Llesh Ndoj: Ç’ndodhi e ç’pritet?!
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 3 hours ago
- 8 min read

-Prej këtu duhet të nis ndryshimi-
Shqipëria votoi me 11 maj 2025, ndoshta më demokratikisht se çdo herë tjetër deri më sot, tregues i rëndësishëm i rrugës evropiane që kemi zgjedhur, ndonëse mbetemi me të njejtat probleme nëpër këmbë! Një fushatë ndër më të bukurat, me shumë pak incidente parazgjedhore, në ditën e zgjedhjeve dhe perudhën paszgjedhore, është fytyra e saj më evropianizuese. Shtoj kësaj risitë e faktit se, ndonëse në tryezë nuk kishim ofertën maksimale, “menyja” e ofertës politike ishte shumë më e pasur se zgjedhjet e shkuara, me ose pa opozitën, dhe pjesmarrja e faktorëve elektoralë ishte shumë më e gjerë. Vota e emigrantëve shqiptarë është një kapitull i ri që dëshmoi vlera serioze dhe që problemet e vogla të hasura, nuk ia zbehin aspak shkëlqimin. Përkundrazi! Edhe gjuha politike e përdorur nga liderët politikë, ishte dukshëm larg të shkuarës së dhunshme, por akoma e pa shkëputur plotësisht nga të bazuarit e ligjërimit dhe “ofertës” tek kundërshtari, tek të metat e tij, e jo tek vetja, tek gjërat e mira që mund të afrojë, si dhe vite dritë larg llogaridhënies që do të duhej t’i shoqëronte ato. Gjithashtu të dëgjuarit e tjetrit e dialogu me zgjedhësit, apo kundërshtarët politik mungoi edhe kësaj radhe, gjë që do të duhej të ekulibronte fjalimet pompoze e komunikimin e njëanshëm përmes tribunave, kryesisht të drejtuesve të lartë partiak.
Nga ana tjetër çfarë dëshmuan edhe kjo fushatë e këto zgjedhje si reminishenca “otomane” tipike shqiptare?
Edhe në këto zgjedhje u dëshmua se kultura politike e faktorit politik shqiptarë vazhdon “të notojë” në të njejtën “kënetë”, herë me zërin e bufit e herë me atë të bretkocës, si zëra nga e shkuara, por akoma jo me cicërimat e zogjve si zëra të së nesërmes. Sali Berisha dhe Edi Rama, ndonëse dukshëm me diferenca kulturore, politike e mendësie qeverisëse, dominuan edhe këto zgjedhje, duke mos lejuar që nën hijen e tyre të rëndë të lind asnjë filiz i ri çfarëdo. Lule, jo e jo! Listat paraqitën dukshëm probleme përfaqësimi. Jo vetëm mos hapja e tyre totale, por edhe individët e përzgjedhur kishin defiçensa përfaqësimi, mangësi formimi e probleme integriteti përfaqësues, moral e ligjor!
Në të djathtë oferta as që mund të konsiderohej se ekzistonte. Të njejtat fytyra, të njejtat mendësi lufte, i njejti koncept: Të nesërmen e fitores zhbëjmë gjithshka e për 100 ditë zhdukim varfërinë!!! Kaq budallenj i marrin shqiptarët këta?! Me një fytyrë amerikani, që të kall datën, deshën të fitojnë zgjedhjet?! Harruan se shqiptarët janë shumë inteligjentë nga natyra, të shkolluar mjaftueshëm me dallue fiaskot e truket elektorale nga e vërteta, dhe “formalist” të jashtëzakonshëm. Ata të japin ujë në bisht të lugës. T’a kredhin egon e sëmurë për pushtet dhe të bëjnë të fluturosh me presh në…, por në kuti e peshojnë votën shumë më tepër se ç’duket! “Noc Rroku”, ndonëse figurë popullore, nuk mbetet kurrë në popull, por ia gjejnë vendin aty ku i takon…
Po majtas? Dukshëm më ofertuese, lista e kandidatëve ishte tipike rilindase. Ajo kishte probleme të mëdha të quhej socialiste, por socialistët janë stoikë dhe nuk lëvizin lehtë nga istikami, për më tepër kur s’kanë tjetër ofertë tunduese!
Partitë e reja që kandiduan rishtas, ishin vërtetë risi dhe unë e quaj fatkeqësi që nuk u vlerësuan me votë aq sa duhet, ndoshta edhe nga konservatizmi jonë si votues e dyshimi i arësyeshëm në qëndrueshmërinë, origjinalitetin e seriozitetin e tyre.
