethënie të veçantë, ngase autori i jep secilit zë kujtues peshën e një subjekti të formuar, me përvojë jetësore, me autoritet profesional dhe me vetëdije intelektuale, duke e vendosur që në krye rrëfimin në një rrafsh më të qëndrueshëm besueshmërie. Rëndësia e këtyre dëshmive shtohet edhe nga fakti se shumë prej atyre që flasin për të nuk janë zëra të rastit, ata kanë peshë mendimi. Kjo ka rëndësi të madhe, ngaqë vlera e një mësuesi matet më së miri te jeta e atyre që ai i ka mbrujtur. Kur për një mësues flasin me nderim njerëz që janë bërë vetë bartës të dijes dhe të përgjegjësisë publike, atëherë kujtimet përveç që kanë emocione nostalgjike, ato marrin edhe masën e vlerës së tij dhe forcën e një mirënjohjeje të sprovuar nga koha. Në këtë kuptim, monografia shpreh një prej të vërtetave më bindëse, se ndikimi i vërtetë arsimor nuk matet me thurima titujsh që i atribuohen mësuesit, por me lartësinë njerëzore e profesionale të brezave që ai ka ndihmuar të rriten në dije, në përgjegjësi dhe në dinjitet.

Në mesin e këtyre rrëfimeve spikat edhe boshti më simbolik i gjithë librit (sinopsi), i cili shquhet nënkuptueshëm si  episodi i njohur i “metodës me gjoks”, i cili nuk vjen  vetëm si kujtim i rrëfyer me dashamirësi, por që merr vlerën e një figure ku përmblidhet vetë filozofia e tij e mësuesisë. Brenda kësaj formule të thjeshtë fshihet besimi se mësimi nuk bëhet vetëm me program, teknikë dhe kontroll, por me përgatitje serioze, me përkushtim e pasion, me afërsi njerëzore dhe me bindjen se nxënësi duhet përfituar jo vetëm me mendje, por edhe me zemër. Kjo është arsyeja që titulli i librit merr fuqi emblematike, sepse ai nuk emërton vetëm një episod, në të gjitha përmasat përmbledh vetë frymën e figurës së tij.

Më tej, besueshmëria e veprës forcohet nga dokumentet dhe materialet pamore, të cilat i japin rrëfimit mbështetje konkrete, qartësi kohore dhe peshë bindëse dokumentuese. Dëftesat (f.14-15-16-17, ditarët (f.41-42), planet mësimore (f.87-88-89-93-94-95-96-97), modelet e shkronjave (f.86), fotografitë e shkollave  ku ai ka shërbyer (f.48-64-74-75,  të gjitha pra, bëhen shtylla të provës dokumentare. Nëpërmjet materialeve të cituara më sipër, figura e mësuesit Shasivar merr mbështetje konkrete dhe vendoset më qartë në raport me kohën kur jetoi, me shkollën ku shërbeu, me kujtimet e ish-nxënësve dhe me historinë e arsimit shqip në mjedisin ku zhvilloi veprimtarinë e tij. Fotografitë me ndërtesat e shkollave pasqyrojnë vendin ku është ushtruar ndikimi i tij, hapësirat ku janë formuar brezat dhe gjeografinë konkrete të misionit të tij edukativo-arsimor andejza. Ditarët e klasave si fakte të administratës së dikurshme, reflektojnë kulturën e punës, të përpikshmërisë profesionale dhe disiplinës etike. Planet mësimore që shihen si formularë të vjetër, janë dëshmi konceptuale serioze e dijes. Kështu, monografia me autor F. Mehmetin, hap pas hapi bartet nga emocionet e kujtimeve te forca e dokumentit, duke u bërë jo vetëm homazh, por edhe arkiv i gjallë i një epoke më të largët prej të sotmes.

Kjo shtresë dokumentuese i jep mundësi veprës të zgjerohet tutje për të treguar më shumë për historinë e arsimit në zonën e Sharrit. Materiali i përfshirë në libër tregon se arsimi në atë mjedis kishte peshë përtej veprimtarisë së zakonshme shkollore, ai lidhej me përpjekjen për dije, me zgjimin e vetëdijes dhe me ngritjen kulturore e shoqërore të vendit. Në kushte të vështira, arsimi mori kuptimin e një veprimtarie të mbijetesës kulturore, ai ruante vetëdijen kombëtare, hapte horizonte dijesh dhe i jepte popullit shqiptar, e në mënyrë të veçantë bashkësisë së asaj treve (Sharrit), një mbështetje të qëndrueshme shprese. Në këto kohë jo të lehta, mësuesi përfaqësonte njeriun që mbante ndezur një dritë më të madhe se vetja. Prandaj figura e Shasivar Mehmetit nuk përmbledh vetëm jetën e një mësimdhënësi të përkushtuar, por bëhet shenjë përfaqësuese e një brezi të tërë mësuesish që punuan në heshtje ndershmërisht e pa bujë, duke lënë pas themele të qëndrueshme në jetën arsimore dhe njerëzore të vendit. Në këtë kuptim, monografia nuk flet vetëm për të kaluarën, ajo flet edhe për të sotmen.

