top of page

Luan Zyka: Patriarku Shën Nifon i shekullit të 15-të dhe Skënderbeu

ree

 

Dr. Luan Zyka

 

 

Kush ishte Shën Nifoni i II-të, jetimi që u fronëzua Patriark, dhe Patriarku që punoi si stallier.

 

Më 11 gusht bota ortodokse feston ditën e shenjtërimit të Shën Nifonit të II-të, njërit prej klerikëve më të shquar të Ortodoksisë, i quajtur shpesh edhe si një Shën Gojart i ri (Shën Hrisostomi).

Jeta e Shën Nifonit i përngjan rrugëtimit të mahnitshëm të apostujve që krijuesi i përzgjedh për të përçuar frymën e  shenjtë.

Kështu edhe ai, fëmija i një arvanitasi nga Peloponezi i Greqisë, u largua thuajse i mitur nga streha amtare për të marrë udhën ku e ndillte dhe e ndrinte drita e tij apostolike, me durimin asketik dhe përkushtimin hyjnor, kudo që shkoi, nëpër Ballkan, në Artë, në Vlorë, në Krujë në Ohër, në Kostandinopojë, në Rumani.

Deri sa e mbylli jetën tokësore në manastirin e Dionisit në Malin e Shenjtë (Mount Athos), ashtu si edhe e filloi, asket plot përulësi, por tashmë i shenjtëruar në përjetësi.

Shenjti i ardhshëm u dallua që në vogëli për natyrën e tij të veçantë, ku nuk shoqërohej shumë me bashkëmoshatarët e tij në jetën e shpenguar fëminore, por “humbte” në botën e dijeve dhe sidomos të mësimeve fetare, të cilat do ta rrëmbenin në botën hyjnore të asketizmit ortodoks.

Deri sa një ditë, rreth moshës 12-vjeçare, do të largohej fshehurazi nga shtëpia për t’iu përkushtuar jetës asketike si murg.

Këtu do të fillonte rrugëtimi shenjtëror i njërit prej klerikëve më të shquar të Ortodoskisë, Shën Nifonit të II-të,  dy herë Patriark i Kostandinopojës (1486-1488, 1497-1498) ndërsa herën e tretë, më 1502 nuk pranoi fronin e Patriarkut, Mitropolit i Selanikut (1482-1487), Kryepeshkop, reformator i Kishës së Vllahisë dhe Shenjt i parë i Ortodoksisë në Rumani (1502-1505).

Edhe vëllam shpirtëror i Gjergj Kastritot Skëndërbeut.

 

Jetëshkrim i shkurtër i Shën Nifonit

 


ree

Jeta e Shën Nifonit, më shumë sesa një jetëshkrim dhe agjiografi, është një corpus që përmbledh të gjithë konceptin, teorinë dhe praktikën asketike të Ortodoksisë, nën frymën e librave të shenjtë dhe në pritjen e përfundme (eskatologjike) të njeriut  në jetën tokësore.

Deri tani njohim një shkrim bazë për jetën e Shën Nifonit, të shkruajtur me gjasë në vitin 1520 nga murgu Gabirel, i cili ishte Protos (Kreu) i manastireve të Malit të Shenjtë, dhe dishepull i Shën Nifonit, “Jeta e Shenjtërisë së Tij Atit tonë Nifon, Patriarkut të Kostandinopojës

Libri u shkrua sipas porosisë së Vojvodës së Vllahisë Negosa Besarab, në gjuhën greke, edhe pse ka mendime se është shkruajtur në sllavisht dhe pastaj është përkthyer rumanisht në shekullin e 17-të, dhe në greqisht në shekullin e 18-të.

Një burim i dytë për jetën e Shën Nifonit duket se është gjendur në një manastir në Greqi, jashtë Malit të Shenjtë, së pari nga historiani i shquar bizantolog, prifti francez V. Laurent , dhe më pas dëshmohet ekzistenca e tij edhe nga studjues të tjerë. Edje këtë dorëshkrim e kanë shkruajtur dy dishepujt e Shën Nifonit që ishin pranë tij në Malin e Shenjtë.

