Lumnie Thaçi-Halili: EPOSI I MBIJETESËS FEMËRORE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 10 hours ago
- 13 min read

EPOSI I MBIJETESËS FEMËRORE
Nga Lumnie Thaçi-Halili
Shkrimi vijues nuk operon brenda paradigmës së eposit heroik, në vetvete qëndron larg eposit të këngëve dhe retorikës së fitoreve. Është një epos tjetër që ecën me hapa të lehtë grash nëpër ditë të (pa)zakonshme, gra që ngrihen çdo mëngjes pa u ndalur para pasqyrës, ato të cilat mbajnë mbi supe peshën e mungesës pa e quajtur barrë. Këtu, heroizmi i jetësuar, sot e asaj kohe mbetet i pashpallur nga historia zyrtare, i pagdhendur në ndonjë shtatore guri a druri, i pashkruar madje as në faqet e saj siç do ta meritonte, por mbetet vetëm i gdhendur në kujtesë, në trup, në durim dhe në një dashuri që nuk shteron përtej çdo kohe. Ky epos flet me zërin e grave, që mbi rrënojat e luftës së fundit të Kosovës, mbajtën rendin jetësor shqiptar në këmbë, rindërtuan duke arnuar përditshmërinë me duar plot vragë e sy të përlotur, dhe e ruajtën dinjitetin si ligj të brendshëm. Përndryshe, mund të interpretohet si këngë e heshtur e mbijetesës në errësirë, asaj mbijetese që nuk kërkoi lavdi, por që e ktheu mungesën e burrave të vrarë, në dritejetë për fëmijët!
Jeta e rishkruar në dritën e artit
Në letërsinë shqiptare bashkëkohore, veprat që ndërthurin kujtime familjare me përmasën letrare përbëjnë një degë të veçantë të rrëfimit intim përkujtues, ku jeta e përditshme shndërrohet në art përmes gjuhës. Libri “Shota” (Biografi letrare familjare) i autores Antigona Bungu, botuar nga URA, më 2025, është një nga shembujt më të spikatur të kësaj gjinie hibride, mes biografisë, autobiografisë dhe rrëfimit poetik. Libër i cili ngrihet si monument dashurie, qëndrueshmërie dhe kujtese, ku jeta e nënës së autores, Shotës, dhe e babait të saj, Mërgimtarit, vjen jo si dokument historik, por si poetikë e jetës së thjeshtë, që gjen madhështi në modestinë e saj shkrimore.
Që në fillim të librit, autorja e shpjegon qartë nismën e saj vepruese, libri është një dedikim për nënën: Për Nanën time, Shotën! Për dritën që s’u shua kurrë! (f.1)
Më drejtpërdrejtë, për gruan që “... dua të përqendrohem te nëna ime, e cila nuk reshti kurrë së dashuruari babanë tim, madje as atëherë kur ai u bë banor i varrit” (f.4). Kjo fjali e nisjes së librit, e vendos lexuesin menjëherë në një dimension sa emocional aq edhe etik, sepse kemi të bëjmë me një vepër që ka lindur nga dashuria, të cilën dashuri edhe synon ta përjetësojë përmes fjalës artistike. Por përtej kësaj, vepra është edhe një rrëfim për kujtesën dhe trashëgiminë shpirtërore, për mënyrën se si një familje ruan vetveten nëpërmjet përkushtimit, punës, dhimbjes dhe besës, deri në sakrifikim. Pra, në këtë kuptim, “Shota” nuk është thjesht një biografi familjare, por një tempull i kujtimit, ku çdo detaj i jetës së prindërve shndërrohet tek autorja në simbol universal të dashurisë njerëzore.
Qartësia e rrëfimit dhe orbita e ngjarjeve rreth saj
Struktura e librit është e ndërtuar mbi një rrjedhë kronologjike, kryesisht e ndriçuar nga retrospektiva emocionale. Kjo do të thotë se autorja, nuk ndjek vetëm rendin e ngjarjeve, si fëmijërinë, rininë, dashurinë, martesën dhe mërgimin, por ndjek edhe rrahjet e zemrës që shkaktohen prej kujtimeve murmuritëse, ku nën ndikimin e tyre, rikthehet e rikrijon. Secili kapitull i kushtohet një etape të jetës, por në thelb vepra bart edhe një reflektim mbi kuptimin e vetë jetës. Prologu, me metaforën e kafesë që mungon, vendos tonin filozofik të veprës: “Nëse s’ke kafe, nise ditën me diçka tjetër... Jeta vazhdon edhe kur ajo që donim shumë nuk është më” (f.5).