Mesazhi i saj merr peshë të veçantë në kohën tonë, kur arsimi shqiptar, i shtrirë në troje të ndara nga kufij shtetërorë, bart ende pasojat e një padrejtësie historike dhe përballet shpesh me kriza që prekin standardin e shkollës, misionin e dijes dhe dinjitetin e figurës së mësuesit. Kjo vepër rikthen në qendër një të vërtetë themelore, se shkolla nuk merr forcë vetëm nga programet, as nga reformat e shkruara në letër, veçse pikësëpari ajo ngrihet nga njerëzit e denjë, të cilët qëndrojnë para nxënësve, nga etika e tyre, nga përgatitja e ndërgjegjshme, nga drejtësia, nga dashuria për dijen dhe nga aftësia për të rritur karaktere të qëndrueshme. Libri e pohon qartë të vërtetën thelbësore tejpërtej, se arsimi nuk është prodhim i certifikatave, arsim domethënë formim i njeriut! Dhe kur një shoqëri e harron këtë themel, më pas po ajo shoqëri do ta humb jo vetëm cilësinë e arsimit, por edhe orientimin moral pa të cilin asnjë e ardhme nuk mund të ngrihet mbi vlera të qëndrueshme. 

Në këtë kuptim, del këtu edhe raporti atë e bir që përshkon veprën, si një prej elementeve shumë fisnikëruese të saj. Autori nuk bie në grackën himnizuese sentimentale. Ai zgjedh rrugën më të vështirë dhe më të ndershme, duke ua dhënë fjalën të tjerëve. E formëson figurën e babait përmes kujtimeve të fëmijëve, të ish-nxënësve, të kolegëve, të dokumenteve, të shkollave dhe të gjurmëve që ai ka lënë. Mbase kjo përmbajtje e matur e bën veprën më të besueshme, sepse në vend të madhështisë së tepruar, kemi dinjitetin e provuar, ndërsa në vend të toneve deklarative, kemi kujtime të ardhura nga shumë zëra, të cilat e ndërtojnë figurën me më shumë të vërtetë, peshë dhe jetë.

Si mendim përmbyllës, mund të thuhet se, kjo monografi nuk është vetëm një vepër për një mësues të dashur e të respektuar, si vlerë parësore, ajo shndërrohet në dëshmi se figura të tilla mësuesish nuk shuhen me ikjen e tyre fizike. Këto figura vijojnë të jetojnë te njerëzit që kanë formuar, te udhët që kanë ndriçuar, te vlerat që kanë mbjellë dhe në kujtesën e përbashkët humane që ruan dhe nderon të mirën. Përfundimisht, mësuesi Shasivar Mehmeti shfaqet si kujtesë aktive, jo si një kujtim i largët. Ai nuk qëndron vetëm në të shkuarën, vazhdon të jetë i pranishëm në të tashmen tonë përmes shembullit që la pas, duke e bërë librin edhe një akt kulture. Prandaj, në një kohë kur arsimi ka nevojë jo vetëm për rregullore, po më shumë për vizion dhe përkushtim, kjo vepër vjen si një thirrje e qartë dhe fisnike se rilindja e vërtetë fillon gjithmonë nga mësuesi. Siç është thënë me të drejtë nga R. Krasniqi: “Arsimi është bazamenti mbi të cilin qëndron shtetësia dhe ardhmëria e një populli,” këtë të vërtetë faktike e ka edhe kjo monografi, duke na rikujtuar se aty ku forcohet roli i mësuesit, forcohet edhe vetë themeli i kombit.

Në thirrjen për ta rikthyer arsimin në dinjitetin e tij, kumti i Naim Frashërit tingëllon i  pacenuar nga koha dhe mbetet i gjallë për çdo brez: “Vetëm dritë e diturisë përpara do na shpjerë.” Në dritën e kësaj fjale, edhe monografia “Gjoks metoda” për mësuesin Shasivar Mehmeti merr një domethënie që e kapërcen nderimin personal, familjar e mjedisor të Sharrit, për arsye se ajo e bën të dukshëm misionin e arsimit si themel të formimit njerëzor dhe si garanci të së ardhmes kombëtare. Sot, aktualisht kur profesioni i mësuesit po përballet me degradime të ndjeshme në cilësi, në përgjegjësi dhe në autoritet moral, rikthimi i rolit të mësuesit në dinjitetin e tij të lakmueshëm, nuk është vetëm çështje institucionale, mbi gjithçka është domosdoshmëri kulturore dhe kombëtare. Kosovës, si shtet i ri dhe ende i brishtë, nuk i mjaftojnë vetëm ndërtesat e institucioneve, asaj i duhen njerëz me ndërgjegje, me dije dhe me karakter, sepse vetëm përmes tyre arsimi bëhet forcë formuese e njeriut dhe e së ardhmes kombëtare. Për ta bërë më të pakundërshtueshme këtë të vërtetë, duhet rikujtuar se këto vlera nuk lindin vetvetiu, ato mbillen në shkollë të mirë, rriten me mësues të denjë dhe lulëzojnë e piqen përmes një arsimi që di t’i përgjigjet së ardhmes së kombit me dije, maturi dhe përgjegjësi. Kur dihet përbotshëm se shqiptarët nuk hyjnë në familjen europiane si të ardhur të vonë, përkundrazi ata i përkasin këtij kontinenti me rrënjë të hershme, me një prej gjuhëve më të lashta indouropine-shqipen, me histori të gjatë e të përgjakshme dhe me dinjitetin e një populli që ka mbijetuar duke ruajtur fjalën, shkollën dhe emrin e vet-shqiptar. Prandaj Arsimi Shqiptar duhet të jetë në lartësinë e këtij ideali trashëgues, në mënyrë mbizotëruese i mbështetur në gjuhën amtare, në historinë kombëtare dhe në vetëdijen e përkatësisë sonë europiane, i aftë të rrisë breza që nuk e kërkojnë vendin e tyre në Europë si dhuratë të historisë, por e rikujtojnë bindshëm si të drejtë të rrënjëve, të kulturës dhe të qytetërimit të tyre.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page