Ndërsa në literaturën shqipe, i pari që shkruan për Patriarkun Shën Nifon, është Faik Konica, i cili përmend edhe burimin e informacionit të tij, që është historiani reformator gjerman Berthold Niebuhr. Më pas kanë shkruajtur dhe përmendur Dhimitër Beduli, Aurel Plasari etj.

Nikolla ishte emri që i vunë prindërit, kur u lind rreth viteve 1434 – 1440 në Peloponez (More i thuhej në ato kohë), një ndër tre fëmijët e Manolit dhe Maries. I ati, Manoli, ishte një arvanitas i ditur, i arratisur nga Dalmacia mbas përndjekjeve që i kishin bërë atje. Edhe pse ndonjë studjues rumun apo grek, Manolin e përmendin të origjinës sllave, shumica e përcaktojnë arvanitas ortodoks nga Dalmacia, siç shkruhet edhe në dy enciklopeditë më të sakta të Ortodoskisë në gjuhën greke.

«ἐκ δὲ πατρὸς ἄρχοντος Ἀλβανίτου υἱὸς», Ecthesis Chronica.

(biri i një babai arhond arvanit)

«καὶ πατέρας του, ἄρχοντας Ἀλβανίτης». Πατρ. Ιστ.

(dhe babai i tij, arhond arvanit)

Në Peloponez, Manoli njihej edhe me emrin Harip ose Halep. Ndërsa e ëma ishte greke nga familje e pasur (sipas një studjuesi rumun, ajo ishte me origjinë vllahe).

Thuhet që ishin miq të despotit të Mores, Thoma Paleologut, dhe ai interesohej veçanërisht për shkollimin e tyre, ku dallohej Nikolla i vogël.

I ati vdiq kur ai ishte i mitur, dhe e ëma Maria iu përkushtua marrjes së dijeve nga Nikolla. Thuhet se ai lexonte shumë, dhe mësonte me vëmëndje nga të rriturit, sa në moshën 12-vjeçare kishte përvetsuar shumë njohuri ngaa fusha të ndryshme, dhe sidomos nga librat fetare të krishtërimit .

Pasi u largua nga shëtpia, ai u vesh murg në Epidavro, me emrin e pagëzuar Nifon (njeri i paqmë, i urtë), dhe që andej shkon në qytetin e Artës për të takuar një murg të dëgjuar, i ardhur aty nga Mali i Shenjtë.

Ky ishte murgu Zaharia, i cili shpejt u bë edhe ati shpirtëror i Nifonit, siç u bë më vonë edhe at shpirtëror i Skënderbeut.

Sipas një burimi dytësor nga jeta e tij, thuhet se aty në Artë, u krye shugurimi në ierodhjak i Shenjtit të ardhshëm, nga Mitropoliti i Artës. Por kjo e dhënë del në kundërshtim me të dhëna të tjera që do i shtjellojmë më poshtë, sidomos me jetën e Shën Nifonit në oborrin e Skënderbeut.

Ishte koha kur, veç luftrave që kishin ngërthyer Ballkanin e mbetur nga ish-perandoria Bizantie, po zhvillohej edhe një përpjekje finale për bashkimin e dy kishave të mëdha të Krishtërimit, Kishën Katolike me atë Ortodokse, me Marrëveshjen e Ferrare-Firences të viteve 1439 -1439 midis tyre.

Në këto kushte, Zaharia me Niphonin dhe dishepuj të tjerë, nisen nga Arta për në vendin e Askalonit (mendohet se flitet për Vlorën), për të mbështetur ortodoksët që mos të përkrahnin ritin katolik, por të ruanin të pandryshuar besimin e tyre ortodoks.

Sipas burimeve të ndryshme, kemi edhe përshkrime të ndryshme të rrugëtimit të tyre. Thuhet se pas Askalonit murgu Zaharia me dishepujt e tij shkoi në Ohër, ku ishte Kryepeshkopata më e rëndësishme e Ballkanit pas Patriarkanës së Konstandinopojës.

Një burim tjetër dhe pikërisht murgu Gabriel, shkruan se ata vajtën në Durrës dhe atje u ngjitën “6 milje” më lart, në Krujë (Τρούε τούνομα…).

Të dy variantet përmendin vajtjen dhe qëndrimin e tyre për disa vjet në kështjellën e Krujës dhe në hapësirën që kontrollonte Skëndërbeu.