Ky fragment sintetizon filozofinë e veprës, duke e trajtuar jetën si përvojë të mungesës, dashurinë si njohje që lind nga humbja dhe kuptimin si rezultat të përballjes me dhimbjen.
Rrëfimtare është një zë i brendshëm, vajzë dhe bijë njëkohësisht, e cila i ndërton kujtimet me përzemërsi dhe ndjeshmëri prozaike. Rrëfimi kalon lirshëm nga përshkrimi faktik në monologun reflektiv, pra, nga rrëfimi i tretë te rrëfimi i parë, duke krijuar një ndërthurje intime mes reales dhe emocionales. Zëri rrëfyes operon me një zhvendosje graduale nga poetikja drejt prozaikes, duke artikuluar një formë narrative hibride, ku materiali dokumentar i integruar (fotografi dhe rrëfime të ndërmjetësuara prej të tjerëve) bashkëvepron me ndërtimin letrar të rrëfimit.
Figura e nënës Shotë si simbol i rezistencës
Në qendër të veprës qëndron figura e Shotës, nënës, e cila përfaqëson jo vetëm një person të dashur, por një simbol universal të gruas shqiptare. E rritur në një familje tradicionale në Krojmir të Drenicës, ajo përballon humbje, privime dhe padrejtësi, por që asnjëherë nuk dorëzohet.
Autorja e përshkruan me një përzierje adhurimi dhe vlerësimi të vërtetë: “Ajo mbeti një grua e fortë, e përkushtuar dhe e palëkundur, duke mbajtur gjallë kujtimin e tij në çdo hap të jetës sonë” (f.4). Kjo frazë e ngarkuar me dashuri përmban thelbin e karakterit të Shotës, si forcë morale, duruese dhe dashurie pa kushte.
Në shumë fragmente, Shota shfaqet si figurë e dyfishtë, njëherësh shihet e thyer nga jeta, por e pathyeshme në shpirt. Ajo nuk është heroinë në kuptimin klasik të sakrificës publike, por heroinë e përditshmërisë, e cila mban në këmbë familjen, kujdeset për prindërit, ruan dinjitetin dhe e kthen dashurinë për të bijën në mision jetësor.
Në mënyrë simbolike, autorja e vendos Shotën në një linjë me Shote Galicën, heroinën kombëtare, duke i dhënë figurës së nënës një përmasë mitike, kur thotë “ajo është heroina e zemrave tona”, që lufton pa armë, por me shpirt të pathyeshëm. Kështu, përmes nënës reale të saj, autorja ngrit një mit përgjithësues për nënat tjera në Kosovë, që ia rritën e ia ruajtën jetën atdheut me dashuri dhe urtësi, ato të cilat i la lufta pa burra përkrah.
Në kontekstin e librit “Shota”, figura e Shotës ndriçohet fuqishëm kur vendoset në sfondin e Luftës së Kosovës kundër agresionit serb, që la plagë të pashlyeshme në kujtesën e kombit. Brenda kësaj historie dhimbjeje dhe qëndrese, vlen të ceket për krahasim Krusha e Vogël (bashkë me trevat tjera gjithashtu), si një nga faqet më të errëta e më tronditëse, aty ku rreth 70% e meshkujve të fshatit u vranë e u zhdukën, duke lënë pas 82 të veja dhe 145 fëmijë jetimë. Në këtë tragjedi, Shota e Bungut shfaqet si përfytyrimi prozaik i gruas që ringjall jetën mbi rrënoja, që ruan kujtesën dhe dashurinë si formën më të lartë të mbijetesës njerëzore. Shota e Antigonës, ashtu si nënat e Krushës së Vogël etj., bart dhimbjen e pangushëllueshme, por është e çuditshme që përkundër gjithë atyre përjetimeve të errëta, nuk lejon që ajo dhimbje të shndërrohet në urrejtje, përkundrazi, e kthen në përkushtim e punë, në energji jetësore për të rritur vajzën e saj. Në shpirtin e saj përthyhet e njëjta forcë e heshtur e nënave kosovare, që përballë dhunës e humbjeve, gjetën brenda vetes fuqinë për të mbjellë jetë aty e atje ku gjithçka ishte goditur e vrarë deri në shfarosje. Kështu, Shota e librit bëhet simbol i qëndresës së gruas shqiptare në luftë dhe pas saj, e cila, me dashuri e përkushtim, i jep Kosovës fytyrën e saj më njerëzore! E denjë dhe e admirueshme për vlerësim meritor!