Asgjë e re edhe për nga rezultati! Kuvendi i ri dominohet nga Partia Socialiste, megjithëse me një grup parlamentar dukshëm të rinovuar, Partia Demokratike mbetet në opozitë, me të njetit njerëz e të njejtën mendësi: zgjedhjet nuk i humbëm ne, por i vodhën bandat, o djem rrëmbeni armët, amerika s’ka për t’i njohur, mandatin nuk e mbyllin dot se Edi Rama do shkoje te Erioni, etj, etj, pjesë orkestrale këto nga muzika e vjetër, me dirigjent Salen e violinist Mulin. Personalisht e pres me shumë kënaqësi pozicionimin e Shehit, Lapajt e Doshit, si prurje e këtyre zgjedhjeve. Është e ditur se sistemi ynë zgjedhor nuk e vlerëson njëlloj votën e çdo shqiptari, në raport me pushtetin. Shumë nga votat për partitë e koalicionet e ndryshme nga PD e PS, duket se kanë shkuar dëm. Por nuk është ashtu! Ato ishin alternativë konkuruese, ndonëse morën pak vota, dhe duhet t’u jenë mirënjohës votuesve të tyre. Askush nuk lind i madh, por rritet nga dashuria e përkundesja e më të rriturve! As votuesit, alternativa e të cilëve, qoftë në kandidaturen e perzgjedhur në pjesën e hapur të listave përfaqësuese, qoftë për subjektet që s’kanë fituar deputet në qarqet e tyre, s’duhet të ndjehen të humbur. Ata janë ndryshimi i vërtetë, për faktin se kanë zgjedhur të votojnë të lirë e me zemër një alternativë ndryshe nga presioni i pushtetit, presioni i partiakëve të karrigeve e zhurma shurdhuese e opozitës kryesore në vend.
Këtu duhet të nis e nesërmja!
Përtej rezultatit, rëndësi maksimale ka fakti se si do t’a lexojnë atë partitë politike në qeverisje apo opozitë qofshin, së pari duke i pranuar ato dhe, së dyti, për të projektuar zgjedhjet e vitit 2029 e Shqipërinë gjithmonë evropiane, anëtare të Bashkimit Evropian. Pushteti i socialistëve shpresoj të mos shfokusohet nga objektivi i vetëm i shpallur në këtë fushatë, ai për pasaportën e vërtetë evropiane të çdo shqiptari deri në vitin 2030, duke mos harruar shtresat në nevojë, ata që i kanë sjell e mbajtur gjithnjë në pushtet. Ata duhet të kenë më pak lidhje klienteliste me parellinjtë e mëdhenj, më pak korrupsion e, mbi të gjitha, më pak mendjemadhësi e arrogancë, ndaj të qeverisurve prej tyre! Harta postzgjedhore natyrshëm ka zona të tëra “ngjyrosur” blu, ku ka fituar Partia Demokratike, si Kavaja, Kruja, Mirdita, Shkodra, Tropoja, Kukësi, Puka, Hasi e ndonjë tjetër. Këto zona, jo vetëm nuk duhen diferencuar negativisht e lënë jashtë vemendjes qeverisëse, por duhen analizuar me kujdes duke e parë reagimin e tyre në radhë të parë e mbi të gjitha tek mangësitë e punës qeverisëse 12 vjeçare të kësaj mazhorance. Pse jo, disa prej tyre të diskriminohen pozitivisht me vëmendje e fonde qeveritare, jo si lëmoshë apo joshje, por si kompensim i mungesës vijuese të vemendjes ndaj tyre. Votën e çdo zgjedhësi t’a lexojnë jo për të diferencuar njerëzit në shërbime, por për të kuptuar cila është kërkesa reale e tyre. Inati nuk duhet të bëj pjesë në punën qeverisëse. Për “të zotin e shtëpisë”, janë krejt pjesë e familjes e duhen trajtuar me dinjitet e në barazi. Edhe ndaj opozitës në tërësi e ndaj çdo zëri të arësyeshëm opozitar në veçanti, qasja duhet të jetë shumë më dialoguese, afruese e bashkëpunuese, jo për t’i bërë ata socialistë, por për të krijuar një klimë më të përshtatshme pune e për të hedhur bazat e një bashkëpunimi strategjik, sidomos për çeshtjet madhore të reformave evropianizuese, pse jo, edhe për t’u hequr elementëve ekstremist brenda saj çdo mundësi përsëritje të situatave ku vendi mund të mbetet pa opozitë, siç ka ndodhur në të shkuarën e afërt. Mandatet lokale të pas dy viteve, do të jenë refleksioni real ndaj trendit të punëve që duhet të kryhen në këtë mandat.
Nga ana tjetër, vetë Edi Rama, më shumë se kurrë, duhet të mendojë për Partinë Socialiste, postrilindje. Edhe “Enver” në u bëftë për nga jetëgjatësia në pushtet, vjen një ditë që duhet ta dorëzoje atë, ndaj që sot duhet të mendoje për të nesërmen e saj. Forumet partiake duhet që gradualisht të marrin peshën që u takon, zëra të rinj e me peshë duhet të lejohen që të ngrihen jashtë hijes së tij, votuesi socialist të ndjehet më i vlerësuar e i përfaqësuar realisht në pushtet etj. Ndryshe, rënia e tij nga pushteti do të pasohet nga shkërmoqja e pashmangshme e Partisë Socialiste, mbase si Partia Demokratike post Berisha, duke i sjell dëme të pallogaritshme të ardhmes tonë, jo vetëm asaj partiake, por si shoqëri, pasi ajo është njëri nga asetet politike më të rëndësishme të saj. Puna për këtë duhet të filloje sot. Nesër është vonë!