Pas disa viteve të qëndrimit atje, dhe pas sulmeve të shpeshta të osmanëve, Zaharia me dishepullin Nifon largohen drejt Ohrit, ku Zaharia më vonë zgjidhet Kryepeshkop dhe Nifoni shkon në Malin e Shenjtë.

Në Malin e Shenjtë Niphonin e presin me krahapur se kishin dëgjuar emrin e tij të mirë, dhe atje, sipas njërit variant të jetës së tij ai shugurohet në prift, duke vazhduar vepren e murgut  me oratorinë e rrallë përkushtuar besimit, me karakterin paqësor dhe i gjendur pranë njerëzve në nevojë.

Për këto cilësi, murgu Nifon zgjidhet, në vitin 1481 ose 1482, Mitropolit i Selanikut deri në vitin 1488, dhe më pas zgjidhet tre herë (1488 – 1489, 1497 -1498, 1502) Patriark i Patriarkanës së Konstandinopojës.

Por në fronin më të lartë të drejtimit të Kishës Ortodokse ai do të përballej me ligësitë dhe prapaskenat korruptive të sulltan Bajazitit të II-të dhe të shpurës së tij osmane dhe ortodokse, deri sa e hoqën dy herë nga froni, dhe kur e thërritën për herë të tretë, në vitin 1502, ai nuk pranoi fronin e lartë, duke dërguar një letër me tone të një asketi të përjetshëm të bezdisur nga ligësitë antifetare të njerëzve të politikës.

Duke qenë i internuar në Adrionopojë, pasi nuk kish pranuar të ulej për herë të tretë në fronin e Patrarkut, atë e viziton vojvoda i Vllahisë, Radu, i cili e fton për të organizuar  Kishën ortodokse te Hungarisë-Vllahisë, të rronitur nga keqadministrimi.

Pasi u mor miratimi dhe leja nga sulltani, ish Patriarku u zhvendos në Vllahi ku ngriti dhe organizoi Kishën e Vllahisë, duke u njohur dhe çmuar populli besimtar i vendit vlleh dhe bullgarë, si Shenjt i perëndisë për të mirat që u solli atyre.

Por, edhe këtu, shpirti i tij hyjnor nuk mund të pranonte të bashkëpunonte me njërës që thyenin besimin fetar, ndaj ai pas dy vitesh, më 1505, pasi ç’kishëroi publikisht vojvodën Radu për ligësitë e tij, dha dorëheqjen nga posti i Kryepeshkopit, u largua nga Vllahia, mori rrugën në këmbë me dy dishepujt e tij, dhe nëpërmjet Ohrit u kthye në manastirin e Dionisit në Malin e Shenjtë.

Kur arriti atje, ai nuk i tha askujt se kush ishte, dhe askush nuk e kishte kuptuar se murgu plak që kishte trokitur në derën e manastirit ishte Patriarku famëmadh, dhe aq i dashur mes murgjëve dhe gjithë besimtarëve.

Por ai, në përulësinë e tij të asketit të përjetshëm ndoqi rregullin e manastirit, ku murgut të ri i jepeshin për të bërë punët më të vështira. Dhe ai, i pranoi të gjitha me përulësi madhështore, dhe murgu i përndritshëm për mjaft kohë shërbente si stallier dhe flinte me kafshët në një shpellë të vogël, që ruhet edhe sot në gjendjen që ishte para 500 vjetësh.

Deri sa një ditë, murgjit e tjerë e njohën se kush ishte dhe, mes ngazëllimeve për atë dhuratë që u kish sjellë perëndia, e trajtuan ashtu siç i kishte hije atit të tyre shpirtëror, patriarkut Niphon i II-të.

Në vitin 1508 Patriarku ndahet nga kjo jetë, dhe pak vite më vonë një tjetër vojvod i shquar i Vllahisë, Neagoe Besarab, përkujdeset pranë Patriarkut të Kostandinopojës për shenjtërimin e Nifonit, që u realizua në gusht të vitit 1517.

Në shërbesat e shumta që u shkruan në shekujt në vazhdim për Shën Nifonin, dhe këndohen në mjaft kisha, sidomos ditën e shenjtërimit të tij, përmendet jeta dhe vepra e asketit të shenjt të ortodoksisë.