Dashuria si energji ekzistenciale
Një nga shtyllat ideo artistike të veprës është dashuria e konceptuar jo vetëm si ndjenjë romantike, por si potencë ekzistenciale, që e mban botën në ekuilibër. Historia e Shotës dhe e Mërgimtarit është një histori dashurie e rrallë, e thellë dhe e përjetshme. Ngase “Ky Mërgimtar nuk erdhi ta marrë Shotën me vete, por të bëhej strehë brenda saj.”, (f.20) shkruan autorja. Kjo metaforë është një nga më të bukurat e librit, duke na përkujtuar mençurisht se dashuria nuk është pronësi e asnjërit, është vetëm strehë shpirtërore.
Në këtë marrëdhënie, Bungu shpalos një filozofi të ndjeshme për natyrën e dashurisë, ajo është një ndjenjë që lind nga durimi dhe qëndrueshmëria në kohë, e jo nga njohja e shpejtë fluturake. Shota dhe Mërgimtari lidhen përmes vuajtjes, përmes mallit dhe mungesës, duke dëshmuar se dashuria e vërtetë, veç tjerash është edhe bashkim i plagëve të përbashkëta. Përmes refleksioneve të autores, së bijës këtë rast, dashuria merr një dimension etik: “Dashuria nuk matet me fjalë, por me vepra... (f.36), ajo shfaqet në heshtje, në përkushtim, në sakrifica. Kjo filozofi e thjeshtë, por e thellë, e vendos librin në traditën e letërsisë që e sheh dashurinë si akt moral dhe shpirtëror, jo si lidhje e përkohshme që sakaq ikën e harrohet.
Mërgimi si metaforë ndarje dhe e sakrifice
Pjesa që rrëfen jetën e Mërgimtarit është një nga më të fuqishmet emocionalisht. Mërgimtari është figura e burrit që largohet për të mbajtur familjen, duke jetuar mes punës, lodhjes dhe mallit për atdheun. Në një pasazh prekës thuhet: “Në çdo telefonatë që bënte për të marrë lajme nga Kosova, ai e mbante gjallë lidhjen me familjen dhe shpresën për të dëgjuar diçka të re” (f.26).
Kjo frazeologji, nuk është vetëm përshkrim i një realiteti social të një populli, është më shumë se kaq, është metaforë e shpirtit njerëzor që jeton mes dy botëve: vendlindjes që e thërret dhe mërgimit që e ndëshkon me largësinë dhe mallin!
Rrëfimi për të përfundon me një nga episodet më tronditëse, kur ai mëson për vdekjen e babait përmes një telefonate nga një i huaj, madje është shumë vonë për të marrë pjesë në varrim. Kjo skenë është simbol i tragjedisë së Mërgimtarit, ai është gjithmonë i vonuar, gjithmonë mes dy kohësh, gjithmonë i ndarë nga vetja dhe të tjerët!
Në mënyrë të nënkuptuar, autorja përdor figurën e Mërgimtarit për të shprehur përvojën e largësisë dhe mungesës, që njëherit është edhe përvojë e çdo njeriu i cili jeton larg dashurisë së të afërmve dhe atdheut. Në këtë kuptim, mërgimi si gjendje e dhimbjes nga mungesa, bëhet gjendje universale e shpirtit shqiptar përtej realitetit social.
