
ERA E SHKRIMIT IA VJEDH QIELLIT ÇARÇAFËT E BARDHË PREJ TELI
Acari i sqimës
Si nje vajzë e fejume
M’i qëndis gjethet e shkrimit me oja!
Qiellit i është grisur thesi
I resh pambuku i mbledhur fushave të acarit
Mbi pllajat e zhveshura të leximit!
Nata e inspirimit numëron lehje qensh
Që s’gjetën strofull kashte a bujarie
Dhe pareshtur i ndërsehen
Një hëne në dhomën time!
E pamëshirshme era e shkrimit,
Ia vjedh qiellit çarçafët e bardhë prej telit
Dhe ngrin çdo frymë të ngrohtë pëlqimi
Shprish çdo ëndërr maceje lozonjare
Që nuk fle mbi jastëk të ngrohtë lirizmi!
Acari ndjell e shprish vargje të pa jetuara
Orteqet trandin nxitjen për strofa të ngrohta pëlqimi
Për rrugë të pa shkelura metaforash!
Avulli çajnikut mbulon shpresën e delirit
Dhe çatia më nuk pikon mbi shtegun e hirit
…të ekzibicionizmit!
Mbetet vetëm dëshira që poezia
T’u ngjasojë yjeve të bardhë e të ftohtë
Në xhamin e vogël të mërzisë
Që mengjesesh dyshimi me hukamë i shkri!
Arbaini poetik
Ulur këmbëkryq
Fryen mbi re kumtin:
“Do të vij sërish
I akullt
Si inspirim…
Pritëm, pritëm ti!”
MACET E HALEPIT
Macet e Halepit u shurdhuan një nga një
Dhe shurdhohen për çdo ditë rishtaz
Nga shpërthimet që i gjenin strofullave
Tek ëndërronin lëmshat shumëngjyrëshe
Të derdhur mbi qilimin me xhufka
Sa herë që shurdhohen
U ikin shpijarët me një bohçe tesha mbi shpinë
U mbetet vetëm shqisa e nuhatjes
Dhe sytë që s’duan të shohin strofullat
Dhe rrugët për tek konservat e hedhura bosh
Të ushtarëve që flasin gjuhë që s’i kuptojnë
Siç nuk i kuptojnë gjuhët në konserva
Arabisht, rusisht, anglisht, sërish arabisht…
Halepi, kjo gërmadhë konservash e predhash
Gërmadhë gjuhësh të gjalla e njerëzve të vdekur
Macet e Halepit jo që s’dinë të flasin
Të kërkojnë bukë, të kërkojnë të jenë mace Kosove
Po ato janë shurdhuar
Nuk e dëgjojnë klithjen e tyre
Lere më t’i dëgjojnë
Të huajt
Që hyjnë e dalin me bujë aty
U mbetet të enden mbi gërmadha si hije
Të ecin hijeve të Halepit të UNESCOs
Shatërvanëve që s’janë shatërvanë
Shesheve që s’janë më sheshe
As rrugët që s’janë më rrugë
As xhamitë s’janë më xhami
Myezinët ikën të shurdhuar
S’e dëgjonin më zërin e tyre
Apo i shurdhoi zhurma
Ajo zhurmë që ua prishi strofullat
Dëgjohen vetëm pëshpërimat, bisedat, këngët e sharjet
Të krejt gjuhëve të botës
Si në Kullën e Babilonisë
Gjuhë që i shurdhuan macet e Halepit
U mbeti vetëm instinkti për të mbijetuar
Dhe për të gjetur ndonjë strofull për një sy gjumë
Kur nata shtrihet e i mbulon si qiell me yje
Qiell që ia prishin rendin ca që duken si yje
E janë satelitë, aeroplanë ushtarak apo xixëllonja të harruara
Macet e Halepit që mund të duken edhe si fëmijë
Qëllon të gdhihen edhe mbi një shtyllë
Që dikur ishte një muze arkeologjik
Nga ku u shfaqet muzgu i Halepit
Kjo sepie pluhuri e shprese të vdekur
Kjo klithmë që bota s’e dëgjon
Gdhihen të lumtura se dëgjojnë sërish
Të bindura se mjaullimën do tua dëgjojnë ushtarët
Hoxhallarët, humanitarët, doktorët e magnatët…
Kjo u zgjat sa një ëndërr e fluturës
Sa një flurudhë granate për tek strofulli i tyre
Macet e Halepit shurdhohen një nga një
Disa nga shpërthimet
Të tjerat nga heshtja…
Shënime për autorin:
Lulzim Haziri ka lindur në vitin 1962 në Reçan, Maqedoni. Ka diplomuar në shkencat inxhinierike në Prishtinë dhe jeton e punon në Gostivar. Punon si gazetar dhe aktivist për të drejtat e njeriut.
Përmbledhjen e parë poetike “Kënga lind në vetmi” e botoi në vitin 1989, në
SHB “Rilindja” në Prishtinë. Ka botuar edhe librat: “Kur dyert hapen me zile” (1995), SHB “Vatra”, Shkup, “Dalja nga safari” (2005), SHB “Brezi9”, Tetovë dhe “Vetmi e varur si numër në portë” (2015), Logos-A.
Përveç poezisë ai shkruan edhe tregime. Në vitin 2000 shtëpia botuese “Shkupi” ia botoi librin me shkrime për muzikën rock “Rokenrolli shqiptar!”. Në vitin 2010, në botim të SHB “Nositi SH” nga Gostivari botoi edhe librin me kolumna gazetareske “Bardhë e zi”.
Kommentare