Në shekullin e 18-të peshkopi i Beratit, At Jeronimi, kishte porositur me pagesë për shkrimin e dy shërbesave për jetën e Shën Nifonit, dhe për ti lexuar ato në kishat e peshkopatës së Beratit.

Një fakt interesant gjendet në botimin në greqisht të jetëshkrimit të Shën Nifonit të Konstandinopojë, të shkruajtur nga murgu Gabriel, ku është edhe një portret i Skënderbeut me diçiturë poshtë me gërma latine SKËNDERBEU – KASTRIOTI. Sipas botuesit, kjo pikturë gjendet në një qelat e manastireve të Malit të Shenjtë ku ka jetuar Shën Nifoni.

 

Patriarku dhe Skënderbeu.

Pse e dërgoi perëndia murgun tek luftëtari ?

 

Një nga vendqëndrimet e gjatë në udhëtimin apostolik të Shën Nifonit ishte qëndrimi i tij në pallatin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, (pallati shkruhet në jetëshkrimin e parë të tij), me të cilin u bënë edhe vëllezër shpirtërorë, si bij shpirtërorë të priftit të shquar Zaharias.

Pikërisht, edhe kjo pjesë e jetës së Shenjtorit tonë pranë Skënderbeut,  përbën objekt të shkrimit tonë.

Por, në mungesë të burimeve të mjaftueshme arkivore të drejtpërdrejta në raportin Skënderbe – Shën Nifon, kemi hulumtuar shumë burime të tjera, me ndjesinë se kemi cekur në brigjet e një deti të thellë, ku atje poshtë dallgëve të historisë do gjenden visare të vlefshme për epokën Skënderbiane.

Deri atëhere, jemi të të detyruar të ndjekim pas çdo rrëzëllim të vogël drite, dhe të përdorim gjithë logjikën deduktive për të përftuar konkluzione sa më të sakta për epokën Skënderbiane dhe gjendjen fetare të Shqipërisë së asaj kohe.

Në jetëshkrimin për Patriarkun Nifon, Gabrieli shkruan për vizitën dhe qëndrimin e tij tek Skënderbeu në Krujë;

Ανέβησεν δε εκείθεν εις το κάστρον της Τρουίας΄ό δε αυθέντης του τόπου, Γεώργιος Σκενδερμέγης τούνομα, έδεxθει αυτούς μετά πάσης τιμής και ευλαβίας, ότι και πρότερον είχεν ακούση περί αυτών, και με μεγάλη χαράν κατησπάζετο και εκράτησεν αυτούς μετ’ αυτού εν τω παλατίω.

Έκαμε δε πνευματικόν του πατέρα τον σοφώτατον Ζαχαρίαν.

(Ata u ngjitën në Kështjellën e Krujës, ku i zoti i vendit, i quajtur Gjergj Skënderbeu, i priti me nderime dhe adhurim, duke u thënë se ua kishte dëgjuar zanin e mirë, dhe nga gëzimi i përqafoi duke i bujtur që të rrinin me të në pallatin e tij. Dhe Zaharinë e ditur e bëri at të vet shpirtëror.

Ky fragment që përshkruan murgu Gabriel, dishepulli i Shën Nifonit dhe Kreu i Manastireve të Malit të Shenjtë, vërteton natyrën e shkrimeve të asaj kohe, ku fjalët ishin të përzgjedhura me kujdes dhe  përmbanin shumë informacion të brendshëm.

Dhe këtu lindin disa pyetje, përgjigjen ndaj të cilave nuk pretendojme se mund të kryejmë, por mundemi të hedhim sado pak dritë në zbardhjen e së vërtetës historike :

 

Vizitë apo mision tek Skënderbeu ?

 

Periudha e vizitës dhe qëndrimit të dy klerikëve ortodoksë tek Skënderbeu nuk përmendet në asnjë burim deri tani, por ne mund të deduktojmë se ka qenë në mes të viteve 1445 deri pas vitit 1453 sepse;

-       Në ato vite filloi të njohej fama e Skënderbut në Ballkan dhe në Europë nga fitoret e tij të bujshme ndaj osmanëve.