Lidhjet ndërbreznore dhe trashëgimia shpirtërore
Një dimension thelbësor i veprës është mënyra se si dashuria dhe përkushtimi trashëgohen nga një brez te tjetri. Libërshkruesja, shpjegon se Shota ishte e lidhur ngushtë me nipërit dhe mbesat, të cilët ishin gjithmonë më shumë se dashuri për të. Kjo lidhje përfaqëson një zinxhir dashurie që kalon brez pas brezi, duke e ruajtur familjen si bërthamë të botës shpirtërore. Kështu, A. Bungu ndërton një topologji të kujtesës familjare, ku secili brez është dëshmitar dhe bartës i një trashëgimie që nuk shuhet apo harrohet me kohën.Trashëgimia që Shota lë pas nuk është pasuri materiale, por pasuri morale dhe shpirtërore, si guxim, përkushtim, mirësjellje, punë, durim. Autorja, si bijë dhe shkrimtare, bëhet vetë ura që e çon këtë trashëgimi drejt lexuesit, duke e kthyer në vlerë kulturore e njerëzore. Nga ky aspekt, libri mund të shihet edhe si një testament familjar, që e bën të paprekshëm ndaj çdo gjëje, shenjtërinë e lidhjeve njerëzore përmes rrëfimit.
Etika e vuajtjes dhe shpërblimi i durimit
Një nga arritjet më të larta artistike të librit është shndërrimi i dhimbjes në një qëllim jetësor dhe estetik, si dhe i humbjes në një kuptim më të çmuar. Të vihet në pah, se shkruesja nuk rrëfen për të ngjallur keqardhje te të tjerët, por për të dëshmuar se vuajtja mund të transformohet në forcë jetësore. Në prolog, metafora me kafenë e munguar e paraqet dhimbjen si pjesë të përditshmërisë, me të cilën duhet jetuar: “Jeta të merr diçka që e do, dhe ti duhet të mësosh të ecësh pa të” (f.5). E njëjta ndjenjë përshkon gjithë librin, tragjedi pas tragjedie, e para nis me humbjen e vëllait, më pas martesa e dytë e babait të Shotës, vjen te mërgimi i burrit të saj-Mërgimtarit, më vonë vrasja e tij. Çuditërisht, pas këtij fati kobzi, gjithmonë qëndron një forcë e brendshme që refuzon të mpaket.
Në faqet e fundit, autorja shkruan: “Në secilin kapitull gjenden pjesë të shpirtit të saj: pasqyrime të dhimbjes, por edhe të forcës që buron prej së brendshmi” (f.156). Këtu konsolidohet kuptimi qendror i veprës, sipas të cilit bukuria lind nga dhimbja e përjetuar me dinjitet.
Në këtë kuptim, “Shota” i afrohet traditës së rrëfimeve poetike të nënave shqiptare në përgjithësi, por e tejkalon atë duke e kthyer dhimbjen në filozofi të jetës dhe të artit.
Përkujtimi, përkushtimi dhe përjetësia
Motivi i kujtesës përbën boshtin që mban gjallë gjithë librin. Kujtimi është më shumë se rikujtim, është akt dashurie dhe përjetësimi. Shota ruan kujtimin e bashkëshortit si një dritë të pashuar, andaj edhe bëhet pjesë e dedikimit “Për dritën që s’u shua kurrë!”, si simbolikë metaforike e librit.
Në mënyrë të ngjashme, autorja ruan kujtimin e nënës përmes fjalës, duke e bërë shkrimin vetë një formë të ringjalljes shpirtërore. Përmes kujtimeve, lexuesi e sheh se jeta nuk humbet, por kalon në një formë tjetër të ekzistencës: në kujtim, në fjalë, në dashuri. Ky kult i kujtesës është një formë shpirtërore e mbijetesës, një liturgji intime ku shkrimi bëhet akt besimi. Kujtesa është mjeti për të mos harruar, për të mbajtur të gjallë dashurinë edhe përtej kufirit të jetës fizike. Pra, në këtë kuptim, “Shota” e shndërron kujtimin në art, duke e ngritur mbi nivelin personal, për ta kthyer në kujtesë kolektive të dashurisë njerëzore.
Dimensioni etik dhe edukativ
Në esencë, libri nuk është vetëm rrëfim poetik, por edhe një lloj manifesti moral për vlerat familjare e njerëzore. Çdo faqe ngërthen një mësim jetësor, se dashuria kërkon durim, se humbja nuk duhet të na thyejë, se njeriu gjen kuptim në përkushtimin ndaj të tjerëve...