Djathtas, bëhet më i vështirë ekuacioni. Berisha dhe të tijët, bashkë me mendësinë berishiane, duhet të heqin dorë menjëherë nga partia, mbase disa edhe nga mandatet, pavarësisht në se kjo vjen ose jo si detyrim nga veprimi i drejtësisë së re, duke bërë një real “mea culpa” ndaj shqiptarëve që i gënjyen tash 35 vite! Këtë gjë duhet ta bëj edhe Basha, për aq sa mund të llogaritet akoma si faktor politik, edhe Metaj i 313-tës, edhe Mediu, edhe Idrizi, edhe Shehi, edhe…, të gjithë ata që kanë patur pushtet politik djathtas e që gjithnjë me veprimet e qëndrimet e tyre kanë zhgënjyer elektoratin e tyre e kanë ndihmuar të majtën, dhe që vetëm për të vjedhur kanë vjedhur me të djathtën! Zëra te rinj ka plot. Shehi njëri prej tyre. Lapaj, po ashtu.
E djathta edhe e bashkuar, perballë të majtës së pa shkallmuar, zor se merr pushtet, por të paktën e detyron pushtetin të qeveris më me kujdes. Kështu siç është, as që do të konsiderohet, qoftë edhe si opozitë, jo nga numrat e ulëseve në Kuvend, që nuk janë pak, por nga mendësitë e tipit: o të gjitha, ose asnjë! Kjo e fundit, të konsideruarit si opozitë, është baza e të vlerësuarit nga votuesit për pushtetin e radhës, ndaj s’duhet nënvlerësuar kurrë prej zërave të arësyeshëm e “të ftohtë” opozitarë.
Prej të gjithëve, mazhorancë dhe opozitë, pritet tejkalimi i vetvetes. Sistemi ynë politik duhet reformuar. Barra e burokracisë që mbajnë mbi supe rreth dy milion shqiptarë që jetojnë realisht në Shqipëri, është më e madhe se vetë barra e varfërisë. Qeverisja në tërësinë e saj duhet bërë më e lehtë, më e manovrueshme, shumë më afër halleve reale të njerëzve, larg arrogancës e korrupsionit gjenerik ku ndodhet. Administrata duhet mirëpaguar, por drastikisht duhet shkurtuar. Ajo duhet konsoliduar jashtë vullneteve politike të radhës, vetëm mbi kritere profesionale e të integritetit moral e ligjor të secilit prej tyre. Parlamenti duhet zvogéluar dukshëm në numër, sistemi zgjedhorë duhet hapur totalisht me guxim, dhe kompetencat e Kryeministrit, Kuvendit e Presidentit duhen riekulibruar. Vetë procesi i votimit dhe administrimit të votës duhet bërë më i lehtë dhe më “i ftohtë” duke investuar në teknologji, dhe dukshëm më i pa kontestueshëm, duke e nxjerr atë nga kthetrat e administrimit partiak. Drejtësia duhet mbajtur në shinat e vetëreformimit dhe vetëkorigjimit, larg presioneve e jo jashtë kontrollit demokratik parlamentar!
Po ne, ku jemi?
Fatkeqësisht ne si popull vazhdojmë të votojmë me inat, sidomos në Veriun e vendit. Zona më e varfër e vendit vazhdon të ndjek rrugën e rebelimit inatçor të trashëguar dhe voton të djathtën, ndonëse asnjë hajr nuk ka parë prej saj, ndërsa Jugu voton të majtën masivisht edhe pa ndonjë analizë. Tirana mbetet pasqyra reale e elektoratit shqiptar dhe përfaqësuese në çdo aspekt.
Përtej përkatësisë politike e përfitimeve nga pushteti, ne zgjedhësit e thjeshtë shqiptar, Brenda e jashtë vendit, shpresoj të mësohemi t’i shohim politikanët, në pushtet e në opozitë, më realisht, jo si idhuj e të paprekshëm, por si njerëz që duhet t’i shërbejnë qëllimeve tona. Ata duhet të konsiderohen “vegla” në duart tona, jo ne vegla për qëllimet e tyre, shpesh të vërtetuara si të mbrapshta e deri antikombëtare. Duke i parë kështu, dhe duke u kërkuar atyre llogari në vijimësi, do të ndikojmë secili në transformimin demokratike të partive politike, aq të munguar e të dëshiruar, por edhe në uljen e gangrenës së korrupsionit. Ne duhet të mësohemi t’i kërkojmë të drejtat tona të ligjshme përpara çdo pushtetari, duke ngritur kryet e zërin, jo duke shqyer xhepat tanë, edhe ashtu të grisura…
E ardhmja varet nga ne. Duhet të ndryshojmë secili që të presim ndryshimin e shoqërisë. Ne jemi e sotmja dhe e nesërmja. Gjithshka tjetër është ndihmëse ose penguese, por jo vendimtare!
Qoftë kjo edhe me emrin Evropë ose Amerikë…
Comments