-       Shën Nifoni dhe Zaharia ishin kundër bashkimit të dy kishave të mëdha të krishtera, siç u vendos në Marrëveshjen e Firence-Ferrarës në vitet 1438-1439. Dhe ata punonin me besimtarët ortodoksë kundër këtij bashkimi në emër të pastërtisë së mësimeve të fesë. Bile, murgu Zaharia bashkë me dishepullin e tij njomzak Niphonin do të largoheshin nga Arta për në zonën e Vlorës (Askalona e shkruan Gabrieli, që i referohet Vlorës sipas një studiuesi rumun të jetës së Shën Nifonit) për të bindur besimtarët të mbanin të pastër besimin dhe mos pranonin bashkimin me kishën katolike.

-       Në vitin 1499, perandori i ri i Bizantit, Kostandin Paleologu, shfuqizoi Marrëveshjen e Firencë – Ferrarës të nënshkruar nga vëllai i tij Joann Paleologu.

-       Në maj të vitit 1453, kur osmanët pushtuan Kostandinopojën, të dy klerikët ishin akoma në Arbërinë e Skënderbeut.

-       Për ditën e shugurimit në klerik të Shën Nifonit, jetëshkrimet rreth tij përmendin tre variante të ndryshme. I pari që kemi përmendur më sipër, shënon se ai u shugurua në Artë nga Mitropoliti i qytetit, varianti tjetër përmend shugurimin e tij kur arriti në Malin e Shenjtë, dhe variati i tretë përmend shugurimin e tij në oborrin e Skënderbeut. Nëse është i vërtetë varinati i tretë, atëhere ky fakt dëshmon jo vetëm për ekzistencën e klerit ortodoks në oborrin e Skënderbeut, në Krujë, por edhe për rëndësinë që i dha patriarku i ardhshëm shugurimit nga kisha ortodokse pranë Skënderbeut.

Pas gjithë këtyre fakteve, kemi të drejtë në përsiatjen rreth arsyeve dhe qëllimieve të takimit dhe qëndrimit të dy klerikëve pranë Skënderbeut. Po ashtu, kemi edhe përulësinë ti pranojmë këto përsiatje si pandehma të llogjikës, pse jo edhe të dëshirave të subkoshiencës sonë,

Por, përse dy klerikë të dëgjuar (siç u drejtohet atyre Skënderbeu), vizituan në cepin e largët të perandorisë Bizantine një kryeluftëtar kundra osmanëve ?

Ata të dy ishin murgj, dhe për jetën e tyre asketike duhet të zgjidhnin një vend të qetë, larg jetës publike, e jo më në vatrën e luftës siç ishte Shqipëria dhe Kruja e Skënderbeut.

Ka rëndësi të zbardhet edhe vendi i nisjes së dy klerikëve për në Krujë.

Njëri jetëshkrim e përshkruan rrugëtimin e tyre nga Arta drejt zonës së Vlorës, ku bindnin besmtarët të mos pranonin bashkimin e Kishës së pastër Ortodokse me Kishën Katolike, dhe pastaj kishin shkuar fill e në kështjellën e Krujës.

Ndërsa një burim tjetër arkivor rumun, e përshkruan ndryshe rrugëtimin e tyre. Pasi u larguan nga Arta për në zonën e Vlorës, ata shkuan në Patriarkanën e Ohrit ku qëndruan disa kohë, dhe më vonë u nisën për të vizituar Skënderbeun në Krujë.

Të dy variantet e rrugëtimit, përmbajnë në vetvete edhe përsiatjen për qëllimin e vizitës së tyre tek Skënderbeu.

Në rastin e parë, ajo vizitë, mund të ketë qenë vazhdim i rrugëtimit të tyre asketik në kërkim të qetësisë së përkushtimit të plotë ndaj perëndisë.

Por, aq sa mund të shërbejë si fole për zogj një semafor në mes rrugës së madhe, aq mund të shërbente për qetësinë asketike të lutjeve një vend si  Arbëria dhe Kështjella e Skënderbeut, kur jetohej vetëm për të luftuar, dhe luftohej vetëm për të mbijetuar !!!