Përmes episodit simbolik të “tryezës me vetëm tri pjata” (f.156), autorja shpreh idenë se mungesa materiale nuk është tragjedi, por tragjedi është mungesa e dashurisë. “Pjatat nuk ishin bosh nga varfëria, por nga ngopja e tepërt që na kishte sjellë jeta,” (f.157) shkruan ajo. Fjali e thjeshtë në dukje, po që përmban një gur të çmuar filozofik, sepse flet për shterimin shpirtëror të njerëzve që nuk ndiejnë më asgjë për askënd. Përkundrazi, Shota dhe familja e saj mbeten të pasur në dashuri, përkushtim e ndershmëri.
Në këtë parim kuptimor, “Shota” është edhe një udhëzues shpirtëror për brezin e ri që e lexon librin, që të mësojë se vlerat e jetës nuk maten me pasuri, por me ndjenjën që ushqen dashuri. E dihet që dashuria është ligj i mbijetesës.
Një botë që flet me zëra grash
Në librin “Shota (Biografi letrare familjare)”, A. Bungu ngre një memorial prej kujtimesh, në të cilin jetojnë vetëm femra: një nënë, një bijë e një gjyshe. Ajo u rrit vetëm me femra, “vetëm femrat e përbënin familjen”, shkruan autorja, dhe ky pohim i thjeshtë bart një botë të tërë kuptimesh. Në pamje të parë, kjo mund të tingëllojë si varfëri e pranisë mashkullore, si një tra a dritare që i mungon shtëpisë. Por në thelb, është krejt e kundërta, ngaqë ajo si familje është e përmbushur. Po, e përmbushur nga një univers që flet, mëson, përkrah dhe ngroh përmes zërave të femrave, si një harmoni e përjetshme që jeton në frymëmarrjen e ndjeshmërisë.
Në këtë hapësirë, gruaja nuk është ajo që mban rolin e dytë, por të parin, të vetmin. Aty ku burrat mungojnë, gratë krijojnë vetë ligjin e jetës. Ato nuk jetojnë nën hijen e dikujt, por nën dritën e njëra-tjetrës. Shota, Lokja dhe Antigona janë tri figura që përfaqësojnë tri stinët e shpirtit: gruaja që sakrifikon, gruaja që udhëzon e mëson dhe e treta vajza që kupton nga të parat. Secila prej tyre përfaqëson një degë të të njëjtit trung, një vazhdimësi dashurie me frymë dëlirësie. Këto tre personazhe femërore, mund të shihen si një trini e shenjtë dashurie, prej të cilave rreh vetë zemra e librit.
Në një shoqëri që për shekuj ka qenë e mbështetur mbi mendësi patriarkale, ku lindja e një vajze shoqërohej me keqardhje e fjalë si, “Ta kishe pas djalë!”, Shota sfidon këtë mendim duke parë tek e bija bekimin e jo barrën. Kjo skenë përmbys strukturën e një bote të ndërtuar nga paragjykimet. Familja pa burrë në krah, nuk paraqitet domosdoshmërisht si shenjë e mungesës, por si formë a provë e një plotësie morale. Në vend që t’i nënshtrohet heshtjes si paraardhëset e saj, Shota flet me jetën e saj, duke e orientuar jetën e të triave. Ajo tregon se dashuria, ndjenja e përgjegjësisë, mirësia dhe qëndresa nuk janë pronë e gjinive, por e shpirtit njerëzor.
Kjo botë e përbërë vetëm nga femrat shfaqet si vendi ku ndjenjat përjetohen në formën e tyre më të prekshme. Aty mësohet si të duash pa kushte, si të përballosh dhimbjen pa zë, si të mos dorëzohesh as kur jeta të përkul... Vajza rritet duke parë nënën që punon, gjyshen që fal e shpalos kujtimet dhe veten që mëson të mos ketë frikë prej asgjëje. Në këtë mjedis, ndjeshmëria nuk është dobësi, vetëm shfaq mënyrën e të kuptuarit të një bote ndryshe. Gati gjithkund ku burrat edukohen të mos qajnë, këtu në këtë biografi, gratë aftësohen të qëndrojnë të forta duke qarë. Dhe kjo është bukuria e fshehtë e këtij universi femëror, që vjen në formë mesazhi për lexuesin, se dhimbja pasi nuk gjen kënd a skutë për t’u fshehur, atëherë duhet të gjejë një udhë për t’u shndërruar në forcë.