Në rastin e dytë, ku thuhet se ata kishin vajtur dhe qëndruar mjaft kohë në Patriarkanën e Ohrit, dhe më pas shkuan në Krujë tek Skënderbeu, na tërheq më shumë për hulumtime në shtigje të reja, aq shumë të ndërthurura në vorbullën Ballkanike të asaj kohe.

Në fragmentin e jetëshkrimit të Shën Nifonit, Skënderbeu i pret me nderime dhe adhurime të dy murgjit duke u thënë se “u kishte ndigju zanin e mirë“.

Nuk ka shqiptar edhe sot e kësaj dite që mos të kuptoj se, në shtëpitë shqiptare këto fjalë nuk u drejtohen personave të zakonshëm.

Dhe nga kush ? Nga ai, i famshmi që ishte bërë legjenda luftarake e asaj kohe dhe shkëmbente letra me gjithë sunduesit e botës.

Pra, në kohën e takimit të Skënderbeut me dy klerikët, në të vërtetë po takoheshin dy rrjedhat e të njëjtit shtrat, ashtu si përrenjtë e mëdhenj takohen e bashkohen me njëri tjetrin.

Nëse do ishte një vizitë thjesht për njohje nga afër, të dy klerikët nuk do të rrinin për vite të tëra pranë Skënderbeut dhe në Arbërinë e tij të luftrave. Bile, nga studjuesja Arapi, mësojmë se në Universitetin e Jashit të Rumanisë gjendet edhe një shërbesë e shkruajtur nga vetë Shën Nifoni në kohën kur ishte në oborrin e Skënderbeut. Sepse Shën Nifoni veç aftësive të tjera fetare, ishte dhe një kaligraf i mirë, dhe bile e ushtronte këtë profesion për të nxjerë të ardhirat e jetesës së tij.

 

Marrëdhënia e Skënderbeut me besimin dhe klerin ortodoks

 

Një pjesë e madhe e popullsisë, e luftëtarëve dhe e sunduesve lokalë të Arbërisë, bile edhe origjina familjare dhe fëminore e Skënderbeut, i përkisnin fesë ortodokse.

Familja e Skënderbeut, dhe i ati i tij Gjoni, i shquar për diplomaci në ruajtjen dhe zgjerimin e sundimit të tij kishte manovruar jo pak herë me faktorin ortodoks, ashtu si edhe me faktorin katolik. Ashtu siç edhe kishin vepruar shumë sundues të tjerë në Ballkan, bile, perandori Joan i Bizantit nga ortodoks, ishte kthyer në fenë katolike për të përftuar mbështetjen e perëndimit katolik ndaj rrezikut osman.

Në vitin 1426, Gjon Kastrioti ishte zotërues i një ambienti dhe prone kishtare (adhelfate) në emrin e tij dhe tre djemve të tij në manastirin e Hilandarit të Malit të Shenjtë (ekskluzivisht për ortodoksët), ku atje akoma edhe sot e kësaj dite përmendet në shërbesat kishtare emri i i Gjonit dhe i djalit të tij Reposhit, i cili është varrosur brenda në kishë.

Në vitin 1428, Gjoni kishte dërguar në Venedik për bisedime dy përfaqsues të tij, njëri prift  katolik dhe tjetri ortodoks (At Admirati dhe At Dhimitri)

Po ashtu Skënderbeu, në Marrëveshjen e famshme të Gaetas me Alphonsin e Napolit, në mars të vitit 1541, dërgon për të nënshkruar marrëveshjen dy klerikë, peshkopin ortodoks të Krujës, At Stefanin dhe klerikun katolik domenikan At Bergucin.

Në atë kohë kritike kishte edhe një zhgënjim të Skënderbeut nga Venedikasit, dhe rrjedhimisht ishte e kuptueshme domosdoshmëria e kërkimit të aleatëve nga kudo në qendresën e Skënderbeut ndaj osmanëve.

Arbëria fetare i ngjante një llave në lëvizje, ku osmanët kishin pushtuar mjaft zona në Arbëri, dhe mjaft ortodoksë ishni kthyer në fenë islame. Nga ana tjetër ortodoksia shqiptare po pësonte gërryrje nga kisha ortodokse serbe për të afruar dhe “serbizuar çdo ortodoks”. Po ashtu, nga Veriu i Arbërisë dhe drejt Arbërisë qendrore, po shtohej ndikimi i katolicizmit me misionaë të ndryshëm të Papës, si edhe nga ndikimi i Venedikut që zotëronte qytetet shquiçtare të Durrësit, Lezhës Shkodrës etj. Në planin më të gjerë, Kryepeshkopata e Ohrit, që herë herë quhej edhe Patriarkanë, ishte në rangun e dytë pas Patriarkanës mëmë të Kostanndinopojës.

Është domethënës fakti historik se emir i saj zyrtar ishte “Kryepeshkopata e Justinianit të Parë e Ohrit dhe Bullgarisë, Serbisë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Dytë “. Në ndërtimin e kishave të saj një ndihmë të madhe kishin dhënë edhe zotëruesit shqiptarë të Ohrit, dhe sidomos Andrea Gropa.

Në kohën e Skënderbeut, roli i saj hapsinor u rrit mjaft, sidomos pas dobësmit të Kryepeshkatës serbe të Pejës, të kishave të Bosnjës, dhe marrjes nën juridiksionin e saj të peshkopatave të Vllahisë.

Një fakt për tu shënuar është edhe shkarkimi nga sulltani, në vitin 1466,  të kryepeshkopit të Ohrit, Dhorotheu dhe internimi i tij bashkë me Zaharian dhe klerikë të tjerë në Kostandinopojë për shkak të bashkëpunimit me Skënderbeun.

Ndërkohë, nuk mund të lihet jashtë vëmëndjes interesimi i Skënderbeut për edukatën fetare të popullit të tij në gjuhën amtare, ku për tu përmendur është kuvendu Kishtar i Matit i vitit 1462.

Kështu që takimi dhe pritja prej Skënderbeut i dy klerikëve, tashmë të njohur, ka mundësi të mos ishte thjesht një takim rituali për respekt të ndërsjelltë, por një takim valorizimi i faktorit ortodoks  për qëllmet strategjike të të dy palëve.

Skënderbeut i duhej fuqizimi i lidhjes me faktorin ortodoks, si në popullin e tij të fesë ortodokse, ashtu edhe çdo mbështetje nga e gjithë bota ortodokse.

Nga ana tjetër, kleri drejtues ortodoks, e shikonte se pjesa perëndimore e botës së tij po pësonte grryerje nga faktorët e sipërpërmendur.

Në këtë këndvështrim, dhe bazuar në të dhënat historike të kohës, nuk përjashtohet mundësia që Patriarku i ardhshëm Shën Nifoni me të atin e tij shpirtëror Zaharia, të mos ishin për thjesht për një vizitë njohjeje tek Skënderbeu, si edhe qëndrimi i tyre për disa kohë pranë tij, të mos ishte vetëm dhe kryesisht një përzgjedhje për vazhdimin e jetës asketike.

Siç duket ishte e thënë që, edhe pse shpirti i tij ngulmoi gjithë jetën për të jetuar sa më pranë perëndisë në natyrën e asketit, dhe sa më larg botës së përditshme, jeta edhe vepra e Shën Nifonit do të të linte gjurmë në historinë e ortodoksisë, ashtu edhe në vendet ku ai jetoi dhe shërbeu, në Selanik, në Kostandinopojë dhe në Rumaninë dhe në Arbërinë e Skënderbeut.

 

Last but not least

 

Në mars të vitit 2023, dy përfaqsues të Komunitetit Shqiptar të Selanikut në takimin e zhvilluar me të ndjerin At Anthimos, ish-Mitropolitin e Selanikut, për ti kërkuar leje për kryrjen e një meshe në gjuhën shqipe në një nga Kishat e Selanikut, i përmendën edhe historinë e parardhësit të hershëm të tij në fronin e Mitropolitit të Selanikut, Shën Nifonin e II-të, dhe qëndrimin e tij tek Skënderbeu.

 

 

Selanik, 10 gusht, 2025

1 Comment


Guest
a day ago

Një shkrim shumë interesant të cilit i duhet dhënë dhe një vëmendje e veçantë e thelbësore për shumë nga faktet që përmend dhe të dhënat historike që veshin jetëshkrimin e kësaj figura historike, dhe lidhja me ortodoksinë e historinë e Shqipërisë! Urime Dr. Zyka! Një studim tepër i çmuar!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page