Në aspektin artistik, A. Bungu ndërton përmes këtij motivi një vatër të ndjenjës femërore, një hapësirë ku gruaja nuk është më objekt, por subjekt i jetës, bartëse e kujtimeve dhe krijuese e botës shpirtërore dhe materiale. “Rritja vetëm mes femrave” (frazë nga libri), kthehet në metaforë të vijimësisë së jetës përmes dashurisë dhe urtësisë, jo përmes forcës dhe dominimit. Familja e përbërë nga femrat është mikrokozmosi i një bote që, ndonëse pa zë burrash, është e mbushur me muzikë shpirti. Në shtëpinë e tyre, fjalët peshojnë ndryshe, nuk ka autoritet, por mirëkuptim, nuk ka ligj të shkruar si normë për zbatim, por ka një ligj zemre. Sepse e bija mëson nga nëna jo përmes urdhrit, por përmes shembullit, kurse Lokja, gjyshja e fortë, është urtia e gjallë e kohëve që ua mëson durimin dhe faljen, ndërsa nëna Shotë është forca e sotme, ndonëse e përulur nga pesha e halleve, por është e pathyeshme. Paralelisht, krahas këtyre, vajza, vetë autorja, është dëshmia rrjedhëse e zinxhirit trashëgues. Ajo që shkruan, jo thjesht për të përkujtuar, por më shumë për ta përftuar kujtesën në art.
Në këtë kontekst, familja femërore bëhet simbol i rendit shpirtëror amnor, një strukturë e re në Kosovën e pasluftës, tek e cila jeta mbijeton jo përmes pushtetit, por përmes dashurisë. Tri gratë e librit janë rrënjët, trungu dhe degët e një peme që nuk thahen kurrë, sepse ushqehen nga loti dhe dielli i një dashurie të pashtershme.
Tek ato, autorja sheh veten, sheh gjininë e saj, që ndonjëherë shkon edhe përtej saj, drejt njerëzores së dëlirë, aty ku gjinia pushon së qeni kufi në kuptimin më të plotë të fjalës. Sepse nga gratë para saj, ajo nuk mëson thjesht si të jetë grua, por si të jetë njeri: një qenie që ndien, duron, dashuron dhe shprehet lirshëm me dinjitet.
Në fund, ky element që përbën frazën “ajo u rrit vetëm me femra”, përmbledh një univers të tërë poetik. Shëmbëllen në një pasqyrë të dyfishtë, nga njëra anë reflekton një realitet të vështirë, nga ana tjetër ndriçon një dritë të re te një komunitet, e pse jo edhe komb?! Sikurse edhe u pa, kjo botë e strukturuar në mungesë burrash, shfaqet më e gjerë në përvojë dhe kuptim se sa ajo e organizuar sipas një rendi të zakonshëm patriarkal.
Në këtë rrjedhë kuptimore, ndjehet që A. Bungu nuk shkruan vetëm për tri gra, po për kodin femëror të pashprehur ndonjëherë kështu, si mënyrë e të jetuarit në Kosovën e pasluftës, për atë forcë arketipale femërore që e mban botën në ekuilibër, edhe atëherë, në shumë rrethana kur ajo duket se është përmbysur. Pikërisht, aty ku historia zakonisht është shkruar me emra burrash, kjo vepër gdhend e përjetëson tre emra femrash, që flasin me një zë të vetëm, atë të dashurisë që e mban gjallë njeriun. Prandaj, gratë të cilat jetojnë bashkë e ruajnë, e trashëgojnë dhe e rilindin jetën edhe në kushtet e mungesës së një burri, duke ndërtuar një strukturë matriarkale të dashurisë dhe solidaritetit. Ky komponent, në aspekt artistik, e nxjerr veprën nga korniza e një biografie familjare, duke u bërë homazh nderimi ndaj botës femërore që ka mbajtur peshën e historisë shqiptare ndër gjenerata, breza e shekuj. Tri gratë përbëjnë trininë shpirtërore: gjyshja përfaqëson kujtesën apo historinë, nëna mishëron forcën e përballimit për të mbajtur shtëpinë, e bija sendërton zërin e së ardhmes me guxim.
Brenda këtij kuadri interpretues, femërorja që jeton e shumëfishuar në njëra-tjetrën, bëhet model i plotënisë përmes dashurisë, ku parimi amnor përforcohet si shtyllë e mbijetesës dhe i krijimit të kuptimit njerëzor, në kontekstin e Kosovës dhe përtej saj!









Comments